Ajeti i dytë: “Muaji i Ramazanit në të cilin zbriti Kurani, udhëzim për njerëzit, sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues i saj nga rruga e shtrembër. Këdo që e gjen ky muaj le ta agjërojë atë.” | Suretu El-Bakara: 185 |
Ky ajet përmban:
1- Ramazani është muaj prej muajve hënor sipas ndarjes së kohës në librin e Allahut.
Muaji i Ramazanit është i vetëm muaj hënor i përmendur në Kuran, dhe është një prej 12 muajve që përbëjnë 12 cikle hënore (mbushje-zbrazje) sipas të cilave ndahet koha tek Allahu.
Allahu i Madhëruar thotë në Kuran: “Numri i muajve tek Allahu është dymbëdhjetë muaj në librin e Allahut, atë ditë që ka krijuar qiellin dhe tokën. Katër prej tyre janë të shenjtë. Kjo është feja e drejtë, pra mos i bëni në to zullum vetës tuaj.” | Et-Teube: 36 |
Muajt hënorë janë: Muharrem, Safar, Rabi-ul-Euuel, Rabi-ul-akhir, Xhumade El-Ula, Xhumade el-Ukhra, Rexheb, Shaban, Ramazan, Sheval, Dhul-Kade, Dhul-Hixhxhe.
Llogaritja e këtyre muajve është me hënën, ku çdo muaj ka 29 ose 30 ditë një cikël i plotë hënor mbushje-zbrazje. Profeti alejhi selam në një hadith të transmetuar nga Ibën Umeri thotë: “Ne jemi umet analfabet, nuk lexojmë dhe as llogarisim. Muaji është kështu, kështu dhe kështu”, – duke bërë me gishta një herë 29 dhe një herë 30.” E transmeton Buhariu.
Hyrja në Ramazan bëhet si në çdo muaj tjetër me shikimin e hënës, siç thotë Profeti alejhi selam në hadithin e transmetuar nga Ebu Hurejra radiallahu anhu: “Agjëroni kur ta shihni hënën dhe çeleni kur ta shihni atë. Nëse retë ju pengojnë atëherë plotësojeni Shabanin 30 ditë.” E transmeton Buhariu dhe Muslimi.
Ky hadith përmban dy rregulla në lidhje me hyrjen në Ramazan:
a- Agjërimi dhe çelja duhet të jenë me shikimin e hënës me sy, sepse Profeti alejhi selam thotë: “Agjëroni kur ta shihni hënën dhe çeleni kur ta shihni atë.” Kjo tregon se përjashtohet mënyra tjetër që nuk bazohet në shikimin e saj por në llogaritje astronomike. Shejhu islam Ibën Tejmije thotë: Nuk njihet ndonjë kundërshtim i hershëm në këtë çështje veçse pas 100 vjeçarit të tretë të këtij ymeti.
b- Agjërimi i muslimanëve duhet të jetë i përbashkët, sepse Profeti alejhi selam u drejtohet muslimanëve në shumës kur thotë “agjëroni”. Kjo tregon se përjashtohen mendimet që thonë se çdo vend duhet të eci me shikimin e tij. Shejhu islam Ibën Tejmije thotë: Rregulli i përfituar nga ky hadith është se kujt i mbërrin lajmi duhet të agjërojë.
Mund të pyes dikush se pse në hadithin e Kurejbit Ibn Abasi radiallahu anhu nuk punoi me shikimin e Muavijes radiallahu anhu?
Le të përmendim si fillim hadithin e plotë për të parë ku qëndron problemi, pastaj t’i japim përgjigje:
Një tabiin me emrin Kurejb e kishte dërguar një sahabie që quhet Umul Fadl bint El-Harith për te Muavija në Sham para Ramazanit. Ai thotë: “Mbërrita në Sham, dhe pasi kreva nevojat e mia më zuri atje Ramazani dhe e pashë hënën natën e xhuma. Kur mbërrita në Medine në fundin e muajit Abdullah bin Abasi më pyeti për udhëtimin, dhe në fund përmendi hënën dhe më tha: E patë hënën? I thashë: E pamë natën e xhuma. Ai më tha: Ti vet e pe? I thashë: Po. Pastaj e panë dhe të tjerët dhe agjëruan, dhe agjëroi edhe Muavija. Ai më tha: Ne e kemi parë natën e shtunë dhe do të vazhdojmë të agjërojmë derisa të plotësojmë 30 ditë, ose derisa të shohim hënën. I thashë: Nuk të mjafton shikimi i Muavijes dhe agjërimi i tij? Tha: Jo, se kështu na ka urdhëruar i dërguari i Allahut.” E transmeton Muslimi.
Shejh Albani – Allahu e mëshiroftë -, në lidhje me përgjigjen e pyetjes tonë thotë: Hadithi i Ibën Abasit ka ardhur për atë njeri që e ka nisur Ramazanin me shikimin e tij, dhe gjatë Ramazanit lajmërohet se në një vend tjetër e kanë parë hënën një ditë përpara. Në këtë rast ai vazhdon të agjërojë me banorët e vendit të tij derisa të plotësojnë muajin 30 ditë, ose derisa ta shohin hënën para plotësimit të tij. Kështu mbetet hadithi i Ebu Hurejrës në përgjithësimin e tij, duke përfshirë çdo njeri që i mbërrin lajmi se hëna është parë në një vend. Kjo gjë sot është e lehtë por kërkon interesimin e vendeve islame që të bëhet realitet.
Derisa shtetet islame të bien dakord për këtë gjë (që të mjaftohen me shikimin e njërit vend), atëherë e shoh të arsyeshme që çdo popull të agjërojë me shtetin e tij dhe të mos ndahet.
Fakti që njerëzit e një vendi nuk duhet të ndahen në agjërim dhe në çelje të tij është edhe një hadith tjetër i transmetuar nga Ebu Hurejra radiallahu anhu, se Profeti alejhi selam ka thënë: “Agjërimi është atë ditë kur agjërojnë njerëzit, çelja është atë ditë kur çelin njerëzit, dhe kurbani është atë ditë kur bëjnë kurban njerëzit.” E transmeton Tirmidhiu dhe e saktëson shejh Albani.
Tirmidhiu thotë në kuptimin e këtij hadithi: Disa dijetarë e kanë shpjeguar këtë hadith dhe kanë thënë se kuptimi i tij është se agjërimi dhe çelja janë me bashkësinë e njerëzve.
Po ashtu, edhe Aisha radiallahu anha e këshillon një tabiin që quhet Mesruk për të njëjtën gjë. Mesruku thotë: “Shkova tek Aisha ditën e Arafatit (duke qenë pa agjërim), dhe Aisha radiallahu anha tha: Jepini Mesrukut seuik (një lloj ushqimi i lëngshëm) dhe bëjani të ëmbël. Mesruku i tha asaj: Nuk më pengoi gjë të agjëroj sot veçse pata frikë se është dita e kurbanit. Aisha i tha: Kurban është atë ditë kur njerëzit bëjnë kurban dhe çelje është atë ditë kur njerëzit çelin.” E transmeton Bejhakiu dhe e saktëson shejh Albani.
Një tjetër çështje që të çon në të njëjtin përfundim është: Në çeljen e Ramazanit kur kemi vetëm një dëshmitar që ka parë hënën dhe nuk bëhen dy, atëherë njerëzit do agjërojnë që të plotësojnë muajin 30 ditë. Po shikuesi i hënës çfarë duhet të bëjë? Ta çelë vetëm apo të agjërojë me njerëzit?
Shejhu islam Ibn Tejmije thotë: Ai që e ka parë vetëm hënën nuk duhet ta çelë Ramazanin në publik, dhe për këtë kanë rënë dakort të gjithë dijetarët. A i lejohet atij ta çelë fshehurazi? Ka dy mendime mes dijetarëve dhe më i sakti prej tyre është se nuk duhet ta çelë fshehurazi.
Pra, të agjërojë atë ditë me njerëzit që të bëjë bajram me ta ditën tjetër.
2- Zbritja e Kuranit në Ramazan.
Ky ajet na lajmëron se zbritja e Kuranit është bërë në Ramazan, dhe këtë gjë e sqaron më tepër Ibn Abasi radiallahu anhu i cili thotë: “Allahu e ka zbritur të gjithë Kuranin në Ramazan në qiellin e dynjasë në Bejtul-Izza (shtëpia e krenarisë që është Qabja e qiellit të dynjasë), pastaj prej aty ka zbritur pjesë-pjesë (deri në fund të jetës së Profetit alejhi selam).” Zbritja në këtë ajet është bërë nga “Leuhi Mahfudhi” për në Bejtul-Izza.
Në të vërtetë ky muaj është edhe muaji i zbritjes së librave të tjerë, siç tregon Uathile bin Usku’ radiallahu anhu se Profeti alejhi selam ka thënë: “Kanë zbritur fletushkat e Ibrahimit në natën e parë të Ramazanit, ka zbritur Teurati pasi kanë kaluar gjashtë netë nga Ramazani, ka zbritur Inxhili pasi kanë kaluar trembëdhjetë netë nga Ramazani, dhe ka zbritur Kurani pasi kanë kaluar njëzet e katër netë nga Ramazani.” E transmeton Imam Ahmedi dhe e saktëson shejh Albani.
3- Disa cilësi të Kuranit.
Ky ajet përmban tre cilësi të Kuranit:
a- Udhëzues i njerëzve për në rrugë të drejtë.
b- Qartësues i rrugës së drejtë.
c- Dallim i rrugës së drejtë nga rruga shtrembër e humbjes.
Kush lexon Kuranin gjen informacion se kush është njeriu, pse është njeriu në këtë botë, ç’rrugë duhet të ndjekë, dhe kur të mbërrij në fund të rrugës çfarë ka për të gjetur atje? Ndërsa kush nuk ulet me të nuk ka për t’i njohur kurrë përgjigjet e këtyre pyetjeve.
Kush ulet me Kuranin nuk ka për t’u ngritur i hutuar dhe as i larguar nga rruga e drejtë, por i udhëzuar dhe për çdo gjë që i duhet i mirinformuar.
4- Caktimi i Ramazanit si muaji i agjërimit për të kujtuar mirësinë e zbritjes së Kuranit.
Allahu i Madhëruar e përfundon ajetin me urdhrin për agjërim pas një parathënie të gjatë. Lind pyetja se pse gjithë ajo parathënie përpara?
Përgjigjja është se Allahu sikur do të thotë: Zbritja e Kuranit është mirësia më e madhe që u kam bërë. Në të është: udhëzimi, qartësimi i rrugës së drejtë, dallimi mes të vërtetës dhe të kotës. Prandaj agjërojeni këtë muaj mes gjithë muajve të vitit për ta kujtuar këtë mirësi.
Shkroi: Dr. Abdullah Nabolli
Të Ngjashme
- Dobitë e dhikrit të mëngjesit dhe të mbrëmjes Udha e Besimtarëve
- Një dijetar si Ibn Tejmije Udha e Besimtarëve
- Rregull i pandryshueshëm: Çdo gjë që përdoret për të kundërshtuar Allahun, ajo ka për tu prishur. Udha e Besimtarëve
- Statusi dhe vlera e fikhut në Islam Udha e Besimtarëve
- Trokitje në portën e Ramazanit Udha e Besimtarëve