Me ajetet e agjërimit (Pjesa e parë)

Me ajetet e agjërimit

Ajeti i parë: “O ju që keni besuar, ju është bërë detyrë agjërimi ashtu siç ishte për ata që ishin para jush në mënyrë që të ruheni (prej zjarrit)” Suretu El-Bekare: 183.

Ky ajet përmban:

1-Allahu u thërret besimtarëve.

Allahu i madhëruar u thërret besimtarëve në emër të besimit, ky emër i cili i veçon nga të tjerët dhe i kujton ata me deklaratën e shehadetit që kanë bërë para tij. Pastaj kjo lloj thirrje nuk vjen në këtë mënyrë veçse për një punë të dobishme ose për tu larguar nga një e keqe siç transmetohet nga

Abdullah ibn Mesudi radiallahu anhu se ka thënë: “Kur të dëgjosh thirrjen [O ju që keni besuar] dëgjoje me vëmendje se është ose hajër që po urdhërohesh për të ose sherr për tu larguar prej tij”.
Thirrja në emër të besimit përjashton ata që nuk janë në besim sepse atyre u kërkohet si fillimi islami i cili është kushti i pranimit të punëve të tyre.
Nga kjo thirrje përjashtohet gjithashtu edhe ai që nuk e kupton atë si i vogli dhe njeriu me të meta mendore dhe po ashtu edhe ai që nuk ka mundësi ta zbatojë thirrjen si: i sëmuri, plaku i moshuar, gratë shtatzëna dhe gjidhënëset.

2- Thirrja është për agjërim.

Agjërimi është një lloj adhurim ku njeriu heq dorë përkohësisht nga disa prej qejfeve të kësaj bote për hire të Allahut e madhëruar për të fituar kënaqësinë e tij dhe për ta depozituar atë për në ditën kur njerëzit dalin para Allahut për llogari. Ky lloj adhurimi është plotësim i rrethit të nënshtrimit të plotë para Allahut të madhëruar që bëhet me zemër siç është besimi, me goje siç është shehadeti dhe përmendja e Allahut, me trup siç është namazi dhe haxhi, me pasuri siç është zeqati, me largim nga qejfet e kësaj bote siç është agjërimi dhe në fund edhe me flijim të shpirtit nëse lipset siç bëri Ibrahimi alejhi selam me të birin e tij.

Kjo gjë na kujton me ajetin ku Allahu i madhëruar i emërton pasuesit e kësaj feje myslimanë që do të thotë i dorëzuar i Allahut siç thotë Allahu në kuran: “O ju që keni besuar, përkuluni, bini në sexhde, adhurojeni Zotin tuaj dhe bëni vepra të mira që të shpëtoni * Përpiquni me vërtetësi në rrugën e Allahut se ai ju ka zgjedhur dhe nuk ju ka bërë vështirësi në fe. Ndiqni fenë e babit tuaj Ibrahimit! Allahu ju ka emërtuar myslimanë më përpara (në librat e hershëm) dhe tani (në Kuran).” Suretu El-Haxh: 77-78.
3- Agjërimi, adhurim që është kërkuar edhe prej popujve të tjerë.

Njësimi i Allahut është e përbashkëta e profetëve siç thotë Allahu i madhëruar në Kuran: “Nuk kemi dërguar ndonjë profet para teje veçse i kemi shpallur se nuk ka të adhuruar tjetër veç meje pra më adhuroni!”
Dhe ata përveç njësimit kanë pasur edhe të përbashkëta të tjera në disa punë si namazi dhe agjërimi. Agjërimi është përmendur në këtë ajet kurse namazi është përmendur në historinë e Musës alejhi selam kur i Allahu i thotë atij: “Unë të kam zgjedhur ty dhe dëgjo me vëmendje se çdo të shpallim * Unë jam Allahu që nuk ka të adhuruar tjetër veç meje dhe kryeje namazin për përkujtimin tim” suratu Taha: 13-14.
Mirëpo këto të përbashkëta që kanë lidhje me punët edhe mund të ndryshojnë në mënyrën, kohën, numrin dhe në lehtësinë apo vështirësinë e kryerjes. Prandaj dhe profeti alejhi selam thotë: “Profetët janë vëllezër nga babai. Feja e tyre është një dhe nënat janë të ndryshme”.
Fjala e tij [nënat janë të ndryshme] do të thotë: rregullat e adhurimit -jo të besimit- mund të ndryshojnë siç u tha më lart në mënyrë, kohë, numër, vështirësi etj. dhe pikërisht këtë gjë ka dashur të sqarojë Allahu në kuran kur ka thënë: “Secilit prej tyre (profetëve) i kemi bërë ligje dhe rregulla (të veçanta)”.
Ngjasimi në agjërim është siç thonë shumë komentues të kuranit agjërimi i tre ditëve në çdo muaj i cili ka qenë detyrë që nga Ademi e deri te profeti ynë, gjë e cila u anulua me vonë kur u bë detyrë agjërimi i ramazanit por që vazhdon të jetë e pëlqyeshme dhe jo detyrë.
Është thënë gjithashtu se ngjasimi në agjërim është në vetë ramazanin. Es-Sudi (një prej komentuesve të kuranit i vdekur 127 H) thotë: “Ju vështirësua të krishterëve agjërimi i ramazanit sepse binte edhe në dimër edhe në verë dhe kur ndodhi kjo gjë ranë dakord ta fiksojnë agjërimin e tyre në stinën mes dimrit dhe verës dhe vendosën të shtojnë edhe njëzet ditë si shlyerje për ndryshimin” diçka të përafërt me këtë që u tha është treguar edhe nga Shabiu.
Ndërsa prej ndryshimeve në agjërim është syfyri siç thotë profeti alejhi selam: “Nryshimi mes agjërimit tonë dhe agjërimit të ehli kitabit është syfyri” e transmeton Ebu Daudi dhe e saktëson sheikh Albani.
Pra agjërimi i tyre ishte pa syfyr nga iftari në iftar gjë e cila ka qenë edhe tek ne në fillim të islamit por që u anulua dhe u bë nga agimi në perëndim ose nga syfyri në iftar.
Po ashtu edhe iftari nuk ka qenë në të njëjtën kohë me ne siç thotë profeti alejhi selam: “Feja do vazhdojë të jetë e dukshme (pjesë e jetës së njerëzve) derisa njerëzit e shpejtojnë iftarin (ta çelin menjëherë pas perëndimit) sepse çifutët dhe të krishterët e vonojnë”.
Sot çifutët dhe të krishterët agjërojnë ndaj disa lloje ushqimesh dhe jo ndalim të plotë nga ngrënia dhe pirja. A është edhe kjo prej ndryshimeve që i ka bërë Allahu në rregulla apo prej ndryshimeve të tyre, këtë vetëm Allahu e di më së miri.

4- Nga agjërimi rrjedh devotshmëria.
Agjërimi është nënshtrim i shpirtit duke e frenuar atë nga disa dëshira të tij dhe kjo bën që njeriu ta ketë nën kontroll shpirtin e tij dhe ska dyshim se njeriu është i prirur për të rendur pas qejfeve të kësaj bote siç thotë Allahu në kuran:
“Është zbukuruar për njerëzit rendja pas qejfeve: gratë, fëmijët, depot e floririt dhe të argjendit, kuajt e shaluar, bagëtitë dhe të mbjellat. Ato janë plaçkë e kësaj bote dhe te Allahu është kthimi i mirë”
Dhe rendja e pa kontrolluar me rregullat Allahut të le bosh në ahiret siç thotë Allahu në kuran: “Dijeni se jeta e dynjasë është lojë, argëtim, mburrje konkurrim në pasuri dhe fëmijë si puna e shiut i cili i gëzon bujqtë me bimët që dalin pas tij pastaj thahen, zverdhën dhe copëtohen dhe në ahiret ka dënim të ashpër dhe falje prej Allahut. Nuk është jeta e dynjasë veçse plaçke e të mashtruarit”
Atëherë agjëruesi duke futur nën kontroll qejfet e dëshirat e tij arrin në dy gjëra: shton vullnetin për punë të mira të cilat kanë vlerë te Allahu dhe mposht dëshirën për punë të liga dhe kjo është kuptimi i devotshmërisë që ka dashtë Allahu sepse devotshmëri do të thotë: të bësh mes teje dhe asaj pune që zëmëron Allahun një mburojë dhe kjo nuk mund të ndodhe veçse me kryerjen e detyrave dhe largimin nga të ndaluarat siç thoshte Umr bin Abdulaziz: “Devotshmëria është të lësh atë që ka ndaluar Allahu dhe të bësh atë që të ka urdhëruar Allahu”.

Vijon…

 

Shkroi: Dr Abdullah Nabolli