Ajo ditë do të jetë e vështirë për mohuesit

January 14, 2020

Ajo ditë do të jetë e vështirë për mohuesit

Falënderimet dhe lavdatat i takojnë vetëm Allahut, Zotit të botëve! Dëshmoj se nuk e meriton adhurimin askush me të drejtë veç Allahut, i Cili është i Vetëm dhe nuk ka ortak. Gjithashtu dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguari i Tij, paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të, mbi familjen dhe mbi shokët e tij!

Do të ndalemi pak në fjalën e Allahut të Lartësuar ku cilëson ditën e gjykimit, duke thënë: “Ajo ditë do të jetë e vështirë për mohuesit!” [Suretu Furkan: 26]

Për vështirësinë e asaj dite ja vlen të ndalemi e të meditojmë në mënyrë që njeriu të marrë shkaqet dhe rrugën se si të shpëtojë nga vështirësia e asaj dite. Ajo është ditë që do t’i vijë njeriut dhe është e pashmangshme. Është dita që do t’i kërkohet llogari njeriut, dhe kjo është e pashmangshme. Për mohuesit kjo ditë cilësohet e vështirë: “Ajo ditë do të jetë e vështirë për mohuesit!” [Suretu Furkan: 26]

Vështirësia e asaj dite vjen si pasojë e veprave të tyre të liga dhe gjendjes së keqe që kanë pasur në jetën e kësaj bote, siç ka thënë Allahu i Lartësuar: “E sa i përket atij që bën koprraci dhe ndien veten të pavarur (nga Zoti) dhe mohon më të mirën, Ne do t’a përgatisim për më të vështirën.” [Surja Lejl: 8-10]

Kjo vështirësi vjen si pasojë e asaj çka vepruan ata duke u treguar kryeneç ndaj së vërtetës, si dhe duke jetuar të humbur e të devijuar nga feja e Allahut të Lartësuar.

Vështirësisë së asaj dite i shtoohet edhe kohëzgjatja e cila do të jetë e habitshme. Një ditë prej ditëve të saj është sa pesëdhjetë mijë vite, siç na ka treguar Kurani dhe hadithi i Pejgamberit (paqja e nderimet e Allahut qofshin mbi të). Një ditë e vetme është e barabartë me pesëdhjet mijë vite. Njerëzit do të qëndrojnë në pritje në atë ditë të gjatë, ditë në të cilën dielli do t’u afrohet krijesave, e kjo ditë do të jetë e vështirë për mohuesit. Allahu do t’ia lehtësojë këtë ditë robit besimtar, si nga aspekti kohëzgjatjes po ashtu edhe në aspektin e shpëtimit nga kjo vështirësi.

Përsa i përket lehtësimit në kohëzgjatje është transmetuar në hadithin që përcjell imam Hakimi në ‘Mustedrakun e tij’, nga hadithi i Ebu Hurejres (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) se i dërguari i Allahut (paqja e nderimet e Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Dita e gjykimit do të jetë për besimtarët sa koha mes drekës dhe ikindisë.” Kjo ditë e cila do të jetë me këtë kohëzgjatje e lehtëson Allahu për besimtarin dhe e bën të jetë sa koha që është mes namazit të drekës dhe ikindisë.

Ata do të shpëtojnë nga vështirësia e kësaj dite në bazë të besimit dhe llojeve të punëve të mira me të cilat janë afruar tek Allahu i Lartësuar. Është transmetuar në një hadith se i dërguari i Allahut (paqja e nderimet e Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Shtatë grupe njerëzish Allahu do t’i fusë nën hijen e Tij atë ditë ku nuk do të ketë hije tjetër pos hijes së Tij.” Dhe kjo është pjesë e lehtësimit që do t’u ofrohet besimtarëve dhe atyre dhe janë afruar tek Allahu me anë të veprave të mira dhe adhurimeve.

Këtu vlen të përmendim diçka të rëndësishme të nderuar vëllezër. Namazi që është shtylla e fesë pas dy dëshmive të Islamit ka një lidhje të ngushtë me lehtësimin e vështirësisë së asaj dite dhe mos lehtësimin e saj. Dijetari i madh Ibn Kajim (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: “Njeriu qëndron para Zotit të tij dy herë: Herën e parë në namazin që kryen dhe herën e dytë në ditën e llogarisë. Prandaj ai i cili i jep hakun qëndrimit të parë i lehtësohet qëndrimi i dytë. E ai i cili neglizhon në qëndrimin e parë dhe nuk i jep hakun e duhur, atëherë atij do t’i vështirësohet qëndrimi i dytë.”

Namazi i cili është shtylla e fesë dhe ky qëndrim përpara Allahut të Lartësuar në namaz ka lidhje të ngushtë me lehtësimin e vështirësisë së asaj dite. Mendoj se e vutë re në hadithin e mëparshëm të Ebu Hurejres ku Pejgamberi (paqja e nderimet e Allahut qofshin mbi të) thoshte: “Dita e gjykimit për besimtarin do të jetë sa koha mes drekës dhe ikindisë.” Pra ai e krahasoi me kohën mes dy namazeve dhe jo me diçka tjetër. E caktoi me kohën e namazit sepse namazi është puna e këtyre besimtarëve dhe se ai luan rol kyç në lehtësimin e tyre. E kufizoi lehtësimin e vërshtirësisë së asaj dite me namazin për ata që e falin dhe janë të kujdesshëm ndaj tij.

Imam Tirmidhiu përcjell në librin e tij ‘ElXhamiu’ nga hadithi i Hurejth ibn Kabisate (Allahu e mëshiroftë) se ka thënë: “Shkova në Medine dhe u luta duke thënë: O Allah! Ma lehtëso të gjej një njeri të mirë. Shkova dhe u ula tek Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) dhe i thashë: Unë j’u luta Allahut që të m’a lehtësojë të gjej një njeri të mirë, ndaj më trego ndonjë hadith nga i dërguari i Allahut (paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të) që ti e ke dëgjuar prej tij se ndoshta Allahu më bën dobi me të. Ai tha: Kam dëgjuar të dërguarin e Allahut (paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të) duke thënë: “Gjëja e parë për të cilën njeriu do të japë llogari prej punëve të tij do të jetë namazi. Nëse me namazin do i ketë punët mirë atëherë ka shpëtuar, e nëse me namazin do t’i ketë punët keq atëherë është shkatërruar.”

Shikoni lidhjen e qartë që ka namazi me shpëtimin për ata që e kryejnë atë dhe se ata që e lënë pas dore do të jenë të shkatërruar. Ndaj ai i cili vjen ditën e gjykimit duke e lënë namazin pas dore e duke e neglizhuar, ai e ka gjykuar veten e tij me dështim dhe shkatërrim. Është përcjellë në Musnedin e imam Ahmedit nga hadithi i Abdullah ibn Amër ibn As (Allahu qoftë i kënaqur me ta) se ka thënë: Një ditë i dërguari i Allahut (paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të) përmendi namazin dhe tha: “Ai i cili kujdeset për namazin, ai do të jetë për të dritë, argument dhe shpëtim në ditën e gjykimit. E ai i cili nuk kujdeset për të (namazin), ai nuk do të ketë dritë, as argument e as shpëtim ditën e gjykimit. Atë ditë ai do të jetë me Karunin, Firaunin, Hamanin dhe Ubej ibn Halef.”

Kjo do të thotë se ai i cili nuk e fal namazin do të ringjallet në ditën e gjykimit me kokat e mohuesve dhe njerëzve të shthurur, dhe ai e ka gjykuar veten e tij të ringjallet me këta njerëz deshi apo nuk deshi. E nëse do i thuhet dikujt a dëshiron që të ringjallesh ditën e gjykimit në krah të njerëzve më zullumqarë si; Firauni, Hamani, Karuni dhe Ubej Ibn Halef? Sigurisht që nuk do të pranonte. Prandaj, nëse nuk e fal namazin ke gjykuar për vetën tënde deshe apo s’deshe. Allahu i Lartësuar ka thënë: “Nuk është (shpëtimi) sipas shpresave tuaja dhe as sipas shpresave të ithtarëve të librit.” [Surja Nisa:123] Nuk mjafton që njeriu të pretendojë se e dua këtë apo atë, por duhet të veprojë punë që e shpëtojnë prej asaj dite. Për këtë, i dërguari i Allahut (paqja e nderimet e Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “I gjithë umeti im do të hyjë në xhenet përveç atij që nuk dëshiron! I thanë: O i dërguari i Allahut! Cili nuk dëshiron që të hyjë në xhenet? Ai tha: Kush më bindet mua do të hyjë në xhenet, e kush nuk më bindet ai ka refuzuar të hyjë.” E prej gjynaheve më të mëdha është braktisja e këtij obligimi madhështor të cilin e ka bërë obligim Allahu i Lartësuar për robërit e Tij pesë herë gjatë ditës dhe natës.

E lus Allahun e Lartësuar që të na i lehtësojë punët tona, të na përmisojë gjendjen tonë, të na bëjë prej atyre që përkujdesen për namazin, të na udhëzojë në rrugën e drejtë dhe të mos na lërë t’i mbështetemi veteve tona qoftë edhe sa hap e mbyll sytë!

Allahu e di më së miri! Paqja dhe nderinet e Allahut qofshin mbi të dërguarin e Tij!

Shkroi: AbduRrezak el Bedër

Përktheu: Ylli Rama

 

Dosje:

Loading...