Alkooli – dëmet dhe gjykimi fetar për të

April 16, 2023

Ndër dhuntitë më të çmuara të Allahut për njeriun në këtë botë është mendja e shëndoshë dhe shëndeti. Këto dy dhunti kanë disa armiq të përbashkët, e një ndër më të dëmshmit prej tyre është alkooli.

E para; çfarë është alkooli dhe cili është përkufizimi i tij fetar? Alkool konsiderohet çdo lloj pijeje dehëse, qoftë kjo e përftuar nga rrushi apo diçka tjetër e në çfarëdo lloj forme të jetë. Ndërsa dehja është etapa e humbjes së vetëdijes.

Cili është gjykimi i alkoolit në Islam?

Pirja e alkoolit është mëkat dhe nuk lejohet në asnjë lloj forme. Çdo pije dehëse është e ndaluar në Islam, qoftë ajo në sasi të madhe apo të vogël. Konsumimi i këtyre lloj pijeve konsiderohet prej mëkateve të mëdha. Argumentet e ndalimit të alkoolit janë të shumta, qofshin nga Kurani, tradita profetike dhe nga unanimiteti i dijetarëve.

Allahu i Madhëruar ka thënë në Kuranin Famëlartë:

O besimtarë! Me të vërtetë; pijet alkoolike, bixhozi, idhujt dhe shigjetat e fallit janë vepra të ulëta nga punët e djallit. Prandaj, largohuni nga këto me qëllim që të shpëtoni!” | El Maideh: 90.

Urdhëri i cili gjendet në këtë ajet kuranor na tregon qartë për ndalimin e konsumimit të tij.

Përsa i përket haditheve nga tradita profetike, mund të cekim fjalën e të Dërguarit të Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem të cilën e transmeton nëna e besimtarëve, Aishja:

Çdo lloj pije dehësë është e ndaluar.1

Gjithashtu, transmetohet nga Ibn Umeri se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë:

Çdo pije dehëse konsiderohet alkool, e çdo lloj alkooli është i ndaluar.2

Hadithet nga tradita profetike janë të shumta rreth kësaj teme dhe arrijnë gradën teuatur (gradë e pakundërshtueshme për nga ana e saktësisë dhe autenticitetit të thënieve profetike).

Ndërsa përsa i përket unanimitetit të dijetarëve, i gjithë umeti islam është dakort rreth ndalimit të konsumimit të alkoolit.

Por cila është urtësia nga ndalimi i tij?

Allahu i Madhëruar i ka dhënë njeriut shumë dhunti, e ndër më madhështoret prej tyre është mendja dhe logjika e tij. Allahu e dalloi njeriun prej krijesave të tjera me anë të kësaj dhuntie. Në anën tjetër, alkooli bëhet shkak që njeriu të humbë logjikën e tij, të krijohen probleme sociale në mesin e shoqërisë duke filluar nga problemet më të rëndomta, e duke përfunduar edhe në tragjedi makabre ku ka pasur edhe humbje jetësh. Ekziston një lidhje mes konsumimit të alkoolit dhe mes rrezikut të përfshirjes në dhunë (duke përfshirë edhe vrasje), e cila është një dukuri më karakteristike e konsumimit të niveleve të larta të alkoolit.

Përgjithësisht, sa më i lartë të jetë niveli i konsumit të alkoolit, aq më serioze është shfaqja e dhunës. Alkooli gjithashtu bëhet shkak që njeriu të largohet nga adhurimi më madhor i cili është namazi, e gjithashtu e largon atë prej përmendjes së Allahut të Lartëmadhëruar.

Për këto e për shumë arsye të tjera, legjislacioni islam e ka ndaluar alkoolin në formë të prerë si rrjedhojë e rrezikut të madh që i kanos individit në radhë të parë, e më pas edhe shoqërisë e cila e rrethon.

Allahu i Madhëruar thotë në Librin e Tij Famëlartë:

Vërtet, djalli me pije alkolike dhe me bixhoz kërkon që të futë midis jush armiqësi e urrejtje, dhe t’ju shmangë nga të kujtuarit e Allahut dhe kryerja e namazit. Prandaj, a po hiqni dorë?” | El Maideh: 91.

Tregohet se në popujt e mëparshëm një nga asketët, në një situatë të vështirë u vu mes tre zgjedhjesh; ose të pinte një gotë alkool, ose të vriste një djalosh të ri, ose të bënte imoralitet me një femër. Ai gjykoi se konsumimi i alkoolit ishte dëmi më i vogël, ndaj kërkoi që t’i sillnin gotën e verës. Pasi e konsumoi kërkoi të pinte përsëri. E vazhdoi të pinte derisa ra në imoralitet dhe vrau edhe djaloshin.3

Dëmet e alkoolit nuk janë të veçanta dhe të lidhura vetëm me anën sociale apo fetare. Ato shtrihen edhe më gjerë dhe bëhen shkak për sëmundje e probleme të shumta në organizmin e njeriut.

Dëmet prej tij shkaktohen më së shumti në mëlçi, në tru dhe më pak në zemër. Në mëlçi alkooli i konsumuar shkakton dëmtime të qelizave hepatike, dëmtim që rritet në kohë duke u varur nga doza e konsumuar, kohëzgjatja e konsumit, si dhe nga veçoritë fiziologjike të individit.

Jo pak dëmtime nga alkooli pëson edhe pankreasi. Përdorimi i zgjatur i tij e dëmton në mënyrë kronike pankreasin, deri në atë shkallë sa ai nuk arrin të sekretojë sasinë e duhur të enzimave pankreatike për të kryer të plotë procesin e tretjes së ushqimeve, sidomos të yndyrnave të marra me dietën ushqimore.

Dëmi më i madh vjen nga përdorimi afatgjatë. Është vërtetuar se për çdo një litër alkool vdesin 1000-2000 neurone, qelizat funksionale të trurit, të cilat nuk rigjenerohen më pas dëmtimit. Kështu që përdoruesit kronikë të alkoolit me kohë e çojnë personin drejt demencës e cila është vështirësi në të menduar, mbajtur mend dhe në të marrë vendime. Pra, alkooli dëmton pa përjashtim të gjitha organet e trurit.

Dhe më e dëmshmja se të gjitha këto dëme janë pasojat të cilat ndikojnë në peshoren e veprave të njeriut dhe pozitës së tij te Krijuesi Fuqiplotë.

Ai i cili konsumon alkoolin e largon nga zemra e tij dritën e besimit. Po ashtu, ai i cili e konsumon alkoolin në këtë botë nuk ka për ta shijuar alkoolin e botës tjetër (por duhet ditur se ai nuk ka veti dehëse siç ka alkooli i kësaj bote).

I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem na ka treguar se Allahu i Madhëruar e ka larguar nga mëshira e Tij atë të cilin konsumon alkoolin.

Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë:

Allahu e ka mallkuar 4 alkoolin, atë që e konsumon atë, atë që e shërben atë, atë që e shet atë, atë të cilit i shitet, atë që e përgatit, atë për të cilin përgatitet, atë që e transporton, atë të cilit i transportohet, dhe atë të cilin përfiton nga vlera monetare prej shitjes së tij.5

Prandaj muslimanit i takon që t’i largohet kësaj vepre të shëmtuar dhe të ruhet nga ajo. Me të vërtetë që vështirësia e adhurimit shkon, e mbetet shpërblimi i tij. Ndërsa kënaqësia e përftuar nga mëkati largohet dhe mbetet ndëshkimi si pasojë e kryerjes së tij.6

Lusim Allahun e Madhëruar që t’iu japë sukses atyre të cilët janë sprovuar me këtë mëkat që t’i largohen sa më të shpejt nga ai, dhe ta bëjnë këtë vepër të sinqertë për hir të Tij!


1) Buhariu 5585, dhe Muslimi 2001.

2) Muslimi 2003-75.

3) E transmeton Ibn Hibani në Sahihun e tij me nr. 5324. Shejh Albani e konsideron të dobët si hadith por të saktë si fjalë e sahabiut. Shiko “Et-talikatul Hasan” 8/22, nr. 5324.

4) Kuptimi i saj është largimi nga mëshira e Tij.

5) Transmeton Ebu Daudi dhe El Hakim. E saktëson shejh Albani në “Sahihul Xhemi” me nr. 5091, dhe në “El Irua” me nr. 1529.

6) Kjo shprehje thuhet se e ka cituar Ibnul Xheuzij në librin “Gjuetia e mendimeve”.

Dosje: ,

Loading...