Alkoli, Dëmet dhe Gjykimi Fetar për të

April 16, 2023

Ndër dhuntitë më të çmuara të Allahut për njeriun në këtë botë është mendja e shëndoshë dhe shëndeti. Këto dy dhunti kanë disa armiq të përbashkët, e një ndër më të dëmshmit prej tyre është alkoli.

E para, çfarë është alkoli dhe cili është përkufizimi i tij fetar? Alkol konsiderohet çdo lloj pijeje dehëse, qoftë kjo e përftuar nga rrushi apo diçka tjetër, e gjithashtu në çfarëdo lloj forme të jetë. Ndërsa dehja është etapa e humbjes së vetëdijes.

Cili është gjykimi i alkolit në Islam?

Pirja e alkolit është mëkat dhe nuk lejohet në asnjë lloj forme. Çdo pije dehëse është e ndaluar në Islam, qoftë ajo në sasi të madhe apo të vogël. Konsumimi i këtyre lloj pijeve konsiderohet prej mëkateve të mëdha. Argumentet e ndalimit të alkolit janë të shumta, qofshin nga Kur’ani, tradita profetike dhe nga unanimiteti i dijetarëve.

Allahu i Madhëruar ka thënë në Kur’anin Famëlartë:

O besimtarë! Me të vërtetë, pijet alkoolike, bixhozi, idhujt dhe shigjetat e fallit janë vepra të ulëta nga punët e djallit. Prandaj, largohuni nga këto, me qëllim që të shpëtoni!” (El-Maideh: 90).

Urdhri i cili gjendet në këtë ajet kur’anor na tregon qartë për ndalimin e konsumimit të tij.

Ndërsa përsa i përket haditheve nga tradita profetike, mund të cekim fjalën e të Dërguarit të Allahut (paqja dhe lëvdatat e Allahut qofshin mbi të) të cilën e transmeton Nëna e Besimtarëve, Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të):

Çdo lloj pije dehësë është e ndaluar.1

Gjithashtu transmetohet nga Ibn Umeri (Allahu qoftë i kënaqur me të) se i Dërguari i Allahut (paqja dhe lëvdatat e Allahut qofshin mbi të) se ka thënë:

Çdo pije dehëse konsiderohet alkol, e çdo lloj alkoli është i ndaluar.2

Hadithet nga tradita profetike janë të shumta rreth kësaj teme dhe arrijnë gradën teua’tur (gradë e pakundërshtueshme për nga ana e saktësisë dhe autenticitetit të thënieve profetike).

Ndërsa përsa i përket unanimitetit të dijetarëve, i gjithë umeti islam është dakord rreth ndalimit të konsumimit të alkolit.

Por cila është urtësia nga ndalimi i tij?

Allahu i Madhëruar i ka dhënë njeriut shumë dhunti, e ndër më madhështoret prej tyre është mendja dhe llogjika e tij. Allahu e dalloi njeriun prej krijesave të tjera me anë të kësaj dhuntie. Në anën tjetër, alkoli bëhet shkak që njeriu të humbë llogjikën e tij, të krijohen probleme sociale në mesin e shoqërisë duke filluar nga problemet më të rëndomta e duke përfunduar edhe në tragjedi makabre ku ka pasur edhe humbje jetësh. Ekziston një lidhje mes konsumimit të alkoolit dhe mes rrezikut të përfshirjes në dhunë (duke përfshirë edhe vrasje), e cila është një dukuri më karakteristike e konsumimit të niveleve të larta të alkoolit.

Përgjithësisht, sa më i lartë të jetë niveli i konsumit të alkoolit, aq më serioze është shfaqja e dhunës. Alkoli gjithashtu bëhet shkak që njeriu të largohet nga adhurimi më madhor, namazi, e gjithashtu e largon atë prej përmendjes së Allahut të Lartëmadhëruar.

Për këto, e për shumë arsye të tjera, legjislacioni islam e ka ndaluar alkolin në formë të prerë si rrjedhojë e rrezikut të madh që i kanos individit në rradhë të parë, e më pas edhe shoqërisë e cila e rrethon.

Allahu i Madhëruar thotë në Librin e Tij Famëlartë:

Vërtet, djalli me pije alkolike dhe me bixhoz kërkon që të fusë midis jush armiqësi e urrejtje dhe t’ju shmangë nga të kujtuarit e Allahut dhe kryerja e namazit. Prandaj, a po hiqni dorë?” (El-Maideh: 91).

Tregohet se në popujt e mëparshëm, një nga asketët, në një situatë të vështirë, u vu mes tre zgjedhjesh, ose të pinte një gotë alkol, ose të vriste një djalosh të ri, ose të bënte imoralitet me një femër. Ai gjykoi se konsumimi i alkolit ishte dëmi më i vogël, e kërkoi që t’i sillnin gotën e verës. Pasi e konsumoi, kërkoi të pinte përsëri. E vazhdoi të pinte, derisa ra në imoralitet dhe e vrau djaloshin.3

Dëmet e alkolit nuk janë të veçanta dhe të lidhura vetëm me anën sociale apo fetare. Ato shtrihen edhe më gjerë dhe bëhen shkak për sëmundje e probleme të shumta në organizmin e njeriut.

Dëmet prej tij shkaktohen më së shumti në mëlçi, tru dhe më pak në zemër. Në mëlçi, alkooli i konsumuar, shkakton dëmtime të qelizave hepatike, dëmtim që rritet në kohë duke u varur nga doza e konsumuar, kohëzgjatja e konsumit, si dhe nga veçoritë fiziologjike të individit.

Jo pak dëmtime nga alkooli pëson edhe pankreasi. Përdorimi i zgjatur i tij e dëmton në mënyrë kronike pankreasin deri në atë shkallë, sa ai nuk arrin të sekretojë sasinë e duhur të enzimave pankreatike për të kryer të plotë procesin e tretjes së ushqimeve, sidomos të yndyrnave të marra me dietën ushqimore.

Dëmi më i madh vjen nga përdorimi afatgjatë. Është vërtetuar se për çdo 1 litër alkool, vdesin 1000-2000 neurone, qelizat funksionale të trurit, të cilat nuk rigjenerohen më pas dëmtimit. Kështu që përdoruesit kronikë të alkoolit, me kohë e çojnë personin drejt demencës, që është vështirësi në të menduar, mbajtur mend dhe në të marrë vendime. Pra, alkooli dëmton pa përjashtim të gjitha organet e trurit.

Dhe më e dëmshmja se të gjithë këto dëmë, janë pasojat të cilat ndikojnë në peshoren e veprave të njeriut dhe pozitës së tij te Krijuesi Fuqiplotë.

Ai i cili konsumon alkolin, e largon nga zemra e tij dritën e besimit. Po ashtu, ai i cili e konsumon alkolin në këtë botë, nuk ka për ta shijuar alkolin e botës tjetër (nuk ka veti dehëse siç ka alkoli i kësaj bote).

I Dërguari i Allahut (paqja dhe lëvdatat e Tij qofshin mbi të) na ka treguar se Allahu i Madhëruar e ka larguar nga mëshira e Tij atë të cilin e konsumon alkolin.

Profeti (paqja dhe lëvdatat e Tij qofshin mbi të) ka thënë:

Allahu e ka mallkuar 4 alkolin, atë që e konsumon atë, atë që e shërben atë, atë që e shet atë, atë të cilit i shitet, atë që e përgatit, atë për të cilin përgatitet, atë që e transporton, atë të cilit i transportohet dhe atë të cilin përfiton nga vlera monetare e saj prej shitjes së tij.5

Prandaj i takon muslimanit që t’i largohet kësaj vepre të shëmtuar e të ruhet nga ajo. Me të vërtetë që vështirësia e adhurimit shkon, e mbetet shpërblimi i tij. Ndërsa kënaqësia e përftuar nga mëkati largohet dhe mbetet ndëshkimi si pasojë e kryerjes së tij.6

Lusim Allahun e Madhëruar që t’i japë sukses atyre të cilët janë sprovuar me këtë mëkat që t’i largohen sa më të shpejt nga dhe ta bëjnë këtë vepër të sinqertë për hir të Tij!


1) Transmeton Buhariu 5585, dhe Muslimi 2001.

2) Transmeton Muslimi 2003-75.

3) E transmeton Ibn Hibbani në Sahihun e tij, nr. 5324, ndërkohë që shejkh Albani e konsideron si të dobët si hadith, por të saktë si fjalë e sahabiut, shiko Et-Talikatul Hassan, 8/22, nr.5324.

4) Kuptimi i saj është largimi nga mëshira e Tij.

5) Transmeton Ebu Daudi dhe El-Hakim, e saktëson shejkh Albani në Sahihul Xhe’mi nr. 5091 dhe në El-Irua’ nr. 1529.

6) Kjo shprehje thuhet se e ka cituar Ibnul Xheuzij në librin e tij “Gjuetia e mendimeve”.

Dosje: ,

Loading...