Allahu është Furnizuesi më i mirë!

Mekhuli (Allahu e mëshiroftë) thotë:

Foshnja në barkun e nënës nuk kërkon, nuk mërzitet dhe nuk pikëllohet. Kësaj foshnje, i vjen furnizimi duke qenë në bark të nënës nëpërmjet gjakut të saj. Kjo është edhe arsyeja që gruas i ndërpritet gjaku i menstruacioneve.

Në momentin kur lind, fillon të qajë për shkak të kontaktit të parë me një vend të ri e të panjohur. Kur i pritet kërthiza, rizku (furnizimi) i tij kalon tek gjiri i nënës që ai të mos frikësohet, trembet apo pikëllohet. Pastaj rritet e bëhet fëmijë dhe arrin të marrë me dorën e tij dhe të ushqehet.

Kur arrin moshën e pjekurisë thotë: “Nga do ta fitoj rizkun? Si do ta arrij atë?” Dhe fillon e mendon keq për Allahun e Madhëruar, duke menduar se nuk ka për ta furnizuar!

Mekhuli vazhdon duke thënë: I shkreti ti! Ai nuk të ushqeu Ai kur ishe në barkun e nënës dhe kur ishe fëmijë i vogël?! Tani që fillove të logjikosh dhe të forcohesh thua: “Nga do ta gjej rizkun (furnizimin)”!!!?
Përshtati: Fatjon Isufi