Allahu i Madhëruar është Ai që çel çdo mirësi!

Allahu i Madhëruar është Ai që çel çdo mirësi dhe në dorën e Tij është suksesi!

 

Padyshim që Allahu i Madhëruar është El Fetahu – Ai që çel çdo mirësi, dhe vetëm prej Tij buron mirësia dhe suksesi.

El Fetahu – Ai që çel çdo mirësi, është një prej emrave të bukur të Allahut të Madhëruar, emër të cilin duhet ta njohë dhe ta besojë çdo musliman.

Allahu i Madhëruar ka emra të bukur dhe cilësi të përsosura, dhe ne duhet t’i njohim emrat e bukur të Zotit tonë dhe duhet t’a adhurojmë duke i’u lutur me to. Allahu i Madhëruar thotë:

وَلِلَّهِ الْأَسْمَاءُ الْحُسْنَىٰ فَادْعُوهُ بِهَا ۖ

“…dhe se Allahut i përkasin emrat më të bukur, pra lutjuni Atij me ato emra!” El Earaf: 180

T’i drejtohesh Allahut të Madhëruar me lutje duke përmendur emrat dhe cilësitë e Tij, është ndër adhurimet më me vlerë ashtu siç është adhurim më vete njohja e kuptimit të emrave të Tij, pohimi i cilësive që tregon secili emër si dhe përmbushja e adhurimit përkatës i cili ka lidhje me atë emër.

Në rastin konkret, ne e besojmë se emri El Fetah është nga emrat e Allahut dhe kuptimi i tij është; mirësia, begatia, zgjidhja e çdo problemi dhe suksesi janë të gjitha prej Allahut dhe prej askujt tjetër. Duke e ditur këtë, ne i lutemi Atij të na hapë dyert e mirësive dhe të na bëjë hapës të së mirës kudo që ndodhemi.

Pra, emri El Fetah – Ai që çel çdo mirësi është nga emrat e Allahut të Madhëruar. Ky emër madhështor është përmendur në Kuranin Famëlartë dy herë:

  1. Në ajetin kuranor, në të cilin Allahu i Madhëruar tregon duanë (lutjen) e profetit Shuajb (alejhi selam):

رَبَّنَا افْتَحْ بَيْنَنَا وَبَيْنَ قَوْمِنَا بِالْحَقِّ وَأَنتَ خَيْرُ الْفَاتِحِينَ

Zoti ynë! Shpalose (hape) mes nesh dhe mes popullit tonë gjykimin tënd të drejtë, se Ti je më i miri që i hap e i shpalos çështjet!” El Earaf: 89

 

  1. Si dhe në ajetin kuranor në suren Sebe’:

قُلْ يَجْمَعُ بَيْنَنَا رَبُّنَا ثُمَّ يَفْتَحُ بَيْنَنَا بِالْحَقِّ وَهُوَ الْفَتَّاحُ الْعَلِيمُ

“Thuaju: Neve do të na mbledhë Zoti ynë (në Ditën e Gjykimit). Pastaj Ai do ta hapë çëshjen mes nesh (për gjykim) me drejtësinë e Tij absolute. Ai është Hapësi (që i hap e i zgjidh të gjitha çështjet), i Gjithëdijshmi.” Es Sebe: 26

Duke pohuar se emri El Fetah – Ai që çel çdo mirësi është nga emrat e Allahut të Madhëruar, pohojmë gjithashtu se çelja e mirësive dhe e të gjitha çështjeve është një ndër cilësitë madhështore të Allahut të Madhëruar. Kjo cilësi e përftuar nga emri El Fetah, përfshin kuptime të shumta të cilat i kanë përmbledhur dijetarët dhe hoxhallarët e fesë tonë.

Ndër ato kuptime është se Allahu i Madhëruar është Ai i cili hap, shpalos dhe vendos verdiktin dhe gjykimin e Tij mbi njerëzit.

Gjithashtu, Ai është që hap derën e shpërblimit apo dënimit në varësi të asaj që njerëzit meritojnë.

Allahu është Ai që hap dhe cakton fatin e robërve të Tij, dhe këtë e bën në bazë të drejtësisë dhe urtësisë së Tij absolute. Allahu i Madhëruar thotë:

مَّا يَفْتَحِ اللَّهُ لِلنَّاسِ مِن رَّحْمَةٍ فَلَا مُمْسِكَ لَهَا ۖ وَمَا يُمْسِكْ فَلَا مُرْسِلَ لَهُ مِن بَعْدِهِ ۚ وَهُوَ الْعَزِيزُ الْحَكِيمُ

 “Kur Allahu ua çel njerëzve (derën e mirësisë) prej mëshirës së Vet, atë (mirësi) nuk mund t’a pengojë askush. Ndërsa atë çfarë Ai e pengon, askush nuk mund ta japë veç Tij; Ai është i Plotfuqishmi dhe i Urti.” Fatir: 2

 Allahu i Madhëruar është El Fetahu dhe vetëm prej Tij buron mirësia.

Njohja e këtij emri është hapi i parë që duhet të hedhë cilido që dëshiron arritjen e mirësive, dhe të bëhet çelës dhe hapës i të mirës.

Ai duhet t’i drejtohet me lutje të sinqertë, plot besim dhe shpresë Zotit i Cili është Hapësi i të gjitha mirësive. Padyshim që Allahu nuk e lë pa përgjigje lutjen e robit të Tij kur ai i lutet me përgjërim dhe shpresë.

Hapja e të gjitha mirësive është në dorën e Allahut të Madhëruar. Ai është që t’i çel dyert e diturisë së dobishme, Ai t’i çel dyert e punëve të mira, Ai të dhuron moral dhe sjellje të mirë për të çelur dhe fituar zemrat e njerëzve.

Disa nga të parët tanë të mirë (selefët – dijetarët dhe hoxhallarët e hershëm), kanë thënë: “Morali i mirë është dhunti e dhuruar nga Allahu i Madhëruar, i Cili kur e do dikë e nderon me moral të mirë dhe sjellje fisnike.”

Padyshim që Allahu ka ndarë mes njerëzve moralet e tyre, temperamentin e gjithsecilit prej tyre, ashtu siç ua ka ndarë dhe caktuar furnizimin dhe jetëgjatësinë e tyre. Të gjitha janë nga Zoti ynë i Madhëruar!

Nisur nga kjo, themi se gjëja e parë që duhet të bëjë muslimani për arritjen e çdo mirësie është t’i drejtohet Allahut me lutje që t’ja çelë derën për arritjen e kësaj mirësie. Kurrë nuk do të arrish të përvetësosh dituri të dobishme, të kesh mendim të kthjellët, sjellje të mirë, apo të kryesh ndonjë adhurim apo çfarëdolloj vepre të mirë, veçse nëse Allahu i Madhëruar të jep sukses e të hap rrugën për tek ajo mirësi.

Një nga dijetarët e tabi’inëve[1], Mutarrif bin Abdilah ka thënë: “Nëse do t’a kisha zemrën në dorën time të majtë dhe të gjitha mirësitë në dorën time të djathtë, do ta kisha të pamundur të fusja diçka prej atyre mirësive në zemrën time përveç nëse i vendos ato Allahu i Madhëruar.”[2] Kjo ngase e gjithë çështja, fund e krye, është në dorën e Allahut të Madhëruar!

Ndonjëherë ndodh që dikush mund të dëgjojë një këshillë të dobishme, të cilën nëse do ta zbatonte do të përfitonte shumë, apo ndodh që të mësojë diçka nga çështjet e fesë së tij të cilat nëse do t’i praktikonte do t’i siguronin atij lumturinë si në këtë botë ashtu edhe në botën tjetër. Mirëpo fatkeqësisht, vullneti i tij për të punuar është i dobët dhe kështu ai plogështohet dhe me vepra i pakësohet, dhe së bashku me të edhe dobia. Kjo ngase i gjithë suksesi është në dorën e Allahut dhe s’ka ndryshim e as forcë përveçse me lejen e Tij!

Shkëputur nga libri: Si të bëhesh hapës i mirësive

Autor: Shejhu i nderuar Dr. Abdurrazak bin Abdulmuhsin el Bedr

Përktheu: E. AJDINI

[1] Tabi’inët ishin brezi që erdhi pas sahabëve.

[2] Hiljetu el evlija, vëllimi 2, faqja 201. Sijeru el ealemi en nubela, vëllimi 4, faqja 190.