Andaj, ikni (prej dënimit) drejt (shpërblimit të) Allahut!

March 21, 2020

Andaj, ikni (prej dënimit) drejt (shpërblimit të) Allahut!

[Para krijimit][1]

Robër të Allahut! Njerëzit në barqet e nënave të tyre ndahen në dy grupe: të lumtur dhe të mjerë. Ibën Mesudi (radijAllahu anhu) thotë: Na ka treguar i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) duke thënë: “Çdo njeri formohet në mitrën e nënës së tij duke qëndruar dyzet ditë si pikë e lëngshme, pastaj po për aq ditë bëhet copëz gjaku, pastaj po për aq kohë bëhet copë mishi, pas kësaj Allahu i dërgon një engjëll dhe e urdhëron me katër gjëra. Atij i thuhet: Shkruaj punën e tij, furnizimin, exhelin (sa do të jetojë) dhe a do jetë prej të mjerëve apo të lumturve. Pastaj atij i fryhet shpirti. Nga ju do të ketë njerëz që bëjnë vepra të banorëve të Xhenetit derisa ndërmjet tyre dhe Xhenetit t’i ndajë vetëm një parakrah, dhe aty do të ngadhënjejë ajo që është shkruar dhe do të bëjë vepra të banorëve të zjarrit (derisa të hyjë në të). Gjithashtu, disa nga ju do të kryejnë punë të banorëve të Zjarrit derisa ndërmjet tyre dhe zjarrit të ketë vetëm një parakrah, dhe do të ngadhënjejë ajo që është shkruar dhe do të punojë vepra të banorëve të Xhenetit”. Shënon Buhariu (3208) dhe Muslimi (2643).

[Në jetën e kësaj bote][2]

Njerëzit në jetën e kësaj bote – vendin e punës – ndahen në dy grupe; në të lumtur dhe të mjerë. Aliu (radijAllahu anhu) thotë: Ishim në një xhenaze në varrezat Bekije (varrezat e Medines) dhe aty erdhi i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) dhe u ul, dhe ne u ulëm rreth tij. Ai (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) mbante në dorë një shkop, uli kokën dhe filloi të gërvishte tokën me të, pastaj tha: “S’ka asnjë prej jush dhe s’ka asnjë njeri të krijuar vetëm se Allahu i’a ka përcaktuar vendin atij në Xhenet ose në Zjarr. Po kështu është vendosur për të nëse do të jetë i mjerë ose i lumtur”. Një burrë tha: O i Dërguar i Allahut, a të mbështetemi te ajo që është shkruar (përcaktuar) dhe ta lëmë punën? Tha: “Kush është prej njerëzve të lumtur (banorëve të Xhenetit) do veproje punët e njerëzve të lumtur (të Xhenetit), ndërsa kush është prej të mjerëve (i përcaktuar si banor i Zjarrit) do të veprojë punët e banorëve të Zjarrit”. Tha: “Punoni, sepse secilit prej jush do i lehtësohet (ajo për të cilën është krijuar). Njerëzve të lumtur do u lehtësohet kryerja e punëve të banorëve të Xhenetit kurse njerëzve të mjerë do u lehtësohen veprat e banorëve të Zjarrit”. Pastaj lexoi: “Sa për atë që jep (për hir të Allahut), ka frikë (nga Ai) dhe dëshmon për vërtetësinë e më të bukurës (besimit), Ne do t’ia lehtësojmë atij rrugën drejt shpëtimit. Kurse atij që është koprac, ndihet i vetëmjaftueshëm dhe e quan gënjeshtër më të bukurën (besimin), Ne do t’ia lehtësojmë rrugën drejt dënimit”.[3] Shënon Buhariu (1362) dhe Muslimi (2647).

[Ditën e Kijametit][4]

Njerëzit ditën e Kijametit pas llogarisë dhe shpërblimit do të ndahen në dy grupe; të lumturit dhe të mjerët. Allahu i Lartësuar thotë: “Pa dyshim, në këto (ngjarje) ka këshillë për atë që i druhet dënimit të Ditës së Gjykimit. Ajo është Dita në të cilën do të tubohen të gjithë njerëzit; ajo është Ditë e dëshmuar. Ne e shtyjmë atë vetëm që të plotësohet afati i caktuar. Kur të vijë ajo ditë njeriu mund të flasë vetëm me lejen e Tij. Disa prej tyre do të jenë të mjerë e disa fatlumë. Ata që do të jenë të mjerë do të hyjnë në zjarr ku do t’i presin veç ofshamat e vajtimet. Aty do të mbeten përherë, derisa të jenë qiejt dhe Toka, veç si të dojë Zoti yt. Me të vërtetë, Zoti yt kryen atë që do. Kurse fatlumët do të hyjnë në Xhenet ku do të qëndrojnë përherë derisa të jenë qiejt dhe Toka, veç si të dojë Zoti yt. Kjo është dhuratë e pandërprerë”.[5]

Robër të Allahut! Të lumturit janë ata që banojnë në Xhenet në Shtëpinë e Paqes, kurse të mjerët janë ata që banojnë në Zjarr në Shtëpinë e shkatërrimit. Kjo, ngase Allahu ka lidhur mes lumturisë në jetën e kësaj bote dhe botës tjetër me besimin dhe veprat e mira. I Madhëruari thotë: “Cilindo mashkull apo femër që kryen vepra të mira duke qenë besimtar, Ne do t’a bëjmë që të kalojë jetë të bukur dhe do t’a shpërblejmë sipas veprave më të mira që ka bërë”.[6]

Po ashtu, Allahu i Lartësuar ka lidhur mes mjerimit në jetën e kësaj bote dhe botës tjetër me kufrin dhe mëkatet. I Madhëruari thotë: “Kushdo që i kthen shpinën Këshillës Sime do të ketë jetë të mjeruar, dhe Ne në Ditën e Kijametit do t’a ringjallim të verbër. Ai do të thotë: “O Zoti im, përse më ringjalle të verbër kur unë kam shikuar më parë?” (Allahu) do t’i thotë: “Kështu të erdhën shenjat Tona dhe i harrove ato, e po kështu sot do të jesh i harruar. Kështu e ndëshkojmë atë që e tepron (me gjynahe) dhe nuk beson shenjat e Zotit të tij, e dënimi në jetën tjetër është më i ashpër dhe më i qëndrueshëm”.[7]

Kush dëshiron të jetë prej të lumturve në jetën e kësaj bote dhe në botën tjetër, atëherë le të ikë (shkojë) drejt Allahut me besim të sinqertë dhe vepra të mira duke i’u përgjigjur fjalës së Tij: “Andaj, ikni (prej dënimit) drejt (shpërblimit të) Allahut”.[8]

 

Shkëputur nga “Hajatus-Suadai” i Shejh Ebu Islam Salih bin Taha AbdulUahid.

Përktheu: Unejs Sheme

—————————————-

[1] Shtesë nga përkthyesi.

[2] Shtesë nga përkthyesi.

[3] El-Lejl: 5-10

[4] Shtesë nga përkthyesi.

[5] Hud: 103-108

[6] En-Nahl: 97

[7] Ta-Ha: 124-127

[8] Edh-Dharijat: 50

Dosje:

Loading...