Ateizmi dhe përgjigjet ndaj dyshimeve

December 1, 2023

ÇFARË ËSHTË ATEIZMI?

Ateizmi është mohimi i ekzistencës së Zotit dhe mohimi i çdo gjëje që lidhet me Zotin.
Sipas ateizmit gjithësia u gjend aksidentalisht dhe nuk ka krijues dhe materia është e përhershme (pa fillim e pa mbarim), pra ajo është njëkohësisht krijesa dhe krijuesi. Për rrjedhojë, ata i mohojnë profetët dhe librat hyjnorë.

ARGUMENTET E EKZISTENCËS SË ZOTIT:

1-Argumenti logjik:

Ekzistenca e krijesave dëshmon për ekzistencën e krijuesit. Është e pamundur që gjithësia të ketë ardhur në ekzistencë vetvetiu. Allahu i Mdhëruar thotë: “A janë krijuar nga hiçi apo ata janë krijuesit e vetvetes? A janë ata krijuesit e qiejve dhe të tokës…?” | Et Tur: 35-36.
Mjeshtëria e përdorur në krijimin e universit, në krijimin e planeteve, në krijimin e njeriut dhe të të gjitha gjallesave, është dëshmi se ekziston një krijues i urtë dhe i gjithëdijshëm: “Ky është krijimi i Allahut i Cili ka përsosur gjithçka.”| En Neml: 88.

2-Natyra njerëzore e pastër:

Natyra e pastër e njeriut dëshmon për ekzistencën e Zotit. Njeriu gjithmonë e ka ndier dhe e ndien nevojën për Zotin e tij, në veçanti kur i bëhet padrejtësi ose kur gjendet në ndonjë situatë të vështirë. Allahu i Madhëruar thotë: “Kur udhëtojnë në anije e lusin Allahun duke ia përkushtuar besimin vetëm Atij. E kur Ai i shpëton drejt tokës, menjëherë fillojnë të adhurojnë tjetër gjë pos Allahut!” | El Ankebut: 65. “Kur njeriun e prek dhimbja na lutet i shtrirë, i ulur ose në këmbë. E kur ia largojmë dhimbjen kalon sikur nuk na ishte lutur fare për dhimbjen që e kishte prekur. Ne kështu ua zbukurojmë shkelësve punët që ata bëjnë.” | Junus: 12.

3-Agumenti historik:

Faktet historike dëshmojnë se njeriu që në fillimet e jetës së tij në tokë dhe përgjatë gjithë kohërave të ndryshme ka qenë gjithmonë i lidhur me besimin në Zot.

4-Profetët dhe mrekullitë e tyre:

Ardhja e profetëve në vende dhe periudha të ndryshme kohore me fakte, me libra dhe mrekulli të ndryshme, është gjithashtu dëshmi e ekzistencës së Zotit të Madhëruar.

DYSHIMET E ATEISTËVE DHE PËRGJIGJET NDAJ TYRE:
1-Pse ekziston e keqja?
Përgjigja:
a) Jo çdo gjë që na duket e keqe është me të vërtetë e keqe.
b) Të kuptohet vlera e të mirës.
c) Të ndërgjegjësohen të prishurit.
d) Të ndëshkohet i keqi në botën tjetër dhe të shpërblehet ai të cilit i është bërë keq.
e) Të shpërblehet në botën tjetër ai që është ruajtur nga e keqja dhe të ndëshkohet ai që nuk është ruajtur.
2- Pse ekzistojnë fetë e ndryshme?
Përgjigja:
Allahu ka shpallur vetëm një fe, atë që i shpalli; Ademit, Nuhut, Ibrahimit, Musait, Isait dhe Muhamedi, paqja qoftë mbi ta, por janë njerëzit ata të cilët më pas e shtrembëruan fenë e vërtetë dhe u përçanë në disa fe të ndryshme.
3- Pse ekziston xhehenemi kur Zoti duhet të jetë i mëshirshëm?
Përgjigja:
a) Ekzistenca e xhehenemit nuk bie ndesh me mëshirën e Zotit. Ashtu sikurse Zoti është i mëshirshëm ashtu është dhe ndëshkues. Ashtu sikurse është krijuar xheneti për të shpërblyer njerëzit e mirë dhe për të mëshiruar mëkatarët që i pranojnë mëkatet e tyre dhe pendohen, ashtu është krijuar dhe xhehenemi për të ndëshkuar mëkatarët që janë arrogantë dhe kriminelë. Përderisa ekziston e keqja ekziston dhe xhehenemi për të ndëshkuar ata që zgjedhin të bëjnë keq.
b) Xhehenemi është krijuar gjithashtu për të manifestuar atributin e Zotit të ndëshkimit. Zoti është mëshirues dhe për këtë krijoi xhenetin, dhe është ndëshkues dhe për këtë krijoi xhehenemin. Pra,xhehenemi është për të manifestuar atributin e ndëshkimit ndaj atyre që zgjedhin të bëjnë keq.

4- Pse i krijoi Zoti njerëzit e këqinj kur Ai e dinte se ata do të ishin të këqinj?
Përgjigja:
a) Nëpërmjet të këqinjve kuptohet vlera e njerëzve të mirë.
b) Zoti ka disa atribute që manifestohen te krijesat e Tij dhe një nga këto atribute është dhe ndëshkimi. Andaj Ai i krijoi të këqinjtë që përmes tyre të manifestohet atributi i Tij i ndëshkimit. Ai nuk i detyron ata të bëhen të këqinj por janë ata vetë që zgjedhin të bëhen të atillë, edhe pse Zoti i paralajmëron nëpërmejt profetëve dhe librave të shenjtë.
5- Pse nuk shikohet Zoti dhe pse duhet t’i besojmë pa e parë?
Përgjigja:
a) Njeriu dhe krijesat e tjera nuk e kanë kapacitetin që ta shikojnë Zotin, sepse shqisa e shikimit të krijesave në këtë jetë nuk e përballon shikimin e Tij. Musai i kërkoi Zotit që ta shihte dhe Zoti i tha që ai nuk mund ta përballonte dot shikimin e Tij. Ndaj i tha të shikonte malin që ishte aty pranë, dhe nëse mali do ta përballonte dritën e Zotit atëherë Musai do mundej ta shihte Zotin. Por kur Zoti i shfaqi malit një pjesë të dritës së Tij, ai nuk e përballoi dot dhe u bë çikë e thërrime. Allahu i Madhëruar thotë: “Atë nuk e kapin shikimet…”| El En’am: 103.
b) Besimi në ekzistencën e Zotit pa e parë është pjesë e besimit të botës së padukshme përmes së cilit dallohet besimtari nga jobesimtari. Pra, pamundësia për ta parë Zotin në këtë jetë është pjesë e sprovës.
c) Ne besojmë në Zot sepse krijesat dëshmojnë për ekzistencën e tij. Ashtu sikurse ndërtesat dëshmojnë për ndërtuesit e tyre, ashtu dhe kjo gjithësi dëshmon për krijuesin e saj.
d) Profetët e Zotit përgjatë gjithë kohërave dhe si librat hyjnorë na kanë njoftuar për ekzistencën e Zotit të Madhëruar.
6- Jeta e përtejme nuk ekziston sepse ne nuk e shohim!
a) Fakti që shqisat tona nuk e kapin jetën e përtejme nuk vërteton se ajo nuk ekziston, sepse ka shumë gjëra që shqisat tona nuk i kapin dhe ne i besojmë, si p.sh.; mikrobet, qelizat, atomet, planetet, yjet e largëta… etj. Por edhe pse nuk i shohim ne besojmë në ekzistencën e tyre, ngase shkencëtarët na kanë lajmëruar se ato ekzistojnë. Ashtu siç i besojmë gjërat që nuk i shohim me sy duke u mbështetur te fjala e shkencëtarëve të cilët janë të besueshëm në fushën e tyre, në të njëjtën mënyrë besojmë në jetën e përtejme duke u mbështetur tek fjala e profetëve të cilët ishin të dërguar nga ana e Zotit dhe ishin të besueshëm në çështjet e fesë.
7- Pse duhet të adhurohet Zoti?
Përgjigja:
a) Çdo gjë që ekziston e ka një funksion dhe një qëllim për të cilin është krijuar, dhe qëllimi i krijimit të njeriut është njohja dhe adhurimi i Zotit. Adhurimi i Zotit përfshin të gjitha normat dhe rregullat të cilave duhet t’iu përmbahet njeriu në jetë. Allahu i Madhëruar ka thënë: “Njerëzit dhe xhindët i kam krijuar vetëm që të më adhurojnë.” | Edh Dharijat: 56. “A mendon njeriu se do të lihet i lirë pa kurrfarë përgjegjësie?!”| El Kijameh: 36.
b) Adhurimi i Zotit është mënyra e vetme që e bën njeriun të disiplinuar dhe të devotshëm. Allahu i Madhëruar ka thënë: “O njerëz! Adhuroni Zotin tuaj që u krijoi juve dhe ata që ishin para jush, në mënyrë që të bëheni të devotshëm!” | El Bekare: 21.
8) Kush e krijoi Zotin?
Përgjigja:
a) Zoti është vetekzistent, nuk ka fillim e as mbarim dhe nuk ndikohet nga koha. Fillimi dhe mbarimi dhe ndikimi nga koha janë veti të krijesave, kështu që nuk mund ta përkufizojmë Zotin me vetitë dhe me tiparet e krijesave. Zoti duke qenë se nuk ndikohet nga koha e cila është krijesë më vete, për rrjedhojë nuk ka as fillim e as mbarim por është vetekzistent.
b) Mendja e njeriut i përkufizon dhe i shpjegon gjërat sipas ligjeve të kësaj bote dhe sipas përvojës që përfiton nga eksperimentet që mbështeten në materie dhe në standartet e kësaj jete. Zoti është përmbi ligjet e natyrës dhe standartet që njeh njeriu, prandaj Ai nuk mund të përkufizohet apo shpjegohet përmes tyre.

DËMET E ATEIZMIT DHE DOBITË E BESIMIT:

Ateizmi është devijim nga natyra e pastër njerëzore. Ai paraqet dëme dhe rreziqe të mëdha për njerëzimin, ndër të cilat mund të veçojmë:
a) Ateizmi e shtyn njeriun drejt; egoizmit, individualizmit, papërgjegjshmërisë, dhunës, padrejtësisë, dëshpërimit, ankthit dhe veseve të ndryshme shoqërore. Në jetën e përtejme ateisti është i humbur.
b) Ndërsa besimi në Zot është pjesë e natyrës së pastër njerëzore dhe e shtyn njeriun drejt; altruizmit, bamirësisë, devotshmërisë, vetpërmbajtjes, përgjegjshmërisë, drejtësisë, humanizmit, paqes, qetësisë dhe zbukurimit të vetes me virtytet e larta morale. Në jetën tjetër besimtari është i fituar.

Përgatiti: Rexhep Milaqi

Dosje:

Loading...