Author: Shejh Alij ibn Hasen el-Halebij

Të respektuarit e katër imamëve është detyrë

Është i habitshëm fakti se, nëse dikush i nxit pasuesit e medhhebeve për të pasuar sunetin dhe për të lënë taklidin, ata i atribuojnë atij gjëra të paqena, gënjejnë kundrejt tij dhe e akuzojnë. Madje ata duke i zbukuruar fjalët e tyre, frymëzojnë njëri-tjetrin për mashtrim dhe thonë : S’ka dyshim se qëllimi i këtij që ndalon taklidin është të nënçmojë katër imamët!!
Subhanallah , kjo është shpifje e madhe!
Këta të mjerë nuk e dinë se katër imamët e kanë theksuar me ngulm se pasimi verbërisht i një medhhebi të veçantë është haram, është rrugë për në shirk dhe të zhyt në bidat, madje të çon në humbje të sigurtë.
Taklidi është nënçmuar nga katër imamët, derisa secili prej tyre thoshte se pasuesi verbërisht duhet të pendohet për këtë veprim, siç e ka theksuar këtë imam Maliku (Allahu e mëshiroftë!) në fjalën e tij : “Nëse dikush lë fjalën e Umerit (Allahu qoftë i kënaqur me të!) dhe merr fjalën e Ibrahim En Nekhaij, atëherë atij i kërkohet të pendohet”. E si mund të veprohet me atë që lë Fjalën e Allahut të Madhëruar e fjalën e të Dërguarit të Tij të Nderuar dhe merr fjalën e njerëzve që kanë më pak dije sesa Nekhaiju apo sa ai?!
Ai që lë argumentin nga Kurani dhe Suneti dhe zbaton taklidin dhe medhhebizmin të cilat imamët i kanë ndaluar, ai nuk është në rrugën e katër imamëve, por është prej kundërshtarëve të tyre. Kështu ky person i ka nënçmuar katër imamët dhe nuk i ka respektuar ata.
Ne pasojmë rrugën e tyre në të ndaluarit e taklidit e medhhebizmit dhe në të udhëzuarit e njerëzve në të pasuarit e Kuranit dhe Sunetit. Mos vallë me këtë veprim i nënçmojmë ata dhe u ulim vlerat e tyre të larta?! Jo, ata që jua ulin vlerat janë personat që pretendojnë të pasuarit e imamëve, por në të vërtetë ata janë të parët njerëz që kundërshtojnë rrugën e tyre, haptas dhe fshehtas. Askush prej tyre nuk ka mundësi ta mohojë këtë, e nëse nuk është kështu, atëherë ja ku është kali, ja edhe fushbeteja, e le të vëmë baste për këtë! Ne jemi të gatshëm të theksojmë kundërshtimet e tyre në shumë çështje – në ato bazë dhe në degëzimet e tyre – kundrejt imamëve që pretendojnë se i pasojnë me fjalë por i kundërshtojnë me vepra!
Librat e medhhebeve janë në mesin tonë. Ato përfshinë çështje të cilat nuk i ka thënë imami, e as nuk i ka dëgjuar ndonjëherë! Janë sajuar kundrejt tyre, prandaj ata do të jenë larg atyre në Ditën e Gjykimit. Nëse do të ishin gjallë në këtë kohë dhe të shikonin se çfarë ju kanë atribuar, prej degëzimeve të fikhut, çështjeve dhe kijasit të tepruar, do të bërtisnin me zë shumë të lartë e do të thoshin : – Kjo është shpifje kundrejt nesh! Prandaj mos ki merak, ata këtë do të bëjnë Ditën e Gjykimit – në dashtë Allahu -. Mulla Muinudijn El Hanefij në librin ‘Derasatu lebijb’ ka thënë : “Është pohuar nga katër imamët se ata heqin dorë nga fjalët e tyre në çështjet që është theksuar hadithi, prandaj nëse dikush ngul këmbë në ato çështje, atëherë imami nuk mban përgjegjësi, madje do të jetë i njeriu i parë që do të largohet prej këtij imituesi fanatik. Lexo Fjalën e Allahut që thotë : “Dhe (sikur të shihnin) kur do të largohen ata që u prinin prej atyre që i ndiqnin (paria largohet prej atyre që u shkuan pas), e të gjithë e shohin dënimin dhe këputen lidhjet e tyre. E ata të cilët u patën shkuar pas do të thonë : – Ah, sikur të na lejohej një kthim (në dynja) e të largohemi prej tyre siç u larguan ata prej nesh! Kështu Allahu do t’ju paraqesë veprat që janë dëshpërim për ta”
Imituesit e verbër nuk mjaftuan me kaq, por për shkak të fanatizmit të tyre medhhebor, shpifën dhe trilluan ndaj të Dërguarit (Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin me të!) duke thënë se Profeti (Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin me të!) ka thënë : “Do të ketë në mesin e muslimanëve një njeri me emrin Ebu Hanife (Allahu e mëshiroftë!). Ai është fener ndriçues për umetin tim. Profetët e tjerë krenohen me mua, ndërsa unë krenohem me Ebu Hanifen! Kush e do atë më ka dashur mua dhe kush e urren atë më ka urryer mua!!!” dhe : “Do të vijë në mesin e muslimanëve një njeri me emrin Muhamed ibnu Idris (Shafiu). Ai është më i dëmshëm se Iblisi për umetin tim!!!”
Allahu na ruajt nga këto!
Kanë thënë se imam Mehdi do të imitojë Ebu Hanifen (Allahu e mëshiroftë!) dhe se Isa (Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin me të!) do të gjykojë me një nga katër medhhebet!!!
Derisa edhe shejhu Ebu Hafs El Kebir – i cili është prej dijetarëve hanefij -, kur pa dikë që la medhhebin dhe punoi me hadithet që tregojnë për leximin pas imamit, për ngritjen e duarve pas rukuje etj, u zemërua shumë me të, e qortoi ashpër, madje urdhëroi qeveritarët që ta dënonin. Ata urdhëruan xhelatin që ta rrihte në mes të pazarit!!
Shumë prej dijetarëve të medhhebeve bien në gabimet që përmendëm dhe ndalojnë njerëzit nga zbatimi i haditheve të Profetit (Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin me të!). Dijetari i madh islam Abdurrahman ebu Shameh ka thënë : “Fukahatë në kohën tonë nuk e lejojnë të shikuarit në librat e hadithit dhe transmetimeve, as të kërkuarit e kuptimit të tyre dhe as të lexuarit e librave me shumë vlerë (të çmuar)!!

Bazat mbi të cilat ngrihen punët

Bazat mbi të cilat ngrihen punët

Zoti ynë i Lartësuar ka thënë për të dërguarin e Tij -paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të-:

وَإِن تُطِيعُوهُ تَهْتَدُوا

“… e nëse ju i bindeni atij do të udhëzoheni …” Nur: 54.

Gjithashtu ka thënë i Lartësuari për të -paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të-:

وَمَا يَنطِقُ عَنِ الْهَوَى إِنْ هُوَ إِلَّا وَحْيٌ يُوحَى

“Me të vërtetë ai nuk flet nga vetja e tij, por ajo çka thotë nuk është gjë tjetër vetëm se shpallje që i shpallet atij” Nexhm: 3-4.

I dërguari i Allahut -paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të- ka thënë:

ألا إني أوتيت القرآن و مثله ومعه

“Mua më është shpallur Kurani dhe diçka e ngjashme me të (d.m.th suneti)” .

Është e ditur për të gjithë muslimanët se udhëzimi i Pejgamberit -paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të- është gjithëpërfshirës për jetën e njerëzve nga të gjitha aspektet e saj, fetare dhe jo fetare, në bindjen ndaj tij është shpëtimi, në pasimin e tij është fitorja dhe qëndrueshmëria, kurse në mosbindjen e tij është humbja dhe poshtërimi, e në mospërfilljen e ligjilacionit të tij është shkatërrimi dhe përçmimi.

Prej fjalëve më të mëdha që ka thënë Pejgamberi ynë -paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të- është hadithi të cilin e ka transmetuar imam Buhari dhe Muslimi nga Umer ibn Hatabi -Allahu qoftë i kënaqur prej tij- ku ka thënë:

إِنَّمَا الْأَعْمَالُ بِالنِّيَّةِ وَإِنَّمَا لِامْرِئٍ مَا نَوَى فَمَنْ كَانَتْ هِجْرَتُهُ إِلَى اللَّهِ وَرَسُولِهِ فَهِجْرَتُهُ إِلَى اللَّهِ وَرَسُولِهِ وَمَنْ كَانَتْ هِجْرَتُهُ إِلَى دُنْيَا يُصِيبُهَا أَوْ امْرَأَةٍ يَتَزَوَّجُهَا فَهِجْرَتُهُ إِلَى مَا هَاجَرَ إِلَيْهِ

“Veprat vlerësohen sipas qëllimeve dhe çdokujt i takon ajo që e ka për qëllim. Prandaj, kush shpërngulet (bën hixhret) për shkak të Allahut dhe Të Dërguarit të Tij, shpërngulja e tij është për Allahun dhe Të Dërguarin e Tij. Ndërsa kush shpërngulet të fitojë disa të mira të kësaj bote ose të martohet me ndonjë femër, shpërngulja e tij vlerësohet për atë që është shpërngulur”.

Ajka e punës është sinqeriteti, me sinqeritet zemrat qëndrojnë të udhëzuara dhe të qëndrueshme dhe me sinqeritet njeriu e gjen rrugën e fesë së tij të saktë, kështu që u vjen gjërave nga dyert e tyre.

Me sinqeritetin e vërtetë –duke e pasuar atë në mënyrë të saktë- muslimani e din se cilat janë obligimet e tij, dhe cilat janë të drejtat e të tjerëve nga tij, dhe me anë të saj ai i kthen gjërat në vendet e veta dhe vepron ashtu siç duhet pa i tejkaluar kufijtë në ekstrem.

Ky hadith është njëri prej haditheve që mbi të ndërtohen bazat në kuptimin e fesë tonë të pastër; sepse qëllimi është baza e punëve, dhe fillimi i një nisjeje të saktë dhe baza e drejtimit të vërtetë.

Imam Ebu Ubejde –Allahu e mëshiroftë- ka thënë: “Nuk ka nga lajmet e të dërguarit të Allahut -paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të- më gjithëpërfshirës, më e pasur, dhe më shumë përfitime se sa ky hadith”.

Imam Abdurrahman ibn Mehdi –Allahu e mëshiroftë- ka thënë: “Ai i cili dëshiron të shkruaj një libër le ta filloj atë me këtë hadith”.

Është obligim për çdo musliman që ta përmisoj nijetin (qëllimin) e tij në mënyrë që t’i shikojë të gjitha gjërat ashtu siç janë pa asnjë mashtrim apo zbukurim, e nëse i qetësohet zemra e tij me sinqeritet atëherë është musliman i vërtetë. Kështu zemra e tij është në përputhshmëri me gjymtyrët e tij, dhe pjesa e brendshme e tij është në përputhshmëri me atë të jashtmen e tij, dhe kjo është nga qëllimet më të mëdha që ka kjo fe dhe nga gjërat
më të rëndësishme që Allahu i Lartësuar ka dërguar pejgamberët dhe të dërguarit.

Allahu është mbikëqyrës i besimtarëve.

Disa hadithe të dobëta që përhapen tek njerëzit lidhur me muajin e Ramazanit

S’ka dyshim se Allahu i Lartësuar ka caktuar burra, mbartës të drejtë të sunetit të të Dërguarit të Tij, të cilët mohojnë prej tij shtrembërimet e të devijuarëve, largojnë prej tij interpretimet e ekstremistëve dhe zbulojnë shpifjet e shpifësve..
Sunetit Pejgamberik, ndër shekujt e kaluar i janë përzierë shumë përzierje të ndryshme, si hadithet e dobëta, false, të shpifura, e të tilla si këto, të cilat i kanë sqaruar plotësisht imamët tanë të mëhershëm dhe dijetarët tanë të mëparshëm.
Vështruesi i sotëm në botën e shkrimtarëve e predikuesve, sheh se ata –përveç atyre që ka Mëshiruar Allahu- nuk i kushtojnë rëndësi kësaj çështje aspak, megjithë literaturën studimore të mjaftueshme, e cila shoshit të vërtetën nga e kota dhe zbulon falsen e përzierë me të vërtetën […]