A lejohet të merret rroga nëpërmjet bankës?

December 9, 2023

A lejohet të merret rroga nëpërmjet bankës? Sepse disa njerëz thonë se kjo ndihmon në kamatë.
Shejh Ali Hasen AbdulHamid, Allahu e mëshiroftë, thotë:

Fatkeqësisht çështja e kamatës, e bankave dhe marrëdhëniet me to, them se përputhet gati plotësisht me një hadith të dobët por që kuptimin e ka të saktë: “Do t’i vijë një kohë umetit tim në të cilën ai që nuk e ha kamatën do ta zërë pluhuri i saj.” Ky është hadith i dobët por kuptimi i tij është shumë i saktë. Ndoshta kuptimin e tij e përforcon një fjalë e Profetit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem që thotë: “Kamata është 70 e disa degë.”

Degëzimet e kamatës shumica prej tyre janë të fshehta (të pahetueshme), dhe tek ato biem të gjithë; unë, ti dhe tjetri e tjetri, e ndiejmë apo nuk e ndiejmë, përveç atij që e ka mëshiruar Allahu.
Ndërsa nëse kërkon për çështjet e kamatës dhe temat që lidhen me të nëpër librat e fikhut, nuk janë më shumë se dhjetë lloje, pesëmbëdhjetë apo njëzetë. Po llojet e tjera ku janë? Janë këto forma të fshehta tek të cilat biem (pa e ndier) dhe na ndodhin.
Prandaj njeriu duhet të përpiqet sa të mundet në çështjen e kamatës (t’i largohet asaj sa të mundet). Njerëzit nuk janë njësoj, sepse dikush ka frikë për pasurinë e tij se mos ja vjedhin, apo mos gjendet në ndonjë rrethanë të caktuar.

Këtë nuk e përgjithësojmë dot sepse ka njerëz të tjerë që nuk kanë frikë për pasurinë e tyre. Dikush tjetër është i shtrënguar dhe shtrëngimi përcaktohet me masën e duhur. Dikush ka zgjedhje tjetër dhe mundësi që t’i shmanget (bankës). Prandaj kjo çështje kthehet tek vet njeriu dhe tek masa e frikës dhe devotshmërisë që ai ka ndaj Zotit të tij: “Përkundrazi, njeriu e di mirë gjendjen e vet edhe nëse përpiqet të gjejë justifikime.” | El Kijameh: 14-15.

Përktheu: Emin Bilali

Dosje:

Loading...