Ji i sigurt se ajo që i ndodh njeriut nuk mund ta kishte anashkaluar, dhe se të gjitha caktimet e Allahut kanë përfundim të mirë për muslimanin.
Çdo fatkeqësi, brengë apo sëmundje që i bie një muslimani, qoftë edhe një gjemb që e shpon, Allahu ia fal mëkatet dhe ia lartëson gradët derisa të dalë nga kjo botë pa mëkate.
Aishja ka transmetuar se Profeti ﷺ ka thënë:
“Çdo fatkeqësi që e godet muslimanin Allahu e përdor për t’ia shlyer mëkatet, madje edhe një gjemb që e shpon.”
(Sahihu i Buhariut, 5317.)
Në një transmetim tjetër në Sahihun e Muslimit thuhet:
“Asgjë nuk i ndodh besimtarit madje as një gjemb që e shpon, veçse Allahu ia shkruan një të mirë ose ia shlyen një mëkat.” (Muslimi, 2572.)
Mund të duket se diçka është e keqe në pamje të parë por në fund del e dobishme. Allahu ka urtësi në çdo vendim të Tij edhe nëse ndonjëherë nuk na bëhet e qartë.
Ebu Hurejra transmeton se Profeti ﷺ ka thënë:
“Sprovat nuk do të ndalen për besimtarin dhe besimtaren në veten e tyre, tek fëmijët dhe pasuria e tyre, derisa të takojë Allahun pa asnjë mëkat.”
(Tirmidhiu 2399, dhe e ka vlerësuar si të mirë Albani.)
E dyta: Kujto gjithmonë se jeta në këtë botë është e kufizuar, ndërsa jeta e vërtetë dhe e përhershme është jeta e ahiretit.
“Vërtet, bota tjetër është jeta e vërtetë.” | El Ankebut: 64.
“Jeta e ahiretit është më e mirë dhe më e qëndrueshme.” | El A’la: 17.
Pra nuk ka kuptim të zemërohesh, të ankohesh ose të dyshosh në Zotin tënd, sepse në fund nuk do të ndodhë asgjë përveç asaj që Allahu ka caktuar. I mençuri është ai që duron me fisnikëri dhe shpreson shpërblimin tek Allahu, para se të bëhet sikur kafshët që harrojnë gjithçka.
Enes bin Maliku transmeton se Profeti ﷺ ka thënë:
“Shpërblimi i madh vjen me sprova të mëdha. Kur Allahu e do një popull, e sprovon atë. Kush e pranon sprovën me kënaqësi do ta ketë shpërblimin e kënaqësisë, e kush zemërohet, për të është zemërimi i Allahut.”
(Ibn Maxheh 4031, e ka vlerësuar si të mirë Albani).
Kategoritë e sjelljes së njerëzve gjatë fatkeqësive sipas Ibn Uthejminit:
1. Zemërimi – Ky mund të jetë:
• Me zemër, duke qenë i pakënaqur me caktimin e Allahut, gjë që mund të çojë në mosbesim.
• Me gjuhë, duke bërë ankesa ose mallkime.
• Me veprime, si rrahja e vetes, grisja e rrobave etj.
2. Durimi – E ndjen dhimbjen e sprovës, por nuk ankohet dhe e përballon me besim.
3. Kënaqësia – Arrin në një gjendje ku e pranon caktimin e Allahut pa ndonjë shqetësim të madh.
4. Falënderimi – Kjo është shkalla më e lartë, kur një person jo vetëm që pranon sprovën, por edhe falënderon Allahun duke e kuptuar se ajo mund të jetë një bekim i fshehtë.
Profeti ﷺ ka thënë:
“Çdo fatkeqësi që i ndodh besimtarit, qoftë edhe një brengë apo gjemb, është shkak për faljen e mëkateve të tij.”
(Buhariu dhe Muslim).
E treta:
Si të sillesh me nënën tënde në këtë sëmundje të rëndë?
Nëse është një sëmundje e pashpresë sipas mjekëve, duhet t’i kushtosh edhe më shumë dashuri dhe kujdes.
• Kujtoji shpërblimin e madh që ka durimi dhe si çdo sprovë për besimtarin është një bekim i fshehtë.
• Nëse është e mundur, bëje të kuptojë me butësi se caktimi i Allahut është i pashmangshëm dhe se çdo njeri e ka një kohë të caktuar në këtë jetë.
• Nëse dëshiron të lërë ndonjë testament apo të rregullojë ndonjë të drejtë, ndihmoje ta bëjë.
• Rrite shpresën e saj duke i kujtuar se fuqia e Allahut është mbi çdo diagnozë mjekësore. Sa raste ka pasur që janë shpallur të pashpresa nga mjekët dhe Allahu i ka shëruar!
Këshilla më e rëndësishme për ty është të jesh i durueshëm dhe i kënaqur me caktimin e Allahut, të shmangësh ankesat dhe pakënaqësinë.
Allahu është më i dituri!
Përktheu dhe përshtati: Rexhep Milaqi
Dosje: Nena, semundje, sherimi
Të Ngjashme
- Çfarë gjykimi ka këndimi i sures El Fatiha në namazin e xhenazes? Udha e Besimtarëve
- A lejohet që një person të punojë si haxham (praktikues i hixhames)? Udha e Besimtarëve
- Bashkimi i namazit të xhumasë me atë të ikindisë Udha e Besimtarëve
- Si të veprosh kur të ftojnë në një gosti Shejh Muhamed ibn Salih el-Uthejmin
- Cila është mënyra më e mirë për të memorizuar? Meshhur Hasen