Çfarë gjykimi ka këndimi i sures El Fatiha në namazin e xhenazes?

November 21, 2024

Imam Ebu Hanife dhe imam Maliku kanë mendimin se nuk këndohet Fatihaja në namazin e xhenazes, por vetëm bëhet dua dhe salavate. Kjo ka qenë vepra e Ibn Umerit i cili nuk ka kënduar Fatihanë në këtë namaz, dhe Imam Maliku thotë që me këtë veprohet në vendin tonë, d.m.th. në Medine ku nuk e këndojnë Fatihanë.
Ndërsa imam Shafiu dhe imam Ahmedi kanë mendimin se duhet kënduar Fatihaja, sepse namazin e xhenazes e kanë konsideruar namaz si gjithë namazet e tjera (përderisa fillon me tekbir dhe mbaron me selam), dhe Fatihaja është shtyllë e namazit e pa të s’ka namaz siç ka ardhur në hadith. Kjo është vepra e Ibn Abasit i cili ndonjëherë gjatë xhenazes e këndonte Fatihanë me zë që ta dëgjonin të tjerët, dhe thoshte: “Le ta dinë se është sunet.” (Buhariu me nr. 1249.)
Por këtu kanë thënë: Nuk është qëllim definicioni i këtij termi sipas ndarjes që i kanë bërë fukahatë më vonë, duke i ndarë adhurimet në farz dhe sunet. Por qëllimi është për të treguar se i Dërguari sal-lAllahu alejhi ue sel-lem e ka kënduar, ndërsa obligueshmëria përftohet nga hadithi: “S’ka namaz pa Fatiha.”
Shiko librin “Bidajetul muxhtehid”.

Ndërsa shejhul Islam ka mendim të mesëm në këtë çështje, dhe thotë: Është sunet këndimi i Fatihasë, e nëse nuk e këndon atë dhe vetëm bën lutje kjo është e lejuar.
“El fetaua el kubra” 2/121.

Nga bashkëkohorët që e kanë konsideruar detyrë leximin e Fatihasë janë Ibn Bazi dhe Uthejmini, Allahu i mëshiroftë të gjithë dijetarët tanë.
Them: Përderisa sahabët dhe katër medhhebet kanë pasur dy mendime në këtë çështje, ajo është e gjerë, edhe pse vet anoj nga detyrimi. Sidoqoftë, këndimi i Fatihasë është më mirë për t’ju larguar diskutimit e për të qenë të qetë. Allahu e di më së miri!

Emin Bilali

Dosje:

Loading...