Disa njerëz, për t’i dhënë ligjshmëri fetare bidateve që bëjnë (si për shembull Mevludit), e pranojnë se Profeti ﷺ nuk e ka festuar atë, as shokët e tij, as tabiinët, as katër imamët e njohur të fikhut (Ebu Hanife, Maliku, Shafi’iu dhe Ahmedi) e as shumë dijetarë të tjerë të njohur. Edhe pse janë koshientë për këtë fakt, përsëri thonë çuditërisht:
“Kjo nuk është e mjaftueshme që kremtimi i Mevludit të konsiderohet bidat. Fakti që Profeti ﷺ dhe sahabët nuk e kanë kremtuar, nuk do të thotë se kjo vepër është bidat!”
Subhanallah, çfarë guximi!
Pak a shumë të njëjtën gjë thoshte edhe një person me post fetar në një nga vendet arabe, por ky i fundit ishte akoma më i guximshëm, teksa shprehej:
“Edhe po të kishte argument të prerë ku Profeti ﷺ do të thoshte të mos e kremtojmë Mevludin dhe të angazhohemi vetëm me obligimet fetare; ne do ta kundërshtonim këtë argument dhe do ta kremtonim Mevludin!!”
Allahu na ruajttë nga devijimi, injoranca dhe lajthitja!
Është e ditur se dashuria për Profetin ﷺ është prej bazave të besimit.
Nëse do të supozonim se një person i kryen detyrimet fetare, por nuk ka në zemrën e tij dashuri për Profetin ﷺ, ky person nuk është kurrë besimtar.
Pra, dashuria për Profetin ﷺ është në zemrën e çdo muslimani, dhe treguesi më i madh se dikush e do Profetin ﷺ është ndjekja e Sunetit (rrugës) së tij.
Dhe kurrsesi nuk mund të thuhet se ai që nuk e kremton Mevludin nuk e do Profetin ﷺ — siç shprehen disa, megjithëse edhe vetë janë koshientë se po gënjejnë. Prandaj, mos u mashtroni nga fjalë të tilla.
Kthehemi te kremtimi i Mevludit:
Një nga parimet kryesore lidhur me refuzimin e bidateve është se “lënia (mosveprimi) nga ana e Profetit ﷺ është pjesë e Sunetit të tij”, sikurse është Sunet ndjekja e asaj që ai ka bërë, ka thënë apo ka aprovuar.
Ndaj, nëse një vepër është lënë dhe nuk është praktikuar nga Profeti ﷺ e as nga shokët e tij, ajo nuk bën pjesë në rrugën e tij dhe nuk duhet praktikuar.
Imam Shafi’iu (v. 204H) thotë – sikurse e përcjell fjalën e tij Ibn Haxheri-:
“Ndjekim Sunetin e Profetit, qoftë në veprim apo në lënie.” (Fet’hul Bari, 3/475).
Pra, imam Shafi’iu e shikon lënien e Profetit ﷺ të një veprimi si si lloj të Sunetit.
Imam Ibn Kajimi (v. 751H) thotë:
“Lënia e një vepre nga ana e Profetit ﷺ është Sunet, ashtu siç është Sunet edhe kryerja e saj. Nëse ne e konsiderojmë të pëlqyer kryerjen e asaj që Profeti ﷺ e ka lënë, atëherë kjo është njëlloj sikur ta konsideronim të pëlqyer lënien e asaj që ai e ka bërë – dhe nuk ka asnjë dallim.”
(A‘lamul Mueki‘in, 3/366)
Këtë e sqaron edhe Imam San’ani (v. 1182H) duke thënë:
“Nëse shkaku për kryerjen e një vepre ka ekzistuar në kohën e Profetit ﷺ dhe ai nuk e ka kryer atë, kryerja e saj pas kohës së tij është bidat.”
Ky parim fetar mbështetet në argumente të shumta fetare.
Ndër to është hadithi i transmetuar nga Buhariu dhe Muslimi se në kohën e hilafetit të Ebu Bekrit, Umeri e pa të nevojshme mbledhjen e Kuranit në një Mus’haf (libër), pasi deri atëherë ishte i shpërndarë.
Ebu Bekri i u drejtua Umerit me fjalët: “Si po bën një vepër që nuk e ka kryer Profeti ﷺ?“, dhe të njëjtën gjë u tha të dyve edhe Zejd bin Thabiti më pas, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre.
Pra, Ebu Bekri dhe Zejd bin Thabiti e konsideruan moskryerjen e kësaj vepre nga Profeti ﷺ si argument.
Umeri nuk e kundërshtoi këtë parim argumentimi dhe as u tha që: “fakti që Profeti ﷺ thjesht nuk e ka kryer, nuk do të thotë se nuk na lejohet ta kryejmë ne”.
Përkundrazi, Umeri ra dakort me argumentin e tyre, por u tregoi shkakun pse mbledhja e Kuranit ishte bërë e nevojshme në kohën e tyre — shkak ky që nuk ekzistonte në kohën e Profetit ﷺ. Ky shkak ishte vrasja e shumë prej hafizëve të Kuranit dhe frika se, me vazhdimin e luftërave, mund të humbiste një pjesë e Kuranit, ndërsa në kohën e Profetit ﷺ, Kurani ishte i ruajtur për sa kohë i Dërguari i Allahut ishte mes tyre.
Dijetarë të shumtë kanë përmendur argumente që tregojnë se lënia në vetvete hyn te veprimet, duke u argumentuar me argumente të shumta nga Kurani dhe hadithet, e nuk është ky vendi për këtë diskutim.
Besimtarit që pretendon ndjekjen e rrugës së Profetit ﷺ i mjafton fakti se këtë vepër nuk e ka kryer i Dërguari i Allahut ﷺ, dhe as shokët e tij (të cilët e donin dhe e ndiqnin më së shumti), si dhe fakti se nuk është festuar në tre brezat e parë — për të cilët Profeti ﷺ ka dëshmuar se janë më të mirët. Kjo i mjafton çdo muslimani për të kuptuar se kjo vepër nuk ka vend në fe!
Aq më tepër që që kjo praktikë nuk ka ardhur në mesin e muslimanëve veçse me anë të grupeve të dala nga shiat, dhe nuk është përhapur gjerësisht veçse shekuj më vonë, në kohët që ka mbizotruar injoranca dhe janë perhapur bidatet në fe.
Shejhul Islam Ibn Tejmije shprehet se kremtimi apo festimi i ditëlindjes së Profetit ﷺ është një prej bidateve të shpikura, të cilat nuk i ka praktikuar asnjë nga selefët e parë. Po ashtu, të këtij mendimi janë edhe shumë dijetarë të tjerë, para dhe pas Ibn Tejmijes (Allahu e mëshiroftë).
Ibn Tejmije e ka theksuar këtë bindje në disa nga librat e tij.
Në Mexhmu’ul Fetaua (25/298), kur pyetet lidhur me kremtimin e Mevludit, ai përgjigjet:
“Sa i përket veçimit të ndonjë feste – përveç atyre që janë të ligjësuara – siç janë disa netë të muajit Rebiul-Evel, për të cilat thuhet se është nata e lindjes së Profetit ﷺ, ose disa netë të muajit Rexheb, ose më 18 Dhul-Hixhe, ose e premtja e parë e muajit Rexheb, ose më 8 të muajit Sheval, që injorantët e quajnë ‘Festa e të mirëve’ – të gjitha këto janë prej bidateve që selefët nuk i kanë pëlqyer dhe nuk i kanë praktikuar.”
Fakihani (v. 734H), prej dijetarëve të medhhebit maliki, thotë:
“Nuk di të ketë ndonjë bazë për Mevludin, as në Kur’an e as në Sunet, dhe nuk është transmetuar ta ketë praktikuar atë ndonjë nga dijetarët e umetit, të cilët janë shembull në fe dhe të kapur fort pas gjurmëve të paraardhësve. Përkundrazi, ai është një bidat që e kanë shpikur mendjelehtët.”
(El Meurid fi Amelil Meulid, f. 8, 14).
Dijetari i madh Sheukani (v. 1250H) thotë:
“Deri tani nuk kam gjetur asnjë argument nga Kurani që të tregojë për kremtimin e Mevludit, si dhe as nga hadithet, ixhmai (unanimiteti i dijetarëve) apo kijasi (analogjia). Përkundrazi, të gjithë muslimanët kanë rënë në unanimitet se Mevludi nuk është kremtuar në shekullin më të mirë e as në dy shekujt pas tij.”
Lusim Allahun t’na bëj prej ndjekësve të sinqertë të rrugës së Profetit ﷺ e t’na bëj prej atyre që e njohin të vërtetën dhe e ndjekin atë, dhe e njohin të kotën dhe i largohen asaj.
Dosje: #Mevludi #Bidati #Suneti
Të Ngjashme
- Drejtësia – Themeli i qëndrueshmërisë së shoqërisë Shehul-Islam Ibn Tejmije
- Mashkulli dhe femra – Vazhdimësia e njerëzimit Dr. Behar Hyseni
- Hytbe për Kurban Bajramin Udha e Besimtarëve
- Kur feja kthehet në tifozllëk dhe fanatizëm individësh Shehul-Islam Ibn Tejmije
- Paralajmërimi i shejh AbdulAziz bin Baz nga fitneja e tebdiut dhe texhrihut Dr. Fatmir Strumi