Për çështjen e namazit të xhumasë në ditën e Bajramit, kjo ka krijuar një lloj konfuzioni tek njerëzit; A falet e xhumaja në ditën e Bajramit apo jo?
Kjo është një çështje për të cilën dijetarët kanë pasur mospajtime dhe janë paraqitur disa mendime.
1- Një mendim është se kur dita e xhumasë bie në ditën e Bajramit atëherë falen të dyja: edhe xhumaja edhe bajrami. Ky është mendimi i Imam Malikut dhe Imam Ebu Hanifes, Allahu i mëshiroftë.
2- Mendimi i dytë është se falen të dyja: xhumaja dhe bajrami, por atyre që janë larg xhamisë, banorët e fshatrave të largët, u jepet leje që të mos vijnë për namazin e xhumasë. Ky është mendim i njohur në medhhebin Shafi.
3- Mendimi i tretë është që falet e xhumaja dhe ajo zhvillohet normalisht, por pjesëmarrja në të është me zgjedhje: kush dëshiron e fal xhumanë, kush dëshiron fal drekën në shtëpi. Ky është mendimi më i njohur në medhhebin e Imam Ahmedit.
Pra, çështja është e diskutueshme tek dijetarët dhe ka vend për ixhtihad të mirëfilltë.
Ka prej atyre që thonë se njëra nga dy faljet mjafton: ose e xhumaja ose bajrami, dhe për këtë janë transmetuar dy hadithe nga Profeti ﷺ: një nga Muavije me Uzejr ibn Erkam dhe një nga Ebu Hurejra. Ata tregojnë se Profeti ﷺ u ka dhënë leje atyre që kanë falur namazin e Bajramit që të mos e falin namazin e xhumasë.
Në këto hadithe përmendet se në një rast kishte dy festa bashkë, por vetë këto hadithe janë të diskutueshme. Disa dijetarë i kanë konsideruar të mirë ose të saktë, të tjerë i kanë dobësuar. Pra, hadithet janë objekt diskutimi.
Ajo që më qetëson më shumë është se e xhumaja nuk bie për shkak të Bajramit sepseamazi i xhumasë është më i rëndësishëm se ai i Bajramit. Nëse duhet të zgjedhim, atëherë më mirë lëre Bajramin por mos e lër xhumanë.
Namazi i Bajramit sipas shumicës së dijetarëve është sunet i fortë. Disa kanë thënë se është farz kifaje (detyrë kolektive), dhe vetëm pak prej dijetarëve kanë thënë se është farz individual. Ndërsa e xhumaja me konsensus është farz individual.
Pra e xhumaja është më e rëndësishme se Bajrami. Nëse është më e rëndësishme, atëherë Bajrami nuk e shfuqizon xhumanë.
Për namazin e xhumasë ka tekst të qartë në Kuran:
“O besimtarë, kur thirret ezani për faljen e namazit të ditës së xhuma nxitoni për tek përmendja e Allahut dhe lëreni tregtinë.”
Ky është një tekst i qartë kuranor, ndërsa për Bajramin kemi vetëm dy hadithe për të cilat dijetarët nuk bien dakort për vërtetësinë e tyre. A mund ta lëmë një tekst të qartë të Kuranit për shkak të një hadithi të përfolur? Jo, kjo nuk është e qëndrueshme.
Për më tepër shumica e dijetarëve janë të mendimit se e xhumaja nuk bie me Bajramin dhe ky është mendimi i shumicës.
Hadithi më i saktë për këtë është ai që transmetohet nga Uthman ibn Afani në Sahihun e Buhariut, se ai ka thënë: “Sot keni dy festa bashkë dhe ne do ta falim xhumanë, por u kam dhënë leje banorëve të El Avalit (fshatrave dhe periferisë) që të mos vijnë në xhami.”
Pra, ai u ka dhënë leje banorëve të largët dhe këtë e kanë aprovuar sahabët. Ata që banojnë jashtë Medinës janë ata që kanë marrë leje të mos e falin xhumanë nëse kanë falur Bajramin, por ata që banojnë në Medine nuk e kanë këtë leje. Për ta e xhumaja nuk bie. Ky është mendimi më i saktë dhe ai që mbështetet nga shumica e dijetarëve.
Gjithashtu, ata që thonë se për atë që e ka falur Bajramin bie e xhumaja, kjo sjell një kundërthënie tjetër: hutbja e Bajramit sipas konsensusit është sunet dhe jo obligim. Nëse dikush e fal Bajramin dhe largohet pa dëgjuar hutben, a do t’i bjerë edhe hutbeja e xhumasë?
Pra mendimi më i qartë, dhe Allahu e di më së miri, është se e xhumaja është farz individual dhe nuk bie për shkak të Bajramit. Bajrami duhet falur, dhe më e pakta që mund të themi për të se është sunet i fortë ndoshta edhe farz kifaje, por nuk është farz individual. Kurse e xhumaja është farz individual dhe nuk bie me një hadith të diskutueshëm për vërtetësinë e tij.
Kjo është më e sigurt. Nëse fal xhumanë dhe Bajramin askush nuk do të qortojë dhe nuk do ndjesh shqetësim në zemër. Por nëse fal vetëm Bajramin dhe lë xhumanë mund të mbetesh me dyshime dhe pasiguri.
Prandaj vepro sipas mendimit më të sigurt sepse të largohesh nga mospajtimi është gjë e mirë.
Është e vërtetë se shejh Ibn Bazi, shejh Ibn Uthejmini dhe shejh Albani, Allahu i mëshiroftë, kanë mbështetur mendimin se; ai që fal Bajramin, fal drekën dhe nuk është i detyruar të falë xhumanë. Por të gjithë ata kanë thënë se më e mira është të falet edhe xhumaja.
Ajo që më qetëson më shumë është mendimi i Imam Malikut se e xhumaja nuk bie, dhe ky është mendimi i Ebu Hanifes si dhe një mendim i shafi’ive, përveç për banorët e El Avalit (fshatrave) sipas Imam Shafiut. Ndërsa sipas Malikut dhe Ebu Hanifes nuk bie për askënd.
Duhet të jemi të kujdesshëm për këtë çështje. Mendoj se namazi i Bajramit nuk është aq i rëndësishëm sa namazi i xhumasë.
Autor: Dr. Uthman el Hamijs
Përktheu: Fatjon Isufi
Të Ngjashme
- Si të veproj me nënën time e cila vuan nga një sëmundje e pashërueshme? Udha e Besimtarëve
- Çfarë gjykimi ka këndimi i sures El Fatiha në namazin e xhenazes? Udha e Besimtarëve
- A lejohet që një person të punojë si haxham (praktikues i hixhames)? Udha e Besimtarëve
- Bashkimi i namazit të xhumasë me atë të ikindisë Udha e Besimtarëve
- Si të veprosh kur të ftojnë në një gosti Shejh Muhamed ibn Salih el-Uthejmin