Të respektuarit e katër imamëve është detyrë

April 3, 2009

Të respektuarit e katër imamëve është detyrë

Është i habitshëm fakti se, nëse dikush i nxit pasuesit e medhhebeve për të pasuar sunetin dhe për të lënë taklidin, ata i atribuojnë atij gjëra të paqena, gënjejnë kundrejt tij dhe e akuzojnë. Madje ata duke i zbukuruar fjalët e tyre, frymëzojnë njëri-tjetrin për mashtrim dhe thonë : S’ka dyshim se qëllimi i këtij që ndalon taklidin është të nënçmojë katër imamët!!

Subhanallah[1], kjo është shpifje e madhe!

Këta të mjerë nuk e dinë se katër imamët e kanë theksuar me ngulm se pasimi verbërisht i një medhhebi të veçantë është haram, është rrugë për në shirk[2] dhe të zhyt në bidat, madje të çon në humbje të sigurtë.

Taklidi është nënçmuar nga katër imamët, derisa secili prej tyre thoshte se pasuesi verbërisht duhet të pendohet për këtë veprim, siç e ka theksuar këtë imam Maliku (Allahu e mëshiroftë!) në fjalën e tij : “Nëse dikush lë fjalën e Umerit (Allahu qoftë i kënaqur me të!) dhe merr fjalën e Ibrahim En Nekhaij, atëherë atij i kërkohet të pendohet”. E si mund të veprohet me atë që lë Fjalën e Allahut të Madhëruar e fjalën e të Dërguarit të Tij të Nderuar dhe merr fjalën e njerëzve që kanë më pak dije sesa Nekhaiju apo sa ai?!

Ai që lë argumentin nga Kurani dhe Suneti dhe zbaton taklidin dhe medhhebizmin të cilat imamët i kanë ndaluar, ai nuk është në rrugën e katër imamëve, por është prej kundërshtarëve të tyre. Kështu ky person i ka nënçmuar katër imamët dhe nuk i ka respektuar ata.

Ne pasojmë rrugën e tyre në të ndaluarit e taklidit e medhhebizmit dhe në të udhëzuarit e njerëzve në të pasuarit e Kuranit dhe Sunetit. Mos vallë me këtë veprim i nënçmojmë ata dhe u ulim vlerat e tyre të larta?! Jo, ata që jua ulin vlerat janë personat që pretendojnë të pasuarit e imamëve, por në të vërtetë ata janë të parët njerëz që kundërshtojnë rrugën e tyre, haptas dhe fshehtas. Askush prej tyre nuk ka mundësi ta mohojë këtë, e nëse nuk është kështu, atëherë ja ku është kali, ja edhe fushbeteja, e le të vëmë baste[3] për këtë! Ne jemi të gatshëm të theksojmë kundërshtimet e tyre në shumë çështje – në ato bazë dhe në degëzimet e tyre – kundrejt imamëve që pretendojnë se i pasojnë me fjalë por i kundërshtojnë me vepra!

Librat e medhhebeve janë në mesin tonë. Ato përfshinë çështje të cilat nuk i ka thënë imami, e as nuk i ka dëgjuar ndonjëherë! Janë sajuar kundrejt tyre, prandaj ata do të jenë larg atyre në Ditën e Gjykimit. Nëse do të ishin gjallë në këtë kohë dhe të shikonin se çfarë ju kanë atribuar, prej degëzimeve të fikhut, çështjeve dhe kijasit të tepruar, do të bërtisnin me zë shumë të lartë e do të thoshin : – Kjo është shpifje kundrejt nesh! Prandaj mos ki merak, ata këtë do të bëjnë Ditën e Gjykimit – në dashtë Allahu -. Mulla Muinudijn El Hanefij në librin ‘Derasatu lebijb’ ka thënë : “Është pohuar nga katër imamët se ata heqin dorë nga fjalët e tyre në çështjet që është theksuar hadithi, prandaj nëse dikush ngul këmbë në ato çështje, atëherë imami nuk mban përgjegjësi, madje do të jetë i njeriu i parë që do të largohet prej këtij imituesi fanatik. Lexo Fjalën e Allahut që thotë : Dhe (sikur të shihnin) kur do të largohen ata që u prinin prej atyre që i ndiqnin (paria largohet prej atyre që u shkuan pas), e të gjithë e shohin dënimin dhe këputen lidhjet e tyre. E ata të cilët u patën shkuar pas do të thonë : – Ah, sikur të na lejohej një kthim (në dynja) e të largohemi prej tyre siç u larguan ata prej nesh! Kështu Allahu do t’ju paraqesë veprat që janë dëshpërim për ta”[4]

Imituesit e verbër nuk mjaftuan me kaq, por për shkak të fanatizmit të tyre medhhebor, shpifën dhe trilluan ndaj të Dërguarit (Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin me të!) duke thënë se Profeti (Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin me të!) ka thënë : “Do të ketë në mesin e muslimanëve një njeri me emrin Ebu Hanife (Allahu e mëshiroftë!). Ai është fener ndriçues për umetin tim. Profetët e tjerë krenohen me mua, ndërsa unë krenohem me Ebu Hanifen! Kush e do atë më ka dashur mua dhe kush e urren atë më ka urryer mua!!!” dhe : “Do të vijë në mesin e muslimanëve një njeri me emrin Muhamed ibnu Idris (Shafiu). Ai është më i dëmshëm se Iblisi për umetin tim!!!”[5]

Allahu na ruajt nga këto!

Kanë thënë se imam Mehdi do të imitojë Ebu Hanifen (Allahu e mëshiroftë!) dhe se Isa (Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin me të!) do të gjykojë me një nga katër medhhebet!!!

Derisa edhe shejhu Ebu Hafs El Kebir – i cili është prej dijetarëve hanefij -, kur pa dikë që la medhhebin dhe punoi me hadithet që tregojnë për leximin pas imamit, për ngritjen e duarve pas rukuje etj, u zemërua shumë me të, e qortoi ashpër, madje urdhëroi qeveritarët që ta dënonin. Ata urdhëruan xhelatin që ta rrihte në mes të pazarit!![6]

Shumë prej dijetarëve të medhhebeve bien në gabimet që përmendëm dhe ndalojnë njerëzit nga zbatimi i haditheve të Profetit (Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin me të!). Dijetari i madh islam Abdurrahman ebu Shameh ka thënë : “Fukahatë në kohën tonë nuk e lejojnë të shikuarit në librat e hadithit dhe transmetimeve, as të kërkuarit e kuptimit të tyre dhe as të lexuarit e librave me shumë vlerë (të çmuar)!!

Të Allahut jemi e tek Ai do të kthehemi!

Besimi ynë për katër imamët dhe të tjerët prej hulumtuesve dhe rinovuesve në umetin tonë, për të cilët kanë rënë dakort dijetarët se kanë qenë njerëz me dije, devotshmëri, sinqeritet në fe, që i frikësoheshin Allahut shumë, mospërfillës të dynjasë, lënës të bidateve dhe taklidit, është se ata janë njerëzit më të nderuar të umetit, të zgjedhurit e tij dhe adhuruesit më të mirë ndaj Zotit të botërave. Ata kanë qenë në rrugë të drejtë, sepse i ndaluan bashkëkohësit dhe këdo që përfitoi prej tyre, nga të imituarit e dikujt në veçanti dhe nga medhhebizmi. Ata i udhëzuan njerëzit në të kapurit për Kurani dhe Suneti. Ky ka qenë pozicioni i imamëve të Islamit (Allahu qoftë i kënaqur prej tyre!).

Nuk i lejohet askujt prej muslimanëve të flas keqë për ndonjë imam prej imamëve të fesë, që kanë dëshmuar për dijen, devotshmërinë dhe të ruajturit e tij nga dënimi i Allahut. As të mendohet keq për të për shkak të ndonjë çështje për të cilën nuk i dimë rrethanat e saj, sepse përndryshe do të biem në gradën e atyre që u janë verbuar sytë e zemrës dhe nuk e kanë gjetë të vërtetën.

Allahu e vraftë këdo që mendon se lejohet nëpërkëmbja e imamëve apo ulja e vlerave të tyre! Gjithashtu Allahu e vraftë këdo që bën dredhi dhe u jep përparësi fjalëve të njerëzve apo medhhebeve, kundrejt Fjalës së Allahut dhe të të Dërguarit të Tij (Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin me të!), pasi për një çështje i është bërë i qartë argumenti dhe i është sqaruar pavlefshmëria e saj në medhhebin e tij, e ai e refuzon argumentin, ose e interpreton atë sipas medhhebit. E edhe nëse një çështje nuk e shqyrton sipas Kuranit dhe Sunetit por sipas hulumtimeve, mendimeve dhe krahasimeve të gjendura në medhheb.

Ky është shkaku kryesor për tjetërsimin e fesë dhe për shmangjen e saj nga muslimanët.

Të Allahut jemi e tek Ai do të kthehemi!

O musliman i sinqertë. Cili është ndryshimi ndërmjet atyre që kundërshtuan të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin me të!) kur ishte gjallë dhe dëgjonin nga goja e tij Fjalët e Allahut të Madhëruar, dhe ndërmjet këtyre që e kundërshtojnë atë e u japin përparësi mendimeve të njerëzve, ndaj hadithit të saktë dhe ajetit të Kuranit, tani pas vdekjes së tij?![7]

Pasi vihet në dijeni për atë që gjendet në Kuranin e Nderuar dhe në librat e Sunetit – të pastër të cilët janë të besueshëm për të gjithë dijetarët dhe muslimanët, në lindje e perëndim, – ai me lehtësi i kundërshton ato!

A ka mbas të vërtetës gjë tjetër përveçse humbje?!

Prandaj, nëse dikush mendon se katër imamët kanë qenë në gjendjen në të cilën janë imituesit e medhhebeve sot, në lidhje me çështjet që janë ndërtuar mbi mendimet dhe fjalët e njerëzve, atëherë ky ka gabuar, madje fjala e tij është e keqe, sepse i ka nënçmuar katër imamët dhe ka devijuar nga fjalët e tyre. Çështjet e atilla me të cilat janë mbushur librat e tyre, nuk i ka shkruar asnjëri prej katër imamëve dhe as kanë punuar kurrë me to, por, u janë atribuar atyre padrejtësisht.

Imam Ebu Hanifja (Allahu e mëshiroftë!) nuk ka pasur libër në fikh. I atribuohet atij libri “Fikhul Ekber”[8] i cili është në lëmin e akides dhe jo në atë të fikhut, e edhe ai është në kundërshtim me hanefijet. Gjithashtu i atribuohet atij libri i quajtur Musnedi[9] i Ebu Hanifes, i cili është në fushën e hadithit dhe jo në fikh.

Imam Maliku (Allahu e mëshiroftë!) ka pasur vetëm librin “Muota” i cili është në lëmin e hadithit dhe jo në fikhun që njihet sot, ndonëse malikijet nuk e përfillin atë libër dhe as punojnë me ç’gjendet në të.

Imam Shafiu nuk ka pasur libër të veçantë në lëmin e fikhut që njihet këto ditë. Librat e tij “El Umm” dhe “Er Rrisale” janë në temën e studimit të bazave të fikhut, edhe pse ai (Allahu e mëshiroftë!) ka theksuar se ka gabuar në disa çështje dhe ka hequr dorë nga ato kur ishte gjallë. Shoku i tij i afërt El Buejtiju (Allahu e mëshiroftë) tregon se e ka dëgjuar imam Shafiun duke thënë : “I shkrova këto libra dhe nuk jam rikthyer tek ato për ti kontrolluar. Medoemos që ka gabime në to sepse Allahu i Madhëruar thotë : “..sikur të ishte (Kurani) prej dikujt tjetër përveç Allahut do të gjenin në të shumë kundërthënie”[10] prandaj nëse gjeni në librat e mi çështje që kundërshtojnë Kuranin dhe Sunetin, atëherë dijeni se unë kam hequr dorë prej tyre”[11]

Imami i imamëve të Ehli Sunetit Ahmed ibnu Hanbeli (Allahu e mëshiroftë!) nuk ka shkruajtur asnjë shkronjë në lëmin e fikhut. Ai ka “Musnedin” i cili është një libër madhështor, por ai është në fushën e hadithit. Imam Ahmedi ishte shumë i dhënë pas pasimit të hadithit dhe i ashpër kundrejt taklidit, hulumtimit pa baza dhe mendimeve pa argument. Ibnu Khaldun ka thënë për të : “Përsa i përket imam Ahmed ibnu Hanbelit (Allahu e mëshiroftë!), imituesit e tij janë të paktë, për shkak të mos marrjes së tij me hulumtime dhe se ai ishte i kapur për transmetimi. Ata që pasojnë rrugën e tij janë njerëzit më të lidhur me hadithin se kushdo tjetër dhe transmetuesit më të shumtë të tij. Sikur të mos ishte ai nuk do të mbetej as Suneti dhe as pasuesit e tij në dynja[12]. Allahu qoftë i kënaqur prej të gjithë atyre!”[13]

Prandaj…s’ka dyshim se të respektuarit e katër imamëve është detyrë, merita e tyre është e madhe, dija e tyre është e gjërë dhe vlera e tyre ështw e pa zwvwndwsueshme.

E vërteta ka qenë me ta, sepse ata pasonin Kuranin dhe Sunetin e pastër dhe e ndalonin të imituarit e ndokujt në fe, apo të qenit simpatizant të një medhhebi.

Për shkak të taklidit kanë hyrë në fe shumica e bidateve dhe shtrëbmërimeve, për të cilat dijetarët rrogëtarë që janë ngujuar mbi librat e medhhebeve argumentojnë për lejushmërinë e tyre vetëm se ato gjenden në librat e ndonjërit prej medhhebeve. Ata ua atribuojnë imamëve çdo gjë që gjendet në to dhe ua mësojnë nxënësve të tyre duke u thënë : – Ky është fikhu i katër imamëve!!!

Por jo, ky aspak nuk është fikhu i katër imamëve, sepse jo çdo gjë që u atribuohet apo gjendet në librat e medhhebeve u dedikohet atyre, për shkak se shumica e tyre është prej mendimeve të imituesve.

Unë them me zë të lartë përpara gjithë krijesave se : Ai që pretendon se ç’ka gjendet në këto libra është transmetuar nga imam Ebu Hanifja, apo imam Maliku, apo imam Shafiu, apo imam Ahmedi (Allahu i mëshiroftë të gjithë!), atëherë le të saktësojë zinxhirin e transmetimit nga ata! Por mendoj se ata janë të paaftë e nuk munden “..sado që ta ndihmojnë njëri-tjetrin”[14]

Fjala jonë e fundit është : Falenderimi i takon Allahut, Zotit të botërave. Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin me të Dërguarin e Allahut, me familjen dhe gjithë shokët e tij.

E shkëputur nga libri me temë

HISTORIA E PASUESVE TË HADITHIT

Autori

Ahmed ibnu Muhamed Ed Dehleuij


Resenzoi

Ali ibnu Hasen El Halebij

Përktheu:

Mirandi Shehaj


[1] Lavdia i takon Allahut, i Pastër është Ai.

[2] Kjo ndodh kur imituesi i jep përparësi mendimit të dijetarit që imiton, ndaj argumentit të qartë prej Kuranit apo Sunetit, që nuk mund të interpretohet, duke e kundërshtuar haptazi atë.

[3] Kjo është shprehje që përdoret për të sfiduar kundërshtarin dhe nuk tregon për të lejuarit e basteve ashtu siç njihen sot në botë. Basti i lejuar në islam është ai që vendoset nga njëra palë, pra nëse vetëm njëri prej dy kundërshtarëve cakton diçka me vlerë që nëse fiton kundërshtari, e merr atë, e nëse fiton vetë, atëherë i kthehet përsëri.

[4] Sure El Bekare ; ajeti : 166-167

[5] Për më tepër shiko librin “Et Tenkijl” të dijetarit të madh El Mualimij.

[6] Për më tepër shiko librin “Hashijetu Ibnu Abidijn” 1/53

[7] Dijetari Tekiju Dijn Subkij në një shkresë të tij me titull “Kuptimi i fjalës së imam Matlebiut (Nëse vërtetohet se hadithi është i saktë atëherë ai është medhhebi im) ka thënë : “…le të mendojë njeriu sikur është përpara Profetit (Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin me të!) dhe dëgjon nga ai një hadith, a mundet ta lërë atë mënjanë e të mos punojë me të?! Betohem në Allahun se jo!…çdokush është i obliguar për veten e vet”

[8] Atribuimi i këtij libri Ebu Hanifes është gabim, autor i tij mendohet se është Ebu Mutij El Belkhij, i cili është prej njerëzve jo të sigurtë në transmetim, (i dobët). Ka thënë shejh Albani në librin “Mukhtesar El Uluv lilAliji El Adhijm” faqe 136 : “…dhe libri ‘Fikhul Ekber’ nuk është i Ebu Hanifes (Allahu e mëshiroftë!), pra jo siç mendojnë hanefijet”

[9] Ky është njëri prej shtatëmbëdhjetë musnedeve të cilat i atribuohen Ebu Hanifes. Ka thënë dijetari El Mualimij : “Shumica e transmetuesve të këtyre librave janë të kohëve të vonshme e një grup prej tyre janë të akuzuar se gënjejnë, e të tjerët që janë të sigurtë mendohet se ndërmjet tyre dhe Ebu Hanifes ka transmetusa jo të denjë” Tenkil 1/214

[10] Sure En Nisa ; ajeti : 82

[11] Libri “El Adabu Sher’ije” i Ibnu Muflih 3/154

[12] Ka për qëllim sprovën që kaloi umeti në kohën e Mu’tezilitëve.

[13] Libri “Mukadimetu Ibnu Khaldun” 3/1051

[14] Sure El Isra’ ; ajeti : 88

Loading...