Author: Shuajb Rexha

Fragmente nga jeta e sahabiut El Ka`Kau bin Amr

Fragmente nga jeta e sahabiut El Ka`Kau bin Amr
Islami i tij: Në vitin e nëntë të hixhretit të Profetit salallahu alejhi ue selem, pas luftës së Tebukut, erdhën delegacionet e fiseve të ndryshme tek Profeti salallahu alejhi ue selem. Profeti salallahu alejhi ue selem dërgoi Bishr bin Ebi Sufjanin si mbledhës të zekatit të familjes Beni Ka`b të ciët rrjedhin nga fisi Huzeah. Kjo ndodhi u shoqërua me ardhjen e familjes Beni Amr bin Temim pranë tyre. Fisi Huzeah i tuboi kafshët e saj që do jepte zekat, mirëpo familja Beni Temim e qortuan dicka të tillë, madje nxorrën shpatat për t`i ndaluar nga dhënia e zekatit. Atëherë Profeti salallahu alejhi ue selem dërgoi Ujejneh bin Bedr el Fezarij në krye të 50 kalorësve, të cilët i sulmuan këta pengues dhe arritën të zënë rob 11 burra dhe gratë e tyre, duke u kthyer së bashku me ta në Medine, ku ndër ta ishin dhe disa nga kryetarët e familjes Beni Temim.Profeti salallahu alejhi ue selem ishte në xhami dhe në momentin kur erdhën, ai doli tek ata dhe u ul para tyre. Ligjëroi ligjëruesi i tyre, Atarid bin Haxhib, atëherë Profeti salallahu alejhi ue selem i tha Thabit bin Kajs bin Shemasit: “Përgjigjiu atij o Thabit”. Thabiti u ngrit të ligjëronte dhe iu përgjigj. Në lidhje me këtë delegacion të Beni Temimit të cilët e thërritën Profetin salallahu alejhi ue selem kur ai ishte në xhami, ka zbritur ajeti Kuranor:
“Ata të cilët të thërrasin nga pas mureve, shumica e tyre nuk kuptojnë.E nëse ata do bënin durim derisa të dilje, do të ishte më mirë për ta, Allahu është Mëkatfalës, Mëshirues”.
Ky ishte dhe fillimi i islamit të fisit Beni Temim, popullit të Ka`kau bin Amr, pas betejës së Tebukut.

Ka`kau bin Amr ishte pjesë e delegacionit, kështuqë pranoi islamin sëbashku me ta. Më pas, ky fis(Beni Temim) u bënë besimtarë të mirë, të përkushtuar në fenë e tyre dhe e deshën shumë Profetin salallahu alejhi ue selem, saqë kur u arriti lajmi i vdekjes së tij u pikëlluan së tepërmi dhe thanë: Bëfshim kurban për ty prindërit tanë o Rasulallah.

Vlerat e sadakasë në varësi të rrethanave dhe kushteve të caktuar‏

Vlerat e sadakasë janë të shumta në aspektin shpirtëror dhe atë material, në këtë botë dhe në tjetrën. Por kjo vepër, në kohë të caktuara, në rrethana dhe kushte të caktuara, në lidhje me kategori të veçanta, merr një kuptim akoma më të rëndësishëm, dobia e saj është më e madhe dhe shpërblimi i saj është më i mirë.

1) Gjëja e parë që lidhet me sadakanë është dhënia e saj fshehurazi. Kjo për vetë faktin se në këtë mënyrë është më afër sinqeritetit dhe pastërtisë së nijetit.

Allahu thotë: “Nëse i jepni sadakatë haptazi kjo është e mirë por nëse i jepni ato fshehurazi tek të varfrit, kjo është akoma më e mirë për ju” (Bekarah 271). Pra, çdo vepër e sinqertë është e pranuar, qoftë e kryer fshehurazi apo haptazi, por preferohet që sadakaja më mirë të jepet fshehurazi sepse në këtë mënyrë sinqeriteti është më i lartë dhe eliminon mundësinë e ngacmimit të shejtanit nëse do e shihnin të tjerët dhe do e lavdëronin. Sidoqoftë nëse dhënia haptazi në raste të caktuara ndikon për të nxitur të tjerët që të japin, padyshim që është gjë e mirë, duke u bërë sebep që dhe të tjerët të kontribuojnë. Në përgjithësi dijetarët kanë një rregull: Çdo vepër e obligueshme preferohet të kryhet haptazi, në bashkësi, ndërsa çdo vepër vullnetare preferohet më shumë që të kryhet veçmas, fshehurazi, siç tha Profeti salallahu alejhi ue selem: “Saqë të mos dijë e majta se çfarë dha e djathta” (Buhariu 3/364), pra e jep dhe nuk kthehet më prapa të shohë, as nuk ndalon që të presë lëvdata dhe falënderime, siç thotë Allahu duke na treguar për sjelljen e duhur: “Ne po ju ushqejmë për Allahun, nuk duam prej jush shpërblim dhe as falënderim” ( Insan 9).

Ibnul Kajjimi në lidhje me ajetin e mëparshëm (të sures Bekarah) tha:

Medito në faktin se si Allahu e specifikoi fshehjen me sadakanë që u jepet të varfërve, sepse ka sadaka që nuk mund të fshihet si p.sh: ndërtimi i një ure, hapja e një pusi, etj. Ndërsa dhënia e sadakasë fshehurazi tek të varfrit ka dobi të shumta: Nuk e vë në siklet të varfrin para njerëzve që ta ndjejë veten të demaskuar dhe të poshtëruar, nuk e shfaq para njerëzve se ai është dora e ulët që merr dhe si pasojë njerëzit nuk e vlerësojnë dhe nuk kanë raporte të barabarta me të në sjellje. E gjithë kjo është shtesë përveç faktit që bamirësi ruan sinqeritetin, shpëton nga syefaqësia dhe dëshira për tu lavdëruar.

2) Sadakaja që jepet në kohë shëndeti dhe force, është më e mirë se sadakaja në kohë sëmundje ose kur ndjen se do vdesë apo amanetet për sadaka pas vdekjes. Profeti salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Sadakaja më e mirë është ajo që jepet kur ti je i shëndetshëm dhe koprrac, e do pasurinë dhe ia ke frikën varfërisë, dhe mos e vono derisa të të vijë shpirti në fyt dhe të fillosh e të thuash: Jepini filanit kaq dhe jepini tjetrit aq, kur diçka e tillë u takonte që me kohë” (Transmeton Buhariu nr 1419 dhe Muslimi). Pra, duhej tu kishte dhënë atyre që më përpara sepse e meritonin për shkak të varfërisë.

3) Sadakaja që jepet pas kryerjes së obligimeve, pra pasi të ketë dhënë zekatin, pasi të ketë përmbushur nevojat familjare dhe përkujdesjen për prindërit. Allahu thotë: “Të pyesin ty: Çfarë të japim? Thuaj:Tepricën” (Bekarah 219)

Profeti salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Nuk ka sadaka më të vlefshme se ajo që jepet nga njeriu që ka pasuri”( Transmeton Buhariu 1426, Nesaiu 2534, e saktësoi Albani), pra ai i cili ka plotësuar nevojat e veta, sepse nuk është e arsyeshme që të ketë prindërit apo fëmijët apo bashkëshorten që kanë nevojë për ushqim apo ilaçe dhe ndërkohë ndihmon të tjerët, siç thotë Profeti salallahu alejhi ue selem: “Filloje me ata që ke nën përgjegjësi” ( Transmeton Nesaiu 2534, e saktësoi Albani).

4) Megjithatë ka raste kur njeriu , megjithëse nuk është me pasuri apo ka mangësi në plotësimin e nevojave të tij, ka dëshirën e flaktë që të kontribuojë, të japë diçka, e cila megjithëse të varfrin nuk e nxjerr nga varfëria por bamirësit i mundëson të përjetojë kënaqësinë e bamirësisë, të rezervojë për veten një vepër të sinqertë dhe me dëshirë të zjarrtë, e cila nuk do të vlerësohet sipas sasisë por sipas çiltërsisë. Mund të jetë e pakët në sasi por me vlerë të pamasë tek Allahu. Profeti salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Sadakaja më e mirë është sakrifica e atij që ka pak gjë” (Transmeton Nesaiu 2526, Ibn Haxheri në Fet-hul Barij 3/374.E saktësoi Albani) dhe tha: “Një dirhem është më i vlefshëm se njëqind mijë dirhem. Sahabët të habitur thanë: E si është e mundur kjo? Tha: “Një person kishte vetëm dy dirhemë, e dha sadaka njërin prej tyre, ndërsa një tjetër shkoi tek pasuria e tij e shumtë, mori prej saj njëqind mijë dirhem dhe i dha sadaka” (Transmeton Nesaiu nr 2527. Albani e konsideroi hasen).

Vlera e Sadekasë

Lëvdatat dhe falënderimet  i përkasin Allahut, Zotit të botërave, salavatet dhe selamet janë për Profetin tonë Muhamedin salallahu alejhi ue selem, për familjen dhe shokët e tij, si dhe të gjithë ata që e pasojnë rrugën e tij deri Ditën e Gjykimit. E më pas: Një nga portat e hajrit, një nga veprat më të dobishme […]