Vlera e Sadekasë

Lëvdatat dhe falënderimet  i përkasin Allahut, Zotit të botërave, salavatet dhe selamet janë për Profetin tonë Muhamedin salallahu alejhi ue selem, për familjen dhe shokët e tij, si dhe të gjithë ata që e pasojnë rrugën e tij deri Ditën e Gjykimit. E më pas:

Një nga portat e hajrit, një nga veprat më të dobishme që njeriu mund ta shfrytëzojë në dobi të tij dhe të tjerëve, është shprehja e bujarisë, e dashamirësisë dhe e bamirësisë nëpërmjet sadakasë.

Sadakaja në konceptin e saj të përgjithshëm vjen me kuptimin e bamirësisë, e cila mund të shfaqet në forma të ndryshme:me një fjalë të mirë, duke e takuar tjetrin me fytyrë të qeshur që mbjell optimizëm, duke ndërmjetësuar për dikë që t`i kryhet nevoja apo dëshira, duke ndihmuar të pafuqishmin që të kalojë rrugën, apo që të hipë mbi kafshë apo mjet, duke ledhatuar kokën e jetimit, etj.

Ndërsa në konceptin e saj specifik sadakaja nënkupton ofrimin e diçkaje materiale për hir të Allahut.

Kjo temë merr rëndësi të veçantë në kohë krize, ku nuk mund të jetë zgjidhja duke i rrudhur duart bamirëse, por duke e pastruar shpirtin nga koprracia dhe lakmia: “Kush i shpëton lakmisë së vetvetes, ata janë të shpëtuarit” (Tegabun 16). Allahu na tregon për sjelljen e duhur që duhet të kenë të pasurit,  si shenjë e mirënjohjes të begative që përjetojnë, ku thotë: “Bëj mirë, ashtu sic Allahu ka bërë mirë ndaj teje” (Kasas 77).

Sa më shumë që mëshirojmë dhe ndihmojmë njëri-tjetrin, aq më shumë na mëshiron dhe ndihmon Allahu, siç ka thënë Profeti salallahu alejhi ue selem: “Mëshirojini ata që janë në tokë ashtu që t`u mëshirojë Ai që është mbi qiej” dhe ka thënë: “Allahu e ndihmon robin e Tij për sa kohë që robi është në ndihmë të vëllait të tij” dhe ka thënë: “Allahu i Lartësuar ka thënë: O biri i Ademit, jep ashtu që të të jepet” (Transmeton Buhariu 8/265 dhe Muslimi nr 993).

Allahu na nxit që ta shfrytëzojmë jetën dhe mundësitë e krijuara në të, për të kryer vepra të mira dhe në veçanti dhënien e sadakasë, si p.sh: në ajetin kuranor ku thotë: “O ju që keni besuar jepni nga ajo që Ne u kemi furnizuar, para se të vijë një ditë, në të cilën nuk do ketë më shitblerje, as lidhje të ngushta dhe as ndërhyrje”  (Bekarah 254) dhe thotë: “ Thuaju robërve të Mi ta falin namazin dhe të japin nga ajo që Ne i kemi furnizuar me të, fshehtas dhe haptas, para se të vijë një ditë ku nuk ka më shitblerje dhe as lidhje të ngushta” (Ibrahim 31).

Vërtetë Dita e gjykimit është dita e gjunjëzimit, është dita kur njeriu kupton mashtrimin nga e vërteta, raportin real mes dunjasë dhe Ahiretit, është dita e vështirë ku njeriu do donte të kishte sa më shumë vepra të mira, sado të vogla që të jenë ato por që bëjnë dallimin e madh. Profeti salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Çdokujt Allahu do i flasë Ditën e gjykimit, duke mos pasur mes tyre përkthyes. Atë ditë njeriu shikon nga e djathta por sheh vetëm veprat e tij  që ka vepruar, shikon nga e majta e tij dhe sheh vetëm veprat e tij që ka vepruar. Shikon përpara dhe sheh zjarrin përballë, ndaj ruajuni zjarrit qoftë dhe me gjysmë hurme(duke e dhënë sadaka)” (Transmeton Buhariu 3/225 dhe Muslimi nr 1016).

Vlerat e sadakasë janë të shumta saqë Umeri radijallahu anhu ka thënë: “Më është treguar se veprat e mira rivalizojnë mes tyre, derisa sadakaja thotë: Unë jam më e vlefshmja” (Transmeton Ibn Huzejmeh, e saktësoi Hakimi dhe Albani në Sahihu et-Tergib 1264).

Më poshtë do përpiqemi të shpalosim disa nga vlerat dhe dobitë e sadakasë:

1) Sadakaja e shuan zemërimin e Allahut, siç thotë Profeti salallahu alejhi ue selem: “Sadakaja e dhënë fshehurazi e shuan zemërimin e Zotit të Lartësuar” (Transmeton Taberaniu dhe hadithin e ka konsideruar hasen Albani në Sahihu et-Tergib 1275)).

2) Sadakaja të mbron nga zjarri, siç u përmend më herët në hadithin: “Ruajuni zjarrit qoftë dhe me një gjysmë hurme”  dhe ka thënë: “Sadakaja e shuan  të nxehtin e varrit” (Transmeton et-Taberanij, Bejhakiu, el Mundhiriu dhe e saktësoi Albani në Sahihu et-Terib 1251).

3)Sadakaja i shërben njeriut si hije mbrojtëse Ditën e Gjykimit. Thotë Ukbeh bin Amir: E kam dëgjuar Profetin salallahu alejhi ue selem duke thënë: “Çdo njeri (bamirës) do jetë nën  hijen e sadakasë së tij derisa të kryhet gjykimi mes njerëzve” (Transmeton Ahmedi, Ibn Huzejmeh, Ibn Hibani, Saktësoi Hakimi dhe Albani në Sahihu et-Tergib 1250).Ishte kjo arsyeja që e shtynte Ebu Merthedin(tabiinin transmetues të këtij hadithi), siç tregon Jezid bin Ebi Habibi për të, që të mos linte ditë pa dhënë sadaka, qoftë me një hurmë apo një qepë. Gjithashtu Profeti salallahu alejhi ue selem na ka treguar se një shtatë kategoritë e atyre që Allahu do i strehojë nën hijen e Arshit të Tij është dhe një person që jep sadaka fshehurazi, saqë e majta nuk di se cfarë dha e djathta” (Transmeton Buhariu dhe Muslimi).

4) Sadakaja e shlyen gabimin dhe gjurmët e saj, Profeti salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Sadakaja e shlyen gabimin ashtu siç uji e shuan zjarrin” (Transmeton Ahmedi 3/321,Ebu Jala, El Mundhirij, e saktësoi Hakimi, Dhehebiu dhe Albani në Sahihu et-Tergib 1242).

5) Sadakaja është shkak për shërimin e sëmundjeve të shpirtit dhe të trupit. U ankua një person tek Profeti salallahu alejhi ue selem për ngurtësinë e zemrës së tij, ai i tha: “Nëse do zbutjen e zemrës tënde, ushqeje të varfrin dhe ledhatoje kokën e jetimit” (Transmeton Ahmedi).Ndërsa për sëmundjet e trupit, Profeti salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Shërojini të sëmurët tuaj me sadaka” (Sahihu et-Tergib 1087, Albani e konsideroi hasen ligajrihi), pra duke u bërë kjo vepër e mirë shkak ndërmjetësimi tek Allahu për lehtësimin dhe shërimin e sëmundjes.

6) Sadakaja është shkak për shmangien e sprovave dhe fatkeqësive, siç tha Profeti salallahu alejh ue seleme: “Allahu i shpalli  profetit Jahja salallahu alejhi ue selem pesë që të vepronte me to dhe të porosiste Beni Israilët që t`i zbatonin ato:(ndër të tjera) U porosis që të jepni sadaka sepse shembulli i saj është si një person i  zënë rob nga armiku  cili kërkon ta ekzekutojë, atëherë i robëruari thotë: Jam i gatshëm të jap si kompensim çdo gjë që posedoj, të vogël dhe të madhe. Në këtë mënyrë arrin të shpëtojë veten e tij prej tyre” Transmeton Tirmidhiu, Ibn Huzejmeh, Ibn Hibani, e saktësoi Hakimi dhe Albani në Sahihu et-Tergib 1261).

Pra, sadakaja ka ndikim të habitshëm në këtë aspekt, gjë kjo e provuar gjerësisht me praktikë nga besimtarët.

7) Sadakaja është shkak që njeriu të arrijë devotshmërinë e vërtetë, atëherë kur jep nga më e mira e asaj që posedon, thotë Allahu: “Nuk do e arrini devotshmërinë e vërtetë derisa të jepni nga ajo gjë që e doni më së shumti” (Ali Imran 92).

8)-Sadakaja është shkak për të merituar lutjen për mirë nga engjëlli, Profeti salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Në çdo ditë që njerëzit gdhihen, zbresin dy engjëj. Njëri prej tyre thotë: O Allah, atij që jep sadaka kompensoja dhe zëvendësoja, ndërsa engjëlli tjetër thotë: O Allah, atij që tregohet koprrac jepi shkatërrim(të asaj pasurie)” (Transmeton Buhariu 3/241 dhe Muslimi 1010).

9) Dhënia e sadakasë të shton bereqetin e pasurisë, Profeti salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Nuk pakësohet pasuria nga dhënia e sadakasë” (Transmeton Muslimi 2588).

10) Pasuria e vërtetë që njeriu shfrytëzon siç duhet është ajo me të cilën ai rezervon shpërblime për veten e tij. Allahu thotë: “Çdo sadaka që e jepni, e keni për të mirën tuaj” (Bekarah 272). Po ashtu në hadithin ku Profeti salallahu alejhi ue selem e pyeti Aishen në lidhje me qingjin që kishin prerë dhe që ia kishte lënë asaj për ta dhënë sadaka, ajo tha: Ka mbetur vetëm shpatulla.Profeti salallahu alejhi ue selem tha: “Përkundrazi, e gjitha ka mbetur përveç asaj shpatulle” (Transmeton Tirmidhiu nr 2472 dhe tha:Zinxhiri i tij është i saktë. E saktësoi gjithashtu Albani), pra ka ngelur i depozituar shpërblimi i pjesës së dhënë sadaka. Në një hadith tjetër Profeti salallahu alejhi ue selem tha: “ Kush prej jush e ka më të dashur pasurinë e trashëgimtarit të tij se sa pasurinë e tij? Thanë: O I Dërguari i  Allahut, çdokush prej nesh e do më shumë pasurinë e tij. Atëherë Profeti salallahu alejhi ue selem tha: “Pasuria e vërtetë e njeriut është ajo që ai rezervon për veten(shpërblimin duke e dhënë atë sadaka) ndërsa pasuria e trashëgimtarëve është ajo që ai lë pas” (Transmeton Buhariu 11/221).

11) Shpërblimi i sadakasë shumëfishohet në mënyrë të veçantë, Allahu thotë: “Ata që japin sadaka dhe ato që japin sadaka, që lënë tek Allahu një hua të mirë, e cila u shumëfishohet dhe shpërblehen për të me një shpërblim bujar” (Hadid 18).

12) Për dhënësit e sadakasë ka një portë të veçantë në xhenet nga ku hyjnë vetëm ata, Profeti salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Dhe kush është prej atyre që japin sadaka, thërritet nga porta e sadakasë” (Transmeton Buhariu dhe Muslimi).

13) Sadakaja  është qetësim për zemrën, çlirim dhe rehati, Allahu thotë: “E kush i ruhet lakmisë së shpirtit këta janë të shpëtuarit” (Tegabun: 16).

14) Sadakaja është argument për besimin e robit dhe çiltërsinë e sinqeritetit të tij, Profeti salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Sadakaja është argument” (Transmeton Muslimi).

15) Sadakaja e pastron pasurinë nga gabimet që bën i zoti  saj, siç thotë Profeti salallahu alejhi ue selem: “O ju tregtarë, vërtetë shitblerja jua përzihet me gjëra të kota dhe betime, ndaj pastrojeni atë me sadaka” (Transmeton Ibn Maxheh,Ahmedi, Nesai, e saktësoi Albani në Sahihul Xhami`).

16) Nëse dhënia e sadakasë shoqërohet me diturinë, padyshim që kjo është kulmi i mirësisë, Profeti salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Njerëzit në këtë dynja janë katër llojesh: Më i miri prej tyre është ai që Allahu i ka dhënë pasuri dhe dituri, pasuri të cilën e shfrytëzon në përputhje me rregullat e Zotit të tij, i mban me të lidhjet familjare dhe e jep prej saj atë që i takon ta japë sipas të drejtës së përcaktuar nga Allahu” (Transmeton Tirmidhiu 2326. E saktësoi Albani).

17) Profeti salallahu alejhi ue selem e krahasoi dhe bashkëshoqëroi të pasurin që jep sadaka me personin që e di Kuranin dhe e zbaton atë, ku thotë: “Nuk lejohet zilia përveçse në dy raste:Ndaj një personi që Allahu i ka dhënë Kuranin dhe ai ia jep hakun natën dhe ditën, si dhe një personi që Allahu i ka dhënë pasuri, nga e cila ai jep natën dhe ditën” (Transmeton Buhariu 6/95 dhe Muslimi 815).

Përktheu dhe përshtati: Shuajb Rexha