Fragmente nga jeta e sahabiut El Ka`Kau bin Amr

March 1, 2011

Fragmente nga jeta e sahabiut El Ka`Kau bin Amr
Islami i tij: Në vitin e nëntë të hixhretit të Profetit salallahu alejhi ue selem, pas luftës së Tebukut, erdhën delegacionet e fiseve të ndryshme tek Profeti salallahu alejhi ue selem. Profeti salallahu alejhi ue selem dërgoi Bishr bin Ebi Sufjanin si mbledhës të zekatit të familjes Beni Ka`b të ciët rrjedhin nga fisi Huzeah. Kjo ndodhi u shoqërua me ardhjen e familjes Beni Amr bin Temim pranë tyre. Fisi Huzeah i tuboi kafshët e saj që do jepte zekat, mirëpo familja Beni Temim e qortuan dicka të tillë, madje nxorrën shpatat për t`i ndaluar nga dhënia e zekatit. Atëherë Profeti salallahu alejhi ue selem dërgoi Ujejneh bin Bedr el Fezarij në krye të 50 kalorësve, të cilët i sulmuan këta pengues dhe arritën të zënë rob 11 burra dhe gratë e tyre, duke u kthyer së bashku me ta në Medine, ku ndër ta ishin dhe disa nga kryetarët e familjes Beni Temim.Profeti salallahu alejhi ue selem ishte në xhami dhe në momentin kur erdhën, ai doli tek ata dhe u ul para tyre. Ligjëroi ligjëruesi i tyre, Atarid bin Haxhib, atëherë Profeti salallahu alejhi ue selem i tha Thabit bin Kajs bin Shemasit: “Përgjigjiu atij o Thabit”. Thabiti u ngrit të ligjëronte dhe iu përgjigj. Në lidhje me këtë delegacion të Beni Temimit të cilët e thërritën Profetin salallahu alejhi ue selem kur ai ishte në xhami, ka zbritur ajeti Kuranor:
“Ata të cilët të thërrasin nga pas mureve, shumica e tyre nuk kuptojnë.E nëse ata do bënin durim derisa të dilje, do të ishte më mirë për ta, Allahu është Mëkatfalës, Mëshirues”.
Ky ishte dhe fillimi i islamit të fisit Beni Temim, popullit të Ka`kau bin Amr, pas betejës së Tebukut.

Ka`kau bin Amr ishte pjesë e delegacionit, kështuqë pranoi islamin sëbashku me ta. Më pas, ky fis(Beni Temim) u bënë besimtarë të mirë, të përkushtuar në fenë e tyre dhe e deshën shumë Profetin salallahu alejhi ue selem, saqë kur u arriti lajmi i vdekjes së tij u pikëlluan së tepërmi dhe thanë: Bëfshim kurban për ty prindërit tanë o Rasulallah.
Trimëria e pashembullt e tij. El Ka`kau ishte ushtar trim, i cili përfshihej në luftim pa kurrfarë hezitimi, e më pas kaloi nga ushtar i bindur në poste udhëheqëse komanduese, duke qenë i shquar për urtësinë e tij si komandant dhe vendosmërinë, saqë nuk lëkundej asnjëherë në vendimet që merrte. Muslimanët në atë kohë ishin të një mendjeje:Një ushtri e cila ka në përbërjen e saj el Ka`kau bin Amrin nuk do të mundej nga armiku asnjëherë. Ai meritoi lëvdatën e halifes pas Profetit salallahu alejhi ue selem, Ebu Bekrit radijallahu anhu i cili tha për të : Zëri i el Ka`kasë, ka ndikim tek ushtria më shumë se sa njëmijë ushtarë.
Kurrë nuk pranoi pasuri apo kafshë apo bagëti nga plackat e luftës, jetonte në kufinjtë minimalë të jetesës, pavarësisht mundësive që i krijoheshin për të poseduar pasuri gjatë clirimeve dhe plackave të shumta të luftës.
Pjesëmarrja e tij në betejat kundra dezertorëve.
Misioni i parë që Ebu Bekri radijallahu anhu i ngarkoi atij ishte udhëheqja e luftimeve ndaj një dezertori nga fisi Beni Kelb i cili quhej Alkameh bin Ulatheh el Kelbij. el Ka`kau doli së bashku me ushtarët muslimanë dhe kur u afruan pranë fisit Benu Kelb, Alkameh u arratis nëpër errësirë me kalin e tij. Kur muslimanët arritën tek bashkëshortja dhe fëmijët e tij, ata shfaqën Islamin dhe e mohuan dezertimin e babait të tyre. Sapo arriti el Ka`kau me ushtarët e tij në Medine, mbërriti dhe Alkameh tek Ebu Bekri i penduar.Pendimi i tij u pranua dhe sic dihet pendimi i shlyen mëkatet e mëparshme
Në këtë mënyrë, Alkameh iu bashkangjit karvanit pasiqë kishte humbur rrugën për njëfarë kohe.
Në muajin Muharrem të vitit 12 h kemi betejën Dhatus-selasil, Dita e kalorësve.
Ebu Bekri urdhëron Halid bin Uelidin që të drejtohet për në Sham. Sapo Halidi arrin atje kërkon përforcime nga Ebu Bekri, i cili zgjodhi el Ka`kau bin Amrin për këtë mision. Hurmuzi, prijësi i persëve në zonën e quajtur Ebleh, kishte pushtuar puset e ujit të pijshëm. Atëherë Halid bin Uelidi kur e pa dicka të tillë tha: Zbrisni, shkarkohuni nga ngarkesat dhe luftoni për të fituar ujin, sepse u betohem, ai ujë do të posedohet vetëm nga pala më e durueshme dhe nga ushtari më fisnik. Ata shkarkuan ngarkesën dhe më pas Halidi radijallahu anhu u lëshua për tu përballur me ta, duke zhvilluar një luftim të ashpër në të cilin mori pjesë dhe el Ka`kau bin Amri nën komandën e Halidit dhe vëllait të tij nga gjaku Asim bin Amri. Hurmuzi i kërkoi Halidit dyluftim. Halidi doli tek ai dhe u zhvillua një përballje trimërore, në të cilin komandanti i ushtrisë muslimane vendosi të përballej personalisht me kundërshtarin. El Ka`kau po qëndronte me sy të flakëruar dhe shpirt të ndezur, duke mbikqyrur këtë dyluftim dhe i shndrinte fytyra sa herë që Halidi i jepte goditje armikut të tij, derisa në një moment ata të dy i dhanë nga një goditje njëri tjetrit dhe Halidi e mbërtheu trup me trup Hurmuzin. Në atë moment u vërsulën befasisht tinëzisht një numër ushtarësh persë duke dashur ta godasin tradhëtisht Halidin.Në atë moment el Ka`kau thërret me zërin e tij kumbues duke nxitur muslimanët të vërsulen përpara, gjë të cilën ai e bën vetë i pari duke u turrur me kalin e tij, duke garuar me erën, jashtë cdo parashikimi dhe arriti të godiste majtas-djathtas tek ata ushtarë që donin ta godisnin tradhëtisht Halidin, derisa arriti ta shpëtonte Halidin nga e keqja e tyre.
Dita e Jermukut.Në betejën e Jermukut, Ebu Bekri radijallahu anhu pasiqë dëgjoi për kurthet dhe intrigat e bizantëve, tha:Do i bëj bizantët që t`i harrojnë vesveset djallëzore nëpërmjet Halid bin Uelidit. Halidi në atë kohë ndodhej në qytetin e el Hajrah, bazën e komandës së tij. Ebu Bekri i shkruan atij duke e urdhëruar që të nisej për tu përballur me bizantët.Në të njëjtën kohë i dërgon dhe përforcime të shumta. Në ushtrinë e Halidit bënte pjesë dhe el Ka`kau bin Amr.Halidi u drejtua për në Irak me gjysmën e ushtrisë së tij duke marrë me vete dhe el Ka`kau bin Amrin tek i cili mbështetej në misionet e vështira, ndërsa gjysmën tjetër të ushtrisë ia la Muthenas.Ushtria e tij, në Sham u bashkua me përforcime të tjera muslimane, duke qenë ai prijësi i përgjithshëm i tyre, të cilët përbëheshin nga 36 garnizone. Halidi caktoi në të djathtë Amru bin el Asin, në të majtë Jezid bin Ebi Sufjanin, në qendër caktoi Ebu Ubejden, besnikun e këtij umeti dhe anët qëndrore ia besoi Ikrimeh bin Ebi Xhehlit dhe el Ka`kau bin Amrit. Halidi urdhëroi që lufta të fillonte pikërisht me anët që mbulonin qendrën e ushtrisë, duke u përplasur dy ushtritë në një luftim që nuk e harron historia, ku shkëlqente el Ka`kau dhe shpata e tij e cila godiste forcat e kufrit dhe së keqes.
Mbi bedenat e Damaskut.
Pas përfundimit të betejës së Jermukut, mbërritën lajme të cilat tregonin se janë shtuar forca të reja bizantine për të mbrojtur Damaskun dhe për të frenuar muslimanët. Ebu Ubejdeh u njoh me këto lajme dhe e vazhdoi rrugën e tij drejt Damaskut, duke pasur me vete Halid bin Uelidin dhe el Kak`kau bin Amrin.Sapo mbërritën në Damask, ushtritë muslimane e rrethuan qytetin në mënyrë të përforcuar, rrethim ky i cili zgjati 70 ditë, por pa arritur rezultatet e kërkuara.
Për këtë arsye, dy ushtarët e bindur dhe të paepur: Halid bin Uelidi dhe el Kak`kau bin Amri, vendosën që të kacavirreshin në murin e lartë rrethues të qytetit. Ata u kacavorrën në pikën më të fortifikuar të kalasë së Damaskut.Ata u ndoqën nga një numër ushtarësh të tjerë, të cilët sapo arritën brenda kalasë, i sulmuan rojet mbikqyrës të kalasë duke i vrarë dhe i hapën portat e kalasë duke thirrur:Allahu Ekber, Allahu Ekber. Në këtë mënyrë u rrëzua cdo lloj rezistence e qytetit dhe hynë muslimanët në Damask pas një rrethimi të gjatë.
Beteja e Kadisijes.Kjo betejë zgjati katër ditë.Pasi filluan përplasjet mes persëve dhe muslimanëve në Kadisijeh, Umerit radijallahu anhu i mbërritën lajme që tregonin përgatitje të mëdha të persëve, në numër dhe mjete luftarake.Për këtë arsye, Umeri i dërgoi letër Ebu Ubejdes –pas clirimit të Damaskut- që të kthejë trupat e ardhura nga Iraku së bashku me Halid bin Uelidin.Umeri në letrën e tij dërguar Ebu Ubejdes i thoshte:Transferoje ushtrinë e Irakut drejt Irakut , si dhe i nxiti që të shpejtonin për t`i ardhur në ndihmë Sad bin Ebi Uekasit.Përforcimet mbërritën në ditën e dytë të sulmit në Kadisije e cila njihet si dita e Eguathit.Ushtria muslimane numëronte 6 mijë ushtarë, nga të cilët 5 mijë ishin nga fiset Rabiah dhe Mudar, ndërsa një mijë ishin nga Jemeni. Ebu Ubejdeh caktoi komandant të përgjithshëm të ushtrisë Hashim bin Utbeh bin Ebi Uekasin, në pararojë të ushtrisë u caktua trimi i kësaj biografie el Ka`kau bin Amr, ndërsa në krahët e ushtrisë vendosi Kajs bin Hubejrah dhe Hez-haz bin Amr el Ixhlij. Komandanti el Ka`kau mendoi për një taktikë të vecantë, në mënyrë që të mbillte frikë në zemrat e persëve. Ai kërkoi nga ushtarët e tij që të ndahen në grupe të përbëra prej dhjetë personash.Sa herë që nisej një grup prej dhjetë vetësh pasoheshin nga dhjetë të tjerë. Dhjetëshja e parë e cila do nisej udhëhiqej vetë nga el Ka`kau. Ai para se të nisej, u takua me njerëzit e ushtrisë, u dha selam, i përgëzoi me xhenet dhe u tha: O ju njerëz! Unë po vij nga disa njerëz që ua kanë zili këtë pozicion ku jeni ju sot, ndaj veproni ashtu sic do veproj unë. El Ka`kau kërkoi duel, duke u shfaqur para persëve dhe thërriti me zë të lartë: Kush do dalë në dyluftim me mua? I doli përballë një person, tek i cili dukej qartë natyra persiane dhe cehrja luftarake. El Ka`kau i tha kundërshtarit të tij me zë të prerë dhe të rreptë: Kush je ti? Tha: Unë jam Behmen Xhadhuejh.Filluan të përlesheshin mes tyre, derisa el Ka`kau e goditi me një goditje të tmerrshme duke e shtrirë përdhe të vdekur. Në atë moment, kalorësit e komandantit el Ka`kau u vërsulën grupe-grupe. Këto sulme vazhduan gjatë tërë ditës, duke u dhënë muslimanëve një siguri dhe bindje për fitoren, si dhe duke i motivuar në këmbënguljen e tyre aktive për fitore. el Ka`kau në atë ditë ndërmori tridhjetë sulme, ku në secilin grup ushtarësh që ndërmerte sulmin, ai ishte i pranishëm sëbashku me ta, duke vrarë atë ditë së paku tridhjetë persianë. Atë natë e kaloi i qetë por dhe duke thurur planin e së nesërmes së afërme. Edhe në ditën e tretë dhe të katërt, el Ka`kau nuk reshti së motivuari dhe ngritur moralet e ushtrisë, me të gjitha mundësitë.
Beteja e el Medain. Sad bin Ebi Uekasi radijallahu anhu kërkoi nga ushtarët e tij garantimin e kalimit të ushtrisë mbi lumë për tek vendi i quajtur el Medain dhe u tha:Kush do fillojë të na ruajë derisa të tubohen njerëzit ashtuqë të mos pengohen në daljen e tyre?
U dëgjua zëri i një kalorësi:Unë o prijës.Ishtë zëri i Asim bin Amrit. Sadi i caktoi Asim bin Amrit komandimin e garnizonit el Ehual(Tmerret), ndërsa el Ka`kaun e caktoi komandant të garnizonit el Harsa(i heshtur:quhej kështu sepse pjesëtarët e saj nuk flisnin shumë por vepronin shumë). Garnizoni el Ehual e kaloi lumin dhe sajuan një urë kalimi në anën tjetër, si dhe mbronin kalimin e pjesës tjetër të ushtrisë. Pas tyre kaloi garnizoni i el Ka`kau, duke u prirë nga komandanti i tyre, i cili qeshi kur Asimi hyri pak para tij në el Medain, por megjithatë ishte i gëzuar kur shihte komandantin e përgjithshëm Sadin, i cili vërtitej në Kështjellën e bardhë, pallatin e Kisrasë, pas clirimit të el Medain.
Beteja e el Xhelulasë. El Ka`kau, në mesin e 12 mijë ushtarëve mbërriti në qytetin el Xhelula, ku ishin mbyllur dhe fortifikuar persët, të cilët dilnin vetëm kur donin të sulmonin fshehurazi. Hashimi(komandanti i kësaj ushtrie) po i motivonte muslimanët duke u thënë: O ju muslimanë! Bëni për hir të Allahut sakrificën më të lartë, ashtu që të meritoni shpërblimin dhe plackën e triumfit. Me të dëgjuar el Ka`kau fjalët e komandantit të tij, u vërsul para dhe ashtu bënë të tjerët pas tij, duke zhvilluar një luftim të ashpër. El Ka`kau u fut në fillim të hendekut dhe arriti të zotëronte një pjesë të tij, e më pas thërriti: O ju muslimanë! Ky është prijësi juaj i cili ka hyrë në hendekun e armikut dhe e ka pushtuar atë, ndaj afrohuni tek ai dhe mos tu pengojë askush që të hyni aty.Njerëzit menduan se Hashimi ndodhej në hendek, ndaj u vërsulën dhe shohin se el Ka`kau u kishte paraprirë.Aty u përplasën me persët dhe luftuan derisa i mundën ata. El Ka`kau arriti t`i dëbonte ata thellë në territoret e tyre, duke rënë njëri pas tjetrit kalatë në: Hanikin,Shirijn, Huluan –të cilat ishin fshatra dhe qytete persiane- duke zënë vend në qytetin Huluan.
Beteja në Nehauend dhe udhëheqja e kalorsisë. Numan bin Mukrin el Muzenij radijallahu anhu, e caktoi el Ka`kau bin Amrin në krye të kalorsisë me qëllimin për të ndezur luftën ndërmjet muslimanëve dhe persëve, duke i bërë ata që të përfshiheshin në luftime. Pas vërsuljes së persëve, muslimanët ishin tërhequr dhe zmbrapsur. Njerëzit duke parë vonesën e Numan bin Mukrinit për fillimin e luftës, i thanë: Cfarë presim më?! Jepu leje njerëzve që të luftojnë. Megjithatë Numani vazhdonte të mendohej saqë u mërzitën ushtarët dhe njëri prej tyre tha: Uallahi nuk kam parë ndonjëherë dështim të tillë si sot. Pas pak Numani tha tekbire dhe u vërsul me ushtrinë e tij drejt persëve, duke zhvilluar një luftim të ashpër, i cili zgjati për një kohë të gjatë. Atë ditë Fejrezani(prijësi i persëve) u arratis nga fushëbeteja, por e ndoqi nga pas el Ka`kau së bashku me Numanin, derisa e kapën dhe e vranë.
El Ka`kau i jetoi ditët e fundit të jetës së tij në qytetin e Kufes, pas një jete të gjatë, të mbushur me xhihad, mbresëlënëse me trimëri të rralla. U mbyll jeta e një komandanti nga komandantët islamë, u mbyll udhëtimi i gjatë i një jete në të cilën ky komandant barti shpatën e Profetit salallahu alejhi ue selem në misionin e zhdukjes të së keqes.
Allahu qoftë i kënaqur me komandantin trim el Ka`kau bin Amrin, njeriun e misioneve të vështira dhe ndihmën përforcuese në momentet e vështira të ushtrisë muslimane.

Përktheu: Shuajb Rexha, Ebu Duxhanah

Loading...