Babai i imam Gazalit

Muhammed et Tusij ishte një burrë i varfër por i devotshëm. Ai kishte një dyqan ku tirrte leshin dhe e shiste, dhe hante nga fitimi i duarve të tij. I pëlqente shumë të merrte pjesë në tubimet e dijetarëve prandaj shoqërohej me ta, u shërbente dhe u jepte aq sa kishte mundësi. Kur dëgjonte fjalët e tyre qante dhe i përgjërohej Allahut t’i dhuronte një fëmijë e t’a bënte dijetar. Ai ulej gjithashtu edhe nëpër tubimet e këshilluesve, e kur i zbutej zemra në to qante dhe i lutej Allahut t’i dhuronte një fëmijë që i këshillonte njerëzit. Allahu i’u përgjigj duasë së tij e i dhuroi Muhammed el Gazalin i cili u bë njeriu më i ditur i kohës së tij, dhe vëllain e tij Ahmedin i cili u bë këshillues që ndikonte shumë tek njerëzit dhe njeri me dije.

Kur i’u afrua vdekja fëmijët e tij ishin të vegjël, dhe ai i la amanet shokut të tij i cili ishte njeri i mirë dhe i tha: “Unë kam një pishmanllëk të madh që nuk arrita dot të mësoj të shkruaj ndaj dëshiroj t’a rikuperoj këtë gjë te dy fëmijët e mi. Përpiqu që ata të mësojnë dhe mos e rrudh dorën, por shpenzo për ta gjithçka që u kam lënë prej pasurisë.”
Kështu shoku i tij u kujdes që ata të mësonin, derisa shpenzoi atë pak që u kishte lënë trashëgim babai i tyre. Një ditë u thotë: “Dijeni se unë kam shpenzuar për ju gjithë çfarë u kishte lënë babai juaj, dhe unë jam njeri i varfër e s’kam mundësi t’ju mbaj. Prandaj më e mira për ju është që të futeni në shkollë – si kërkues të diturisë – dhe kështu do të plotësoni nevojat tuaja (për ushqim dhe veshje).” – E kështu vepruan.

Imam Gazali e tregonte këtë histori dhe thoshte: “E kërkuam diturinë jo për Allahun, por ajo nuk pranoi veçse të ishte për Allahun.”
“Esasul kijas” (parathënia e saktësuesit).

Nga kjo fjalë shejh Mesh’huri – Allahu e ruajtë – ka përfituar se; nga dobitë më të mëdha të diturisë është se ajo e pastron njeriun nga qëllimet e ulëta dhe çon në sinqeritet.
Allahu na dhuroftë prej mirësive të Tij! Mos harroni fuqinë e lutjes për vete dhe për fëmijët tuaj.