Prej synimeve madhore të kësaj feje është edhe bashkimi i njerëzve. Islami bashkon mes banorëve të një lagjeje – por jo vetëm – në një xhami, duke i nxitur ata të vijnë pesë herë në ditë dhe duke u thënë se namazi i njeriut me xhemat në xhami është i barabartë me 27 namaze të falura vetëm. Ky namaz xhumaje që kryhet një herë në javë dhe na ka mbledhur sot këtu të gjithëve bashkë, çfarë synon? Synon të bashkojë edhe më shumë njerëz nga lagje të ndryshme të qytetit. Madje kudo që të shkojë secili prej nesh, në çdo xhami të çdo qyteti të Shqipërisë, do të falet bashkë me vëllezërit e tij të tjerë të atij qyteti. Për këtë, Allahu i Lartësuar ka thënë: “Me të vërtetë besimtarët janë vëllezër.” (Huxhurat: 10)
Banorët e një vendi janë urdhëruar të agjërojnë së bashku për një muaj, e çelin në një orë – afërsisht – iftarin dhe e mbyllin në një orë syfyrin, dhe në fund namazin e Bajramit e falin së bashku në një ditë dhe në një shesh. I Dërguari i Allahut – sal lall llahu alejhi ue sel lem – ka thënë: “Agjërimi është dita që ju agjëroni, Fitër Bajrami është dita që ju e çelni, dhe Kurban Bajrami është dita që ju bëni Kurban.”[1] Nuk mund të agjërosh i vetëm dhe nuk mund të festosh i vetëm.
As në Xhenet Allahu i Madhëruar nuk e la njeriun vetëm, por i krijoi shoqen që t’i bënte shoqëri. Vetmia i ka hije vetëm Allahut të Lartmadhëruar, Ai s’ka nevojë për askënd ndërsa njeriu ka nevojë për njerëz prandaj dhe është social nga natyra e tij. Dhe Islami – si fe e afërt me natyrën njerëzore – ka ardhur ta përforcojë edhe më shumë këtë socializim.
Edhe nëse del jashtë vendit dhe shkon në një shtet tjetër, kudo që të shkosh do të dëgjosh të njëjtën thirrje për në namaz, me të njëjtat fjalë: “Allahu është më i madhi… eja në namaz, eja në shpëtim… ” – me të njëjtën gjuhë, me të njëjtën përmbajtje.
Atyre që kanë mundësi Allahu i Madhëruar ua ka bërë detyrë të mblidhen nga të gjitha anët e botës në një vend të caktuar, në Meke, për të kryer një shtyllë të Islamit, Haxhin, ku do të bëjnë të njëjtat adhurime të gjithë së bashku. Dhe kështu muslimani nga Europa e gjen veten duke u falur në një saf me njerëz nga katër kontinente të ndryshme. Këmbët e tij bashkohen me këmbët e afrikanit nga njëra anë, me ato të aziatikut nga ana tjetër, dhe secili prej tyre ka në krah një njeri nga Amerika e Veriut dhe tjetri një musliman nga Australia.
Kështu Islami synon të bashkojë njerëzit e të gjithë botës, praktikisht siç e pamë.
Kjo sepse feja bashkon dhe vetëm feja e vërtetë e Zotit mund të bashkojë. Çdo lloj grupimi tjetër i çdo lloj drejtimi nuk e realizon dot këtë mision kaq të vështirë, bashkimin e njerëzve të të gjithë botës: “Sikur të shpenzoje gjithë çka në tokë nuk do t’i kishe bashkuar dot zemrat e tyre.” (Enfal: 63)
I Dërguari i Allahut – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – në Haxhin e lamtumirës tha: “O ju njerëz, Zoti juaj është një dhe babai juaj është një.”[2]
Allahu i Lartësuar na i ka kujtuar këtë të vërtetë në Kuran, duke thënë: “S’ka dyshim se ky është umeti juaj një umet i vetëm, dhe unë jam Zoti juaj, pra vetëm Mua më adhuroni.” (Enbija: 92)
Kjo është feja juaj një fe e vetme, Islami[3], dhe Zoti ynë është Një i Vetëm. Kjo gjë tregon se nuk mund t’i bashkojë njerëzit e të gjithë botës asgjë tjetër veç teuhidit, besimit në një Zot të vetëm dhe adhurimit vetëm të Tij.
Allahu i Madhëruar na porosit me të madhe në Kuran që të bashkohemi e të mos përçahemi. Thotë i Madhëruari: “Dhe kapuni të gjithë për litarin e Allahut dhe mos u përçani.” (Ali Imran: 103)
Bashkimin që u bëri sahabëve ai e konsideron një nga mirësitë e Tij të mëdha, mirësi që duhet ruajtur dhe kujdesur për të, prandaj dhe në vazhdim të ajetit tha: “… dhe kujtoni kur ishit armiq e Ai i bashkoi zemrat tuaja dhe me mirësinë e Tij u bëtë vëllezër, dhe ishit në buzë të greminës së zjarrit e Ai u shpëtoi prej saj.” (Ali Imran: 103)
Më poshtë thotë: “Dhe mos u bëni si ata që u ndanë (në grupe) e u përçanë pasiqë u erdhën argumentet e qarta, sepse ata do të kenë dënim të dhembshëm.” (Ali Imran: 105)
A ka kërcënim më të madh se ky nga përçarja dhe kundërshtimi?
Për këtë arsye i Dërguari i Allahut – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – ka thënë : “Mos u përçani, sepse ata që ishin para jush u përçanë dhe (pastaj) u shkatërruan.”[4]
I Dërguari i Allahut – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – na ka porositur të bashkohemi në namaz, të bashkojmë këmbët dhe supet, dhe të mos lejojmë të ketë mes nesh hapësira për shejtanin që të futet dhe të na përçajë kur jemi para Allahut. Kjo do të ketë ndikim edhe në jetën tonë jashtë namazit, bashkimi me bashkim dhe mos bashkimi me përçarje: “Drejtohuni dhe mos u përçani e të përçahen zemrat tuaja.”[5]
Pra, bashkimi i këmbëve dhe supeve është shkak për bashkimin e zemrave. E sa i keq është ai bashkim fals, ai bashkim i gënjeshtërt ku bashkohen por janë të përçarë! Këtë bashkim të rrejshëm e ka urryer Allahu i Madhëruar dhe ka përshkruar me të një popull për të cilët jemi urdhëruar të kërkojmë mbrojtje prej Allahut së paku 17 herë në ditë që të mos jemi si ata, e ata janë populli i zemërimit. Thotë i Lartësuari duke folur për Jehudët: “Armiqësia mes tyre është e madhe, i mendon ata (të duken) të bashkuar por zemrat e tyre janë të përçara. Kjo sepse ata janë një popull që nuk kuptojnë.” (Hashr: 14)
Musliman të përçarë do të thotë musliman që përngjajnë me armiqtë e tyre, me armiqtë e Allahut, me një popull që kanë devijuar fenë e Zotit dhe librin e Tij.
Profeti – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – na tregon se ata janë ndarë në 71 dhe 72 grupe, dhe ne në 73. A është kjo një nxitje për t’u përçarë apo për t’u bashkuar?
Ata që përçahen s’kanë asnjë lidhje me Profetin – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – dhe rrugën e tij. Thotë i Lartësuari: “Ata që u përçanë në fenë e tyre dhe u bënë grupe-grupe ti s’ke asnjë lidhje me ata, çështja e tyre do të kthehet tek Allahu dhe Ai do t’i njoftojë për atë që vepronin.” (En’am: 159)
Përçarja është cilësi e idhujtarëve: “Faleni namazin dhe mos u bëni si idhujtarët të cilët u përçanë në fenë e tyre dhe u bënë grupe-grupe…” (Rrum: 31-32)
Thotë i Lartësuari: “…dhe ata vazhdojnë të jenë të përçarë përveç atyre që i mëshiron Allahu.” (Hud: 118-119)
Ka thënë Ibn Abasi: Ata janë dy grupe (lloje); të mëshiruar që nuk kundërshtohen me njëri-tjetrin, dhe të pamëshiruar e të kundërshtuar.[6]
Ka thënë i Dërguari i Allahut – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të- : “Allahu i pëlqen për ju tri gjëra: Ta adhuroni Atë të vetëm e të mos i bëni shok asgjë, të kapeni të gjithë për litarin (fenë e Allahut) të gjithë dhe të mos përçaheni.”[7]
Dhe thotë i Dërguari i Allahut – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të: “Xhemati (bashkimi) është mëshirë, ndërsa ndarja (përçarja) është dënim.”[8]
Edhe shokët e Profetit – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – e kuptuan rrezikshmërinë e kundërshtimit dhe përçarjes dhe u ruajtën prej saj sa kishin mundësi, ku për këtë na tregon historia e Abdullah Ibn Mesudit.
Halifja Uthman ibn Afan – Allahu qoftë i kënaqur prej tij – e fali namazin të plotë katër rekate në Mina. Abdullah ibn Mesudi e kritikoi këtë veprim dhe tha: Jam falur me Profetin – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – dy rekate, edhe me Ebu Bekrin dy rekate, edhe me Umerin dy rekate, të njëjtën edhe me Uthmanin në fillim të qeverisjes së tij. Pastaj ai (Uthmani) e fali namazin të plotë, pastaj rrugët tuaja u ndanë. Do të dëshiroja që prej katër rekatëve të falja dy rekate të pranuara! – Pastaj Ibn Mesudi fali katër rekate. – I thanë: E qortove Uthmanin pastaj fale katër?! – Atëherë Ibn Mesudi, ky sahabij i mençur dhe largpamës tha një fjalë me të cilën na dha një rregull që duhet të jetë gjithmonë në mendjet tona: ‘El khilafu sherr’ (Kundërshtimi është sherr. Përçarja është një e keqe e madhe!)[9]
Dhe nëse dëshiron të kuptosh dëmin e madh të përçarjes mes muslimanëve, mjafton të përmendësh se ajo që i pengoi të hynin në fenë Islame grupe-grupe popullin japonez ishte pikërisht kundërshtimi. Kur disa prej mendimtarëve japonezë shprehën dëshirën që të hynin në fenë Islame dhe ja paraqitën këtë një organizate të muslimanëve që gjendej në Tokio. Atëherë, disa muslimanë prej Indisë u thanë që të zgjidhnin medh’hebin e imam Ebu Hanifes sepse ai është pishtari i umetit, ndërsa një grup nga Indonezia u thanë që të bëheshin shafij. Kur japonezët dëgjuan fjalët e tyre u habitën shumë dhe u lëkundën në qëllimin e tyre. Kësisoj, çështja e medh’hebeve u bë pengesë në rrugën e pranimit të Islamit nga ana e tyre.[10]
Kështu ndodh kur muslimanët kundërshtohen dhe përçahen.
Allahu na ruajtë nga përçarja! Me këto fjalë e di që nuk do ta mbyll dot këtë portë sepse caktimi universal i Allahut do të realizohet, por fjala ime në këtë rast është fjala e Profetit të Allahut Shuajbit – alejhis selam – të cilën Allahu i Madhëruar na e ka shënuar në Kuran: “… unë nuk dëshiroj gjë tjetër veç përmirësimit sa të mundem, por suksesi im nuk varet nga askush veç Allahut. Tek Ai jam mbështetur dhe tek Ai kthehem (për çdo çështje).“ (Hud: 88)
E natyrshëm pyetja që do të vijë pas gjithë këtyre teskteve fetare që u përmendën (dhe që janë shumë pak në krahasim me ato që kanë ardhur në këtë temë), është: Në çfarë të bashkohemi? Në mendimet e mia apo të tuat?
Një pjesë e përgjigjes parapriu dhe ajo është themeli i çdo bashkimi, që është: Bashkimi rreth adhurimit të një Zoti të vetëm, pa i shoqëruar Atij asgjë dhe askënd në të drejtën e Tij ekskluzive për t’u hyjnizuar. Pra bashkimi në teuhid, ndryshe nuk ka bashkim në të kotën.
Dhe bashkimi rreth sunetit të Profetit – sal lall llahu alejhi ue sel lem – dhe sahabëve. Kjo ishte edhe kura që na dha vet i Dërguari i Allahut – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – kur na paralajmëroi për sëmundjen e këtij umeti, grupet e shumta që do të dalin në të, duke thënë:“Kush do të jetojë pas meje do të shikojë kundërshtime dhe përçarje të mëdha, prandaj kapuni për sunetin tim dhe sunetin e halifëve të drejtë e të udhëzuar pas meje. Kapuni pas tyre me dhëmballë. Dhe kini kujdes nga gjërat e shpikura, sepse çdo shpikje është humbje.”[11]
Pasi na tregoi se suneti bashkon, ai theksoi edhe më shumë këtë kuptim duke përmendur të kundërtën e tij që është bidati që bën të kundërtën, ndan dhe përçan.
Dhe në hadithin tjetër përforcohet ilaçi i përçarjes dhe ndarjes, dhe ajo është rruga e tij – alejhi selam – që është edhe rruga e sahabëve.
Thotë Profeti – sal lall llahu alejhi ue sel lem: “U ndanë jehudët në 71 grupe, u ndanë të krishterët në 72 grupe, dhe do të ndahet ky umet në 73 grupe. Të gjitha ato janë në zjarr përveç njërës. – I thanë: Cili është ai grup o i Dërguari i Allahut? – Tha: Janë ata që i përmbahen asaj që jam unë sot dhe shokët e mi.”[12] Ndërsa në një version tjetër tha: “Bashkësia” (xhemati, të bashkuarit).
Suneti i bashkon njerëzit, e nëse ndjekin shpikjet në fe do të përçahen. Kjo për arsye se suneti është vetëm një ndërsa shpikjet (bidatet) janë të shumta. E nëse dikush pretendon se ndjek sunetin por grupohet nëpër grupime që nuk e njohin sunetin e për pasojë nuk mund ta pasojnë atë, dije se ai nuk e njeh sunetin dhe nuk e ka kuptuar fenë. Ky ishte edhe shkaku i përçarjes së jehudëve që Allahu i Lartësuar e tregoi në ajetin e lartpërmendur kur foli për ta: “Kjo (përçarja e tyre dhe armiqësia e madhe mes tyre) për shkak se ata janë popull që nuk kuptojnë.” (Hashr: 14)
O Allah, na i trego të vërtetën ashtu siç është e vërtetë dhe na bëj ta pasojmë atë, dhe na i trego të kotën ashtu siç është e kotë dhe na largo prej saj! O Allah, na ruaj nga përçarjet dhe ndarja në fe, dhe largoji prej nesh fitnet e dukshme dhe të fshehta!
Dhe lutja jonë e fundit është: Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve!
————————————————
[1] “Es sahihah” (224). Nga “El meusuatul fikhijjetul mujesserah” fq. 209.
[2] [“Fet’hul bari” (Kitabul menakib) Tema: Fjala e Allahut të Lartësuar: “O ju njerëz, Ne u krijuam prej një mashkulli dhe një femre…” Te shpjegimi i hadithit (3300) e sjell Ibn Haxheri transmetimin prej Ahmedit dhe të tjerë dhe hesht ndaj tij (as e kritikon e as e vlerëson), gjë që tregon – siç ka sqaruar vet Ibn Haxheri- se së paku një hadith i tillë për të është hasen.] Kështu shkruajta fillimisht por nuk isha i bindur se kjo do të mjaftonte si vlerësim për këtë hadith, sepse ai i mësipërmi me sa duket nuk është rregull absolut për të gjitha hadithet që Ibn Haxheri sjell. Pastaj vazhdova kërkimin dhe me mirësinë e Allahut gjeta se shejh Albani e ka saktësuar në “Sahihah” me nr. 2700. Ndërsa me renditjen e shejh Mesh’hur Hasen me nr. 1164.
Falënderimi i takon Allahut me mirësinë e të Cilit potësohen veprat e mira.
[3] Nga Ibn Abasi etj. në ‘Tefsirul Kurtubij’.
[4] Buhariu (2410), ose sipas renditjes së “Fet’hul Barit” (2279).
[5] Muslimi (432), (Kapitulli i namazit/ tema: Drejtimi i safave).
[6]http://www.alukah.net/sharia/0/65320/
[7] Transmeton Muslimi (1175) dhe të tjerë.
[8] Taberani, Bejhakij me zinxhir të saktë, dhe e ka konsideruar të mirë shejh Albani në “Es sililetus sahihah” vëll. 2. fq. 272 me nr. 667.
[9] “Dhe zinxhiri i tij është i saktë” tha shejh Albani pasi e solli këtë ether. Shiko “El meusuatul fikhijetul mujesserah” të shejh Auajshes – Allahu e ruajtë – fq. 211-212 / vëll.3.
[10] Përmbledhtas nga “Sifetu salatin nebijj” fq. (68) i shejh Albanit – Allahu e mëshiroftë.
[11] Ebu Daudi, Tirmidhiu, Ahmedi e shumë të tjerë, dhe e ka saktësuar këtë hadith Imam Tirmidhiu, Ibn Hibani dhe Ebu Nuajmi. Për më shumë shiko “Xhamiul ulumi uel hikem”, hadithi nr. 28. nga Irbad Ibn Sarijeh, vëll. 2. fq. 109. Botimi i “Muessesetur risaleh” me saktësim të shejh Shuajb Arnautit – Allahu e mëshiroftë – dhe Ibrahim Baxhis.
[12] Për këtë hadith shejhul Islam IbnTejmijeh – Allahu e mëshiroftë – ka thënë: ‘Hadith i saktë i njohur’. Dhe e ka saktësuar edhe shejh Albani dhe dijetarë të shumtë të hadithit.
Të Ngjashme
- A është e lejuar për gruan me mestruacione që të bëjë Istihara? Udha e Besimtarëve
- Nata e Kadrit Abdurrazak ibn Abdulmuhsin el-Bedër
- Bëhu i begatë kudo që të jesh Udha e Besimtarëve
- Përmendja e të metave dhe hapja e derës së dëshpërimit Udha e Besimtarëve
- Vepro duke qenë i pajisur me dituri Udha e Besimtarëve