Bashkimi i namazeve për nevojat e ditës.

February 10, 2015

Vepra e Profetit alejhis selam.

Ibn Abbasi – radiallahu anhu – tregon: “Ka falur Profeti – alejhis selam – drekën me ikindinë bashkë dhe akshamin me jacinë bashkë, jo për shkak frike dhe as për shkak udhëtimi.” E transmeton Muslimi.

Në një transmetim tjetër Ibn Abasi radiallahu anhu tregon: “Ka bashkuar Profeti – alejhis selam – drekën me ikindinë dhe akshamin me jacinë në Medine jo për shkak frike dhe as për shkak shiu. – Said bin Xhubejri (dijetar i madh i tabi’inëve) e pyet Ibn Abasin – radiallahu anhu – : Pse e ka bërë këtë gjë? – Ai i tha: Ka dashur që të mos ia vështirësojë (namazin) ymetit të tij.” E transmeton Muslimi.

 

Praktika e Ibn Abasit – radiallahu anhu – dhe miratimi i Ebu Hurejras -radiallahu anhu.

Abdullah bin Shekik (tabi’in) tregon: “Ibn Abbasi një ditë na mbajti një këshillë që pas ikindisë e derisa perëndoi dielli e dolën yjet dhe njerëzit filluan të thonë: Namazi, namazi! – Ndërkohë vjen një burrë i padurueshëm nga fisi i beni Temim  dhe i thotë: Namazi, namazi! – Ibn Abasi i thotë: Do të ma mësosh mua sunetin?! Mos paç nënë! – Pastaj i thotë: E kam parë Profetin – alejhis selam – duke bashkuar drekën me ikindinë dhe akshamin me jacinë.

Abdulla bin Shekiku thotë: Kjo gjë më brejti në kraharor dhe shkova te Ebu Hurejra për ta pyetur dhe ai ma vërtetoi fjalën e tij.”
E transmeton Muslimi.

Xhabir bin Zejd (tabi’in i vdekur në vitin 93 h. prej nxënësve të Ibn Abbasit) tregon: “Ibn Abasi – radiallahu anhu – ka falur në Basra namazin e parë me ikindinë pa pasur gjë mes tyre dhe akshamin me jacinë pa pasur gjë mes tyre. E bëri këtë gjë për arsye pune. Ibn Abasi pretendonte se ka falur me Profetin – alejhis selam – në Medine namazin e parë dhe ikindinë tetë rekate, pa falur gjë mes tyre.” E transmeton Nesai dhe e saktëson sheikh Albani.

 

Tabiinët.

Abdurrahman bin Harmele tregon se një burrë vjen te Seid ibnil Musejjib dhe i thotë: “Jam bari devesh dhe i mjel ato. Kur vjen akshami e fal atë pastaj më zë gjumi dhe më kalon jacia. – Ai i thotë: Mos fli derisa të falësh jacinë e nëse ke frikë se të zë gjumi atëherë bashkoi ato.” E transmeton Ibn Ebij Shejbe.

Abdullah bin El-Mubarek tregon se Ata’a bin ebi Rabah (tabi’in i vdekur pas vitit 110 H) dhe Ed-Dahak bin Muzahim (tabi’in i vdekur pas vitit 100 H) janë pyetur për namazin e të sëmurit dhe kanë thënë: “Nëse dëshiron le të bashkojë mes dy namazeve.” E transmeton Ibn Ebi Shejbe.

Ibn Sirini – edhe ky një tjetër dijetar i tabiinëve – thuhet se e lejonte  bashkimin e namazeve për nevoja të ndryshme, për çdo njeri, përderisa nuk e ka bërë adet (nuk e bën zakon bashkimin gjithmonë). Këtë e ka përmendur Ibn El-Mundhir (dijetar i vdekur në vitin 319 H dhe njohës i mirë i fetvave të tabi’inëve).

 

Mendimet e Dijetarëve të medh’hebeve.

Medhhebi Maliki.

El-Mazirij thotë: Arsyet për bashkimin e namazit janë katër: “Udhëtimi, shiu, sëmundja dhe frika. Është kufizuar bashkimi i namazit në këto lloje sepse nuk imagjinohet arsye tjetër – në shumicën e rasteve – që ta vështirësojë faljen e namazit sipas përcaktimit bazë veç tyre.” Shih: Sherh Et-Telkijn: 1/828.

Argumentet e Malikive.

Imam El-Karafi thotë: “Argument për këtë është hadithi që thotë se ‘Profeti – alejhis selam – ka bashkuar pa arsye frike dhe udhëtimi’ dhe në transmetimin tjetër: ‘pa arsye frike dhe shiu.’ Kështu që nuk ngelet arsye tjetër veç sëmundjes, sepse vështirësia e sëmundjes është më e madhe se vështirësia e udhëtimit.” Shih: Edh-Dhekhijra: 2/374

Medhhebi Shafi’i.

Imam En-Neueuij thotë: “Mendimi më i përhapur te dijetarët e medh’hebit tonë është se nuk lejohet bashkimi për shkak sëmundje, ere, errësire, frike dhe balte.” Shih El-Mexhmu: 4/383.

Argumentet e Shafiive .

Imam Neueuij thotë: “Pasuesit e medh’hebit tonë janë argumentuar me këto argumente:

1- Hadithi i përcaktimit të pesë kohëve dhe nuk lejohet dalja prej tij veçse me argument të qartë.

2- Profeti – alejhis selam – është sëmurur disa herë dhe nuk është transmetuar bashkimi i tij me ndonjë transmetim të qartë.

 

Medh’hebi Hanbeli.

Sheikhu Islam Ibn Tejmije thotë: “Medh’hebi më i gjerë në lidhje me bashkimin mes namazeve është medh’hebi i imam Ahmedit, sepse ai ka cituar se lejohet bashkimi për vështirësi dhe punë, për shkak të një hadithi të transmetuar rreth kësaj gjëje. El-Kadi Ebu Ja’la dhe të tjerë nga pasuesit e medh’hebit tonë kanë thënë: Nëse ka ndonjë punë e cila ia lejon atij të mungojë nga namazi i xhumasë dhe namazi me xhemat. (sh.r.: atëherë i lejohet të bashkojë mes namazeve)” Shih Mexhmu’ El-Fetaua: 24/28.

Bashkimin për nevoja të ndryshme e lejon edhe dijetari i njohur i ‘khilafit’ (i kundërshtimeve mes dijetarëve) Ibn El-Mundhir (vdekur në vitin 319 h.) dhe disa dijetarë të medh’hebit shafi’i si: Ebu Is’hak El-Meruezi (dijetar shafi’i vdekur në vitin 340 h.) dhe Ebu Bekr El-Kaffal (dijetar shafi’i i vdekur në vitin 365 h.). Shih: “Mealim Es-Sunen lil-Khattabij”: 1/265.

Argumentet e këtij mendimi.

Kapja pas shpjegimit të Ibn Abasit – radiallahu anhu – sepse ai është transmetuesi i hadithit dhe ai nuk ka përcaktuar arsye të veçantë por ka përmendur një arsye të përgjithshme: largimin e vështirësisë.

Ibn El Mundhir thotë: “Ibn Abasi kur është pyetur se pse e ka bërë këtë gjë ka thënë: ‘Ka dashur që të mos ia vështirësojë (namazin) umetit të tij’, prandaj lejohet bashkimi për arsye shiu, ere, errësire, sëmundje dhe për çdo shkak tjetër.” Shih El-Eusat: 2/433.

Si përfundim themi se mendimi që lejon bashkimin për nevojat e rastit, pa e bërë atë zakon të përhershëm (me arsye e pa arsye), duket më afër të vërtetës dhe përkrahet nga fjala dhe praktika e Ibn Abasit – Allahu qoftë i kënaqur prej tij – dhe nga fjalët e disa tabi’inëve, siç u përmend më lart.

Dhe Allahu i Lartësuar e di më mirë.

 

 

 

Loading...