Kushdo që synon përmirësimin duhet të jetë i vetëdijshëm se është në front kudo që të shkelë, prandaj duhet ta mbartë brengën e përmirësimit në të gjitha çështjet e tij. Dhe ta dijë, madje të jetë i bindur, se nëse tregohet i sinqertë ka për të parë frytet e suksesit hyjnor dhe mirësi të shumta, në dashtë Allahu i Lartësuar.
Ajo që vihet re tek disa përmirësues është forca e vendosmërisë së tyre dhe kujdesi për ta promovuar të mirën në një vend të caktuar (limituar), si; fakulteti, shkolla, apo diçka e ngjashme. Ky vrull dhe kjo vendosmëri fillon të shpërbëhet e gjitha ose e shumta në momentin sapo largohen nga ambjenti i fakultetit apo i shkollës.
Cilido përmirësues është i falënderuar dhe i shpërblyer për mundin e tij në promovimin e së mirës dhe veprave të mbara, por ne presim dhe shpresojmë nga ai që të jetë si shiu i cili sjell mirësi kudo që bie. Kjo është e lehtë për atë të cilit Allahu ia lehtëson. Nuk është e domosdoshme që ambicia e tij për të përhapur mirësinë të jetë konstante e pandryshueshme, si në vendin ku banon, punon apo mëson, dhe kjo është e natyrshme. Por ajo për të cilën mund të kritikohen disa njerëz me vullnet të mirë është mungesa e ambicies apo shuarja e pjesës më të madhe të saj kur gjenden në ambjente të tjera.
Prandaj, të ftoj të meditosh në këtë ajet të Kuranit fisnik, në të cilin Allahu i Lartësuar thotë: “Më bëri të begatë kudo që të jem.”[1]
Domethënë; të begatë në çdo vend në të cilin ndodhem dhe çdo ditë në të cilën jetoj. Të begatë me të gjithë. Ose mund të thuhet: Të begatë në çdo vend, në çdo kohë dhe me çdo njeri.
O ti që synon të promovosh mirësinë, përpiqu ta përhapësh të mirën në çdo vend, në çdo kohë dhe tek çdo njeri.
Shembuj konkret:
Të jesh pjesë e vizitave nëpër spitale, si vizitë shpërblimi dhe daveti, apo vizitave në burgje. Po ashtu, nxitja e familjarëve që të kontribuojnë çdo muaj në favor të një projekti mirësie. Ose të mblidhen veshmbathje për t’ua shpërndarë fukarenjve dhe nevojtarëve, e shumë e shumë punë të tjera bamirësie. Ke për të parë gjurmët e kësaj begatie me mirësinë e Allahut të Lartësuar. Allahu të bëftë të begatë kudo që të jesh!
Marrë nga libri: “Shenja në rrugën e përmirësimit”.
Autor: Abdul Aziz Sed’han
Përktheu: Fatjon Isufi
———————————————–
[1] Suretu Merjem: 31.