Hyrje
Falënderimi i takon Allahut. Paqja, bekimi dhe urimi i Allahut qofshin mbi robin dhe të dërguarin e Tij, profetin tonë Muhamedin, familjen e tij dhe të gjithë shokët e tij.
Është prej mirësisë, bamirësisë dhe mëshirës së Allahut ndaj robërve të Tij dërgimi tek ata i një personi të zgjedhur prej mesit të tyre për t’ua komunikuar shpalljen e Zotit dhe për t’i udhëzuar tek çdo gjë e dobishme, e për t’i këshilluar që të ruhen nga çdo gjë e dëmshme. Detyrën me të cilën u dërgua, profeti Muhamed, -paqja dhe nderimi i Allahut qofshin mbi të-, e kreu me korrektësi e me përsosmëri. Ai ia tregoi popullit të tij çdo të mirë dhe e paralajmëroi për çdo të keqe. E porositi me këshillat më të përkryera. Më të mirët e këtij populli Allahu i zgjodhi për të qenë shokë të Muhamedit, -paqja dhe nderimi i Allahut qofshin mbi të-, dhe mbartës të sheriatit të tij. Ata përbënin bashkësinë më të përsosur njerëzore, që kishin dalë prej popullit më të mirë ndër të gjithë popujt. Allahu i nderoi ata me shoqërimin e profetit të Tij, -paqja dhe nderimi i Allahut qofshin mbi të-. Ata e panë atë dhe dëgjuan prej gojës së tij të ndershme. E kjo është mirësia e Allahut që ia jep kujt të dojë, e Allahu ka mirësi të madhe.
ARGUMENTE NGA KURANI DHE SUNNETI RRETH POZITËS DHE MIRËSISË SË SAHABËVE
Sahabët e komunikuan dritën dhe udhëzimin me të cilën u dërgua Muhamedi, -paqja dhe nderimi i Allahut qofshin mbi të-, në mënyrën më të shkëlqyer e më të përsosur. Ata e arritën shpërblimin madhështor, se shoqëruan të dërguarin e Allahut, -paqja dhe nderimi i Allahut qofshin mbi të-, luftuan përkrah tij dhe dhanë kontributin e tyre të pa kursyer në përhapjen e Islamit. Ata janë brezi lidhës me profetin, -paqja dhe nderimi i Allahut qofshin mbi të-, e për këtë do të kenë edhe shpërblimin e atyre që erdhën më pas. Transmetohet në një hadith se i dërguari i Allahut ka thënë: “Kush thërret në udhëzim e ka shpërblimin të barasvlershëm me shpërblimin e atyre që e pasojnë atë. Kjo nuk pakëson asgjë prej shpërblimit të pasuesve.” [Muslim].
Ata i ka lavdëruar Allahu në librin e Tij famëlartë dhe profeti, sal-lAllahu alejhi ue selem, në sunnetin e tij të kulluar. E kjo u mjafton sahabëve si shenjë nderimi dhe respekti.
Allahu i Madhëruar thotë në Kuran:
“Me ata të cilët të parët përqafuan Islamin nga Muhaxhirët (besimtarët që u shpërngulën nga Meka në Medine) dhe Ensarët (besimtarët e Medinës që i strehuan dhe i ndihmuan ata) si dhe ata që i ndoqën besnikërisht ata (në besim), me këta Allahu është mjaft i kënaqur dhe ata janë më se të kënaqur me Të. Ai ka përgatitur për ta kopshte të begata nën të cilët rrjedhin lumenj për të banuar atje ngaherë. Ky është ngadhënjimi madhështor.” [et-Teube: 100].
Allahu i Madhëruar thotë:
“Muhamedi është i dërguari i Allahut dhe ata që janë me të janë të ashpër ndaj mohuesve (të Allahut) dhe të mëshirshëm ndërmjet tyre. I sheh ata kah përkulen (në ruku) dhe lëshohen me fytyrë në tokë (në sexhde kur i falen Allahut), duke kërkuar begati nga Allahu dhe kënaqësinë e Tij. Shenja e tyre (e besimit të tyre) është në fytyrat e tyre nga gjurmët e sexhdes (gjatë faljes). Ky është përshkrimi i tyre në Teurat, ndërsa shembulli i tyre në Inxhil përshkruhet si një farë (e mbjellë) e cila lëshon lastarin, pastaj e forcon atë dhe ai pastaj qëndron vetë në trungun e vet duke i mahnitur mbjellësit, që t’ua shtojë me anë të tyre mllefin mosbesimtarëve. Allahu u ka premtuar atyre nga mesi i tyre të cilët besojnë (të gjithë ata që besojnë në njësinë e Allahut, në të dërguarin e Tij Muhamedin dhe e ndjekin fenë e Allahut, Islamin deri në Ditën e Fundit) dhe punojnë mirësi e drejtësi (sipas këtij besimi) falje dhe shpërblim tepër të madh (kopshtet e begata të Xhenetit të Pafund).” [el-Fet’h: 29]
Ajeti i lartpërmendur flet për të drejtat e sahabëve (Allahu qoftë i kënaqur me ta). Aty u tha që me anë të tyre u shtohet mllefi, e ky është paralajmërim shumë i rreptë dhe kërcënim shumë i ashpër ndaj atij që është i pakënaqur prej shokëve të Muhamedit, -paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të-, apo që ka urrejtje për ta në zemrën e tij qoftë edhe një grimcë.
Allahu i Lartësuar thotë:
“Nuk janë njësoj ndërmjet jush ata që shpenzuan dhe luftuan para çlirimit (të Mekës). Të tillët janë në gradë më të lartë se ata që shpenzuan më pas, por për të gjithë Allahu ka premtuar (shpërblimin) më të mirën dhe Allahu është i njoftuar hollësisht për gjithçka që ju punoni.” [el-Hadid: 10]
Allahu i Lartësuar gjithashtu thotë:
“(Gjithashtu në këtë plaçkë ka pjesë) Për (Muhaxhirët-muslimanët e shpërngulur nga Meka në Medine) të mërguarit e varfër, të cilët u përzunë nga shtëpitë dhe nga pasuritë e tyre për të kërkuar mirësitë e Allahut, për të fituar kënaqësinë e Tij dhe për të ndihmuar Allahun (për t’i shërbyer e për të ndihmuar Islamin, fenë e Tij) dhe të dërguarin e Tij (Muhamedin, -paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të-). Pa dyshim se të këtillët janë të sinqertët (e të besuarit për atë që thonë). Edhe ata të cilët përgatitën vendin e tyre (në Medine) dhe pranuan besimin, i duan ata që u shpërngulën tek ata dhe nuk kanë aspak zili në gjokset e tyre për atë që iu dha atyre (nga plaçka e Beni-Nadir) dhe i parapëlqejnë ata (të shpërngulurit) mbi veten e tyre, edhe pse ata vetë kishin nevojë për të. Dhe kushdo që shpëton nga lakmia vetjake, tamam të këtillët do të jenë ngadhënjimtarët. Dhe ata që erdhën pas tyre thonë:”Zoti ynë! Na fal neve dhe vëllezërit tanë që qenë para nesh në besim, dhe mos lejo në zemrat tona asnjë grimcë urrejtje ndaj atyre që kanë besuar. Zoti ynë! Vërtet që Ti je shumë Dashamirës, Mëshirëplotë.” [el-Hashr: 10]
Në tre ajetet e lartpërmendura nga surja el-Hashr shikojmë qartë se ajeti i parë flet për muhaxhirët kurse i dyti për ensarët, e i treti për ata të cilët i pasuan ata më pas, duke kërkuar falje për ta dhe duke kërkuar nga Allahu që të mos vendos në zemrat e tyre as edhe grimcën më të vogël të urrejtjes kundrejt tyre. Pas këtyre tre palëve që përmendëm, nuk ekziston veçse dezertim dhe shthurje dhe rënie në litarët e shejtanit të mallkuar.
Aishja (Allahu qoftë i kënaqur prej saj) i ka thënë Ur’uetu ibn Zubejrit në lidhje me këta dezertorë dhe të shthurur: “Ata u urdhëruan që të kërkojnë falje për shokët e të dërguarit të Allahut, -paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të-, ndërsa ata i fyen.” [Muslim].
Imam En-Neueuij thotë në lidhje me shpjegimin e tij (d.m.th. të Sahihut të Muslimit) se Imam Maliku ka marrë këtë ajet si argument për mos i bërë pjesë në plaçkën e luftës (el fej’u – e cila merret pa luftë) atyre që fyejnë sahabët (Allahu qoftë i kënaqur me ta) sepse Allahu e kishte caktuar për ata të cilët erdhën pas tyre dhe që kërkojnë falje për ta.
Ibnu Kethiri (Allahu e mëshiroftë) në lidhje me komentimin e këtij ajeti thotë: Sa i përshtatshëm e i mirë është përfundimi që nxori Imam Maliku (Allahu e mëshiroftë) prej këtij ajeti fisnik, se rrafidiu, i cili fyen e shan sahabët, nuk ka pjesë në plaçkën e luftës, për shkak se ata nuk janë prej atyre të cilët thanë: Zoti ynë! Na fal ne dhe vëllezërit tanë që qenë para nesh në besim dhe mos lejo në zemrat tona asnjë grimcë urrejtje ndaj atyre që kanë besuar. Zoti ynë! Vërtet ti je shumë Dashamirës, Mëshirëplotë.
Profeti, paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të, thotë: “Njerëzit më të mirë janë ata të brezit tim, e më pas ata që vijojnë dhe më pas ata që vijojnë”. [Buhari & Muslim]
Muslimi e transmeton gjithashtu këtë hadith prej Ebu Hurejres (Allahu qoftë i kënaqur me të) me tekst: ”Brezi më i mirë i popullit tim është ai në të cilin u dërgova tek ata, pastaj ata që vijojnë, pastaj ata që vijojnë.” Allahu e di më së miri se a e përmendi për së treti apo jo (d.m.th. fjalën “pastaj ata që vijojnë”).
Vazhdon . . .
BESIMI I EHLI SUNETIT UEL XHEMA’A
RRETH SAHABËVE TË NDERUAR
Autor: Muhadithi i njohur Abdul Muhsin bin Hamed el Abbad el-Bedr
pedagog në Universitetin Islamik të Medines dhe ligjërues në xhaminë e profetit, -paqja dhe nderimi i Allahut qofshin mbi të-.
Përktheu: Bledar Ali
Të Ngjashme
- Emrat dhe atributet e Allahut të Madhëruar Udha e Besimtarëve
- Kur pasionet bëhen idhull dhe Zot Ibën Rexheb el Hanbeli
- A mund të ndikojë mësyshi edhe në këtë rast? Emin Bilali
- Si ka mundësi që Allahu ua jep dynjanë jobesimtarëve?! Emin Bilali
- Cilat ishin fjalët e fundit që tha Profeti para se të largohej nga kjo botë? Udha e Besimtarëve