Besimi i Myslimanëve rreth Isait (Jezusi)

December 25, 2025

Besimi i Myslimanëve rreth Isait (Jezusit) عليه السلام

– Isai عليه السلام është rob nga robërit e Allahut, të cilit Allahu i Lartësuar i dhuroi gradën e pejgamberllëkut dhe të shpalljes hyjnore.

Allahu i Madhëruar thotë: “Ai nuk ishte tjetër veçse një rob të cilin Ne e begatuam dhe e bëmë shembull për bijtë e Israilit.” Ez-Zukhruf: 59.

Hafidh Ibn Kethir – Allahu e mëshiroftë – thotë: “Fjala e Tij: “Ai nuk ishte tjetër veçse një rob të cilin Ne e begatuam” do të thotë: Isai عليه السلام nuk ishte tjetër veçse një rob nga robërit e Allahut, të cilin Allahu e begatoi me profetësi dhe shpallje.”

📚 Tefsiri i tij (7/232)

– Ai u krijua pa baba.

Allahu i Lartësuar thotë: “Shembulli i Isait tek Allahu është si shembulli i Ademit: e krijoi prej dheu, pastaj i tha: “Bëhu!”, dhe ai u bë. E vërteta është nga Zoti yt, prandaj mos u bëj nga dyshuesit.” Al Imran: 59–60.

Hafidh Ibn Kethir – Allahu e mëshiroftë – thotë: “Allahu i Lartësuar thotë: “Shembulli i Isait tek Allahu” për nga fuqia e Allahut në krijim, “është si shembulli i Ademit”; sepse Allahu e krijoi Ademin pa baba dhe pa nënë, por “e krijoi prej dheu, pastaj i tha: ‘Bëhu!’ dhe ai u bë”.

Ai që e krijoi Ademin, është edhe më i aftë të krijojë Isain. Nëse të kriahterët pretendojnë birësinë për Isain për shkak se u krijua pa baba, atëherë kjo do të ishte edhe më e mundshme për Ademin – e megjithatë dihet unanimisht se kjo është e pavërtetë. Prandaj, pretendimi i tillë për Isain është edhe më i kotë dhe më i prishur.

Mirëpo Allahu i Lartësuar deshi t’u tregojë krijesave të Tij fuqinë e Tij: e krijoi Ademin pa mashkull e pa femër, krijoi Havën nga mashkulli pa femër, krijoi Isain nga femra pa mashkull, dhe krijoi pjesën tjetër të njerëzimit nga mashkulli dhe femra.

Për këtë arsye, Ai në suren Merjem tha: “që ta bëjmë atë shenjë për njerëzit”, dhe këtu thotë: “E vërteta është nga Zoti yt, prandaj mos u bëj nga dyshuesit”, domethënë: ky është besimi i vërtetë për Isain, nga i cili nuk ka shmangie dhe përveç të cilit nuk ka të vërtetë tjetër; sepse çfarë ka pas së vërtetës veçse humbjes?”

📚 Tefsiri i tij (2/49)

– Ai është shenjë paralajmëruese për Orën

📎 Shpjegimi i fjalës së Allahut: “Dhe ai është shenjë (paralajmëruese) për Orën.” Ez-Zukhruf: 61.

☘ Dijetari i madh dhe mufesiri Muhamed el-Emin esh-Shenkiti – Allahu e mëshiroftë – thotë:

“E vërteta e saktë është se përemri në fjalën “Dhe ai” i referohet Isait, e jo Kuranit dhe as Profetit ﷺ.

Kuptimi i fjalës së Tij: “Dhe ai është shenjë për Orën”, sipas mendimit të saktë që e dëshmon Kurani i Madhëruar dhe Suneti muteuatir, është se zbritja e Isait në fund të kohës, duke qenë i gjallë, është shenjë e Orës, domethënë shenjë e afrimit të saj, sepse ajo (ardhja e tij) është prej shenjave të mëdha të kiametit.”

📚 Edwâu’l-Bejân (7/280)

📎 Këtë e përforcon ajo që transmetohet në Musned nga Ibn Abasi – Allahu qoftë i kënaqur me të – për fjalën e Allahut: “Dhe ai është shenjë për Orën”, ku ka thënë: “Ai” ka për qëllim ardhjen(zbritjen) e Isait, birit të Merjemes, para Ditës së Kiametit.”

Shejkh Ahmed Shakiri ka thënë: Senedi i këtij transmetimi është i saktë.

– Ithtarët e librit do të besojnë në fenë e saktë para vdekjes së tij

📎 Këtë e sqaron edhe ajeti në suren En-Nisa: “Nuk ka asnjë nga ithtarët e Librit, që nuk ka për të besuar në të para vdekjes së tij.” En-Nisa: 159.

☘ Shejkh esh-Shenkiti – Allahu e mëshiroftë – thotë: “Domethënë: do të besojnë në Isain para vdekjes së Isait. Kjo është e qartë se Isai është i gjallë në kohën e zbritjes së këtij ajeti dhe se ai nuk do të vdesë derisa ithtarët e Librit të besojnë në të. Dhe dihet se ata nuk do të besojnë në të, përveçse pas zbritjes së tij në tokë.”

Më pas thotë: “Përemri në fjalën “para vdekjes së tij” i referohet Isait. Ndërsa mendimi se i referohet ithtarëve të Librit, është në kundërshtim me kuptimin e qartë të Kuranit dhe për të nuk ka argument as nga Kurani e as nga Suneti.”

📚 Edwâu’l-Bejân (7/283–284)

📎 Këtë e përforcon edhe ajo që transmeton Ibn Xheriri në Tefsirin e tij nga Ibn Abasi – Allahu qoftë i kënaqur me ta – për fjalën: “që nuk ka për të besuar në të para vdekjes së tij”, se ka thënë: “Para vdekjes së Isait, birit të Merjemes.”

Ibn Kethiri ka thënë: Zinxhiri i këtij transmetimi është i saktë.

📚 Për më tepër dobi, shih:

📚 Shenjat e Kiametit – Jusuf El-Uabil (fq. 337)

📚 Hadithet e Shenjave të Kiametit dhe kuptimi i tyre (fq. 592)

Përshtati: Fatjon Isufi

Dosje:

Loading...