Besimi i pasuesve të sunetit dhe xhematit

August 31, 2013

Këto janë disa fjalë të përmbledhura në lidhje me sqarimin e akides së pasuesve të sunetit dhe xhematit, e cila më shtyhu për shkrimin e saj ajo në të cilën po jeton populli islam sot prej përçarjes dhe kundërshtimeve që pasqyrohen në grupe të shumta ku secili prej tyre fton në grupin ku bën pjesë dhe shpreh fjalët më të mira për xhematin e vet ku ai aderon.

Derisa muslimani që nuk ka dije është në mëdyshje se kë duhet të pasojë, ndërsa jobesimtari i cili dëshiron të bëhet musliman nuk e di se cili është islami i vërtetë për të cilin ai ka lexuar apo dëgjuar. Për atë Islam i cili udhëzon në të Kurani dhe Suneti i Profetit alejhis selam, atë islam që u pasqyrua në jetën e sahabëve të ndërshëm dhe e pasuan atë brezat më të mirë.

Për këtë arsye e kemi detyrë që ta njohim mirë këtë grup të begatë, i cili pasqyron islamin e saktë, Allahu na bëftë prej tyre! Ta njohi atë kush dëshiron që të mësojë islamin e saktë si dhe ndjekësit e tij të vërtetë.

Emrat e grupit të shpëtuar dhe palës së ndihmuar

Meqë ky grup është grupi i pastër/i pacënuar prej humbjes del si detyrë njohja e emrave dhe shenjave të tij në mënyrë që të pasohet. (Ky grup) ka emra madhështorë me anë të së cilave dallohet nga të gjithë grupacionet e tjera. Prej emrave dhe shenjave më të rëndësishëm është se ai është grupi i shpëtuar, pala e ndihmuar si dhe pasuesit e sunetit dhe xhematit kuptimet e të cilave do i shpjegojmë më poshtë:

1. Grupi shpëtuar. D.m.th. i shpëtuar prej zjarrit, saqë i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) e ka përjashtuar atë kur përmendi grupacionet, duke thënë: “Të gjitha janë në zjarr përveç njërës.” Pra, ajo nuk do të jetë në zjarr.

2. Ata janë të kapur pas Kuranit, Sunetit të Dërguarit të Tij dhe pas asaj në të cilën kanë qenë të parët prej muhaxhirëve dhe ensarëve për të cilën i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Ata janë në atë që jam unë sot dhe shokët e mi.” Et Trimidhiu në “El Ijman” 2641

3. Pasuesit e saj janë ehlus sunneh uel xhemah. Ata dallohen me dy veçori madhështore:

a) Janë të kapur pas sunetit të Dërguarit të Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) derisa pasuesit e këtij u bënë të kundërt nga të gjitha grupacionet e tjera që janë të kapur pas

mendimeve, epsheve, tekave si dhe fjalëve të lidërve të saj. Ata (grupet) nuk i atribuohen sunetit, por i atribuohen bidatit dhe devijimit, ashtu si kaderitë dhe murxhiat, apo prijësve të tyre sikurse xhehmitë, ose ata i atribuohen veprave të tyre të shëmtuara, sikurse janë rafidat dhe havarixhët

b) Ata janë pasuesit e xhematit që bashkohen në të vërtetën dhe ndalojnë nga përçarja duke bërë të kundërtën e asaj që bëjnë grupacionet e tjera, të cilat nuk bashkohen në të vërtetë porse ata pasojnë dëshirat e tyre dhe nuk i bashkon ata e vërteta.

4. Ata janë pala e ndihmuar deri në ditën e Kiametit. Kjo për shkak se ata e ndihmojnë fenë e Allahut dhe Allahu e ndihmon atë. Ashtu siç ka thënë Alalhu i Madhëruar:

“Nëse ju e ndihmoni Allahun (çështjen e Tij), atëherë edhe Ai ju ndihmon juve.” Muhamed, 7

Për këtë shkak i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Nuk i dëmton ata kush i braktis dhe as kush i kundërshton ata derisa të vijë urdhëri i Allahut dhe ata janë në këtë gjendje.” Buhariu 3442, Muslimi në “El Imarah” 1037 dhe Ahmedi 4/93

Cilësitë e tyre

1. Ata urdhërojnë për bërjen e punëve të mira dhe ndalojnë nga punët e këqija me atë që e ka bërë obligim sheriati duke punuar kështu me Fjalën e Allahut: “Ju jeni populli më i mirë i dalë për njerëzimin: (sepse) ju urdhëroni që të bëhen vepra të mira, i ndaloni të këqijat dhe besoni Allahun.” {Al Imran 110}

Po ashtu edhe me fjalën e të Dërguarit të Allahut (Sal-lAllahu alejhi ue sel-lem): “Kush prej jush shikon ndonjë të keqe, atëherë le ta ndryshojë me dorën e tij. Nëse nuk mundet, atëherë le ta ndryshojë me gjuhën e tij. Por nëse përsëri nuk mundet, atëherë (ta ndryshojë) me zemrën e tij, por se ky është besimi i dobët.” Muslimi në “Sahihun” e tij në “El Iman” 49, Et Tirmidhimu në ”El Fitneh” 2172, En Nesaiu 5009, Ebu Daudi në “Es Salah” 1140, Ibën Maxheh në “El Fitneh” 4013 dhe Ahmedi 3/10}

2. Prej cilësive të pasuesve të sunetit dhe xhematit është edhe ruajtja e lartësimit të shenjave të islamit duke filluar prej faljes së namazit të xhumasë dhe namazit me xhemat duke qenë kështu në kundërshtim me bidatçinjtë dhe munafikët, të cilët nuk e falin namazin e xhumasë dhe as namazin me xhemat.

3. Prej cilësive të tyre është edhe këshillimi për çdo musliman si dhe bashkëpunimi në punë të mira dhe devotshmëri duke punuar me fjalën e të Dërguarit të Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem): “Feja është këshillë.” Thamë: Për kë? Tha: “Për Allahun, Librin e Tij, të Dërguarin e Tij, për prijësit e muslimanëve dhe njerëzve në përgjithësi.” Muslimi në “El Ijman” 55, En Nesaiu 4197, Ebu Daudi në “El Edeb” 4944 dhe Ahmedi 4/102

Po ashtu edhe me fjalën e tij (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem): “Besimtari për besimtarin është si puna e ndërtesës ku e forcojnë njëra-tjetrën.” Buhariu në “Es Salah” 467, Muslimi në “El Birru ves Sileh vel adab” 2585, Et Tirmidhiu në “El Birru vel Sileh” 1928, En Nesaiu në “Ez Zekah” 2560 dhe Ahmedi 4/405

4. Prej cilësive të tyre është edhe qëndrueshmëria në raste sprovimi dhe kjo (arrihet) duke duruar ndaj fatkeqësive, duke falënderuar në rehati si dhe duke qenë të kënaqur me gjërat të pakëndëshme që ka ndodhur.

5. Prej cilësive të tyre është veshja me moralet më të larta, me vepra të mira, me respektimin e prindërve, mbajtja e lidhjeve farafisnore, të sjellurit mirë me fqinjët, ndalojnë nga fodullëku, mendjemadhësia, padrejtësia duke e hequr prej njerëzve duke punuar kështu me Fjalën e Allahut të Madhëruar: “Adhuroni Allahun dhe mos i shoqëroni Atij asgjë (në adhurim); silluni mirë me prindërit, të afërmit, jetimët, të varfërit, fqinjët e afërt dhe të largët, me atë që keni pranë, me udhëtarin (që ka ngushtë) dhe me ata që janë robër nën pushtetin tuaj. Në të vërtetë, Allahu nuk i do njerëzit arrogantë e mburravecë.” En Nisa, 36

Si dhe me fjalën e të Dërguarit të Tij (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem): “Besimtarët me besim më të plotë janë ata që kanë moralin më të mirë.” Et Tirmidhiu 1162, Ahmedi, 2/250 dhe Ed Daramiu 2792

Besimi i pasuesve të sunetit dhe xhematit

[1] Pasuesit e sunetit dhe xhematit besojnë se besimi është të besuarit me zemër, të shqiptuarit me gojë dhe të zbatuarit me gjymtyrë. Ai, besimi, shtohet me vepra të mira dhe pakësohet me bërjen e gjynaheve. E nuk është imani fjalë dhe vepër pa besim, sepse ky është besimi i munafikëve si dhe nuk është thjeshtë njohje pa fjalë dhe vepër, sepse ky është besimi i jobesimtarëve. Po ashtu besimi nuk është vetëm të besuarit apo fjalë si dhe besim pa vepra, sepse ky është besimi i murxhiave Allahu i Madhëruar në shumicën e rasteve i quan veprat besim. Allahu i Madhëruar thotë: “Besimtarë të vërtetë janë vetëm ata, zemrat e të cilëve, kur përmendet Allahu, fërgëllojnë dhe, kur u lexohen shpalljet e Tij, u forcohet besimi dhe vetëm te Zoti i tyre mbështeten, ata që falin namazin dhe japin prej asaj që Ne ua kemi dhënë. Njëmend, ata janë besimtarë të vërtetë. Ata do të kenë shkallë përnderimi te Zoti i tyre, falje dhe furnizim bujar (në xhenet).” {El Enfal 2-4}

[2] Kurani është Fjala e Allahut, Libri i Tij, Shpallja e Tij, ajo që Allahu ka zbritur dhe nuk është i krijuar. Ndërsa kush thotë se Kurani është i krijuar dhe ka bindje për këtë, ai është jobesimtarë. Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe sigurisht që ky (Kurani) është shpallje nga Zoti i gjithësisë, me të cilin ka zbritur Shpirti i besueshëm (Xhibrili) në zemrën tënde (O Muhamed) që të mund të jesh prej këshilluesëve. Ai është zbritur në gjuhën e qartë arabe.” [Esh Shuara: 192-195].

Imam Ebu Bekr Muhamed bin Is’hak bin Huzejmeh të thotë: “Kurani është Fjalë e Allahut dhe nuk është i krijuar, ndërsa ai që thotë se Kurani është i krijuar, e ka mohuar Allahun e Lartësuar dhe nuk i pranohet shehadeti, nuk vizitohet kur është i sëmurë, nuk i falet xhenazeja dhe nuk varroset në varrezat e muslimanëve. Atij i jepet afat tri ditë që të pendohet e nëse nuk e bën, atëherë i pritet koka.”[2]

[3] Pasuesit e sunetit dhe xhematit besojnë se Allahu i Lartësuar është mbi Arshin e Tij i ndarë nga krijesat e Tij ashtu siç e ka cilësuar Veten e Tij në Kuran dhe në gjuhën e të Dërguarit të Tij alejhis selam duke mos pyetur “Si?”. Ai ka përfshirë çdo gjë me dijen e Tij. “Asgjë nuk i shëmbëllen Atij është Dëgjuesi dhe Shikuesi.” Esh Shura 11

Xheafer bin Abdullah ka thënë: Erdhi një burrë te Malik ibën Enes dhe e pyeti për Fjalën e Allahut: “I Gjithëmëshirshmi qëndroi mbi Arsh.” [Ta-ha: 5]. Si qëndroi? Xheaferi thotë: Nuk e kisha parë të nxehej ndonjëherë në atë mënyrë që u nxeh prej fjalës së tij, saqë e mbuluan djersët nga nxehja dhe qëndroi pa folur me shikimin në tokë. Njerëzit po prisnin se çdo të ndodhte dhe pasiqë ajo nxehje dhe skuqje e madhe u largua prej imam Malikut (Allahu e mëshiroftë!), ai tha: “Përshkrimin e tij nuk e kap mendja, Istivaja nuk është e panjohur, besimi në të është vaxhib, ndërsa pyetja për të është bidat. Por unë kam frikë se ti je i humbur.” Pastaj urdhëroi që të nxirrej jashtë.

[4] Pasuesit e sunetit dhe xhematit besojnë se Allahu i Madhëruar zbret çdo natë në qiellin e dynjasë, pa e krahasuar Zbritjen e Tij me zbritjen e krijesave, pa e përngjasuar dhe pa e përfytyruar, por pohojnë atë që ka pohuar i Dërguari i Allahut alejhis selam Ata pohojnë gjithashtu atë që ka zbritur Allahu i Lartësuar, në Librin e Tij, për ardhjen e Allahut dhe afrimin e Tij tek krijesat e Tij, siç thotë në Fjalën e Tij: “A mos presin atëherë për ndonjë gjë tjetër veçse t’u vijë Allahu në hijen e reve dhe melekët?” [El Bekare: 210].

Gjithashtu thotë: “Dhe vjen Zoti yt e melekët radhë-radhë.” [El Fexhr: 22].

Transmetohet nga Ebu Hurejra se i Dërguari i Allahut alejhis selam ka thënë: “Zoti ynë i Lartëmadhëruar zbret çdo natë në qiellin e dynjasë, në një të tretën e fundit të saj (natës) dhe thotë: A ka ndonjë që më lutet, ashtuqë Unë t’i përgjigjem atij? A ka ndonjë që kërkon prej Meje, ashtuqë Unë t’i jap atij? A ka ndonjë që më kërkon falje Mua, ashtuqë Unë ta fal atë?”[3]

[5] Pasuesit e sunetit dhe xhematit besojnë se kaderi (përcaktimi) qoftë për mirë apo për keq është prej Allahut të Lartësuar. Allahu i Madhëruar thotë: “Me të vërtetë që Ne e kemi krijuar çdo gjë me Kader (Paracaktimi Hyjnor).” [El Kamer: 49]

I Dërguari i Allahut alejhis selam ka thënë: “Gjëja e parë që Allahu ka krijuar është lapsi. Pastaj Ai i tha atij: Shkruaj! –Çfarë të shkruaj, o Zot? –tha lapsi. –Shruaj përcaktimet e çdo gjëje deri sa të bëhet Kijameti.” E transmeton Ahmedi 5/317 dhe Ebu Daudi 4700.

Po kështu fjala e tij alejhis selam drejtuar Ibën Abasit: “O djalosh! Unë do të të mësoj ty disa fjalë: Ruaje Allahun që të të ruajë ty! Ruaje Allahun dh eke për ta gjetur përpara (në ndihmën tënde). Kur të kërkosh, kërko nga Allahu dhe kur të kërkosh ndihmë, kërkoje nga Allahu. Dhe dije se sikur i gjithë populli të bashkohet që të të sjellin ndonjë dobi, ata nuk kanë për të të bërë dobi veçse me atë që Allahu e ka shkruar për ty. E nëse do të bashkoheshin që të të dëmtonin me ndonjë gjë, ata nuk do të mund të të dëmtonin veçse me atë që Allahu e ka shkruar kundër teje. Lapsat tashmë janë ngritur dhe letrat janë tharë.” Et Tirmidhiu 2516

[6] Pasuesit e sunetit dhe xhematit besojnë se më i miri i këtij populli pas Profetit të tij alejhis selam është Ebu Bekri, pastaj Umer bin Hatabi, pastaj Uthman bin Afan dhe pastaj Ali bin Ebi Talib (Allahu qoftë i kënaqur me të gjithë ata!). Këta janë prijësit e drejtëudhëzuar e se kështu na është transmetuar prej Ibën Umerit se ka thënë: “Ne thoshim ndërsa i Dërguari i Allahut alejhis selam ishte në mesin tonë, se njerëzit më të mirë pas të Dërguarit të Allahut alejhis selam janë Ebu Bekri, Umeri dhe Uthmani. Profeti alejhis selam e dëgjonte dhe nuk e kundërshtonte këtë.”[4]

[7] Pasuesit e sunetit dhe xhematit besojnë dhe dëshmojnë për dhjetë të përgëzuarit me xhenet ashtu siç ka dëshmuar për ta i Dërguari i Allahut alejhis selam dhe fjala e tij është e vërtetë. Tregojmë mëshirë për të gjithë shokët (sahabët) e Muhamedit alejhis selma dhe familjen e Tij si dhe nuk flasim për atë që ka ndodhur mes tyre.

[8] Pasuesit e sunetit dhe xhematit besojnë se Allahu i Lartmadhëruari ka për t’u shikuar në botën Tjetër, kanë për ta shikuar Atë banorët e Xhenetit me sytë e tyre dhe kanë për t’i dëgjuar fjalët e Tij ashtu si të dëshirojë Ai. Ashtu siç ka thënë i Dërguari i Allahut alejhis selam: “Ju keni për ta shikuar Zotin tuaj ashtu siç shihni hënën kur është e plotë. Nuk keni për t’u shtyrë (ngjeshur) në shikimin e Tij.”[5]

Besimi në të (se besimtarët do e shikojnë Zotin e tyre) është vaxhib kurse mohimi i saj është kufër.

[9] Pasuesit e sunetit dhe xhematit besojnë se xheneti është i vërtetë po ashtu edhe zjarri është i vërtetë. Ata të dy janë të krijuar dhe nuk kanë për t’u zhdukur kurrë. Xheneti është vendi i shpërblimi për të dashurit e Allahut ndërsa zjarri është dënim për ata që e kanë kundërshtuar Atë, përveç atij që Allahu i Lartësuar e ka mëshiruar.

[10] Pasuesit e sunetit dhe xhematit besojnë se i Dërguari i Allahut alejhis selam do të ndërmjetësojë tek Allahu për ata që kanë bërë gjynahe prej popullit të teuhidit dhe për ata që kanë bërë gjynahe të mëdha, siç ka ardhur lajmi për këtë nga i Dërguari i Allahut alejhis selam. Transmetohet nga Enesi nga i Dërguari i Allahut ka thënë: “Ndërmjetësimi im do të jetë për ata që kanë bërë gjynahe të mëdha nga populli im.”[6]

Transmetohet nga nga Abdullah bin Umer se i Dërguari i Allahut alejhis selam ka thënë: “M’u dha që të zgjidhja ndërmjet ndërmjetësimit dhe hyrjes së gjysmës së popullit tim në Xhenet, ndërsa unë zgjodha ndërmjetësimin, sepse ai është më gjithëpërfshirës dhe më i mjaftueshëm. A mendoni se ai do të jetë për besimtarët e devotshëm? Jo, por ai do të jetë për mëkatarët, të përlyerit me punë të këqia dhe gabimtarët.”[7]

[11] Pasuesit e sunetit dhe xhematit besojnë se Sirati (ura e vendosur mbi Xhehenem) është i vërtetë. Po ashtu edhe peshorja është e vërtetë. Ajo ka dy anë në të cilën do të peshohen në të punër e robit, të mirat dhe të këqijate tij si dhe vetë ai. Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe në Ditën e Kiametit, Ne do të vendosim peshore të sakta e askush nuk do të pësojë asnjë padrejtësi. Ne do të sjellim (për gjykim) çdo vepër, qoftë kjo edhe sa pesha e një kokrre sinapi. Ne jemi të mjaftueshëm për llogaritje.” (El Enbija: 47)

[12] Pasuesit e sunetit dhe xhematit besojnë se dënimi i varrit është i vërtetë dhe po ashtu se Munkeri dhe Nekirin do e marrin në pyestje të vdekurin.

[13] Pasuesit e sunetit dhe xhematit besojnë se personat që kanë vepruar gjynahet e mëdha janë në dëshirën e Allahut të lartësuar. Ata, pasuesit e sunetit dhe xhematit, nuk i bëjnë muslimanët jobesimtarë për shkak të gjynaheve të tyre, ndërsa të fshehtën e tyre ia lëmë në dorë Allahut të Lartësuar.

[14] Pasuesit e sunetit dhe xhematit besojnë e shohin si obligim faljen e të xhumasë, të dy barjameve dhe të namazeve të tjera, pas çdo imami musliman, qoftë ai vepërmirë apo vepërkeq. Po ashtu ata e shohin të obligueshëm edhe xhihadin dhe luftimin e

armiqëve të muslimanëve nën udhëheqjen e prijësave të tyre, qofshin ata zullumqarë e vepërkëqinj. Transmetohet nga Umu Seleme se i Dërguari i Allahut alejhis selam ka thënë: “Do të ketë (më pas) disa prijës dhe disa gjëra (të tyre) ju do i pranoni e disa të tjera do i konsideroni të këqija. Kush i urren ato gjëra, ai është shfajësuar dhe kush i ndalon ato (me vepër apo me fjalë), ai ka shpëtuar. Po (si i bëhet) me atë që kënaqet me to dhe i ndjek ato?!” -A t’i luftojmë ata? –thanë sahabët. “Jo, përderisa ata falin namazin.” Muslimi.

[15] Pasuesit e sunetit dhe xhematit besojnë dhe thonë se nuk lejohet lufta ndaj prijësve dhe dalja kundër tyre edhe nëse ata janë tiranë. Kjo bazohet në fjalën e të Dërguarit të Allahut alejhis selam drejtuar Ebu Dherrit: “Bëj durim edhe nëse është rob nga Abisinia.”[8] Si dhe fjala e tij drejtuar ensarëve: “Bëni durim derisa të më takoni mua te Haudi.”[9] Nuk është aspak prej Sunetit lufta kundër udhëheqësit ngase sjell prishje të fesë dhe dynjasë.

[16] Pasuesit e sunetit dhe xhematit besojnë se nuk ka bindje ndaj krijesës duke bërë mëkat ndaj Allahut të Lartmadhëruar. Për dikë që është musliman nuk dëshmohet për punë të mirë apo të keqe, pasi ti nuk e di si do të jetë mbyllja e jetës së tij. Ti mund të shpresosh të mirën për të dhe t’i druhesh së keqes, por nuk mund ta dish se çfarë do t’i ndodhë atij në momentet e vdekjes në lidhje me pendimin tek Allahu dhe se çfarë mund të bëjë Allahu me të në ato momente, nëse ai vdes në Islam. Shpreso për të mëshirën e Allahut dhe druaj për gjynahet që ka bërë, por nuk ka ndonjë gjynah për të cilin të mos ketë pendim.

[17] Pasuesit e sunetit dhe xhematit nuk nxjerrim askënd prej ehlul kibles nga Islami derisa ai të refuzojë ndonjë ajet nga Libri i Allahut apo diçka prej ethereve të të Dërguarit të Allahut alejhis selam të therë për tjetërkënd përveç Allahut apo të falet për tjetërkënd përveç Allahut. Nëse ai bën ndonjë nga këto veprime, është detyrë për ty që ta nxjerrësh atë prej Islamit. Nëse nuk vepron ndonjërën prej këtyre veprave atëherë, ai është besimtar musliman me emër.

[18] Pasuesit e sunetit dhe xhematit besojnë se Allahu i Lartmadhëruar e ka ditur atë që ka ndodhur që prej fillimit të kohës. Ai ka qenë i mirënjohur për atë që nuk ekzistonte, por që do të ekzistonte më vonë. Allahu ka përfshirë çdo gjë dhe për gjithçka ka dijeni në imtësi. Allahu i Madhëruar thotë: “Ai i ka çelësat e së padukshmes dhe vetëm Ai i njeh ato. Ai e di ç’ka në tokë dhe në det; asnjë gjeth nuk bie pa e ditur Ai dhe nuk ekziston asnjë kokërr në errësirën e tokës, as e njomë, as e thatë, që të mos jetë shënuar në Librin e Qartë (Leuhi Mahfudh).” (El Enam: 59).

Kush thotë se “Ai nuk e di të shkuarën dhe as çfarë do të ndodhë në të ardhmen”, ai ka mohuar Allahun e Madhërishëm.

[19] Pasuesit e sunetit dhe xhematit besojnë se nuk lejohet derdhja e gjakut të muslimanit i cili dëshmon se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Allahut dhe robi i Tij, vetëm se me kryerjen e njërës nga këto të tria: imoraliteti nga i martuari, dezertimi pas besimit apo vrasja e besimtarit pa të drejtë. Për çdo gjë tjetër përveç këtyre gjaku i muslimanit për muslimanin është rreptësisht i ndaluar përgjithmonë, deri në Ditën e Kiametit.

[20] Pasuesit e sunetit dhe xhematit besojnë se fjalët, polemikat dhe grindjet në lidhje me kaderin, në veçanti, janë të ndaluara në të gjithë grupet, ngase kaderi është e fshehta e Allahut. Allahu i Lartmadhëruar i ka ndaluar Profetët nga fjalët në lidhje me kaderin e po ashtu edhe i Dërguari i Allahut alejhis selam ka ndaluar nga grindjet në lidhje me të. Dijetarët dhe njerëzit e ruajtur e të devotshëm e kanë urryer këtë gjë dhe kanë ndaluar nga polemika në lidhje me kaderin. Prandaj është detyrë për ty që ta pranosh, ta shqiptosh me gjuhë si dhe të besosh. Të jesh i bindur në të gjitha ato gjëra për të cilat ka folur i Dërguari i Allahut alejhis selam dhe të heshtësh në lidhje me ato gjëra për të cilat ai nuk ka folur.

[21] Pasuesit e sunetit dhe xhematit ndjekin atë që ka ardhur në Librin e Allahut apo në Sunetin e të Dërguarit të Tij alejhis selam si dhe atë në të cilën kanë qenë të sahabët prej muhaxhirëve dhe ensarëve në përgjithësi dhe pasimi i hulefave er rrashidin në veçanti, ngase i Dërguari i Allahut alejhis selam ka këshilluar për këtë në fjalën e tij: “Ju këshilloj juve që të kapeni pas sunetit tim si dhe pas sunetitn të hulefave rrashidin.” {Et Tirmidhiu në “El Ilm” 2676, Ibën Maxheh 44, Ahmedi 4/126 dhe Ed Daramiu 95}

Ata nuk i japin në asnjë mënyrë përparësi fjalës së dikujt prej njerëzve para Fjalës së Allahut dhe fjalës të Dërguarit të Allahut alejhis selam. Për këtë shak ata janë quajtur pasuesit Libirt dhe Sunetit (ehlul Kitabi ues Sunneh).

Pas marrjes nga Libri i Allahut dhe nga Suneti i të Dërguarit të Tij alejhis selam ata marrin nga ajo që kanë rënë në konsensus dijetarët e ymetit dhe kjo është ajo baza e tretë që mbështeten pas dy bazave të para Kuranit dhe Sunetit. Ndërsa përsa u përket atyre gjëravë në të cilët njerëzit bien në kundërshtim ata e kthejnë atë tek Libri dhe tek Suneti duke punuar kështu me Fjalën e Allahut të Madhëruar: “Nëse nuk pajtoheni në ndonjë gjë, drejtojuni Allahut dhe të Dërguarit, nëse besoni Allahun dhe Ditën e Kiametit. Kjo për ju është më e mira dhe shpjegimi më i bukur.” {En Nisa 59}

Ata (pasuesit e sunetit dhe xhematit) nuk besojnë në pagabueshmërinë e askujt përveç të Dërguarit të Allahut alejhis selam si dhe nuk kapen me fanatizëm pas mendimit të ndonjërit derisa të jetë në përputhje me me Librin dhe Sunetin. Po ashtu ata besojnë se muxhtehidi gabon dhe ia qëllon si dhe nuk ia lejojnë ixhtihadin (kujtdo) vetëm se atij që përmbush kushtet e tij të njohura tek dijetarët. Po ashtu ata nuk e refuzojnë ixhtihadit në ato çështje ku ka vend për ixhtihad. Ndërsa përsa i përket kundërshtimit tek ata (ehlul suneti vel xhemah) në çështjet e ixhtihadit kjo nuk e bën obligim armiqësinë dhe bojkotin ndërmjet tyre siç veprojnë fanatikët apo pasuesit e bidatit. Porse ata e duan dhe e miqësojnë njëri-tjetrin si dhe falen pas njëri-tjetrit edhe nëse janë në kundërshtim mes veti për ndonjë çështje dytësore duke qenë kështu në kundërshtim me pasuesit e bidatit, sepse ata armiqësojnë, e humbin dhe e bëjnë kafir atë që i kundërshton ata.

[22] Pasuesit e sunetit dhe xhematit besojnë se baza mbi të cilën ngrihet xhemati janë shokët e Muhamedit alejhis selam, Allahu i mëshiroftë të gjithë. Ata janë Ehlus Sunneh uel Xhemah (pasuesit e sunetit dhe xhematit). Kush nuk merr prej tyre vetëm se ka humbur dhe ka shpikur, ndërsa çdo bidat është humbje, kurse humbja dhe pasuesit e saj janë në zjarr.

[23] Pasuesit e sunetit dhe xhematit besojnë se të folurit në lidhje me Qënien e Allahut është bidat dhe humbje. Në lidhje me Allahun thuhet vetëm ajo me të cilën Ai e ka cilësuar Veten e Tij në Kuran apo ajo që i Dërguari i Allahut (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) u ka sqaruar shokëve të tij. Ai, i Lartmadhëruari, është Një, “asgjë nuk i shëmbëllen Atij, Ai është Dëgjuesi dhe Shikuesi.”[10]Zoti ynë është i pari pa fillim dhe i fundit pa mbarim,[11] Ai di sekretet edhe më të fshehta, mbi Arshin e Tij është lartësuar, kurse dija e Tij është në çdo vend dhe nuk ka asnjë vend që mos ta arrijë.

[24] Pasuesit e sunetit dhe xhematit besojnë se Allahu i Lartmadhëruar është Ai që i foli Musait, birit të Imranit, në Malin e Turit, ndërsa Musai dëgjonte prej Allahut fjalë me zë, të cilat zunë vend në dëgjimin e tij. Ato ishin vetëm prej Allahut dhe nga askush tjetër. Kush thotë diçka tjetër përveç kësaj, vetëm se ka mohuar.

[25] Pasuesit e sunetit dhe xhematit besojnë se dhënia mes’h mbi meste është sunet.

[26] Pasuesit e sunetit dhe xhematit besojnë se el mutah (martesa me kontratë, ku përcaktohet kohëzgjatja e martesës) dhe lejimi i saj është haram deri në Ditën e Kiametit.

[27] Pasuesit e sunetit dhe xhematit besojnë se urdhërimi për vepra të mira dhe të ndaluarit nga punët e urryera bëhet me dorë, gjuhë e zemër dhe jo me shpatë (forcë). I

Dërguari i Allahut alejhis selam ka thënë: “Kush prej jush shikon ndonjë të keqe, atëherë le ta ndryshojë me dorën e tij. Nëse nuk mundet, atëherë le ta ndryshojë me gjuhën e tij. Por nëse përsëri nuk mundet, atëherë (ta ndryshojë) me zemrën e tij, por se ky është besimi i dobët.”[12]

Kanë thënë: “Të kapurit pas Sunetit është shpëtim.

Ky është besimi i pasuesve të sunetit dhe xhematit, besim, të cilin çdo kush e ka detyrë ta besojë.

Përktheu: Unejs Sheme

[1] Materiali eshte shkeputur nga librat “Sherh es Sunneh” imam El Berbehari. “Akidetus selef ue as’habul hadith” Es Sabuni dhe “Usulu ehlus sunneh uel xhemah” shejh Salih el Feuzani.

Transmeton Ebu Daudi 4597, Ahmedi 4/102 dhe Ed Deramiu 2518

[2] Këtë fjalë e ka përmendur Dhehebiu, në librin “Sijeru ealami en nubela”.

[3] E transmeton Buhariu në kapitullin e “Et Tehexhud”, Muslimi në kapitullin “Namazi i natës” e të tjerë

[4] E ka nxjerrë Buhariu 3655 dhe 3698. Ndërsa për sa i përket asaj se Profeti (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) nuk e ka urryer një gjë të tillë, këtë e ka nxjerrë Ibën ebi Asimi në Suneh 1193 dhe e ka saktësuar shejh Albani (Allahu e mëshiroftë) në DhilalulXhenneh.

[5] E ka nxjerr Buhariu 554 dhe Muslimi 633 prej hadithit të Xherir bin Abdullah (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!).

[6] E ka nxjerrë Tirmidhiu, Ebu Daudi, Ahmedi, El Hakim etj.

[7] E ka nxjerrë imam Ahmedi në Musned, Ibën Maxheh dhe Bejhakiu.

[8] E ka nxjerrë Muslimi në Sahihun e tij, 1837.

[9] E ka nxjerrë Buhariu (3148) dhe Muslimi (1059) dhe (1845) prej hadithit të Enes bin Malikut (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!). Po ashtu e ka nxjerrë përsëri Buhariu (4330) dhe Muslimi (1062) prej hadithit të Abdullah bin Zejdit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!).

[10] Esh Shura: 11.

[11] Prej lutjeve që bënte Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!!) ishte edhe: “O Zoti im, Ti je i Pari e para Teje nuk pati asgjë e Ti je i Fundit e pas Teje nuk do të mbetet asgjë. Ti je i Dukshmi dhe mbi Ty s’ka asgjë. Ti je i Padukshmi e nën Teje s’ka asgjë. Largoje nga ne borxhin dhe na mbro prej skamjes!” E ka nxjerr Muslimi (2713) prej hadithit të Ebu Hurejrës (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!!) [12] Muslimi në Sahihun e tij në El Iman 49, Et Tirmidhiu në El Fitneh 2172, En Nesaiu 5009, Daudi në Es Salah 1140, Ibën Maxheh nëEl Fitneh 4013 dhe Ahmedi 3/10.

Loading...