Besimi i ehli sunetit dhe xhematit është se ata i pohojnë emrat më të bukur dhe cilësitë më të larta të cilat Allahu i ka treguar për Veten e Tij, dhe i Dërguari sal-lAllahu alejhi ue sel-lem i ka konfirmuar për Të. Ata nuk e tejkalojnë atë që ka ardhur në Kuran dhe në hadithin e saktë të të Dërguarit të Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem (pra i besojnë pa e tejkaluar atë kuptim që ka pasur për qëllim Allahu dhe i Dërguari i Tij sal-lAllahu alejhi ue sel-lem).
Ata i pohojnë shprehjet e emrave dhe cilësive të Allahut dhe i dinë kuptimet e tyre në gjuhën arabe, gjuhën në të cilën u zbrit Kurani. Kurse formën e tyre se si janë ia lënë Allahut të Madhëruar, sepse Allahu e ka ruajtur dijen e formës së tyre për Veten e Tij dhe askush nga njerëzit nuk e di se si janë ato. Ata bazohen në këtë çështje delikate mbi baza të forta fetare, dhe ai i cili i ndjek këto baza ruhet nga devijimi.
E para:
Pohimi i emrave më të bukur dhe cilësive më të larta të Allahut që Ai i ka treguar për Veten e Tij dhe i Dërguari sal-lAllahu alejhi ue sel-lem i ka konfirmuar për Të, pa shtuar apo pakësuar diçka në to, sepse askush nuk është më i ditur për Allahun sesa Ai për Veten: “Thuaju: A ju e dini më mirë apo Allahu?” |Bekare: 140|
Pas Allahut askush nuk është më i ditur për Të sesa i Dërguari sal-lAllahu alejhi ue sel-lem. Ka thënë Allahu i Madhëruar: “Ai nuk flet nga dëshira (e tij) por është vetëm shpallje që i frymëzohet.” |Nexhm: 3-4|
E dyta:
Lartësimi i Allahut të Madhëruar nga përngjasimi i krijesave në cilësitë e Tij. Ka thënë Allahu i Madhëruar: “Asgjë nuk i përngjet Atij dhe Ai është Gjithëdëgjuesi, Gjithëshikuesi.” |Shura: 11|
“Dhe s’ka asnjë të barabartë ose të krahasueshëm me Të (Një, i Vetëm, i Pashok).” |Ihlas: 4|
E treta:
Mospërpjekja e kuptimit se si janë në të vërtetë cilësitë e Tij. Ka thënë Allahu i Madhëruar: “Ata kurrë nuk do të përfshijnë gjë nga Dija e Tij.” |Ta-ha: 110|
Gjithasht ka thënë: “A mos dini ndonjë që është i ngjashëm (ose me një emër) me Të?” |Merjem: 65|
Në këtë kontekst është fjala e Allahut të Madhëruar: “I Gjithëmëshirshmi isteua (u ngrit lart dhe qëndroi) mbi Arsh (Fronin e Tij Madhështor ashtu siç i shkon Madhështisë së Tij).” |Ta-ha: 5| Ky ajet përsëritet në disa vende në Kuran. Nga ky ajet përfitohet se Allahu qëndron dhe është vërtet i ngritur mbi fronin e Tij (ashtu siç i shkon Madhështisë së Tij). E dimë kuptimin e qëndrimit të Tij por nuk e njohim formën.
Kuptimi i tij është qëndrimi lart, në këtë kuptim ka ardhur në gjuhën arabe. Për këtë kanë rënë dakort ehli suneti dhe xhemati. Kurse formën e kësaj ngritjeje dhe qëndrimin nuk e di askush tjetër përveç Allahut, të Pashok.
Në këtë kontekst është fjala e Allahut të Madhëruar:
“Vërtet, Allahu është Gjithëdëgjues, Gjithëshikues.” |Nisa: 58|
Përfitohet nga ajeti pohimi i cilësisë të dëgjimit për Allahun. Në gjuhën arabe dëgjimi ka kuptimin e kapjes së zërave.
Ne pohojmë se Allahu ka dëgjim dhe i kap zërat dhe asgjë nuk i përngjason Atij. Kurse formën e kësaj cilësie ia lëmë Allahut të Madhëruar. Nuk themi si dëgjon e as që futemi në këtë gjë, sepse Allahu i Madhëruar nuk ka njoftuar për këtë por e ka ruajtur këtë dije për Veten e Tij.
Shikimi është kapja e çdo gjëje të dukshme. Transmetohet në “Sahihun” e Muslimit nga Ebu Musa El-Eshari se Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë:
“Me të vërtetë që Allahu nuk fle dhe nuk i takon Atij që të flejë. E shton dhe e pakëson furnizimin (sipas një shpjegimi tjetër; e ul dhe e ngre peshoren e veprave të njerëzve dhe furnizimit të tyre. Ky është shembull i masës së caktimit të Tij për njerëzit. Për më tepër shiko shpjegimin e Neueuiut të Sahihut të Muslimit sh.p.). Ngrihet tek Ai vepra e natës para veprës së ditës dhe vepra e ditës para veprës së natës (ngrihet vepra e natës para veprës së ditës që vjen pas saj dhe vepra e ditës para veprës së natës që vjen pas saj. Allahu e di më së miri! Për më tepër shiko shpjegimin e Neueuiut të Sahihut të Muslimit). Perdja e Tij është drita. Nëse do ta zbulonte atë, drita e Fytyrës së Tij do të digjte çdo krijesë deri aty ku të përfundonte shikimi i Tij.”
Pra, ne pohojmë se Allahu posedon shikim real me anë të të cilit kap gjërat e dukshme, kurse formën e këtij shikimi nuk e dimë.
Këto janë shembuj nga metoda e ehli sunetit në emrat dhe cilësitë e Allahut të Madhëruar.
Shkëputur nga libri: “Besimi i saktë”.
Shkroi: Abdus-Selam ibn Berxhes El-AbdulKerijm
Përktheu: Ardit Ulqinaku
Dosje: Allahu
Të Ngjashme
- Llojet e ajeteve të paqarta (Teshabuh) në Kuranin famëlartë Udha e Besimtarëve
- Kurani nuk përmban kontradikta Shejh Muhamed Xhemil Zejno
- Urtësia e Allahut në shpalljen e Kuranit pjesë-pjesë Udha e Besimtarëve
- Qëndrimi i Ehli Sunetit në lidhje për atë që bën gjynahe të mëdha Shejh Abduselam Berxhes
- Besimi në peshoren e veprave tek Ehli Suneti Udha e Besimtarëve