– Besimi –

 – Besimi –

Në terminologjinë fetare El-Iman do të thotë: Besimi me zemër, shqiptimi me gjuhë dhe puna me gjymtyrë.

Allahu i Madhëruar thotë:

قَالَتِ الْأَعْرَابُ آمَنَّا قُلْ لَمْ تُؤْمِنُوا وَلَكِنْ قُولُوا أَسْلَمْنَا وَلَمَّا يَدْخُلِ الْإِيمَانُ فِي قُلُوبِكُمْ

Arabët e shkretëtirës thonë: Ne besojmë. Thuaju: Ju nuk keni besuar! Më mirë thoni: Ne përulemi, pasi besimi ende nuk ka hyrë (si duhet) në zemrat tuaja.”[1]

Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) thotë: “Besimi është: Të besosh Allahun, engjëjt e Tij, librat e Tij, të dërguarit e Tij, ditën e Fundit dhe të besosh në kaderin, të mirën dhe të keqen e tij.[2]

Hasen El-Basri (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Besimi nuk është me shpresa dhe as me zbukurime, por ai është diçka që zë vend e rrënjoset në zemër dhe vepra e vërteton atë.

Kur përmenden së bashku Islami dhe Imani, atëherë Islami kuptohet me punët e dukshme kurse besimi/imani me punët e zemrës. E kur Islami përmendet pa besimin, atëherë me Islamin është për qëllim e gjithë feja. Po ashtu, kur përmendet vetëm besimi pa Islamin, është për qëllim e gjithë feja. Pra, kur Islami dhe besimi përmenden të dy së bashku, secili merr kuptim ndryshe nga tjetri. Dhe kur përmenden secili më vete, atëherë kanë (marrin) të njëjtin kuptim. Allahu e di më së miri!

Bazat e besimit

Bazat e besimit që janë detyrë të besohen janë gjashtë, dhe Allahu i Madhëruar i ka përmendur në librin e Tij. Po ashtu, këto janë përmendur dhe në tesktet e sunetit. Allahu i Lartësuar thotë:

لَيْسَ الْبِرَّ أَنْ تُوَلُّوا وُجُوهَكُمْ قِبَلَ الْمَشْرِقِ وَالْمَغْرِبِ وَلَكِنَّ الْبِرَّ مَنْ آمَنَ بِاللَّهِ وَالْيَوْمِ الْآخِرِ وَالْمَلَائِكَةِ وَالْكِتَابِ وَالنَّبِيِّينَ

Mirësia nuk është të kthyerit e fytyrës suaj nga lindja dhe perëndimi, por mirësia është (cilësi) e atij që beson Allahun, Ditën e Fundit, engjëjt, Librin dhe profetët.[3]

Ky ajet ka përmbledhur pesë bazat e besimit, e ato janë:

  1. Besimi në Allahun.
  2. Besimi në ditën e Fundit.
  3. Besimi në engjëjt.
  4. Besimi në librat.
  5. Besimi në të dërguarit.

Ka mbetur vetëm besimi në kaderin, të cilin Allahu i Madhëruar e ka përmendur në fjalën e Tij:

إِنَّا كُلَّ شَيْءٍ خَلَقْنَاهُ بِقَدَرٍ

Vërtet, Ne çdo gjë e kemi krijuar me masë të paracaktuar.[4]

Ndërsa tekset nga Suneti në lidhje me këtë janë të shumta, por ne po mjaftohemi me përmendjen e një argumenti prej tyre i cili është bazë në sqarimin e bazave të besimit, Islamit dhe Ihsanit. Ai është hadithi i Xhibrilit ku ndër të tjera në të tregohet se ai (Xhibrili) tha: Më trego çfarë është besimi? Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) tha: “Besimi është të besosh Allahun, engjëjt e Tij, librat e Tij, të dërguarit e Tij, ditën e Fundit dhe të besosh në kaderin, të mirën dhe të keqen e tij.[5]

Këto janë gjashtë shtyllat e besimit të cilat do i përmendim në formë të detajuar më poshtë.

Khulasatul-Kelam fi Erkanil-Islam

Autor: Abdullah bin Muhamed bin Ahmed Et-Tajar

Përktheu: Unejs Sheme

[1] El-Huxhurat: 14

[2] Shënon Muslimi në “Kapitulli i besimit”, tema: “Njohja e besimit, Islamit, Kaderit dhe shenjat e Orës (Kiametit)” (8)

[3] El-Bekare: 177

[4] El-Kamer: 49

[5] Është përmendur më herët se kush e shënon hadithin.