Besimtari midis veprave të mira dhe mëshirës së Allahut

September 17, 2025

Besimtari sado vepra të mira të kryej nuk mbështetet tek ato, por shpreson në mëshirën e Allahut.

Ai shpreson që Allahu t’ia pranojë veprat që ka bërë dhe t’ia falë gjynahet.

Allahu i përshkruan besimtarët e sinqertë duke thënë:

{إِنَّ ٱلَّذِينَ ءَامَنُواْ وَٱلَّذِينَ هَاجَرُواْ وَجَٰهَدُواْ فِي سَبِيلِ ٱللَّهِ أُوْلَٰٓئِكَ يَرۡجُونَ رَحۡمَتَ ٱللَّهِۚ وَٱللَّهُ غَفُورٞ رَّحِيمٞ}

“Vërtet, ata që besuan, ata që u shpërngulën dhe luftuan në rrugë të Allahut, pikërisht ata shpresojnë në mëshirën e Allahut. Allahu është Falës i Madh dhe Mëshirëplotë.” | El Bekare: 218.

Vihet re se Allahu nuk ka thënë: “Ata e kanë merituar mëshirën e Allahut”, por ka thënë: “Ata shpresojnë në mëshirën e Allahut.

Edhe pse këto janë veprat më madhështore; besimi, hixhreti dhe xhihadi, sërish shpëtimi i tyre nuk lidhet me to por me mëshirën e Allahut.

I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Askush nuk do të hyjë në Xhenet për shkak të veprave të tij.

Sahabët e pyetën: As ti o i Dërguar i Allahut?

Tha: As unë, përveç nëse më përfshin Allahu me mëshirën dhe mirësinë e Tij.” (Transmeton Buhariu dhe Muslimi.)

Ky hadith tregon qartë se veprat janë të domosdoshme dhe shkaku për hyrjen në Xhenet, por vetë ato nuk janë të mjaftueshme.

Besimtari sado i devotshëm e i mirë të jetë, nuk mund ta shpaguaj me to mirësinë dhe begatitë e Allahut, as nuk mund ta fitojë vetëm me to shpëtimin e përjetshëm.

Hyrja në Xhenet nuk është e mundur pa mëshirën dhe mirësinë e Allahut të Lartësuar.

 

Dr. Fatmir Strumi

Dosje:

Loading...