Betimi në tjetër kënd përveç Allahut të Lartësuar

February 13, 2015

Shejh Salih el Feuzani (Allahu e ruajttë!): Betimi në tjetër kënd përveç Allahut të Lartësuar është shirk. Siç transmeton Abdullah bin Umer radijAllahu anhuma nga i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem se ka thënë: “Kush betohet në tjetër kënd përveç Allahut ai ka mohuar ose ka bërë shirk.” Transmeton Et Tirmidhij (1535) dhe e ka bërë hasen (të mirë). E ka saktësuar Hakimi.

Fjala e tij: “ai ka mohuar ose ka bërë shirk” mendohet se ky dyshim është nga ana e transmetuesit. Ose merret se lidhëza “eu – أو ” në hadith vjen me kuptimin “الواو”. Kështu që vjen: “ai ka mohuar dhe ka bërë shirk”. Ky nuk është kufri i madh ndërsa shirku që përmendet në hadith është shirku i vogël.

Sot shumë prej njerëzve betohen në tjetër kënd përveç Allahut. Betohen në amanetin, ose betohen në Profetin sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, ose thotë: “Pasha jetën time dhe pasha jetën tënde o filan…” etj, të ngjashme me këto shprehje.

E dëgjuam atë që transmetohet në hadithet ku ndalohet betimi në tjetër kënd përveç Allahut të Lartësuar dhe se një gjë e tillë konsiderohet kufër ose shirk. Ngase betimi në diçka është madhërim i saj gjëje (në të cilën betohesh). Detyrë është se Ai i Cili meriton të madhërohet dhe tek i Cili duhet betuar është Allahu Lartësuar. Ndërsa betimi në tjetër kënd përveç tij është shirk dhe krim i madh.

Ibën Mesudi radijAllahu anhu ka thënë: “Sikur të betohem në Allahun duke qenë gënjeshtar është më e dashur tek mua sesa të betohem në tjetër kënd përveç Tij duke qenë i sinqertë”. Transmeton et Taberanij në “El Muxhemul Kebir” (9/183 me nr. 8902)

Është e ditur se betimi në Allahun duke qenë gënjeshtar është prej mëkateve të mëdha, porse shirku, e ai (në këtë rast) është betimi në tjetër kënd përveç Allahut, është më i madh se mëkatet e mëdha edhe pse llogaritet si shirku i vogël.

Detyrë për muslimanin është që të jetë i vëmendshëm ndaj kësaj gjëje. Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem thotë: “Kush betohet le të betohet vetëm në Allahun ose përndryshe të hesht.” Buhariu (2689) dhe Muslimi (1646) prej hadithit të Ibën Umerit radijAllahu anhuma.

Po ashtu ai sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Mos u betoni në baballarët (prindërit) tuaj.” (Pjesë nga hadithi i mësipërm). Etj. prej teksteve të cilat na urdhërojnë që kur duam të betohemi atëherë të mjaftohemi duke u betuar vetëm në Allahun, Një e të vetëm dhe mos të betohemi në tjetër kënd përveç Tij.

Është detyrë se kush i betohet atij në emër të Allahut ai (ta pranojë këtë) dhe të jetë i kënaqur. Siç ka thënë Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem: “Kushdo që betohet me emrin e Allahut duhet të thotë të vërtetën. Atij që i betohet dikush me emrin e Allahut ai duhet te kënaqet dhe kush nuk kënaqet me Allahun, ai nuk është afër me Allahun.” Transmeton Ibën Maxheh në “Sunenin” e tij (2101) prej hadithit të Ibën Umerit radijAllahu anhuma.

Shkëputur nga libri “El Irshad ila sahihi el itikad”

Shejhu i nderuar Salih el Feuzani (Allahu e ruajttë!)

Përktheu: Unejs Sheme

Loading...