Bindja ndaj të Dërguarit të Allahut

February 3, 2023

Allahu i Madhëruar ka thënë: “Por jo, për Zotin tënd! Ata nuk janë besimtarë derisa të mos zgjedhin ty për të gjykuar në të gjitha mosmarrëveshjet mes tyre, derisa të mos mbetet në veten e tyre asnjë pikë kundërshtimi ndaj vendimeve të tua, dhe derisa t’i pranojnë ato (vendimet e tua) plotësisht të nënshtruar.” |Surja Nisa: 65|

Gjithashtu ka thënë: “Kur Allahu dhe i Dërguari i Tij kanë vendosur për një çështje, nuk i takon asnjë besimtari dhe asnjë besimtareje që në vendimin e tyre të bëjnë ndonjë zgjidhje tjetër. Dhe kushdo që nuk i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij padyshim që ka humbur në gabim të qartë.” |Ahzab: 36|

Gjithashtu ka thënë: “Fjala e vetme e besimtarëve të vërtetë kur thirren tek Allahu (te Fjala e Tij Kurani) dhe i Dërguari i Tij për të gjykuar mes tyre, është që të thonë: Dëgjuam dhe u bindëm. Dhe mu këta janë ata që fitojnë lumturinë (Xhenetin e pasosur).” |Nur: 51|

Gjithashtu ka thënë: “Dhe le të kenë mendjen ata të cilët nuk pajtohen me urdhërin e të Dërguarit që të mos bier mbi ta ndonjë sprovë, ose t’u jepet një ndëshkim i dhimbshëm.” |Nur: 63|

Transmetohet nga Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë:

“I gjithë umeti (populli) im ka për të hyrë në xhenet përveç atij që nuk pranon.

Dikush tha: E kush nuk pranon o i Dërguar  i Allahut?

Ai u përgjigj: Ai i cili më bindet mua do të hyjë në xhenet, e ai që më kundërshton ai nuk ka pranuar.” Transmeton Buhariu 13/294, 7280.

Shpjegimi:

Shtylla e dytë mbi të cilën bazohet feja është bindja ndaj të dërguarit të Allahut, nënshtrimi ndaj fjalës së tij dhe anashkalimi i fjalës së çdokujt tjetër para fjalës së tij. Ky është kuptimi i dëshmisë se “Muhamedi është i Dërguari i Allahut”. Pra feja bazohet mbi dy shtylla: E para është të mos adhurohet askush tjetër përveç Allahut, ndërsa e dyta është bindja ndaj të Dërguarit të Tij. Rruga e vetme drejt udhëzimit, e shpëtimit nga sprovat dhe e hyrjes në xhenet është bindja ndaj Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem.

Dobitë:

  • Obligueshmëria e bindjes ndaj të Dërguarit të Allahut dhe anashkalimi i fjalës së çdokujt tjetër para fjalës së tij.
  • Bindja ndaj tij është shkak për hyrjen në xhenet.
  • Kundërshtimi i tij dhe i urdhrave të tij është shkak që të drejton për tek sprovat (në këtë botë) dhe tek dënimi (në botën tjetër).

 

Shkëputur nga libri: “Mësimet e përditshme”.

Shkroi: Rashid El-AbdulKerijm

Përktheu: Ardit Ulqinaku

Loading...