Çështja e gjashtë:
Gjykimi rreth agjërimit të femrës që ushqen fëmijën me gji dhe asaj që është shtatëzënë, nëse kanë frikë se agjërimi mund t’i dëmtojë ato në vetet e tyre apo mund të dëmtojë foshnjet e tyre.
Allahu i Lartësuar ka thënë: “O ju të cilët keni besuar! Ju është bërë obligim agjërimi ashtu siç ishte obligim për ata që ishin para jush, në mënyrë që të jeni të devotshëm. (Jeni të obliguar të agjëroni) një numër të përcaktuar ditësh. Nëse dikush është i sëmurë ose në udhëtim (dhe nuk agjëroi) atëherë duhet t’i plotësojë nga ditët e mëvonshme (aq ditë sa ka lënë pa agjëruar). Ata të cilët kanë mundësi (të agjërojnë) kanë të drejtë zgjedhjeje: të agjërojnë ose të japin si kompesim, ushqim një të varfëri (kundrejt çdo dite agjërimi), e ai që nga vullneti jep më tepër kjo është më e mirë për të, por që të agjëroni kjo është më e mira për ju, sikur ta dinit!” (Bekare 183-184).
Lexuesit e dhjetë leximeve muteuatira (të pranuara dhe mirënjohura) e kanë lexuar “jutikunehu” (Sh.p.: domethënë: kanë mundësi të agjërojnë, e përballojnë atë).
Abdullah bin Abasi radijAllahu anhu – sipas transmetimeve më të njohura prej tij – e ka lexuar: “jutauekunehu” (Sh.p.: domethënë: ata të cilët e kanë të vështirë agjërimin dhe që i rëndon ata, njësoj si të ketë një hallkë hekuri rreth qafës)1.
Ndërsa Aisheja, Muxhahidi, Tausi dhe Amru bin Dinari e kanë lexuar: “jetauekunehu”, (domethënë: njësoj si leximi i mëparshëm) origjina e së cilës është “jetetauekunehu” por u shkrinë dy shkronjat në një të vetme2. Ibn Abasi, Ikrimeh dhe Muxhahidi e kanë lexuar edhe “jetajekunehu”. Ibn Abasi gjithashtu e ka lexuar edhe “jutajekunehu”. Është transmetuar nga Hafsa se ajo e ka lexuar: Ndërsa ata të cilët nuk e përballojnë dot (agjërimin) (la jutikunehu)3.
Sipas leximit muteuatir (të mirënjohur dhe pranuar) kuptimi i ajetit është: Ai që ka mundësi të agjërojë ka të drejtë të zgjedhë: nëse do që të agjërojë agjëron ose nëse dëshiron që të mos agjërojë atëherë le të japë kompesimin (ushqim një të varfëri) dhe nuk e ka detyrë në këtë rast të agjërojë. Në varësi të këtij kuptimi ajeti është i anulluar (me ajetin 184 Bekare)4.
Ndërsa sipas leximit shadh (që nuk është vërtetuar dhe pranuar në mënyrë që të arrijë gradën muteuatir) kuptimi i ajetit është:
Ai që sforcohet dhe ndjen vështirësi (të papërballueshme ose që i shkakton sëmundje) saqë i bëhet agjërimi si të ketë një hallkë rreth qafës që e shtrëngon, e ka të lejuar në këtë rast që të mos agjërojë por duhet të japë kompesim (ushqim një të varfëri kundrejt çdo dite) dhe nuk e ka detyrë t’i agjërojë ato ditë kaza më vonë. Ky gjykim është i vlefshëm për plakun e vjetër në moshë dhe për plakën e vjetër, shtatëzënën sipas njërit nga mendimet që kanë dijetarët rreth obligueshmërisë apo jo të kryerjes kaza së bashku me kompensimin5.
Ajeti me të gjitha leximet e transmetuara rreth tij tregon dy gjykime:
- Gjykimi i parë: Ai që ka mundësi të agjërojë ka të drejtën për të zgjedhur: nëse do që të mos agjërojë atëherë jep kompensim dhe nuk e ka detyrë ta kryejë atë agjërim kaza. Ky gjykim përfitohet sipas leximit muteuatir: “jutikunehu”, dhe ky gjykim është i anulluar.
- Gjykimi i dytë: Ai që sforcohet dhe ndjen vështirësi saqë i bëhet agjërimi si hallkë rreth qafës me mundimet që i shkakton, e ka të lejuar të mos agjërojë dhe të japë kompensim dhe nuk e ka detyrë ta kryejë atë kaza. Ky gjykim është i vlefshëm për plakun e moshuar dhe plakën e moshuar, si dhe për shtatzënën dhe gjidhënësen sipas njërit nga mendimet e dijetarëve rreth obligueshmërisë apo jo të kryerjes kaza të agjërimit për këto dy kategori. Ky gjykim përfitohet sipas leximeve: “jutauekunehu, jetauekunehu, jetajekunehu, jutajekunehu”. Ky gjykim mbetet i vlefshëm dhe nuk është i anulluar.
Mendimet e dijetarëve rreth çështjes së kësaj teme (rreth agjërimit të gjidhënëses dhe shtatzënës) janë si mëposhtë:
Medhhebi i Hanefijve thotë: Shtatzëna dhe gjidhënësja nëse kanë frikë për shëndetin e foshnjeve të tyre ose për shëndetin e veteve të tyre atëherë nuk agjërojnë gjatë asaj kohe (gjatë shtatëzanisë dhe gjidhënies) dhe i kryejnë më vonë kaza ato ditë, vetëm kaq kanë detyrë. Pra, sipas medhhebit të tyre ato nuk e kanë detyrë kompensimin së bashku me agjërimin6.
Medhhebi i Malikijve thotë: Shtatzëna nësa ka frikë për shëndetin e vetes së saj apo foshnjes në bark atëherë nuk agjëron por duhet t’i kryejë më vonë kaza ato ditë dhe nuk e ka detyrë kompensimin. Gjidhënësja nëse ka frikë për foshnjen e saj atëherë nuk agjëron dhe i kryen më vonë kaza ato ditë dhe jep gjithashtu kompensim kundrejt çdo dite agjërimi një grusht ushqim.(Një grusht ushqim është njësi matëse e cila përafërsisht përcaktohet me 750 gr) 7.
Shafiijtë dhe Hanbelitë thonë: Shtatzëna dhe gjidhënësja nëse kanë frikë për vetet e tyre atëherë nuk agjërojnë por duhet t’i kryejnë ato ditë kaza më vonë. Ndërsa nëse kanë frikë për foshnjet e tyre atëherë nuk agjërojnë por duhet t’i kryejnë ato ditë kaza më vonë dhe njëkohësisht e kanë detyrë të ushqejnë një të varfër kundrejt çdo dite agjërimi.
Duhet të theksojmë se Shafiijtë në obligueshmërinë e kompensimit nëse ato kanë frikë për foshnjet e tyre kanë tre mendime por më i sakti i tyre është: obligueshmëria e ushqimit të një të varfëri për çdo ditë me nga një grusht ushqim8.
Etheret e transmetuara nga përkthyesi (komentuesi) i Kur’anit, Abdullah bin Abasi janë të ndryshme, saqë nganjëherë e komenton me një kuptim të caktuar dhe e konsideron ajetin të anulluar sipas atij kuptimi dhe nganjëherë e komenton me një kuptim tjetër dhe nuk e konsideron ajetin të anulluar. Kjo larmishmëri në shpjegimet që i bëri ajetit nuk konsiderohet kontradiktë dhe mospërputhje në mendimet e tij sepse me anullim ai ka për qëllim specifikimin e gjykimit sepse selefët shpreheshin me fjalën “anullim” duke pasur për qëllim:
-
Anullimin e gjykimit në mënyrë të plotë.
-
Anullimin e një pjese të gjykimit, nëpërmjet specifikimit dhe të kufizimit të tij.
Madje ka raste që shprehen me fjalën anullim duke pasur për qëllim përjashtimin e rasteve të veçanta nga rregulli i përgjithshëm ose kushtëzimin ose përcaktimin sipas një kriteri të caktuar, duke pasur parasysh në këto që thamë shmangien nga kuptimi që kuptohet në pamje të parë dhe bërjen të qartë të kuptimit real që ka për qëllim. Pra, çdo mënyrë në të cilën bëhet i qartë kuptimi i asaj shprehjeje me një faktor tjetër të jashtëm, tek ata konsiderohet anullim9.
Ibn Abasi radijAllahu anhu ka thënë: Në ajet i është lejuar plakut të vjetër në moshë dhe plakës së moshuar që të mos agjërojnë edhe nëse kanë mundësi për të agjëruar por të ushqejnë një të varfër kundrejt çdo dite dhe nuk e kanë detyrë ta kryejnë kaza atë agjërim, pastaj ky gjykim u anullua me ajetin: “E kush prej jush e përjeton këtë muaj le të agjërojë” (Bekare 185) duke e lënë në fuqi këtë gjykim për plakun e moshuar dhe të moshuarën vetëm në rast se ata nuk e përballojnë dot agjërimin si dhe për shtatzënën dhe gjidhënësen nëse ato kanë frikë10.
Kjo fjalë e mësipërme e Ibn Abasit nuk bie në kontradiktë me atë që është transmetuar nga Atau se ai e ka dëgjuar Ibn Abasin duke e lexuar ajetin në këtë mënyrë: ‘E ata që (agjërimi) i rëndon le të japin kompesim ushqim një të varfëri”. Ibn Abasi tha: Ky ajet nuk është i anulluar sepse ka të bëjë me plakun e moshuar dhe plakën e moshuar të cilat nuk agjërojnë dot, atëherë le të ushqejnë një të varfër kundrejt çdo dite11. Fjala e Ibn Abasit: ky ajet nuk është i anulluar, shpjegohet sipas fjalës tjetër: pastaj ky gjykim u anullua me ajetin: “E kush prej jush e përjeton atë muaj le ta agjërojë” (Bekare 185) duke e lënë në fuqi gjykimin e mosagjërimit dhe kompensimin në vend të tij, duke ushqyer një të varfër çdo ditë, për: plakun e moshuar dhe plakën e moshuar të cilët nuk e përballojnë dot agjërimin si dhe shtatzënën dhe gjidhënësen nëse kanë frikë.
Pra, fjala e tij: ky ajet nuk është i anulluar, domethënë gjykimi i ajetit nuk u anullua plotësisht (totalisht) ndërsa me fjalën e tij: pastaj ky gjykim u anullua, domethënë: u përkufizua gjykimi vetëm në kategoritë e përmendura dhe u anullua përgjithësimi i tij12.
Me këtë lloj shpjegimi përputhen fjalët e Ibn Abasit me njëra tjetrën dhe me fjalët e sahabëve të tjerë. Ibn Ebi Lejla ka thënë: Shokët e Muhamedit salallahu alejhi ue selem na kanë thënë: Kur u shpall agjërimi i Ramazanit (në fazën e parë) njerëzve u erdhi e vështirë, prandaj kush dëshironte ushqente një të varfër çdo dite dhe nuk agjëronte megjithëse i kishte mundësitë (e përballonte agjërimin), sepse iu lejua atyre kjo gjë pastaj e anulloi ajeti: “E të agjëroni është më e mirë për ju” (Bekare 184) dhe u urdhëruan që të agjërojnë muajin e agjërimit, kapitulli rreth ajetit: ‘E ata të cilët kanë mundësi (të agjërojnë)…”
Transmetohet nga Selemete bin el Ekua se ai ka thënë: Kur zbriti ajeti: “Ata të cilët kanë mundësi (të agjërojnë) kanë të drejtë zgjedhjeje: të agjërojnë ose të japin kompenim ushqim një të varfëri (kundrejt çdo dite agjërimi)” ishte e lejuar që nëse dikush dëshironte të jepte kompensim dhe të mos agjëronte, derisa zbriti ajeti tjetër pas tij dhe e anulloi atë13.
Thashë: Këtë që thamë nga Ibn Abasi se gjykimi i ajetit nuk është anulluar plotësisht – gjë për të cilën të gjithë janë dakort – e përforcon transmetimi nga Ibn Ebi Lejla14.
Muadh ibn Xhebeli radijAllahu anhu ka thënë: U ligjërua namazi nëpërmjet tre etapave (fazave) dhe po ashtu u ligjërua agjërimi nëpërmjet tre etapave – pasiqë përmendi etapat e namazit, tha – : Përsa i përket etapave të agjërimit: Kur Profeti salallahu alejhi ue selem erdhi në Medine agjëronte tre ditë në çdo muaj dhe ditën e Ashurasë. Pastaj, Allahu ia bëri atij (Profetit) obligim agjërimin duke zbritur ajetin: “O ju të cilët keni besuar! Ju është bërë juve obligim agjërimi ashtu siç ishte obligim për ata që ishin para jush” (Bekare 183) deri tek ajeti: “Ata të cilët kanë mundësi (të agjërojnë) kanë të drejtë zgjedhjeje: të agjërojnë ose të japin kompesim ushqim një të varfëri (kundrejt çdo ditë agjërimi)” (Bekare 184) në këtë fazë ishte agjërimi me dëshirë; kush dëshironte agjëronte ndërsa kush dëshironte ushqente një të varfër dhe kjo ishte e mjaftueshme për të. Pastaj Allahu zbriti ajetin tjetër: “Muaji i Ramazanit në të cilin u zbrit Kurani” (Bekare 185) deri tek: “E kushdo prej jush që e përjeton këtë muaj le ta agjërojë atë” (Bekare 185).
Allahu me këtë e bëri obligim agjërimin për çdo person të shëndoshë që nuk është udhëtar ndërsa ia bëri të lejuar të sëmurit dhe musafirit (udhëtarit) që të mos agjërojnë (Sh.p.: gjatë kohës së sëmundjes dhe udhëtimit por t’i kryejnë ato ditë më vonë) kurse për të moshuarin që nuk agjëron dot u bë obligim të japë kompensim ushqim (një të varfëri). Këto ishin dy etapat e tjera të agjërimit…”15.
Thashë: Fjala e tij: dy etapat domethënë dy të tjerat pas atij të parit në të cilin ishte obligim agjërimi i tre ditëve të çdo muaji dhe i ditës Ashura, duke u plotësuar kështu tre etapat.
Pra, ky hadith tregon qartë se ajeti është i anulluar përsa i përket atyre që kanë mundësi të agjërojnë dhe nuk është i anulluar përsa i përket atij që e ka të vështirë të agjërojë, domethënë gjykimi i ajetit është kufizuar në një kategori të caktuar njerëzish. Kjo kategori përfshin të moshuarin dhe moshuarën të cilët agjërimi i rëndon, si dhe shtatzënën dhe gjidhënësen nëse kanë frikë për vetet e tyre ose foshnjet e tyre. Ky gjykim që u përmend nga Ibn Abasi nuk është kundërshtuar nga asnjë prej sahabëve16, madje përkundrazi janë transmetuar fjalë të sahabëve në përputhje me këtë, për shembull: Transmetime nga Ibn Abasi se ai ka thënë: Nëse shtatzëna ka frikë për veten e saj ose gjidhënësja ka frikë për foshnjen e saj në Ramazan, u lejohet që të mos agjërojnë dhe ushqejnë një të varfër kundrejt çdo dite agjërimi dhe nuk e kanë detyrë ta kryejnë atë agjërim kaza17.
Po ashtu transmetohet se Ibn Abasi pa një grua shtatzënë ose gjidhënëse dhe i tha: T’i kosiderohesh si ai person që nuk agjëron dot. E ke detyrë të ushqesh një të varfër kundrejt çdo dite dhe nuk e ke detyrë agjërimin kaza18.
U pyet Ibn Umeri radijAllahu anhu rreth agjërimit të femrës shtatzënë nëse ajo ka frikë për foshnjen e saj, ai tha: Nuk agjëron por kundrejt çdo dite ushqen një të varfër me një grusht grurë19.
Transmetohet gjithashtu se ai ka thënë: Shtatzëna dhe gjidhënësja nuk agjërojnë dhe nuk e kryejnë kaza atë agjërim20.
Një grua shtatzënë e pyeti Ibn Umerin, ai tha: Mos agjëro, ushqe një të varfër kundrejt çdo dite agjërimi dhe nuk e ke detyrë ta kryesh kaza atë agjërim21.
Transmetohet nga Seid bin el Musejebi se ai ka thënë në tefsirin e ajetit: “kompensim ushqim një të varfëri” (Bekare 184) : Ky gjykim ka të bëjë me plakun i cili agjëronte më parë por me shtyrjen e moshës më tej u bë i pafuqishëm për të agjëruar, si dhe me shtatzënën, e cila nuk e ka detyrë agjërimin. Secili prej tyre e kanë detyrë të ushqejnë një të varfër me një grusht (750gr) grurë çdo ditë derisa të mbarojë Ramazani22.
Transmetohet se Enes bin Maliku radijAllahu anhu kur arriti njëfarë moshe në pleqëri nuk agjëroi në Ramazan dhe ushqeu një të varfër kundrejt çdo dite agjërimi23.
Ky gjykim i përftuar nga ajeti – mos obligimi i shtatzënës dhe gjidhënëses me agjërim nëse kanë frikë për vetet ose foshnjet e tyre – është i shprehur qartë në një kapitull të cilin e transmeton Enes bin Malik el Kabij24 i cili thotë: Na sulmoi kalorësia e Profetit salallahu alejhi ue selem ndaj shkova tek Profeti dhe e gjeta duke ngrënë drekë, ai më tha: “Afrohu dhe ha”. Thashë: Unë jam agjërueshëm. Tha: “Atëherë afrohu të të flas rreth agjërimit. Vërtetë Allahu ia ka hequr (lehtësuar) udhëtarit gjysmën e namazit dhe ia ka hequr agjërimin shtatzënës dhe gjidhënëses”. (Sahabiu tha): Uallahi këto dyja Profeti i ka thënë ose njërën prej tyre. Mjerë për mua që nuk u ula të haja nga ushqimi i Profetit salallahu alejhi ue selem25.
Thashë: Tirmidhiu pasi e transmetoi këtë hadith tha: Disa dijetarë janë të mendimit se gjykimi është ashtu siç u tha në hadith, ndërsa disa të tjerë thanë: Shtatzëna dhe gjidhënësja nuk agjërojnë (gjatë kohës së shtatzanisë dhe gjidhënies) por duhet ta kryejnë kaza atë agjërim dhe gjithashtu të ushqejnë një të varfër, këtë mendim e ka Sufjani (eth-Theuri), Maliku, Shafiu dhe Ahmedi. Ndërsa të tjerë kanë thënë: Nuk agjërojnë dhe as nuk e kanë detyrë ta kryejnë kaza atë agjërim por duhet të ushqejnë një të varfër ose nëse dëshirojnë i agjërojnë kaza ato ditë dhe nuk ushqejnë një të varfër, këtë mendim e ka Is-haku (bin Rahujeh)26.
Nëse dikush polemizon dhe thotë: Gjykimi i cekur nga Ibn Abasi dhe sahabët e tjerë – se ajeti ka të bëjë me të moshuarin dhe moshuarën të cilët nuk agjërojnë dot veçse me sforcim të madh dhe me shtatzënën e gjidhënësen të cilat kanë frikë për vetet e tyre -, bie në kundërshtim me pjesën e fundit të ajetit ku Allahu thotë: “Ata që kanë mundësi (të agjërojnë) kanë të drejtë zgjedhjeje: të agjërojnë ose të japin kompesim ushqim një të varfëri. E nëse ndonjëri jep më shumë se kaq, kjo është edhe më ë mirë për të. Por, agjërimi juaj është më i dobishëm, në qoftë se e dini.” (Bekare 184). Pra, si mund të jetë ky gjykim i vlefshëm për atë që nuk agjëron dot ndërkohë që Allahu thotë: “që të agjëroni është më mirë për ju”.
Përgjigjia ndaj kësaj çështjeje është se: Ajeti i mësipërm është nga ajo lloj forme e ligjëratës e cila vjen e lidhur me njëra tjetrën në fjalë dhe të shprehur por që në kuptim pjesa e mësipërme është e shkëputur nga ajo që vjen pas27, pra fjala e Allahut: “që të agjëroni është më mirë për ju” është e shkëputur nga ana kuptimore me pjesën tjetër të mësipërme. Në këtë pjesë të ajetit, Allahu thekson mirësinë dhe vlerën e agjërimit dhe nuk ka për qëllim preferimin e zgjedhjes së agjërimit ndaj gjykimit rreth të cilit po flasim, sepse në fjalën hajr këtu ka për qëllim të kundërtën e sherrit (të keqes)28, pra mosagjërimi është sherr (e keqe)29.
Ai mendim që mua më duket i saktë është se femra shtatzënë dhe gjidhënësja nëse kanë frikë (për vetet ose foshnjet e tyre) nuk agjërojnë dhe as nuk e kryejnë kaza atë agjërim por mjaftohen me ushqyerjen e një të varfëri kundrejt çdo dite agjërimi. E bëjmë këtë zgjedhje duke u bazuar në argumentimet e mëposhtme:
-
Krahasimi i shtatzënës dhe gjidhënëses me të sëmurin (në obligueshmërinë e kazasë) është krahasim i pavlefshëm sepse bie në kundërshtim me tekstin e saktë dhe të qartë.
- Sepse ajeti sipas leximit: “jutauekunehu” (i rëndon) tregon se gjykimi për shtatzënën dhe gjidhënësen është që të mos agjërojnë dhe të ushqejnë një të varfër, vetëm kaq dhe asgjë më tepër.
-
Sepse teksti: “Vërtet, Allahu e ka hequr gjysmën e namazit për musafirin (udhëtarin) dhe e ka hequr agjërimin për shtatzënën dhe gjidhënësen”, (sahabiu tha): Uallahi, Profeti i ka thënë të dyja këto fjali për namazin dhe agjërimin ose njërën prej tyre” tregon se shtatzëna dhe gjidhënësja nuk agjërojnë fare.
-
Sepse shpjegimi dhe mendimi i atyre sahabëve (të përmendur më herët) nuk dihet të jetë kundërshtuar nga dikush nga sahabët, ndaj konsiderohet unanimitet i heshtur (ixhma sukutij).
1 Ibn Xhinij në el Muhteseb 1/118 ia ka atribuar këtë lexim edhe Seid bin Musejebit, Tausit, Ejub Sihtijanit.
2 Ibn Xhinij në el Muhteseb ka thënë për këtë lexim: Është transmetuar nga Ibn Abasi dhe nga Ikrimeh.
3 el Muhteseb 1/118, el Bahrul Muhit 2/35, Ruhul meanij 2/58-59.
4 Shiko në: Zadul mesir 1/186, Neuasihul Kuran fq 65-70, el Bahrul Muhit 2/35-37.
5 El Idahu li nasihil Kurani ue mensuhihi fq 149-154, el Keshaf 1/113, Tefsirul Kurtubij 2/287-289.
6 Bedaui es-Sanai 2/97, el Ihtijar 1/135.
7 el Kafij fq 123, el Feuakih ed-Deuanij 1/359.
8 Për mendimin e medhhebit Shafiij shiko: et-Tenbih fq 66, el Muhedheb 1/241, el Mexhmu sherhul muhedheb 6/267. Për mendimin e medhhebit Hanbelij shiko: el Insaf 3/390, el Mubdi 3/16-17.
9 Këtë gjë e ka theksuar Kurtubiu në Tefsirin e tij 2/288-289 dhe Ibnul Kajimi në Ilamul muekiin 1/35-36 dhe Shatibiu në el Muafekat 3/108.
10 Zinxhiri i këij etheri është i saktë, Ebu Daudi, libri i agjërimit, kapitulli rreth atyre që thonë: Ky gjykim është për të moshuarin dhe shtatzënën, hadithi nr 2318, Taberij në tefsirin e tij 3/425, hadithi nr 2752-53, Ibn Xharud me nr 381. Iruaul Galil 4/18.
11 Etheri është i saktë. E transmeton Buhariu në librin e Tefsirit, kapitulli: ‘Ditë të caktuara, hadithi nr 4505.
12 Marrë nga libri: Tefsiri i Ibn Abasit dhe transmetimet e tij nëpër librat e Sunetit 1/73.
13 Hadithi është i saktë. Transmeton Buhariu në librin e Tefsirit, kapitulli: “Kush prej jush e përjeton atë muaj le ta agjërojë atë” hadithi nr 4507, Muslimi, libri i agjërimit, kapitulli: Bërja e qartë e anullimit të ajetit: “Ata të cilët kanë mundësi” (Bekare 184). Shiko në librin Xhamiul Usul 2/23.
14 Ibn Ebi Lejla nuk e ka dëgjuar transmetimin drejtpërsëdrejti nga Muadhi. Këtë e ka thënë Ibnul Medini dhe e ka përmendur autori i Tehdhibu et-tehdhib 6/262 duke mos i bërë ndonjë shënim, por el hafidhu ez-Zejleij në librin e tij Nasbu er-Rajeh 1/267 ka cekur se hadithi është transmetuar nëpërmjet një rruge tjetër. Transmetohet nga Ibn Ebi Lejla i cili tha: Shokët tanë na kanë thënë – duke pasur për qëllim shokët e Profetit -, ndaj sipas këtij transmetimi, në hadith nuk ka ndërprerje sepse ky transmetim shërben si përforcues i transmetimit të parë nga Muadhi. Uallahu ealem.
15 Hadithi është i saktë me përforcimin e transmetimeve të tjera. Transmeton Ebu Daudi në librin e Namazit, kapitulli: Fillimi i ezanit hadithi nr 506, 507, Tirmidhiu, libri i agjërimit, kapitulli: Çfarë është transmetuar rreth ikametit çift. Ahmedi në Musnedin e tij 5/246-247 dhe teksti i mësipërm është sipas tij, Hakimi në el Mustedrak 2/274, Bejhakiu në es-Sunenul Kubra 4/200. Shiko gjithashtu: Nasbu er-Rajeh 1/266-267, Iruaul Galil 4/20-21, Xhamiul Usul 5/271-276.
16 Ibn Kudameh në el Mugnij 3/140 pasi ka përmendur fjalën e mësipërme të Ibn Abasit dhe të Ibn Umerit, ka thënë: Ata të dy nuk i ka kundërshtuar askush nga sahabët (në këtë mendim).
17 Zinxhiri i tij është i saktë. E ka transmetuar Taberiu në tefsirin e tij 2/136.
18 Zinxhiri i tij është i saktë. Transmeton Taberiu në tefsirin e tij 2/136, Darekutni në Sunenin e tij 2/206 dhe tha: Zinxhiri i tij është i saktë.
19 Zinxhiri i tij është i saktë. Transmeton Shafiu në Musnedin e tij 1/278 dhe Bejhakiu në es-Sunenul Kubra 4/230.
20 Zinxhiri i tij është hasen (i mirë). Transmeton Taberiu në Tefisrin e tij 2/136, Darekutni në Sunenin e tij 2/207 dhe e ka saktësuar atë.
21 Zinxhiri i ti është hasen. E ka transmetuar Darekutni në Sunenin e tij 2/207.
22 Zinxhiri i tij është hasen. E ka transmetuar Taberiu në tefsirin e tij 2/137.
23 Zinxhiri i tij është i saktë. Buhariu ka transmetuar mualekan (pa përmendur zinxhirin) në librin e tefsirit, kapitulli: “Ditë të caktuara” të ngjashëm me të. Ibn Haxheri në el Fet-h 8/180 dhe në Tagliku et-talik 4/177-178 ka përmendur se këtë hadith e ka transmetuar Abdu bin Humejdi dhe Muhamed bin Hisham el Melas në librat e tyre. Thashë (autori): E ka transmetuar gjithashtu Darekutni 2/207-208 dhe zinxhiri i tij është i saktë, siç thonë dy autorët e librit: Mënyra e agjërimit të Profetit fq 60. ( dy autorët e këtij libri janë: Selim el Hilali dhe Ali Haseni).
24 Sh.p.: Enes bin Malik el Kabij është sahabij që ka të transmetuar vetëm këtë hadith dhe nuk është Enes bin Maliku, transmetuesi i mirënjohur nga Profeti salallahu alejhi ue selem ..
25 Hadithi është i mirë. Transmeton Tirmidhiu në librin e agjërimit, kapitulli: Lejimi i mosagjërimit për shtatzënën dhe gjidhënësen, hadithi nr 715, Ebu Daudi në librin e agjërimit, kapitulli për atë që zgjedh të mos agjërojë hadithi nr 2408, Nesaiu në librin e agjërimit, kapitulli: Lehtësimi i agjërimit për udhëtarin 4/18, Ibn Maxheh, libri i agjërimit, kapitulli rreth mosagjërimit të shtatzënës dhe gjidhënëses, hadithi nr 2043. Hadithin e ka konsideruar hasen Albani në: Sahihu Suneni Ibn Maxheh 1/279, në Sahihu Suneni Nesai 2/484 dhe në Sahihu Suneni Tirmidhi 1/218. (Sh.p.: në fakt Albani në Sahihu Suneni Ebi Daud dhe Sahihu Suneni Tirmidhi ka thënë: hasen sahih).
26 Sahihu suneni et-Tirmidhi 1/218.
27 Sujuti në librin e tij el Itkan 1/252 e ka veçuar llojin e 29 rreth sqarimit të kësaj forme të shprehuri dhe tha në fillim të saj: Kjo lloj mënyre e të shprehurit është e rëndësishme të studiohet dhe e meriton të shkruhet libër rreth saj… me njohjen e kësaj forme zgjidhen shumë problem gjuhësore dhe sqarohen shumë kleçka.
28 Sujuti në el Hauij lil Fetaua 1/376-377 ka tërhequr vëmendjen se fjala hajr ka dy përdorime (kuptime):
-
I pari: Përdoret me kuptimin e vlerësimit të diçkaje dhe shfaqjen e mirësisë së saj dhe në këtë rast është e kundërta me fjalën: sherr (e keqe). Kjo është origjina e kësaj fjale dhe në këtë rast me këtë kuptim nuk ka asnjë shkronjë të fshirë nga fjala (hajr).
- I dyti: Përdoret me kuptimin e preferimit të zgjedhjes mes dy gjërave të mira. Shprehja në këtë rast do përdoret në formën e shkallës sipërore “më e mirë”. Kjo shprehje në origjinë është: Ehjer (më e mirë, më e zgjedhur) por pastaj u fshi shkronja e parë për lehtësim në shqiptim.( Sh.p.: dhe si rezultat nga ehjer shqiptohet hajr dhe për këtë shkak ndodh ngatërrimi në përcaktimin e kuptimit sepse që të dyja shqiptohen hajr.
Këto dy kuptime janë bashkuar në një ajet në Kuran në suren Enfal 7).
29 Kjo përgjigje është e bazuar në mendimin se gjykimi i ajetit nuk është anulluar plotësisht por thjesht është kufizuar në një kategori të caktuar. Mund të jepet një përgjigje tjetër sipas mendimit që e kosideron gjykimin e ajetit të anulluar plotësisht, duke thënë: Gjykimi që Ibn Abasi dhe sahabët e tjerë zgjodhën, në fakt ata e kanë marrë nga Suneti sepse një gjykim i tillë nuk mund të thuhet me logjikë. Për më shumë shiko në: Iruaul Galil 4/22-25.
Të Ngjashme
- Kush e fal namazin e sabahut është në mbrojtjen e Allahut! Udha e Besimtarëve
- Vlera e faljes së namazit vullnetar në shtëpi Udha e Besimtarëve
- Dobitë e dhikrit të mëngjesit dhe të mbrëmjes Udha e Besimtarëve
- Një dijetar si Ibn Tejmije Udha e Besimtarëve
- Rregull i pandryshueshëm: Çdo gjë që përdoret për të kundërshtuar Allahun, ajo ka për tu prishur. Udha e Besimtarëve