Çështja e tetë:
Kush është më i preferueshëm gjatë udhëtimit, agjërimi apo ushqyerja?
Transmetohet nga Aishja radijAllahu anha, bashkëshortja e Profetit salallahu alejhi ue selem se Hamzah bin Amr el Eslemij radijAllahu anhu i tha Profetit salallahu alejhi ue selem: A të agjëroj në udhëtim? – ai ishte njeri që agjëronte shumë -, tha: “Nëse do agjëro, e nëse do ushqehu” në një transmetim tjetër Hamzai tha: O Rasulallah, unë agjëroj vazhdimisht” 1.
Këto dy hadithe tregojnë se ushqyerja në udhëtim është më e preferuar, pavarësisht nëse e ka të lehtë agjërimin në udhëtim apo jo.
Mënyra e argumentimit qëndron në faktin se Profeti salallahu alejhi ue selem tha në lidhje me ushqyerjen: “Ajo është lehtësim, ndaj kush e shfrytëzon atë, ka vepruar mirë” ndërsa në lidhje me agjërimin tha: “Kush dëshiron që të agjërojë nuk ngarkohet me mëkat”, duke u mjaftuar thjesht me mos ngarkimin me mëkat të atij që agjëron, ndërsa ushqyerjen e vlerësoi veprim të mirë, gjë e cila tregon se ushqyerja është më e preferueshme se agjërimi2.
E gjithë kjo megjithëse sahabiu Hamzah tha: Unë e ndjej veten të fuqishëm, dhe tha: Unë agjëroj vazhdimisht, që domethënë se agjërimi nuk më sjell vështirësi, sepse unë agjëroj shumë dhe jam ambientuar me të, por përsëri Profeti salallahu alejhi ue selem i pohoi përparësinë e ushqyerjes ndaj agjërimit.
Kjo përparësi është e vlefshme si në agjërimin farz ashtu edhe atë nafile, siç tregohet në transmetimin e Ebu Daudit se Hamzah tha: Unë jam njeri që merrem me kafshën e udhëtimit, udhëtoj me të dhe e jap me qera. Ndodh që muaji i Ramazanit më gjen në udhëtim dhe unë si djalosh që jam, o Rasulallah, e kam më të lehtë agjërimin në kohë Ramazani pavarësisht udhëtimit se sa në qoftë se e vonoj dhe ta kem borxh mbi supe. Pra, kush ka më shumë shpërblim për mua o Rasulallah, të agjëroj apo të ushqehem? Tha: “Cilën të duash prej tyre o Hamza”3.
Po ashtu e mbështet kët transmetimi tek Muslimi: “Kjo është lehtësim nga Allahu”, transmetim ky i cili lë të nënkuptohet se po pyeste në lidhje me agjërimin farz, sepse lehtësimi dhe tolerimi përdoret atëherë kur përballë tij ndodhet obligimi4.
Këtë mendim e ka zgjedhur imam Ahmedi, Ibn Habibi, Ibnul Maxhishuni (nga dijetarët e medhhebit Maliki)5.
Ky mendim dhe ky arsyetim është refuzuar nga pala tjetër me ajetin Kuranor: “E që të agjëroni është më e mirë për ju” duke qenë i qartë në dhënien përparësi agjërimit ndaj ushqyerjes6.
Gjithashtu ata thonë se agjërimi është më i preferueshëm sepse në këtë mënyrë njeriu shlyen obligimin dhe heq përgjegjësinë nga vetja. Kanë si argument hadithin e Selemeh bin Muhbik el Hudhelij radijAllahu anhu se Profeti salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Kush ka kafshë me të cilën udhëton le ta agjërojë Ramazanin kudo që ta zërë” transmeton Ebu Daudi7.
Këtë mendim kanë zgjedhur Hanefitë, Malikitë dhe Shafitë 8.
Them: Mendimi që unë mendoj se është më i saktë, është preferimi dhe dhënia përparësi ushqyerjes në udhëtim në të gjitha rrethanat. Kjo për arsyet e mëposhtme:
- Hadithi i Hamzah bin Amrit radijAllahu anhu tregon preferimin e ushqyerjes në udhëtim pavarësisht rrethanave, qoftë në Ramazan apo jashtë tij, sepse Profeti salallahu alejhi ue selem ia pohoi ushqyerjen pa e pyetur nëse po bënte fjalë për muajin e Ramazanit apo agjërim nafile dhe rregulli thotë se: Mos kërkimi i detajeve sqaruese në atë situatë kur ekziston mundësia e më shumë se një alternative, konsiderohet gjykim gjithëpërfshirës i të gjithë alternativave të mundshme. Pra, hadithi tregon për preferimin e ushqerjes në udhëtim qoftë gjatë Ramazanit apo jashtë tij.
- Në hadithin e Hamzas, Profeti salallahu alejhi ue selem e konsideroi ushqyerjen lehtësim dhe tolerim dhe siç dihet në një hadith tjetër Profeti salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Vërtetë Allahu e pëlqen (e do) që të merren (të veprohen) lehtësimet (në kohën për të cilën ato janë ligjëruar) ashtu siç e pëlqen (e do) që të përmbushen urdhëresat (obligimet, në kohën e tyre)”9.
- Nëpërmjet ushqyerjes në udhëtim, njeriu i shmanget debatit të dijetarëve, ndaj është më e preferueshme, njësoj si çështja e shkurtimit të namazit në udhëtim10. Kjo për vetë faktin se dijetarët janë të gjithë dakort për lejimin e ushqyerjes në udhëtim, ndërkohë që kanë debat për lejimin e agjërimit, ndaj është më e sigurtë nëse njeriu merr në konsideratë debatin ekzistent dhe i shmanget atij.
- Gjithashtu në këtë mënyrë njeriu i shmanget atyre haditheve të cilat shprehin se nuk është devotshmëri të agjërosh në udhëtim ose që ata të cilët agjërojnë në udhëtim janë të pabindurit (kundërshtuesit).
Këto hadithe – pavarësisht se kuptimi korrekt i tyre është se ato kanë për qëllim ata njerëz të cilëve agjërimi në udhëtim u shkakton mundim – me përgjithësimin e tyre përfshijnë çdokënd që agjëron, sepse në përgjithësi udhëtimi është gjendje që shoqërohet me mundime, siç ka thënë Profeti salallahu alejhi ue selem: “Udhëtimi është pjesë e dënimit”11.
- Kundërshtimi i palës tjetër me ajetin Kuranor: “Që të agjëroni është më mirë për ju” nuk vlen sepse ajeti flet për një nga etapat e agjërimit të anulluar, sepse siç dihet në fillim kur u shpall agjërimi i Ramazanit, gjykimi ishte i tillë që kush donte e agjëronte ndërsa kush nuk donte mjaftonte që të ushqente një të varfër kundrejt çdo dite agjërimi. Në këtë fazë, agjërimi ishte më i preferuar. Këtë thotë qartë teksti i këtij ajeti Kuranor, duke mos përmendur fare diçka që të mund ta zëvendësojë agjërimin e udhëtimit, ashtu siç nuk u përmend se nëse ushqehet në udhëtim mund ta kompesojë me ushqyerjen e të varfërve12.
- Debatimi duke u bazuar në hadithin e Selemeh bin Muhbik el Hudhelij, është i pavlerë sepse hadithi është i dobët.
- Thënia e palës tjetër: Duke agjëruar shkarkon përgjegjësinë e obligimit, nuk do të thotë që agjërimi në udhëtim është gjithmonë i preferuar. Kjo për arsyet e mëposhtme:
- Ne themi se agjërimi lejohet në udhëtim por kjo nuk do të thotë se preferohet ndaj ushqyerjes. Nëse do pretendonim preferimin e agjërimit kjo do të thotë t’i japim përparësi logjikës dhe krahasimit kundrejt tekstit fetar dhe siç dihet parimi është se nuk mund të bëhet ixhtihad përderisa ka tekst të qartë fetar. Ndërkohë që është vërtetuar teksti në dhënien përparësi ushqyerjes në udhëtim, ai tekst është hadithi i Hamzah bin Amrit. Prandaj preferimi i agjërimit me arsyetimin se në këtë mënyrë shkarkohet përgjegjësia, konsiderohet dhënie përparësi ixhtihadit kundrejt tekstit fetar, gjë e cila nuk lejohet.
- E përforcon zgjedhjen tonë fakti që arsyetimi i tyre nuk qëndron, sepse përfshin një rast që nuk është i tillë. Bëhet fjalë për të sëmurin, i cili mund të agjërojë në udhëtim, me mundim por pa u dëmtuar më tej në shëndetin e tij, për të cilin preferohet që të ushqehet dhe të mos agjërojë. Po ashtu nuk qëndron në lidhje me agjërimin në ditët që urrehet agjërimi i tyre, sepse nuk mund të thuhet që preferohet agjërimi në këto ditë, për të shkarkuar përgjegjësinë13.
Vërejtje:
Disa njerëz mund të mendojnë se ushqyerja në udhëtim në kohët e sotme, është e ndaluar ndaj dhe i qortojnë ata që veprojnë ndryshe.
Ose disa të tjerë mund të mendojnë se agjërimi është më parësor për shkak të mjeteve të rehatshme të udhëtimit.
Përgjigjia për të dyja palët është thënia e Njohësit të së fshehtës dhe të dukshmes: “Zoti yt nuk harron” (Merjem 64) dhe: “Allahu di dhe ju nuk dini” (Bekareh 232) dhe thënia në ajetin ku përmendet lehtësimi i mos agjërimit: “Allahu do për ju lehtësimin dhe nuk ua dëshiron vështirësimin” (Bekareh 185), domethënë që lehtësimi dhe tolerimi i udhëtarit është diçka e dëshiruar nga Allahu ndaj dhe nga synimet kryesore të sheriatit është lehtësimi.
Ai që ka ligjëruar këtë fe dhe këto dispozita është Ai që ka krijuar kohën dhe vendin (si koncept) duke e ditur shumë mirë se për çfarë kanë njerëzit nevojë, çfarë është e dobishme për ta dhe çfarë është e dëmshme. Allahu thotë: “A nuk e ditka, Ai që ka krijuar (çdo gjë), Ai i cili është Njohësi i gjithçkaje në hollësi, i Mirëinformuari për çdo gjë” (Mulk 14)14.
E përforcon akoma më shumë këtë, faktin se në ajetet ku thuhet: “çdokush prej jush që është i sëmurë apo në udhëtim le t’i kryejë më vonë po aq ditë (sa ka lënë)” (Bekareh 184) dhe “Ndërsa kush është i sëmurë apo në udhëtim, le t’i kryejë më vonë aq ditë, Allahu do për ju lehtësimin dhe nuk do vështirësimin” (Bekareh 185) domethënë: lehtësimi për të mos agjëruar është i lidhur vetëm me shkakun e udhëtimit, pa e kushtëzuar me udhëtimin e vështirë apo udhëtimin e gjatë, ndaj çdokush i cili përpiqet të arsyetojë duke e kushtëzuar udhëtimin me faktorin e vështirësisë dhe mundimit apo me distancën e largët apo diçka tjetër, ka bërë një kushtëzim pa argument dhe një dallim mes llojeve të udhëtimit pa kurrfarë baze, në Kur’an dhe në Sunet.
Është me vend të theksojmë se vetë udhëtimi në përgjithësi ëshë gjendja në të cilën hasen vështirësi të natyrave të ndryshme, qofshin ato shpirtërore apo fizike dhe materiale, prandaj Profeti salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Udhëtimi është pjesë e dënimit. Udhëtimi e pengon njeriun nga gjumi i tij, nga ushqimi i tij, nga pirja e tij. Prandaj sapo ta kryejë qëllimin e udhëtimit le të kthehet tek familja e tij” (Mutefekun alejhi)15.
Perktheu: Shuajb Rexha
1 Transmeton Buhariu nr 1942 dhe Muslimi nr 1121.
2 Marrë nga libri el Muhala 6/248.
3 Ebu Daudi nr 2403. këtë transmetim, Albani e ka konsideruar të dobët në el Irua 4/61 për shkak të dy transmetuesve të panjohur por fjalia e fundit që është dhe pjesa argumentuese mbështetet nga transmetime të tjera të përmendura më herët ndaj ngrihet në gradën e hadithit hasen ligajrihi.
4 Marrë nga Fet-hul Barij 4/180.
5 Këto mendime i gjeni në: el Ifsah 1/247, el Insaf 3/287, er-Raudu en-Nedij fq 162, el Feuakih ed-deuanij 1/364.
6 Shih: el Muhala 6/247, el Feuakih ed-deuanij 1/34
7 Hadithi është i dobët.Transmeton Ebu Daudi nr 2410. Hadithi është konsideruar i dobët nga Ibn Hazmi në el Muhala 6/249 dhe nga recensuesi i librit Xhamiul Usul 6/414. Në zinxhirin e transmetimit ndodhet transmetuesi Abdus-Samed bin Habib i cili është i dobët dhe babai iI tij i cili është i panjohur.
8 Këto mendime i gjeni në: el Ihtijar 1/134, Fet-hul Kadir 2/351, Hashijetu Ibni Abidin 2/117, el Kafij fq 121, el Feuakih ed-Deuanij 1/364, Belegatu es-salik 1/243, Raudatu et-Talibijn 2/370.
9 Hadithi është i saktë. Transmeton Ibn Hibani nr 354, Taberaniu në Muxhemul Kebir nr 11880, Bezari në Musnedin e tij nr 990. Hejthemiu ka thënë: Transmetuesit e këtij hadithi në zinxhirin e Bezarit dhe Taberanit janë të besueshëm (Mexhmeu Zeuaid 3/162). Gjithashtu hadithin e ka saktësuar reçensuesi i librit el Ihsan.
10 el Mugnij 3/150.
11 Pjesë nga hadithi i saktë nga Ebu Hurejre që transmetohet tek Buhariu nr 1804 dhe Muslimi nr 1927. Për më tepër shih el Ihsan 6/425.
12 Shih për më tepër librin: el Muhala 6/425.
13 Shih librin el Mugnij 3/150.
14 Shih librin: Sifetu saumin-nebij fq 45.
15 Referencat e këtij hadithi i kemi treguar më herët, por me këtë tekst gjendet tek Sahihu i Ibn Hibanit(el Ihsan 6/425), nr 2708.
Të Ngjashme
- Dobitë e dhikrit të mëngjesit dhe të mbrëmjes Udha e Besimtarëve
- Një dijetar si Ibn Tejmije Udha e Besimtarëve
- Rregull i pandryshueshëm: Çdo gjë që përdoret për të kundërshtuar Allahun, ajo ka për tu prishur. Udha e Besimtarëve
- Statusi dhe vlera e fikhut në Islam Udha e Besimtarëve
- Trokitje në portën e Ramazanit Udha e Besimtarëve