Çështje që lidhen me dispozitat e haxhit dhe umras

Çështje që lidhen me dispozitat e haxhit dhe umras

Pjesa e tretë

Ajo çfarë kërkohet para nisjes për haxh

Kërkohet prej haxhiut që në udhëtimin e tij të shoqërohet me njerëz të mirë, të devotshëm dhe të ditur,[1] të jetë i kujdesshëm, e mos të shoqërohet me njerëz mendjelehtë dhe të shthurur.

Kërkohet prej tij që të mësojë dispozitat që kanë të bëjnë me haxhin e umran. Po ashtu, t’i pyesë njerëzit e ditur për gjërat të cilat nuk i ka të qarta, në mënyrë që të jetë i përgatitur dhe i ditur rreth kryerjes së këtij adhurimi.

Kur të hip mbi kafshën e tij, në makinë, në avion e në çdo mjet tjetër udhëtimi, është e pëlqyeshme ta përmendë Allahun e Lartësuar[2] dhe ta falënderojë Atë. Pastaj të thotë tri herë “Allahu Ekber” e më pas: “Qoftë lavdëruar Ai që i nënshtroi këto për ne, se ne nuk do të mund t’i kishim nën pushtet, dhe me siguri do të kthehemi te Zoti ynë!”[3]

“O Allah, të lutem të më dhurosh në këtë udhëtim mirësinë, devotshmërinë dhe vepra me të cilat Ti je i kënaqur! O Allah, na lehtëso këtë udhëtim dhe na bëj të rehatshëm rrugën! O Allahu, Ti je shoqëruesi më i mirë në udhëtim dhe zëvendësi më i mirë në familje! O Allah, na ruaj nga udhëtimet e vështira, nga pikëllimi, merakosja e pandashme dhe nga keqësimi i gjendjes në pasuri dhe familje!” Kjo lutje saktësohet nga Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem.[4]

Gjatë udhëtimit të tij ta përmendë sa më shumë Allahun (të bëjë dhikër), të kërkojë falje, t’i bëjë shumë lutje Allahut të Lartësuar dhe t’i përgjërohet Atij.

Të lexojë shumë Kuran duke medituar rreth kuptimit të ajeteve.

Të jetë i kujdesshëm që namazet t’i falë me xhemat.

Ta ruajë gjuhën e tij nga thashethemet,[5] të mos ndërhyjë në gjërat që nuk i bëjnë dobi dhe mos ta teprojë në bërjen shaka.[6]

Ta ruajë gjuhën e tij prej gënjeshtrës, përgojimit, thashethemeve dhe nga tallja (ofendimi) me shokët dhe vëllezërit muslimanë.

Kërkohet prej tij t’i respektojë dhe të sillet mirë me shokët e tij, të mos u bëjë dëm, t’i urdhërojë për vepra të mira dhe t’i ndalojë nga të këqijat, me urtësi, në formën më të mirë dhe sipas mundësisë.

Veprimet që bëhen kur mbërrin te mikatet[7]

Kur personi mbërrin te mikatet është e pëlqyeshme (mustehab) të lahet[8] dhe të parfumohet.[9] Transmetohet se Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem nuk vishte rroba të qepura kur vishte ihramin dhe lahej. Saktësohet në dy librat e saktë të hadithit nga Aisha radijAllahu anha se ka thënë: “Unë e parfumoja të Dërguarin e Allahut para se të vishte ihramin dhe para se të bënte tavafin rreth Qabesë.”[10]

Si vepron gruaja me menstruacione[11] kur mbërrin te mikatet?

Kur Aishes i erdhën menstruacionet duke qenë se ajo kishte filluar umran, Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem e urdhëroi të lahet dhe ta bënte nijetin për kryerjen e haxhit.

Kur Esma bin Umejs lindi në Dhulhulejfe, Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem e urdhëroi të lahet dhe të vendoste mbi organin e saj një pjesë të rrobës duke e shtrënguar fort.[12]

Kjo tregon se gruaja kur mbërrin te mikatet duke qenë me menstruacione apo lehonë, lahet dhe bën nijetin për kryerjen e haxhit[13] bashkë me njerëzit dhe vepron ashtu siç vepron haxhiu, përveçse nuk bën tavaf rreth Qabesë, siç e urdhëroi Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem Aishen dhe Esmanë.

Gjërat që kërkohet t’i veprojë haxhiu

Është e pëlqyeshme (mustehab) për atë që dëshiron të veshë ihramin, që t’i shkurtojë mustaqet, thonjtë, të heqë qimet nga vendet intime dhe të sqetullave dhe t’i largojë ato që i ka të nevojshme t’i largojë.

  1. Në mënyrë që këto veprime mos t’i veprojë pas veshjes së ihramit duke qenë muhrim.
  1. Ngase Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ua ka lejuar muslimanëve që t’i heqin këto gjëra në çdo kohë:

Saktësohet në dy librat e saktë të hadithit nga Ebu Hurejra radijAllahu anhu se ka thënë: “I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë:

Pesë gjëra janë prej fitras (natyrshmërisë): bërja synet, pastrimi i vendeve intime, shkurtimi i mustaqeve, prerja e thonjve dhe pastrimi i sqetullave”.[14]

Në “Sahihun” e Muslimit transmetohet nga Enesi radijAllahu anhu se ka thënë:

Është caktuar për ne shkurtimi i mustaqeve, prerja e thonjve, pastrimi i sqetullave dhe rruajtja vendeve intime dhe mos t’i lëmë këto më shumë se dyzet ditë.”[15]

En-Nesai e ka nxjerr me tekst: “Caktoi (porositi) për ne i Dërguari i Allahut…” E ka nxjerr Ahmedi, Ebu Daudi, Et-Tirmidhi me tekst të En-Nesai. Koka nuk qethet dhe as nuk rruhet kur vishet ihrami, si për burrat ashtu dhe për gratë.

Tërheqja e vërejtjes nga rruajtja e mjekrës

Rruajtja e mjekrës apo shkurtimi i saj është gjë e ndaluar në çdo kohë. Lëshimi i saj është detyrë.

Saktësohet në dy librat e saktë të hadithit nga Ibën Umeri radijAllahu anhuma se ka thënë: “I Dërguari i Alalhu sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë:

Kundërshtoni mushrikët dhe zgjatini mjekrat e shkurtoni mustaqet!”[16]

Transmeton Muslimi në “Sahihun” e tij nga Ebu Hurejra radijAllahu anhu se ka thënë: “I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë:

Shkurtoni mustaqet, lëshoni mjekrat dhe kundërshtoni mexhusët (adhuruesit e zjarrit)!”[17]

Është fatkeqësi e madhe në këtë kohë ku shumë prej njerëzve janë bërë kundërshtues të këtij suneti, luftues (armiq) të mjekrës dhe janë të kënaqur me përngjasimin që u bëjnë jobesimtarëve dhe grave. Është edhe më keq kur kjo ndodh dhe prej atyre që i atribuohen dijes dhe mësimdhënies. Të Allahut jemi  dhe tek Ai do të kthehemi!

Lusim Allahun që të na udhëzojë neve dhe të gjithë muslimanët në zbatimin e Sunetit, në të kapurit fort në të dhe t’i ftojmë të tjerët drejt tij, edhe pse shumë prej njerëzve nuk e duan atë (Sunetin)! Neve na mjafton Allahu dhe sa mbështetës i mirë është Ai. Nuk ka forcë dhe ndryshim vetëm se me lejen e Allahut, të Lartit, Madhështorit![18]

Burimi: “Et-Tahkik uel-Ijdah likethir min mesail el-haxh uel-umra uez-zijarah

Autor: Shejh Abdulaziz bin Abdullah bin Baz (Allahu e mëshiroftë!)

Përktheu: Unejs Sheme

 

[1] Siç tregon për këtë fjala e Allahut të Madhëruar: “Dhe qëndro me ata që i luten Zotit të vet në mëngjes dhe mbrëmje, duke dëshiruar Fytyrën e Tij dhe mos i shmang sytë nga ata (tek të tjerët), duke dëshiruar stolitë e shkëlqimin e kësaj jete.” El-Kehf, 28.

[2] Të thotë “Bismil-lah”.

[3] Es-Zuhruf, 13-14.

[4] Muslimi prej hadithit të Ibën Umerit radijAllahu anhu.

[5] Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem thotë: “Allahu te ju urren tri gjëra: thashethemet, humbjen e pasurisë dhe pyetjet e tepërta.” Buhariu 1477 dhe Muslimi 593.

[6] Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem thotë: “Mos qeshni shumë, sepse e qeshura e shumtë e vdes zemrën.” Ibën Maxhe me nr. 4193. Shih. “Misbah ez-Zuxhaxheh” (3/392).

[7] Vendet e paracaktuara për veshjen e ihramit.

[8] Larja para veshjes së ihramit nuk është detyrë sipas pajtueshmërisë së dijetarëve. Shih “El-Ixhma” të Ibën el-Mundhiri f. 21. Shejh Ibën Bazi (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Veshja e ihramit duke qenë i pastër nuk është kusht as në kryerjen e umras dhe as në haxh. Sikur personi të veshë ihramin duke qenë i papastër, ose xhunub, ose nëse gruaja është me menstruacione, kjo është e saktë. Ndaj, gruaja me menstruacione tuhrim (futet në ritin) për kryerjen e haxhit dhe të umras, por nuk e kryen tavafin rreth Qabesë derisa të pastrohet dhe të lahet. E njëjta gjë është edhe me burrin. Nëse ai e vesh ihramin duke qenë xhunub ose duke mos pasur abdes, ihrami i tij është i saktë dhe thotë telbijen (Lebbejke Allahumme…) dhe e përmend Allahun, por nuk e kryen tavafin rreth Qabesë derisa të lahet dhe të marrë abdes. Prandaj (themi) se pastërtia nuk është kusht në veshjen e ihramit.” “Mexhmu fetaua ue mekalat” vëll. 7.

[9] Shejh Ibën Bazi (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Nuk duhet që personi ta lyejë me parfum (apo aroma të mira) ridanë dhe izarin e tij. Por Suneti është që ai ta parfumojë me parfum trupin e tij, mjekrën, sqetullat. Ndërsa sa i përket rrobave, nuk duhet t’i parfumosë kur vesh ihramin.” Dhe thotë: “Nëse ai i lyen rrobat me parfum, mos t’i vesh ato derisa t’i lajë ose të veshë të tjera.” Shih “Mexhmu fetaua ue mekalat” vëll. 6 dhe 7.

[10] Buhariu me nr. 1539 dhe Muslimi me nr. 1189. Transmetohet nga Aisha se ka thënë: “Unë e parfumoja të Dërguarin e Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem kur vishte ihramin (para veshjes) me atë parfum që gjeja.” E transmeton Buhariu dhe Muslimi. Në një transmetim tjetër thuhet: “Kur i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem donte të vishte ihramin, ai parfumohej me parfumin më të mirë që i gjendej, pastaj dallohej shkëlqimi i parfumit në kokën dhe mjekrën e tij.” Buhariu dhe Muslimi. Sh.P.

[11] I lejohet gruas të përdorë pilula për të ndalur ardhjen e menstruacioneve gjatë kohës së haxhit. “Mexhmu fetaua ue mekalat” vëll. 7.

[12] Muslimi me nr. 1218.

[13] Gruaja nuk vesh rrobe të posaçme për kryerjen e umras dhe të haxhit, por i kryen me rrobat e zakonshme që përdor. Sh.P.

[14] Buhariu me nr. 5891 dhe Muslimi me nr. 257.

[15] Muslimi me nr. 258.

[16] Buhari me nr. 5892 dhe Muslimi me nr. 259.

[17] Muslimi me nr. 260.

[18] Shejh Ibën Bazi (Allahu e mëshiroftë!): “Mjekra është dritë në fytyrën e burrit.” “Mexhmu fetaua ue mekalat”, vëll. 29.

Shejh Ibën Bazi (Allahu e mëshiroftë!): “Nuk i lejohet burrit ta shkurtojë mjekrën e as ta rruajë atë.” “Mexhmu fetaua ue mekalat”, vëll. 29.

Shejh Ibën Uthejmini (Allahu e mëshiroftë!): “Është detyrë që mjekra të lihet ashtu siç është, të mos shkurtohet e as të rruhet.”Fetaua nurun ala ed derb”, vëll. 10.

Po ashtu shejhu (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Ajo që keni dëgjuar nga disa njerëz, të cilët thonë se lejohet të shkurtuarit e mjekrës, në veçanti pjesa që e kalon grushtin, këtë mendim e kanë disa dijetarë, të cilët thonë: “Lejohet të shkurtohet ajo që del jashtë grushtit”, bazuar në atë që transmeton Buhariu nga Abdullah bin Umer radijAllahu anhuma, i cili kur kryente haxhin apo umrën, e kapte mjekrën e tij (e bënte dorën grusht) dhe çka dilte jashtë grushtit, e shkurtonte. Por, më parësore është që të merret ajo për të cilën argumentojnë në formë të përgjithshme hadithet e kaluara, se Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem nuk ka përjashtuar asnjë rast që mjekra të shkurtohet.” “Mexhmu fetaua ue rasail”, vëll. 11.

Gjithashtu shejh Ibën Uthejmini (Allahu e mëshiroftë!): “Lëshimi i mjekrës është ibadet (adhurim) dhe nuk është adet. E assesi nuk është prej gjërave të parëndësishme, siç mund të mendojë ndokush.”Fetaua erkanul islam“.

Shejh Mukbili (Allahu e mëshiroftë!): “Lëshimi i mjekrës është vaxhib, kurse rruajtja e saj është haram. Ai që e rruan atë, llogaritet fasik (i prishur), ngase Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Shkurtoni mustaqet dhe lëshoni mjekrat!” “Ixhebetus sail” fq, 219.

Shejh Mukbili (Allahu e mëshiroftë!): “Rruajtja e mjekrës llogaritet përngjasim me gratë dhe me jobesimtarët. Të parët të cilët e hapën këtë rrugë të keqe për myslimanët, ishin sufitë, siç tregohet në “Telbisul Iblis.” “Ixhebetus sail” fq, 219.

Shejhu dhe muhadithi Abdulmuhsin el Abbadi (Allahu e ruajttë!): “Rruajtja e mjekrës nga ana e burrave, është përngjasim me gratë, ngase gratë nuk kanë qime. Prandaj, nëse burrat e veprojnë këtë gjë (rruajtjen e mjekrës), atëherë përngjajnë me gratë.”

Shejh Salih el Feuzani (Allahu e ruajttë!) në librin e tij “Kritikë librit hallalli dhe harami në Islam” (të Jusuf Kardavit) thotë: “Ajo që autori (Kardavi) thotë se fjala e saktë është se rruajtja e mjekrës është vetëm e urryer, kjo është e kotë, për të cilën nuk ka argument. Përkundrazi, argumentet e sakta tregojnë të kundërtën e asaj (që thotë Kardavi), ku e sakta është fjala e parë, dhe ajo është ndalimi i rruajtjes së mjekrës.” Po ashtu shejh Salih el Feuzani (Allahu e ruajttë!): “Poeti thotë: “Nuk është çudi që gratë burrërohen, por çudia është te burrat që bëhen femërorë.”

Largim i një dyshimi: Disa myslimanë  mjekrën e shohin pengesë për të gjetur punë, e si rrjedhojë e rruajnë atë, duke rënë kështu në dy mëkate madhore, të cilat janë:

  1. Mendimi i keq për Allahun, pasi që Ai është Furnizuesi, ndërsa ai që të frikëson me varfëri është shejtani.
  2. Rruajtja e mjekrës, gjë e cila është ndryshim i krijesës së Allahut, duke përngjarë me gratë.

Imam Ibën Bazi (Allahu e mëshiroftë!) është pyetur: “Nëse dëshiroj të punoj në ndonjë punë, por më kushtëzojnë me rruajtjen e mjekrës, si të veproj?”

Përgjigje: “Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem në hadithin autentik thotë: “Bindja është vetëm në gjërat e lejuara (punë të mira).” Po ashtu ai sal-lAllahu alejhi ue sel-lem thotë: “Nuk ka bindje ndaj krijesës kur bëhet mëkat ndaj Krijuesit.” E ke për detyrë që t’i frikësohesh Allahut e të arrish kënaqësinë e Tij. Assesi mos e prano këtë kusht! Dyert e rrizkut (furnizimit) janë të shumta, nuk janë të mbyllura elhamdulilah, përkundrazi, ato janë të hapura. Allahu i Madhëruar thotë: “E kush i frikësohet Allahut, Ai i jep atij rrugëzgjidhje.” Et Talak, 2. Prandaj, çdo punë në të cilën ka si kusht mëkatin ndaj Allahut, assesi mos e prano, qoftë punë në ushtri a diku tjetër!  Lërë atë punë dhe kërko tjetër, të cilën e ka lejuar Allahu. Mos bashkëpuno me ta në mëkat dhe armiqësi, se Allahu thotë: “E bashkëpunoni mes veti në punë të mira dhe devotshmëri dhe jo në mëkate dhe armiqësi”. El Maide, 2. Allahu na furnizoftë me sukses neve dhe juve!” “Fetaua nurun ala ed derb”.

Shejh Salih el Feuzani (Allahu e ruajttë!): “Për të gjetur punë nuk është justifikim rruajtja e mjekrës, sepse nuk ka bindje ndaj krijesës kur bëhet mëkat ndaj Krijuesit. Punët ku mund të punosh janë të shumta, elhamdulilah. E kërkimi i rrizkut është i lehtë, duke mos kundërshtuar Allahun dhe të Dërguarin e Tij. “E kush i frikësohet Allahut, Ai, i jep atij rrugëzgjidhje. Dhe e furnizon atë andej nga nuk e mendon. E kush I mbështetet Allahut Ai i mjafton atij”. Et-Talak, 2-3. El Munteka min fetaua el Feuzan”.

Largim i një dyshimi: Prej justifikimeve që dëgjon nga disa vëllezër kur këshillohen për lëshimin e mjekrës është fjala “mjekra nuk do të thotë gjë, ka plot vëllezër me mjekër që bëjnë kështu dhe ashtu.”

Themi: Nëse sheh që mbajtësi i mjekrës gënjen, tradhton apo vjedh, dije se problemi nuk është te mjekra, por te mbajtësi i saj. Mjekra nuk është problem, ngase ajo është prej cilësive të natyrshmërisë dhe është prej suneteve e të Dërguarit te Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, për lëshimin e të cilës ai ka urdhëruar.

Vëlla i nderuar dije se:

-Mjekra është prej natyrshmërisë së njeriut. Allahu  e ka krijuar atë në formën më të bukur.

-Rruajtja e mjekrës është ndryshim i krijimit të Allahut dhe pasim i shejtanit të mallkuar.

-Mjekra është prej gjërave sipërfaqësore që e dallon burrin nga gruaja.

-Rruajtja e mjekrës është pasim i armiqve të Islamit dhe përngjasim me gratë.

-Mjekra është tipar burrëror, saqë sahabët kanë thënë se sikur ajo të shitej, do e blinim për filanin.

-Rruajtja e mjekrës është ç’burrërim modern dhe këtë nuk e bën kush tjetër përveçse meshkujt e femëruar. Sh.P.