Çfarë dini për vdekjen?
Dijetarët kanë folur në lidhje me vdekjen dhe në lidhje me dispozitat e saj siç janë; dispozitat e larjes (së xhenazes), qefinit, groposjes, dhe gjërat që vijojnë pas saj. Të gjitha ato janë realitete drithëruese dhe të frikshme. E para nga ato është varri i cili është dhe më i llahtarshmi.
Imam Ahmedi ka transmetuar nga Hanij shërbërtori i Uthman bin Afanit (radijallahu anhu), se Uthmani qante aq shumë kur kalonte pranë ndonjë varri saqë i lagej mjekrra. Dikush i tha: Ti nuk qa kur përmend Xhenetin dhe Xhehenemin dhe qa prej këtij? Ai tha: Profeti (alejhi selam) ka thënë: ”Varri është vendqëndrimi i parë i jetës së përtejme. Nëse shpëton prej tij atëherë ato që vijnë më pas janë më të lehta, e nëse nuk shpëton atëherë ato që vijnë më pas janë më të rënda!”
E lus Allahun e Madhëruar që varri të jetë vendqëndrimi ynë më i mirë!
Po ashtu Profeti (alejhi selam) ka thënë: ”Kam parë ç’kam parë, por skenë më të rëndë se varri nuk kam parë!” Njëri prej dijetarëve teksa po këshillonte dhe përkujtonte tha: ”Ta dish -Allahu të mëshiroftë- se varri dhe errësira e tij, ngushtësia dhe vetmia e tij, lënia e xhenazes në të pa kushte duke prekur dheun drejtpërdrejtë, duke u përballur me dekompozimin, duke e lënë pas dynjanë, duke flakur tutje të gjitha lidhjet që kishte me mikun e shtrenjtë që tashmë e ka braktisur, me të afërmin që tashmë është larguar, me përkrahësin që tashmë e ka lënë të vetëm. Sa frenuese e fortë që është vdekja për shpirtin nga dëshirat e shfrenuara edhe nëse braktisja e tyre është e vështirë! Dhe sa shkëputëse e fortë që është për të nga argëtimet edhe nëse heqja dorë nga ato është pothuajse e parealizueshme!
Teksa njeriu është duke vrapuar pas dëshirave të tij i shkujdesur ndaj ditës së vdekjes, ka lëshuar mes tij dhe Allahut një perde dhe nuk i kushton vëmendje askujt që e qorton apo që e kritikon, papritur e zë vdekja. Ajo i’a heq perden dhe i’a zbeh shkëlqimin, ia fshin gjurmët dhe e nxjerr atë nga pallati i fortifikuar, shtëpia e zbukuruar dhe orenditë e sistemuara drejt një grope të errët e të ngushtë, të frikshme dhe të tmerrshme… Të imagjinoj ty që dikur në dynja qaheshe për t’u zhvendosur nga një vend në tjetrin edhe pse bëhej fjalë për vende që ishin të këndshme, në to t’i jetoje në luks dhe tundim të madh dhe nuk e quaje atë meritë dhe begati të Zotit ndaj teje. Shiko tani sa dallim ka midis dy gjendjeve dhe midis dy vetmive, vetëm nëse të përfshinë mirësia e të Gjithmëshirshmit (o Zot bëj që të na përfshijë mëshira Jote!) që varri të zgjerohet dhe të ndriçohet.
Sa bukur e ka thënë dikush: çfarë do të thotë ai i cili e ndërron banesën e tij ngaqë nuk ndihet mirë në të me një më të mirë, kur të përfundojë në një gropë i vetëm duke i lënë pas familjarët dhe banesën e tij? Atje do t’a mësojë përmasën e atyre dy vetmive dhe të asaj që e pret ai që i kalonte netët i varur ndaj kënaqësive të shfrenuara. O ti që je i shkujdesur ndërkohë që heshtat e vdekjes janë lëshuar dhe thinjat kokën e kanë zbardhur! As nuk kam përgatitur vend për të banuar e as kam bërë gati furnizime për t’i marrë me vete pos vetëmashtrimit dhe shpresës. Nëse nuk tregohet bujar Ai bujaria e të cilit nuk ndërpritet asnjëherë dhe nëse nuk fal Ai falja e të cilit është fare pranë atyre që e lypin atë! Zoti im, retë e bujarisë qëndrojnë të mbushura plot e përplot. O i Gjithëmëshirshëm, bëj që të mos ndihemi të vetmuar atje! Tregohu i butë dhe i mëshirshëm me ne në atë kohë! Ne jemi mëkatarë ndërsa Ti je Allahu, Ti je streha jonë, Ti je qëllimi dhe pikësynimi ynë më i lartë! Amin!
I Dërguari i Allahut (alejhi selam) e kujtonte shpesh vdekjen dhe i këshillonte dhe urdhëronte të tjerët që t’a bënin një gjë të tillë. Tirmidhiu dhe Ibn Maxhe kanë përcjellë nga Ebu Hurejra (radijallahu anhu) se i Dërguari i Allahut (alejhi selam) ka thënë: ”Kujtojeni shpesh atë që i prish kënaqësitë!”
Bezari ka përcjellë nga Enesi (radijallahu anhu) se i Dërguari i Allahut (alejhi selam) kaloi pranë një turme njerëzish të cilët ishin duke qeshur, dhe u tha: ”Kujtojeni shpesh atë që i prish kënaqësitë!” Me sa më kujtohet Profeti (alejhi selam) tha: ”Ai që e kujton vdekjen në situatë të vështirë ekonomike atëherë ajo situatë do t’i bëhet e lehtë, dhe kush e kujton atë në situatë të mirë ekonomike atëherë ajo situatë do t’i duket e vështirë!”
Transmeton Ibn Maxhe nga Bera bin Azib (radijallahu anhu) se ka thënë: Ishim me Profetin (alejhi selam) në një varrim dhe ai u ul buzë varrit dhe u përlot derisa lotët e tij lagën dheun, dhe tha: ”O vëllezërit e mi, përgatituni për një gjë si kjo!” Tirmidhiu ka transmetuar nga Ubej bin Kabi se ka thënë: Profeti i Allahut çohej pasi të kishte kaluar një e treta e natës dhe thoshte: ”O njerëz, përmendeni Allahun!”
Erdhi çasti i lëkundjes i cili pasohet nga një e dytë.
Erdhi vdekja me ç’ka ka në të! Hakimi ka transmetuar në ‘Mustedrakun e tij’ nga Ebu Abdurrahman Es Sulemi se ai banonte disa kilometra larg nga Medaini. Ditën e xhuma ai prezantoi në namazin e xhumasë me ç’rast e mbajti fjalimin Hudhejfe bin Jemani (radijallahu anhu) i cili tha: ”O njerëz! Allahu i Madhëruar thotë: ‘Çasti i fundit është afruar dhe hëna është çarë.’ Vini re! Çasti i fundit është afruar! Vini re! Hëna është çarë! Vini re! Sot bëhen përgatitjet ndërsa nesër garohet! Unë i thashë babait tim: A do të garojnë njerëzit nesër? Ai më tha: O biri im, ti nuk po e kupton. Ai ka për qëllim se sot bëhen veprat ndërsa nesër merren shpërblimet. Ebu Abdurrahmani tha se të xhumanë tjetër e mbajti sërish Hudhejfe fjalimin dhe tha: Allahu i Madhëruar thotë se çasti i fundit është afruar.
Vini re! Kjo botë është në prag të ndarjes! Vini re! Përgatitjet bëhen sot ndërsa gara bëhet nesër. Vini re! Finishi është Zjarri ndërsa fituesi i garës është ai që e tejkalon Zjarrin për në Xhenet.
Taberiu ka transmetuar në librin e tij të historisë nga Aliu (radijallahu anhu) se kur ai shkoi tek varrezat tha: ”Paqja qoftë mbi ju o banorët e këtyre vendeve të vetmuar dhe këtyre banesave të shkretuara nga mesi i muslimanëve dhe muslimaneve, besimtarëve dhe besimtareve. Ju jeni paraprijësit tanë dhe ne jemi ndjekësit tuaj, së shpejti ne do të bashkohemi me ju!”
Ibn Asakiri ka transmetuar në librin e tij të historisë nga Aliu (radijallahu anhu) se kur ai shkoi tek varrezat tha: O banorët e varreve! O banorët e vendit të ngushtë dhe të vetmuar! O banorët e vendit të errët dhe të shkretuar! Sa i takon banesave që latë pas ato tashmë janë të banuara nga të tjerë. Sa i takon pronave ato tashmë janë ndarë. Sa i takon grave ato tashmë janë martuar. Këto janë lajmet nga ana jonë, po nga ana juaj çfarë lajmesh keni? Pastaj ai u kthye nga shokët e tij dhe tha: Nëse atyre do t’u jepej leje për të folur ata do të thonin: Padyshim që furnizimi më i mirë është devotshmëria!
Hasan Basriu pa një femër e cila po ndiqte një xhenaze duke qarë dhe duke thënë: Mjer për ty o baba im, skam parë ditë si kjo e jotja. Hasani i tha: Është babai yt ai i cili nuk ka parë si dita e tij e sotme!
Sulejman bin Abdul Meliku (Kalifi) i tha Ebu Hazimit: O Ebu Hazim, ç’ne që ne e urrejmë vdekjen? Ai i tha: Kjo ndodh sepse ju keni ndërtuar dunjanë dhe keni shkretuar ahiretin, për pasojë urreni që të lini ndërtesat dhe të shkoni në një vend të shkretë. Ebu Idris El Khaulani qau kur iu afrua vdekja (e ai ishte asketi, i devotshmi dhe predikuesi i Shamit) dhe tha: ‘’Po qaj prej largësisë së udhëtimit, furnizimet e pakëta, po hyj në një shteg malor që nuk e di se kur do të zbres prej tij.” Kështu e kujtonin vdekjen ata dhe i’a kujtonin njëri-tjetrit. Thuhet se Ebul Atahijeh kishte shkruar në tavanin e shtëpisë së tij (me qëllim që t’a shikonte kur të shtrihej dhe të përkujtohej): Ta ka qejfi që të jesh i pavdekshëm o i shkreti ti! Pandeh se je i sigurt se s’do të kapë vdekja! Betohem për Allahun se vdekja ka një korrier i cili kur vjen nuk të fal. Kudo qofsh kije parasysh se vdekja do të vijë dhe do të shpërndajë familjen tënde pasi të jetë mbledhur. E kam para syve atë moment kur mbi ty do të hidhet dhe ndërsa të gjallët do të jenë duke ndarë pasurinë tënde.
Thuhet se mbi një varr në Sham ishin të shkruara këto vargje: ”I kaluan netët në majën e maleve nën ruajtjen e burrave të fuqishëm, por majat e maleve nuk u sollën atyre asnjë dobi. U zbritën nga fortesat e tyre pas krenarisë që patën dhe u vendosën në një gropë, dhe sa e keqe ishte ajo gropë në të cilën u vendosën! Një zë i thirri pasi që ishin groposur: Ku shkuan shtretërit, kurorat dhe mantelat? Ku vajtën ato fytyra që qëndronin pas perdeve dhe pëlhurave?
Varri u përgjigj nga ana e tyre: Mbi ato fytyra krimbat po luftojnë me njëri-tjetrin. Për një kohë të gjatë ata hëngrën dhe u kënaqën nga ajo (toka), dhe pasi hëngrën për një kohë të gjatë u hëngrën edhe ata vetë!
Thuhet se Abdullah bin Dinari recitonte: Shkova tek varret dhe thirra: Ku është i nderuari dhe ku është i përçmuari? Ku është ai që krenohej me pushtetin e tij? Ku është ai që lëvdohej sa herë që mburrej?
Të gjithë janë të barabartë dhe askush nuk jep dot përgjigje. Vdiqën të gjithë dhe u ndërprenë lajmet e tyre… Krimbat pa ndalur i hanë dhe i zhdukin tiparet e fytyrave të tyre… O ti që më pyet për njerëz që kanë shkuar, a nuk të mjafton si mësim ajo që ka kaluar?!
Shejh Seid el Kemili
Përktheu: Rexhep Milaqi
Të Ngjashme
- Ligji i pandryshueshëm i Allahut Udha e Besimtarëve
- Begatia e vërtetë e jetës Udha e Besimtarëve
- Kategoritë e njerëzve që jetojnë për këtë botë dhe harrojnë botën tjetër Udha e Besimtarëve
- Fanatizmi mbas dijetarëve Udha e Besimtarëve
- Çfarë është shkenca e synimeve të sheriatit dhe përse shërben ajo? Udha e Besimtarëve