Thotë imam Buhariu në Sahihun e tij:
Tema: “Vlera e atij që zgjohet natën duke folur dhe pastaj falet.”
Hadithi me nr. 1127. Transmetohet nga Ubade i cili përcjell se Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush zgjohet natën duke rënkuar (apo duke folur) dhe thotë: La ilahe il-lAll-llahu uahdehu la sherike leh, lehhul mulku ue lehul hamdu ue hue ala kul-li shejin kadir. Elhamdulilah, subhanallah, Allahu ekber, la haule ue la kuuete il-la bil-lah.
(Nuk e meriton të adhurohet askush tjetër me të drejtë veç Allahut, të Vetëm e pa ortak. E Tij është mbretëria dhe sundimi, Atij i përket lavdërimi dhe Ai është i mundshëm për gjithçka. Falënderimi i takon Allahut, i Patëmeta është Allahu, Ai është më i Madhi. Nuk ka ndryshim e as fuqi veçse me ndihmën e Allahut.) Pastaj thotë: O Allah më fal, – apo lutet, lutja e tij do të pranohet. E nëse merr abdes dhe ngrihet e falet, namazi i tij do t’i pranohet.”
Thotë Ibën Haxheri: “Shumica e dijetarëve kanë thënë se është për qëllim zgjimi nga gjumi duke folur ose duke rënkuar. Por përmendi vlerën (shpërblimin) e atij që flet me atë dhikr (ato fjalë) që u përmendën (në hadith) prej përmendjes së Allahut të Lartësuar, dhe kjo i ndodh atij njeriu që është mësuar të bëjë shpesh dhikr dhe i është bërë pjesë e tij, aq sa i flet me të vetes kur është zgjuar apo në gjumë. I tilli u nderua me ato gjëra që u cilësuan si: plotësimi i duasë së tij dhe pranimi i namazit të tij.”
Thotë Ibn Batali: “Allahu i ka premtuar me gjuhën e Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem atij që zgjohet nga gjumi dhe gjuha i rrjedh duke pohuar njësimin e Zotit të tij, pranon se mbretëria dhe sundimi janë të Allahut, i njeh mirësitë që Ai i ka dhuruar dhe e falënderon për to, e pastron Allahun nga çfarë nuk i ka hije (prej të metave dhe mangësive) me tesbih dhe i nënshtrohet Atij duke e madhëruar me tekbir, i dorëzohet duke shprehur pamundësinë e tij dhe zhveshjen nga fuqia veçse pas ndihmës së Tij. Allahu i ka premtuar se do t’i përgjigjet nëse lutet, e nëse falet namazi i tij do të pranohet. Prandaj, atij që i arrin ky hadith duhet ta shfrytëzojë dhe të punojë me të, dhe ta pastrojë nijetin për Allahun e Lartmadhëruar.”
Ka thënë Daudi përmbledhtas: “Atij që ja pranon Allahu një të mirë nuk e ndëshkon atë sepse Ai i di përfundimet e çështjeve, dhe nuk pranon diçka pastaj ta shkatërrojë atë. Nëse sigurohet nga shkatërrimi (i punës), sigurohet dhe prej dënimit.” Për këtë arsye ka thënë Haseni: Do të dëshiroja të dija nëse Allahu më ka pranuar qoftë edhe një sexhde të vetme.
Ka thënë Abdullah el Firabrij, transmetuesi i Sahihut të Buhariut: E kam thënë këtë dhikr një herë kur u zgjova, pastaj fjeta dhe më erdhi dikush në ëndërr e më lexoi fjalën e Allahut: “Dhe ata u udhëzuan për tek fjala e mirë.”
Përmbledhtas nga “Fet’hul barij”, shpjegim i të Sahihut të Buhariut nga Hafidh Ibn Haxher. Vëll. 3, fq. 50.
Dosje: Tesbih