Çfarë i pengon njerëzit nga besimi?

October 5, 2015

Çfarë i pengon njerëzit nga besimi?

Nëse dikush thotë: “Përderisa nëpërmjet besimit të saktë arrihet lumturia e afërt dhe e largët dhe se ai (besimi i saktë) e përmirëson gjendjen e brendshme dhe të jashtme të njeriut, duke ngulitur parimet e shëndosha, bindjet e sakta dhe moralet fisnike, e gjithashtu, duke i ftuar njerëzit të kryejnë punë të dobishme dhe të drejta… Pra, nëse është kështu, atëherë përse shumica e njerëzve janë indiferentë ndaj fesë dhe besimit, madje disa prej tyre edhe i kundërvihen apo tallen me të?! Përse të mos ndodhte e kundërta (d.m.th që njerëzit të ishin besimtarë)? Sidomos kur dihet se njerëzit kanë logjikë dhe intelekt, gjë e cila i bën të aftë për të zgjedhur për veten e tyre të mirën në vend të së keqes, të dobishmen në vend të të dëmshmes, të vlefshmen në vend të së kotës?!

Shkëlqesia e tij, shejhu i nderuar: Abdurrahman ibn Nasir Es Sa’di (Allahu e mëshiroftë!) është përgjigjur:

“Këtë çështje e ka përmendur Allahu në Librin e Tij, duke treguar dhe shkaqet e vërteta që i pengojnë njerëzit nga besimi. Duke qenë se njeriu e shikon se si trajtohet në Kuran përgjigjja e pyetjes së parashtruar, atij nuk i mbetet më asnjë lloj paqartësie lidhur me arsyen e indiferencës së shumicës së njerëzve ndaj fesë dhe besimit. Allahu i Lartësuar ka përmendur pengesa të shumta, të cilat qëndrojnë si barriera ndërmjet njerëzve dhe fesë islame. Ndër barrierat kryesore përmendim:

  • Injoranca rreth fesë Islame; pra mosnjohja e saj siç duhet, si dhe mungesa e studimit të parimeve dhe udhëzimeve të përsosura të saj.

Padija mbi njohuritë bazë është pengesa më e madhe për të arritur tek e vërteta e pamohueshme dhe për të përfituar pajisjen me moralet fisnike.

Allahu i Lartësuar ka thënë:

“Por ata e përgënjeshtruan atë (Kuranin) pa e shqyrtuar atë (në mënyrë që ta kuptonin) dhe pa iu ardhur shpjegimi i tij”(Junus: 39).

Në këtë ajet Allahu i Lartësuar na tregon se përgënjeshtrimi i tyre erdhi si pasojë e injorancës së tyre dhe mosperceptimit të përmbajtjes së tij. Pra, ata nuk pritën që t’u vinte sqarimi i Kuranit, e as nuk shfaqën interes që të dinin domethëniet e tij, por nxituan që ta përgënjeshtrojnë dhe refuzojnë atë.

Allahu i Lartësuar thotë:

“Por shumica e tyre tregohen injorantë (ndaj tij)” (En’am: 111).

Si dhe ka thënë:

“Por shumica e tyre nuk dinë” (En’am: 37).

Gjithashtu ka thënë:

“Ata janë të shurdhër, memecë e të verbër dhe ata nuk kuptojnë” (Bekare: 171).

Dhe:

“Me të vërtetë në këtë ka argumente për një popull që arsyeton”(Rum: 24).

Këto janë vetëm disa nga argumentet të cilat kanë hedhur dritë lidhur me këtë çështje.

Injoranca ndahet në dy kategori, e thjeshtë dhe komplekse.

Injoranca e thjeshtë është gjendja e atyre njerëzve, të cilët për shkak të mendjelehtësisë së tyre i përgënjeshtruan të Dërguarit dhe e refuzuan thirrjen e tyre, duke mos bërë as përpjekjen më minimale për ta shqyrtuar.

Ndërsa injorancën komplekse mund ta ndajmë në dy lloje:Në llojin e parë bëjnë pjesë ata njerëz, të cilët zgjedhin të jenë në fenë e paraardhësve të tyre dhe të rrethit shoqëror, në të cilin rriten dhe jetojnë. Kur këtyre njerëzve u ofrohet e vërteta, ata as nuk e marrin mundimin që t’ia hedhin sytë, por edhe nëse ia hedhin sytë, do të jetë një shikim i përciptë sepse ata parapëlqejnë me fanatizëm që të mbeten në fenë në të cilën janë rritur, pa marrë në konsideratë se sa e saktë dhe e vërtetë është. Shumica e njerëzve që kanë përgënjeshtruar të Dërguarit dhe e kanë refuzuar thirrjen e tyre bënin pjesë pikërisht në këtë kategori.

Për ta Allahu i Lartësuar ka thënë:

“Kështu, Ne nuk dërguam para teje ndonjë paralajmërues (Profet) në ndonjë vendbanim, e që të mos i kenë thënë pasanikët nga mesi i tyre: ‘Ne i gjetëm paraardhësit tanë në këtë fé, dhe ne do tëndjekim gjurmët e tyre” (Zuhruf: 23).

Ata nuk bënë gjë tjetër, veçse i pasuan verbërisht paraardhësit e tyre. Njerëzit e këtillë mendojnë se kanë bërë zgjedhjen e duhur, por në realitet ata kanë gabuar në zgjedhjen e tyre. Po ashtu, në këtë grupim bëjnë pjesë shumica e mohuesve, të cilët janë të prirur drejt materializmit. Nëse do të analizonim njohuritë e tyre, do tëvërenim se ato nuk janë gjë tjetër veçse pasim i verbër dhe imitim i pikëpamjeve ideologjike të parisë së tyre. Sa herë që paria e tyre artikulon diçka, ata e pranojnë menjëherë sikur të ishte revelatë e zbritur nga qielli. Nëse paria proklamon ndonjë teori të gabuar, ata nuk kundërshtojnë të shkojnë pas tyre, pavarësisht nëse pajtohen apo jo me atë teori.

Në këtë mënyrë, influenca e parisë bëhet sprovë për çdokënd, i cili nuk i logjikon vetë gjërat, por preferon që të logjikojnë të tjerët për të. Ky arsyetim nuk do t’ju shërbejë aspak si justifikim Ditën e Gjykimit, megjithëse ata do tentojnë të justifikohen me të, ashtu siç na tregon Allahu i Lartësuar se kur ata t’i prekë dënimi do të thonë:

“Zoti ynë! Ne iu bindëm parisë dhe pasuam udhëheqësit tanë, por ata na humbën nga rruga e drejtë.”

Në llojin e dytë të injorancës komplekse bëjnë pjesë shumë nga ideologët dhe mendimtarët ateistë, të cilët u fokusuan dhe u specializuan në shkencat e natyrës dhe studimit të universit, duke i zhvlerësuar njohuritë e të tjerëve dhe e kufizuan dijen e tyre vetëm në atë që ata dinë, e cila në fakt nuk është tjetër veçse një dije e pjesshme, me një fokus të ngushtë, madje shpeshherë e ngritur mbi supozime dhe teori të pavërtetuara. Kjo kategori e njerëzve, të vetëkënaqur me arritjet dhe njohuritë e tyre, i refuzuan parimet dhe normat që të Dërguarit komunikuan nga Zoti i tyre, duke treguar arrogancë dhe mendjemadhësi ndaj profetëve dhe pasuesve të tyre. Ata pretendojnë se njohuritë e pranuara janë vetëm ato që mund të perceptohen nëpërmjet shqisave dhe metodave eksperimentale, ndërsa çdo gjë tjetër, përveç kësaj e refuzojnë dhe e përgënjeshtrojnë, sado e saktë që të jetë. Pikërisht nga ky botëkuptim i tyre i ngushtë, ata nuk nguruan të mohojnë Zotin e gjithësisë, i Cili i krijoi nga asgjëja. Ata përgënjeshtruan të Dërguarit e Allahut, si dhe çdo gjë që Ai shpalli nëpërmjet tyre në lidhje me çështjet që kanë të bëjnë megajbin.[1] Për këtë kategori mohuesish, Allahu i Lartësuar na ka treguar në Kuranin Famëlartë:

“Kur atyre u erdhën të Dërguarit me argumente të qarta, ata iu gëzuan diturisë së vet dhe atëherë e merituan atë (dënimin) me të cilin talleshin “(Gafir: 83)

Vetëkënaqësia e tyre me njohuritë që kanë dhe mjeshtëritë që zotërojnë është shkaku kryesor, i cili i shtyn ata të mbahen fort pas së kotës, madje t’i japin asaj përparësi përkundrejt udhëzimit dhe diturisë që sollën Profetët. Ata nuk mjaftohen me aq, por edhe tallen me njohuritë e të Dërguarve duke i përçmuar ato, por në realitet vetë ata do të jenë të përçmuarit, të cilët do të përballen me ndëshkimin e talljeve të tyre. Shumë prej studiuesve dhe intelektualëve, të cilët e kanë angazhuar jetën e tyre në studimin e njohurive bashkëkohore, u ndikuan nga ideologjia ateiste dhe teoritë që kanë lidhje me të, veçanërisht për shkak të mos rënies në kontakt me fenë dhe besimin,[2] dhe kjo për arsye se sistemi arsimor nuk i ka dhënë rëndësi mësim-besimit, i cili do t’i mbronte ata nga ateizmi. Shumë nga këta studiues të shkencave bashkëkohoree mbajnë veten sikur gëzojnë njohuri të vlefshme dhe që i favorizojnë në pozita shoqërore, e kjo i bën ata që ta nënçmojnë fenë dhe besimtarët, të cilët diskriminohen disi dhe mënjanohen nga qarqet intelektuale. Për rrjedhojë,  kjo kategori studiuesish e ka shumë të lehtë që t’u bindet ateistëve materialistë.

            Ndaj dhe obligimi parësor i muslimanëve ndaj aspektit arsimor në shkollat e tyre duhet të jetë:

  • Të kenë synim parësor që nxënësit të edukohen me parimet fetare, të pajisen me edukatë islame, si dhe të njohin normat bazëtë fesë së tyre.
  • Lëndëve fetare t’u jepet rëndësia e duhur, ashtu siç iu jepet njohurive të tjera dhe jo të konsiderohen si lëndë dytësore.

Këto duhet të jenë prej prioriteteve kryesore të atyre që janë përgjegjës për hartimin dhe implementimin e kurrikulave në sistemin arsimor. Kjo përgjegjësi bie edhe mbi mësuesit, të cilët janë në konktakt të drejtëpërdrejtë me brezin e ri. Suksesi i rinisë sonë kushtëzohet pikërisht nga edukimi i duhur sipas asaj që thamë më sipër, ndaj le të kenë frikë Zotin të gjithë ata, të cilët në mënyrë direkte apo indirekte kanë nën përgjegjësinë e tyre edukimin e brezave. Ata duhet që t’i përfshijnë lëndët fetare duke i bërë ato pjesë të programit mësimor, madje duke u dhënë rëndësinë që u takon. Neglizhenca në këtë drejtim do të sillte pasoja negative në jetën shoqërore, si dhe largim të njerëzve nga feja dhe besimi, për faktin se ajo që iu garanton njerëzve lumturinë dhe mirëqenien e dëshiruar (në këtë botë dhe Ahiret) është pikërisht jeta nën hijen e besimit.

  • Një tjetër barrierë që i pengon njerëzit nga përqafimi i fesë dhe besimit është smira dhe urrejtja. Shembull për këtë është shembulli i jehudive (çifutëve), të cilët e njihnin Pejgamberin (Paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të!), ashtu siç njihnin fëmijët e tyre. Ata ishin të bindur për vërtetësinë e tij dhe e njihnin qëllimin e fesë, me të cilën ai u dërgua, e megjithatë ata e fshehin të vërtetën me vetëdije të plotë. Ata i dhanë përparësi më tepër interesave dhe përfitimeve materiale të jetës së kësaj bote, kundrejt besimit dhe ndjekjes së Pejgamberit.

Ishte pikërisht ky shkaku, i cili e pengoi shumicën e parisë së Kurejshëve që ta pranonin Islamin, siç edhe dihet nga transmetimet që janë përcjellur për ta në librat e historisë. Kjo sëmundje vjen si pasojë e mendjemadhësisë, e cila është pengesa më e madhe për të pranuar të vërtetën. Allahu i Lartësuar ka thënë:

“Unë do t’i shmang nga argumentet e Mia ata të cilët pa asnjëtë drejtë bëjnë kryelartësi në tokë “(A’raf: 146).

Mendjemadhësia është refuzimi i së vërtetës dhe përçmimi i njerëzve. Pikërisht, kjo sëmundje e rëndë shpirtërore i ka penguar shumë njerëz që ta pasojnë të vërtetën e t’i nënshtrohen asaj, megjithëse atyre u bëhen të qarta argumentet. Allahu i Lartësuar ka thënë:

“Padrejtësisht, e me mendjmadhësi ata i mohuan argumentet e së vërtetës, edhe pse në veten e tyre ishin të bindur për vërtetësinë e tyre. Shiko pra se si ishte fundi i shkatërrimtarëve!” (Neml: 14).

  • Një tjetër barrierë që i pengon njerëzit nga feja dhe besimi është gjithashtu indiferentizmi ndaj argumenteve të sakta, qofshin ato argumente fetare ose logjike:

Allahu i Lartësuar ka thënë:

“Kush mbyll sytë para këshillave të Zotit, atij ia shoqërojmë një shejtan, i cili nuk i ndahet kurrë. E ata (shejtanët) do t’i shmangin ata nga rruga e drejtë, e ndërkohë (jobesimtarët) mendojnë se janë në rrugën e duhur “ (Zuhruf: 36-37).

Në një ajet tjetër ka thënë:

(Jobesimtarët) thanë: “Sikur të kishim qenë nga ata që dëgjonin dhe logjikonin (në dunja), nuk do të ishim (sot) ndër banuesit e zjarrit.” (Mulk: 10).

Janë ata, të cilët do të dëshmojnë kundër vetes së tyre se nuk ua kishin vënë veshin këshillave profetike dhe as nuk kishin arsyetuar në lidhje me mesazhin hyjnor; se nuk treguan interes (sa ishin në këtë botë) për dijen e të Dërguarve dhe të Librave që Allahu zbriti; janë ata që nuk e përdorën mendjen në mënyrën e duhur që do t’i udhëzonte tek e vërteta (besimi), por ndoqën mendime dhe teori të gabuara, të cilat i konsideronin mençuri dhe urtësi, e që në realitet ndodheshin larg nga udhëzimi. Pasimi i verbër që ata u bënin prijësve të tyre të humbur, i pengoi nga pasimi i së vërtetës, deri sa përfunduan në zjarrin e Xhehenemit. Eh, sa vendbanim i keq është ai i mendjemëdhenjve!

  • Një nga shkaqet që e pengojnë njeriun nga pasimi i së vërtetës është edhe refuzimi i saj pasi që ajo iu është bërë e qartë.

Nëse njeriut i bëhet e qartë e vërteta, me argumentet përkatëse, e megjithatë, ai e refuzon atë, atëherë ndëshkohet me përmbysjen e botëkuptimeve, duke e parë të mirën si të keqe dhe të keqen si të mirë.

Allahu i Lartësuar thotë:

“E kur ata u shmangën (nga e vërteta), Allahu i devijoi zemrat e tyre” (Saf: 5).

Gjithashtu ka thënë:

“Ne do t’ua shmangim zemrat dhe shikimet e tyre nga e vërteta, ashtu siç ata u shmangën dhe nuk besuan herën e parë. Do i lëmë të bredhin të verbër në lajthitjen dhe arrogancën e tyre.” (En’am: 110).

Kjo ndodh sepse shpërblimi është sipas natyrës së veprës.

Një shembull të ngjashëm e gjejmë në një tjetër ajet Kuranor, në të cilin Allahu na tregon se si i lë mohuesit në atë që zgjodhën për veten e tyre:

“Ata (të humburit) i zgjodhën shejtanët për miq” (A’raf: 30)

Një tjetër barrierë penguese nga besimi është edhe teprimi në qejfe dhe përjetime të kësaj bote, si dhe tejkalimi i caqeve në mirëqenie, duke kaluar në shpërdorim.

Kjo e bën njeriun që të ndjekë tekat dhe epshet e tij, e t’u dorëzohet atyre, duke i bërë dëm vetes.

Këtë barrierë, e gjejmë të përmendur në disa ajete kuranore, si psh:

“Por Ne u mundësuam atyre dhe paraardhësve të tyre që të përjetojnë të mira dhe kënaqësi, e kështu ata jetuan për një kohë të gjatë (të mashtruar me gjendjen e tyre).” (Enbija: 44)

Në një tjetër ajet Allahu i Lartësuar ka thënë:

“Ata përpara kësaj (dënimit në Xhehenem) kanë qenë të dhënë pas luksit dhe shpërdorimit.” (Vakia: 45)

Kur atyre u erdhi feja e vërtetë, e cila e disiplinonte mënyrën e jetesës së tyre, duke kërkuar ruajtjen e ekuilibrave midis kënaqësive të lejuara të dynjasë dhe kryerjes së obligimeve fetare, ata e konsideruan këtësi një pengesë nga të mirat që kishin.

Njeriu i cili nuk ka synim tjetër përveçse të arrijë përmbushjen e tekave dhe kënaqësive të kësaj bote, bën çmos që t’i ruajë ato nga çdo gjë që mund t’ia cënojë apo kufizojë. Prandaj kur atyre u erdhi feja e cila në çdo gjë kërkon ruajtjen e sensit të masës dhe e ndalon shpërdorimin, si dhe i urdhëronte ata që që të adhuronin Allahun, ta falënderonin Atë për mirësitë që u kishte dhënë, dhe i ndalonte nga shthurja dhe tejkalimi i kufinjve, ata e refuzuan dhe i kthyen shpinën.

  • Një tjetër barrierë, e cila i largon njerëzit nga besimi është përçmimi që mohuesit shprehin ndaj të Dërguarve dhe pasuesve të tyre, me pretendimin se ata janë njerëz të ulët dhe të pavlerë. Kjo mënyrë gjykimi i shtynte njerëzit që të talleshin me besimtarët. Një nga këto shembuj që Allahu i Lartësuar na ka treguar është për popullin e Nuhut:

 

“Ata thanë: “E si të të besojmë ty (o Nuh), kur ty të besojnë më të ulëtit?” (Shuara: 111)

Gjithashtu thanë:

“Ne nuk po shohim se të pason dikush tjetër, përveç atyre që janë më të ulëtit e më mendjelehtët nga mesi ynë dhe ne nuk shohim se ju keni ndonjë vlerë mbi ne.” (Hud: 27)

Kjo sjellje përçmuese vjen si pasojë e mendjemadhësisë. Nëse dikush tregohet mendjemadh,  vetëpëlqyes dhe e përçmon tjetrin, atëherë ai e ka të vështirë që ta pranojë të vërtetën që i shfaqet nëpërmjet këtij personi. E sikur po të njëjtit person, t’i vinte kjo e vërtetë nga dikush tjetër, për të cilin ai ka konsideratë, ai do ta kishte pranuar atë, pa asnjë mëdyshje.

  • Një tjetër barrierë, e cila i pengon njerëzit nga besimi është shfrenimi dhe mosnjohja e kufijve. Allahu i Lartësuar ka thënë:

 

“Në këtë mënyrë përmbushet Fjala e Zotit tënd (vendimi i Tij) ndaj atyre që janë të shfrenuar, se ata nuk do të besojnë.” (Junus: 33).

Shfrenimi nënkupton shmangien e zemrës së njeriut nga bindja ndaj Allahut, duke kaluar në bindje ndaj shejtanit. Kjo është një nga pengesat më të mëdha për pranimin e së vërtetës, si në aspektin teorik, ashtu edhe në atë praktik. Për këtë shkak, Allahu i Lartësuar nuk e pastron njeriun që është në këtë gjendje, por e lë atë të braktisur në veten e tij zullumqare, prandaj ai endet i dalldisur në humbjen dhe arrogancën e tij. Një njeri i tillë, të gjitha veprimet dhe sipërmarrjet e tij i ka negative dhe plotë ligësi.Shfrenimi dhe shthurja e afrojnë atë me të kotën dhe e zmbrapsin nga e vërteta; sepse nëse zemra i largohet bindjes ndaj Allahut dhe përuljes ndaj Tij, patjetër që do t’i bindet çdo…“…shejtani të mallkuar. Është vendim i padiskutueshëm se cilido që e miqëson atë (shejtanin), ai ka për ta humbur dhe ka për ta orientuar për në vuajtjet e Zjarrit përvëlues.” (Haxh: 3-4).

  • Ndër pengesat më të mëdha të njeriut që e largojnë nga besimi dhe nga pasimi i së vërtetës është kufizimi i njohurive dhe i të vërtetave vetëm në një rreth të ngushtë, siç bëjnë ateistët, të cilët e kufizojnë dijen vetëm në çfarë perceptohet prej shqisave. Atë çfarë shqisat e perceptojnë, ata e pranojnë, ndërsa atë që shqisat nuk arrijnë ta perceptojnë ata e refuzojnë, madje edhe nëse ajo vërtetohet me mënyra dhe argumente më të mëdha e më të qarta se perceptimi sipërfaqësor shqisor. Ky lloj arsyetimi i mangët është bërë shkak që tek shumë njerëz të lindin dyshime dhe keqkuptime në lidhje me besimin.

Nisur nga kjo mënyrë e gabuar dhe dashakeqe e arsyetimit, ata shkojnë aq larg, sa të mohojnë ekzistencën e Zotit. Gjithashtu, përgënjeshtrojnë Profetët dhe lajmet që ata sollën në lidhje me të fshehtën, për vërtetësinë e të cilave dëshmojnë argumente të ndryshme dhe të shumta. Prej fakteve të pakundërshtueshme që dihen është edhe fakti se argumentet që përforcojnë vërtetësinë mbi ekzistencën e Zotit, mbi njëshmërinë e Tij dhe se Ai është i vetmi Krijues e Sistemues, janë aq të dukshme dhe të qarta, aq sa nuk mund të krahasohet me to asnjë mënyrë tjetër e të argumentuarit.

Ky fakt dëshmohet me argumentet fetare (Kurani dhe tradita profetike), me argumentet logjike dhe po ashtu, dëshmon natyrshmëria e pastër e njeriut.

Allahu ka shpalosur argumente të qarta në gjithësi dhe në brendësi të vetes sonë, me anë të të cilave qartësohet e vërteta, që Ai është i vërtetë dhe që të Dërguarit e Tij janë të vërtetë, që shpërblimi i Tij është i vërtetë dhe që tëgjitha lajmet e Tij janë të vërteta; që feja e Tij është e vërtetë. E ç’mund të ketë tjetër pas së vërtetës përveç humbjes?!

Kjo është mëse e qartë! Pavarësisht rebelimit të materialistëve dhe mendjemadhësisë së tyre, e cila bëhet pengesë mes tyre dhe të vërtetës.S`ka dyshim se kujt i humbet kjo e vërtetë (e njohjes së besimit), asgjë nuk i bën dobi.

Besimtari mendjemprehtë arrin të dallojë me dritën e besimit se ata ndodhen në një humbje të qartë dhe në një verbim të thellë. Falënderojmë Allahun për mirësinë e udhëzimit!

  • Një tjetër barrierë penguese që e mban larg njeriun nga besimi është pretendimi i materialistëve dhe i njerëzve që janë mashtruar prej tyre, me arsyetimin se: njerëzimi pjekurinë e tij dhe përsosmërinë e logjikës e ka arritur vetëm në këtë kohë moderne, në të cilën kanë mbizotëruar njohuritë shkencore dhe materializmi, ndërsa njerëzit që kanë jetuar më herët, nuk e kishin arritur pjekurinë e mjaftueshme logjike dhe për rrjedhojë, nuk mund të shërbejnë si referencë, si në aspektin fetar, ashtu edhe në atë shkencor.

Është e qartë, për çdo njeri që ka sadopak logjikë dhe nuk është i ndikuar nga idetë e gabuara, se ky është një pretendim tërësisht i pavend, sofizëm dhe këmbëngulje kokëforte ndaj të vërtetave. Nëse ata do të pretendonin se zhvillimi teknik e industrial, shpikjet e shumta dhe larmishmëria e shfrytëzimit të burimeve natyrore kanë arritur kulmin e tyre në kohët e sotme, atëherë, ky do të ishte pretendim i pranueshëm nga të gjithë. Mirëpo kjo nuk u jep të drejtë për të pretenduar refuzimin e të vërtetave të pakontestueshme, të cilat as nuk varen nga nocioni kohë dhe as nuk ndikohen nga zhvillimet materialiste. Pra, feja Islame dhe parimet e saj, besimi në njëshmërinë e Zotit, si dhe vlerat morale në tërësi, janë të qëndrueshme dhe nuk ndryshojnë.[3] Pra, të pretendosh pavlefshmërinë e besimit dhe moralit, për shkak se ato janë vlera të trashëguara nga kohë në të cilat mungonte zhvillimi teknologjik dhe modernizimi aktual, konsiderohet ndër pretendimet më absurde.

Vërtetësia ose pasaktësia e një ideologjie, apo e një teorie të caktuar, nxirret në pah nëpërmjet studimit të synimeve dhe qëllimeve të saj, shqyrtimit të argumenteve, mbi të cilat ajo bazohet, si dhe përmes fryteve dhe ndikimeve të saj.

Në këtë kontekst, nëse studiojmë Islamin, parimet dhe synimet e tij, ligjet dhe dispozitat, argumentet mbi të cilat bazohet, do të vërejmë përsosmërinë dhe harmoninë madhështore që gjendet në të. Islami garanton lumturinë e njeriut, jo vetëm në Botën tjetër, e cila është lumturia absolute dhe e pashtershme, por edhe lumturinë e kësaj jete. Islami demostron besimin e pastër monoteist, fton në përsosjen e moralit, duke qenë pjesë e rëndësishme e misionit të profetit Muhamed (Paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të!), i cili u dërgua si mëshirë për të gjithë botët dhe në veçanti, për të përsosur vlerat morale. Kur muslimanët i vunë në jetë dhe i zbatuan me përpikmëri këto parime dhe vlera madhështore, ata arritën pikun e mirëqënies shpirtërore dhe sociale dhe jetuan krenarë, duke udhëhequr popuj të tërë për shekuj me rradhë, nga Lindja e deri në Perëndim. Ata arritën majat e përsosmërisë në të gjitha fushat e jetës: shpirtërore, sociale, shkencore, etj.

Nga ana tjetër, nëse do vërejmë sjelljet e materialistëve të pafѐ, të cilët i kanë lëshuar tërësisht frerët e epsheve dhe tekave të tyre, duke mos u ndalur para asnjë pengese apo kufiri, do të gjejmë se kanë rënë në nivelet më të ulëta të dinjitetit njerëzor dhe integritetit moral. Sikur të mos ishte për disa vlera universale të mbetura akoma tek ata, si dhe falë zhvillimit industrial ekonomik të tyre, shthurja dhe shfrenimi moral do t`i shpinte drejt kaosit dhe shkatërrimit të sigurt:

“E ti kurrsesi mos e mendo Allahun të pakujdesshëm ndaj asaj që veprojnë zullumqarët. ” (Ibrahim: 42)

E nëse nuk do të ishin disa vlera morale të trashëguara nga feja, gjurmët e të cilave kanë mbetur tek popujt e përparuar materialisht dhe të cilat jua përmirësojnë disi jetën, përparimi i tyre material nuk do të kishte ndonjë vlerë për t’u përmendur, sepse ata të cilët e humbasin fenë nuk kanë mundësi të bëjnë një jetë të mirë, e as të gëzojnë qetësi, e lumturi. Aktualiteti që ne po jetojmë është shembulli më i mirë për të argumentuar këtë fakt. Dihet nga të gjithë se Profetët janë dërguar me shpallje dhe udhëzim, të cilat përmbajnë parime të përgjithshme, por edhe dispozita të hollësishme. Ata përcollën tek njerëzit dritë dhe njohuri të sakta. Misioni i tyre ishte përmirësimi i shoqërisë në çdo aspekt. Njerëzit e mençur dhe të llogjikshëm i kanë pranuar dhe mirëpritur shpalljet hyjnore dhe mësimet profetike, duke e ndjerë si nevojë të domosdoshme jetësimin e tyre. Ata u treguan të dëgjueshëm dhe i përmbushën porositë profetike sepse ata ishin të bindur se edhe sikur të mblidheshin të gjitha mendjet njerëzore, që nga i pari e deri tek i fundit, nuk do të arrinin dot dijen dhe njohuritë që gjenden në Librat e shpallur nga Allahu dhe të vërtetat e dobishme, të cilat u përcollën nga të Dërguarit. Ata ishin të bindur se nëse nuk do të ekzistonte ky udhëzim hyjnor, njerëzit do të ishin në humbje të qartë, në verbëri të plotë dhe në mjerim të vazhdueshëm deri në shkatërrim. Të vërtetën e ka thënë Zoti ynë në Librin e Tij famëlartë:

“Padyshim që Allahu u dha dhuratë të madhe besimtarëve, kur nga mesi i tyre u dërgoi Pejgamber, që t’u lexojë atyre shpalljen e Tij, t’i pastrojë ata, t’ua mësojë Librin dhe Urtësinë (Kuranin dhe Sunetin), ndërkohë që ata më parë ishin në humbje të qartë.” (Al Imran: 164)

Mendja nuk mund të arrijë pjekurinë e duhur dhe përsosmërinë, veҫse nëpërmjet dijeve që Profetët sollën nga Zoti. Për këtë arsye, mendimet dhe argumentet që kundërshtojnë udhëzimin hyjnor dhe diturinë profetike, nuk kanë kurrfarë peshe apo vlere. Shumë njerëz janë mashtruar pas slloganeve boshe, me të cilat synohet zbukurimi i së kotës dhe kundërshtimi i së vërtetës, duke u treguar mendjelehtë dhe sipërfaqësorë. Kjo dukuri ndodh nga që njohuritë fetare dhe moralin e lartë të fesë ata e quajtën prapambetje, ndërsa njohuritë dhe sjelljet e tjera që janë në kundërshtim me to i quajnë kulturë dhe përparim.

Dihet nga të gjithë se çdo kulturë dhe civilizim që nuk është themeluar mbi udhëzimet fetare dhe këshillat e fesë, mbetet kulturë e mangët dhe civilizim i brishtë. Dëmi që shkakton ky civilizim i cunguar është më i madh sesa dobia dhe kjo gjë do shfaqet qartë herët apo vonë, në këtë botë, apo në botën tjetër. Islami i udhëzon dhe i nxit njerëzit që t’i arrijnë të dyja lumturitë dhe të dyja të mirat (ato të kësaj bote dhe të Botës Tjetër). Ai që mediton rreth vlerave, parimeve dhe dispozitave që Islami solli, do të bindet se e mira e njerëzimit arrihet vetëm duke e përqafuar këtë fѐ madhështore, si dhe duke zbatuar udhëzimet dhe porositë e saj të vyera. Po ashtu, do të bindet edhe për faktin se ashtu siç kjo fe ka përcjellë besimin e saktë dhe ka përsosur moralin, duke e ngritur dinjitetin njerëzor në shkallën më të lartë, po ashtu është në gjendje të përmirësojë dhe përsosë edhe sferat e tjera të jetës. S`ka dyshim se Islami udhëzon drejt ҫdo vlere që i sjell dobi dhe mirësi individit dhe mbarë shoqërisë.

Suksesi është vetëm prej Allahut, Ai është Udhëzuesi!”

 

Shkëputur nga libri “Të mësojmë bazat e besimit”, botim i Qendrës “Udha e Besimtarëve”

Me autor, shejhun e nderuar:  Abdurrahman ibn Nasir Es Sa’di (Allahu e mëshiroftë!)

Së shpejti libri do të jetë në duart e lexuesve shqipëtar.

[1]Sh.p.:Të besosh në gajb do të thotë të besosh në çdo gjë të padukshme, për të cilën na ka lajmëruar Allahu i Madhëruar apo Pejgamberët e Tij. Ibn Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Gajbi është dija që është e fshehur për njerëzit. Pjesë e kësaj është Xheneti e Xhehenemi dhe lajme të tjera që përmenden në Kur’an.

[2]Nxënësi që del nga këto shkolla, nuk është edukuar me njohuritë e duhura fetare dhe nuk është stolisur me moralin e fesë.

[3]Sh.red: Besimi te Zoti, Një i vetëm, Krijuesin, Sunduesin dhe Sistemuesin e gjithësisë, nuk ndryshon në varësi të kohës apo modernizimit të jetës së njeriut. Gënjeshtra, mendjemadhësia, vjedhja, etj., kanë qenë, janë dhe do të jenë mëkate.

Dosje:

Loading...