Çfarë janë betimet?

January 14, 2020

Çfarë janë betimet?

Betimet – siç theksojnë dijetarët – janë shprehje që përmbajnë përforcim veprimesh. Ato në lidhje me emrin e përmendur janë adhurim dhe në lidhje me veprimet që përmbajnë shtojnë përgjegjësinë ndaj tyre. Ata thonë: “Betim quhet përforcimi i një veprimi duke përmendur një të madhëruar me shprehje të veçanta.[1]

Me fjalën [përforcimi i një veprimi] janë për qëllim tre gjëra: lajmet, premtimet dhe kërkesat. Lajmet që të jenë të besueshme kanë nevojë për sigurim, premtimet që të mbahen kanë nevojë për garantim, ndërsa kërkesat që të merren në konsideratë kanë nevojë për nxitje.[2]

Me fjalën [duke përmendur një të madhëruar] është për qëllim emri i një të adhuruari apo të shtrenjti. Në shoqëritë monoteiste ata të cilët besojnë në një zot përmendin për betim vetëm emrin e Allahut, zotit dhe të adhuruarit të tyre të vetëm. Ndërsa në shoqëritë idhujtare ata përmendin edhe emra të tjerë si emra të shenjtëve apo të të shtrenjtëve të tyre.

Me fjalën [me shprehje të veçanta] janë për qëllim ato shprehje që përmbajnë madhërim si p.sh.: Pasha, betohem, zotohem, vallahi, bilahi etj.

Në këto shprehje përfshihen edhe ato të cilat nuk kanë përmbajtje të drejtpërdrejtë betimi por nënkuptojnë betime, p.sh.; Qafir u bëfsha nëse e bëj atë gjë! Haram e paça bukën nëse nuk e bëj atë gjë! Nëse e bëj atë gjë, gjithë pasuria ime qoftë sadaka!

Shejhu i Islamit Ibn Tejmije -Allahu e mëshiroftë- në lidhje me këtë çështje thotë: Betimet herë janë në formë të drejtpërdrejtë dhe herë janë në formë ndëshkimi ndaj një veprimi. Pastaj thotë: Shembulli i kësaj të dytës është shprehja e dikujt: Nëse e bëj këtë gjë qofsha jehudi apo i krishterë, apo dalsha nga islami! Apo shprehja; “Nëse e bëj këtë gjë, qoftë e ndarë gruaja ime”, apo shprehja “Nëse e bëj këtë gjë, qoftë detyrë për mua haxhi apo sadaka qoftë e gjithë pasuria ime![3]

Gjithashtu thotë: “Angazhimet në emër të Allahut janë forma betimesh. Çdo angazhim është betim, p.sh. shprehja “Për hir të Allahut, detyrë qoftë për mua kjo gjë!” është si shprehja “Betohem në Zot se do t’a bëj këtë gjë! Prej të dyja shprehjeve rezulton përfshirje në një punë në emër të Allahut. Argument për këtë është fjala e Profetit -alejhi selam: «Angazhimi në emër të Allahut është betim»[4][5]

Këto janë betimet, domethëniet e tyre dhe shprehjet të cilat i përmbajnë ato. Betimet janë forma të njohura tek njerëzit në të gjitha kohërat.

 

[1] Shih librin ‘El-Mubdi sherh El-Mukni’ të Ibn Muflih: 8/57.

[2] Shih më gjerësisht në librin ‘El-Meusuah El-Fikhije El-Kuejtije’: 7/245-246.

[3] Shih fjalët e autorit në librin ‘Mexhmu El-Fetaua’: 35/244.

[4] E transmeton imam Ahmedi dhe e saktëson shejh Albani.

[5] Shih fjalët e autorit në librin ‘Mexhmu El-Fetaua’: 35/258.

Loading...