Çfarë ka për detyrë i sëmuri?

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!

Falënderimet i përkasin vetëm Allahut. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin për të Dërguarin e Tij Muhamedin, për familjen, shokët e tij dhe ata që i pasojnë në të mirë. E në vazhdim! Kjo është një përmbledhje e dobishme rreth rregullave të xhenazes, bazuar në hadithet autentike dhe fjalët e tri dijetarëve të mëdhenj; Shejh Albani, Shejh Ibën Bazi dhe Shejh Uthejmini (Allahu i mëshiroftë).

[1] Është detyrë për të sëmurin që të jetë i kënaqur me kadanë e Allahut, të bëjë durim ndaj kaderit (paracaktimit) të Tij dhe të ketë mendim të mirë për Zotin ngase kjo është në të mirën e tij. Bazuar në fjalën e Profetit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem): “E çuditshme është çështja e besimtarit, e gjithë çështja e tij është e mirë dhe kjo nuk është për askënd tjetër veçse për besimtarin. Nëse i vjen ndonjë e mirë ai falënderon dhe kjo është e mirë për të, e nëse e godet ndonjë e keqe ai bën durim dhe kjo është e mirë për të.” Dhe fjala e tij (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem): “Mos të vdes askush nga ju vetëm se duke pasur mendim të mirë për Allahun e Lartësuar.”

[2] I lejohet të sëmurit t’i bashkojë namazet për shkak të vështirësisë së sëmundjes por nuk i lejohet shkurtimi i tyre. Shejh Ibën Uthejmini (Allahu e mëshiroftë) tregon: Më kujtohet kur vizitova një të sëmurë dhe e pyeta për namazin e tij. Kështu duhet të veprojë njeriu kur viziton të sëmurin t’a pyes atë si falet dhe si pastrohet, në mënyrë që nëse ai vepron gabim t’i tregojë sesi duhet të veprojë konform dispozitave të fesë. Ky person (i sëmuri) më tha se i bashkon dhe shkurton namazet ndërsa ai gjendet në vendin e tij. I thashë: Nuk ka problem që i bashkon namazet sepse është i sëmurë, porse shkurtimi i namazit nuk lejohet (në këtë rast). Prandaj e urdhërova që t’i përsërisë namazet që i ka shkurtuar në dy rekate (t’i falte të plota).[1]

[3] Kërkohet prej tij që të jetë mes frikës dhe shpresës. T’i frikësohet dënimit të Allahut të Lartësuar për gjynahet e tij dhe të shpresojë në mëshirën e Zotit. Bazuar kjo në hadithin e njohur i cili gjendet tek Tirmidhiu ku thuhet: Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) hyri tek një djalosh që ishte në momentet e fundit të jetës dhe i tha: Si po të gjej? Tha: Pasha Allahun o i Dërguari i Allahut, shpresoj në Allahun dhe kam frikë për gjynahet e mia. I Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) tha: Nuk bashkohen të dyja këto (shpresa dhe frika) në zemrën e njeriut në një moment të tillë vetëm se Allahu do t’i jap atij atë që shpreson dhe do e sigurojë nga ajo që frikësohet.[2]

[4] Sado që t’i rëndohet sëmundja atij nuk i lejohet që t’a dëshirojë (kërkojë) vdekjen.[3] E nëse “Patjetër do t’a bëjë diçka të tillë, atëherë le të thotë: O Allah! Më lejo të jetoj nëse ajo është më e mirë për mua, dhe ma merr jetën nëse vdekja është më e mirë për mua! Shejh Ibën Uthejmini (Allahu e mëshiroftë) është pyetur: Cili është gjykimi i kërkimit të vdekjes? Ai u përgjigj: I Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka ndaluar që njeriu të dëshirojë (kërkojë) vdekjen për shkak të ndonjë dëmi që e ka goditur, dhe thotë: “Nëse patjetër do që t’a bëjë diçka të tillë, atëherë le të thotë: O Allah! Më lejo të jetoj nëse ajo është më e mirë për mua, dhe ma merr jetën nëse vdekja është më e mirë për mua!” Buhariu dhe Muslimi.

Kjo nuk bie ndesh me fjalën e Merjemes (radijAllahu anha): “Dhimbjet e lindjes e detyruan atë që të shkonte te trungu i një hurme. Ajo tha: Ah sikur të kisha vdekur para kësaj (ngjarjeje) dhe të isha harruar që moti!” Merjem, 23. Kjo nuk është kërkim i vdekjes, por ajo dëshironte që të kishte vdekur para se të ndodhte kjo gjë. Po ashtu dhe fjala e Jusufit (alejhi selam): “O Zoti im! Ti më ke dhënë pushtet dhe më ke mësuar shpjegimin e ëndrrave. O Krijues i qiejve dhe i Tokës, Ti je Mbrojtësi im edhe në këtë botë edhe në botën tjetër. Bëj që të vdes si musliman dhe më shoqëro me punëmirët (në botën tjetër)!” Jusuf, 101.  Këtu nuk është kuptimi se ai kërkon prej Allahut vdekjen, porse ai i lutet Allahut që të vdesë në këtë gjendje, pra të vdesë musliman. Kjo nuk bie ndesh me ndalesën e Profetit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) për kërkimin e vdekjes.[4]

[5] Nëse ai ka detyrime ndaj të tjerëve le t’i përmbushë duke ua kthyer atyre që u takon nëse i mundësohet një gjë e tillë. Në të kundërtën, nëse nuk mundet le t’a lërë si porosi bazuar në urdhërin e Profetit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) në lidhje me këtë.

[6] Ai duhet të shpejtojë t’ua lërë amanet pasardhësve të tij bazuar në fjalën e Profetit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem): “Nuk i takon një muslimani që të kalojë dy netë duke pasur diçka të cilën dëshiron t’a lërë testament, vetëm se testamenti i tij gjendet i shkruar nën kokën (jastëkun) e tij.” Ibën Umeri (radij Allahu anhuma) ka thënë: “Nuk kaloi një natë pas asaj që dëgjova nga i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) veçse testamentin e kisha gati.” Ibën Dekik (Allahu e mëshiroftë) thotë: U lejua shkrimi i testamentit në dy apo tri ditë për lehtësim dhe largimin e vështirësive nga njerëzit.

[7] Meqënëse në këtë kohë shumë prej njerëzve kanë futur bidate në fenë e tyre, e në veçanti ato që lidhen me xhenazen, del si detyrë për muslimanin që t’i porosisë familjarët e tij që kur të vdesë t’a përgatisin dhe t’a varrosin sipas sunetit. Duke punuar me fjalën e Allahut të Lartësuar: “O ju që besoni! Ruani veten dhe familjet tuaja nga zjarri lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët. Atë e mbikqyrin engjëj të fuqishëm e të ashpër, të cilët kurrë nuk i kundërshtojnë urdhërat e Allahut por i zbatojnë menjëherë ato.[5] Kështu kanë vepruar edhe shokët e të Dërguarit të Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem). Etheret e transmetuara prej tyre janë të shumta. Prej tyre është ai që transmetohet nga Hudhejfe (radijAllahu anhu) se ka thënë: “Kur të vdes mos lajmëroni askënd për vdekjen time ngase kam frikë se kjo futet te njoftimi i ndaluar. Unë e kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) të ndalojë nga en-na’ji.” Imam En-Neveviu (Allahu e mëshiroftë) në librin e tij “El-Edhker” ka thënë: “Është mustehab i fort për personin që t’i porosisë familjarët e tij t’u largohen bidateve që njerëzit veprojnë nëpër xhenaze, madje të këmbëngulë fortë në këtë pikë.”

 

Shejh Albani, Shejh Ibën Bazi dhe Shejh Ibën Uthejmini (Allahu i mëshiroftë).

Përktheu: Unejs Sheme

—————————————-

[1] “Likaatul-Haxh”.

[2] Shejhu (Allahu e mëshiroftë) e ka nxjerrë këtë hadith edhe në “Es-Sahihah”.

[3] Kjo është dhe fjala e Shejh Ibën Bazit (Allahu e mëshiroftë) në “Mexhmu fetaua ue mekalat”, vëll. 13, dhe fjala e Shejh Ibën Uthejminit (Allahu e mëshiroftë) në “Mexhmu fetaua ue rasail”, vëll. 17.

[4] “Mexhmu fetaua ue rasail”, vëll. 18.

[5] Tahrim, 6.