Ç’gjykim ka zgjimi i tjetrit për namazin e sabahut?
Përgjigjja: Allahu i madhëruar e ka porositur profetin e tij në Kuran duke i thënë: “Urdhëro familjen tënde për namaz dhe bëj durim ndaj tij! Nuk kërkojmë prej teje risk se ne të japim ty riskun dhe përfundimi i mirë është për njerëzit e devotshëm ” suretu Taha: 132.
Fjala familje ose [ehl] në gjuhen arabe do të thotë: ata njerëz që i bashkon një shtëpi.
Omeri -radiallahu anhu- falej natën deri dhe kur vinte koha e fundit e natës e zgjonte familjen e tij duke u thirrur: Namazin, namazin! Pastaj u lexonte atyre këtë ajet. E transmeton imam Maliku me zinxhir të saktë.
Kjo punë që bënte Omeri është porosi e profetit -alejhi selam- sepse ai thoshte: “E mëshiroftë Allahu atë burrë që ngrihet natën dhe falet pastaj zgjon gruan dhe nëse ajo refuzon e spërkat atë me ujë! Dhe e mëshiroftë Allahu atë grua që ngrihet natën dhe falet pastaj zgjon burrin dhe nëse ai refuzon e spërkat atë me ujë!” e transmeton Ebu Daudi, Nesai dhe e saktëson sheikh Albani.
Ata nëse këtë punë e bënin për namazin e natës i cili është i pëlqyeshëm atëherë ta bësh atë për namazin farz është më parësore bile imam Kurtubiu thotë: Nuk është larg të thuhet se zgjimi i tjetrit është detyrë për namaz detyrë dhe i pëlqyeshëm për namaz të pëlqyeshëm sepse ai që është në gjumë edhe pse nuk ngarkohet me përgjegjësi (në atë gjendje) mirëpo pengesa e tij mund të largohet shpejt. Pra, ai është si i shkujdesuri dhe tërheqja e vërejtjes së të shkujdesurit është detyrë.
Një profet është dalluar për kujdesin që i kushtonte familjes së tij për të falur namaz dhe është përmendur në Kuran dhe ai është Ismaili -alejhi selam- për të cilin Allahu i madhëruar thotë: “Kujto në librin e Allahut Ismailin! Ai ka qenë njeri që e mbante premtimin dhe ka qenë i dërguar dhe profet * Ai urdhëronte familjen e tij për namaz dhe zeqatë dhe zoti i tij ishte i kënaqur me të” suretu Merjem: 54-55.
Dr. Abdullah Nabolli
Të Ngjashme
- A është e lejuar për gruan me mestruacione që të bëjë Istihara? Udha e Besimtarëve
- Nata e Kadrit Abdurrazak ibn Abdulmuhsin el-Bedër
- Bëhu i begatë kudo që të jesh Udha e Besimtarëve
- Përmendja e të metave dhe hapja e derës së dëshpërimit Udha e Besimtarëve
- Vepro duke qenë i pajisur me dituri Udha e Besimtarëve