Cila është mënyra më e mirë e bërjes së tesbihut pas namazeve farz? A thuhet secila fjalë veç e veç apo thuhen të bashkuara?
Transmeton Imam Buhariu në Sahihun e tij 843, nëpërmjet Sumej bin Ebu Salih, nga Ebu Salih – babai i tij –, nga Ebu Hurejra i cili tregon se të varfërit erdhën tek Profeti ﷺ dhe i thanë:
“Të pasurit na kanë kaluar me shpërblimet më të mëdha dhe me begatitë e përhershme. Ata falen si ne, agjërojnë si ne, por kanë përparësi me pasurinë e tyre: bëjnë haxh, umre, luftojnë në rrugë të Allahut dhe japin sadaka.
Profeti ﷺ tha:
A doni t’ju mësoj diçka që nëse e bëni do t’i arrini ata që kanë qenë para jush dhe askush pas jush nuk do t’ju arrijë, dhe do të jeni më të mirët ndër njerëzit me të cilët jetoni përveç atij që bën si ju?
Ata thanë: Po.
Ai tha: Të bëni pas çdo namazi tesbih (Subhanallah), tahmid (Elhamdulilah) dhe tekbir (Allahu Ekber) nga tridhjetë e tre herë secila.
Një nga transmetuesit e këtij hadithi Sumej bin Ebu Salih, thotë:
“Ne debatuam mes nesh ku disa thanë; Të themi Subhanallah 33 herë, Elhamdulilah 33 herë dhe Allahu Ekber 34 herë. Pastaj u ktheva tek ai (Ebu Salih, babai i Sumejit) dhe e pyeta. Ai më tha: Thoni: Subhanallah, Elhamdulilah dhe Allahu Ekber derisa të bëhen gjithsej 33 herë.”
I ngjashëm me transmetimin e Buhariut është edhe transmetimi i Muslimit në Sahihun e tij 595, ku në fund të hadithit përmendet:
“Sumeji tha: Ia tregova këtë hadith dikujt prej familjarëve të mi, dhe ai më tha: Ke gabuar sepse në hadith është përmendur; E lartësoni Allahun (Subhanallah) 33 herë, e lavdëroni Allahun (Elhamdulilah) 33 herë, dhe e madhëroni Allahun (Allahu Ekber) 33 herë.
Atëherë u ktheva te Ebu Salih dhe e pyeta. Ai ma mori dorën dhe tha:
Allahu Ekber, Subhanallah, Elhamdulilah, Allahu Ekber, Subhanallah, Elhamdulilah…
Deri sa të bëhen gjithsej 33 herë.” (Sahih Muslim 595)
Hadithi tregon për vlerën e fjalëve Subhanallah, Elhamdulilah dhe Allahu Ekber pas çdo namazi farz, si dhe shpërblimin e madh të këtij dhikri.
Në një hadith tjetër, Ebu Hurejra tregon se Profeti ﷺ ka thënë:
“Kush e lartëson Allahun (Subhanallah) pas çdo namazi 33 herë, e lavdëron Allahun (Elhamdulilah) 33 herë dhe e madhëron Allahun (Allahu Ekber) 33 herë – gjithsej 99 – dhe për plotësim të njëqindës thotë: La ilahe il-lallah vahdehu la sherike leh, lehul-mulku ue lehul-hamdu vehuve ala kul-li shejin kadir, i falen gjynahet edhe nëse janë sa shkuma e detit.” (Sahih Muslim 597)
Dijetarët kanë diskutuar: A është më e mira të thuhen secila veç e veç, apo të treja bashkë?
A thuhet: Subhanallah 33 herë, Elhamdulilah 33 herë, dhe Allahu Ekber 33 herë secila veç?
Apo thuhen: Subhanallah, Uelhamdulilah, Uallahu Ekber 33 herë si një fjali e vetme?
Ibn Rexheb el Hanbeli (795H) thotë:
A është më e mirë të bashkohet tesbihu, tahmidi dhe tekbiri në çdo herë, pra t’i thotë së bashku 33 herë, pastaj ta mbyllë me: La ilahe il-lallah, vahdehu la sherike leh, lehul-mulku ue lehul-hamdu uehuve ala kulli shejin kadir, apo është më mirë t’i thotë secilën veç: 33 herë Subhanallah, 33 herë Elhamdulilah, dhe 33 herë Allahu Ekber?
Imam Ahmedi kur u pyet: A t’i thotë së bashku apo veç, – u përgjigj: Nuk ka shtrëngim në të (lejohen të dyja).
Ebu Jala el Hanbeli ka thënë: Kjo tregon qartë se njeriu është i lirë të zgjedhë mes thënies së ndarë ose të bashkuar.
Ndërsa në një transmetim tjetër, Imam Ahmedi ka thënë se thuhen bashkë pa ndërprerje. “Fet’hul Bari”, Ibn Rexheb 7/414.
Ibn Haxher el Askalani (852 H) thotë:
A është numri për secilën shprehje veç e veç, apo për të gjitha së bashku?
Në një transmetim del qartë se numri është për të gjitha, pra që të thuhen së bashku, dhe këtë e ka zgjedhur Ebu Salih transmetuesi nga Ebu Hurejra.
Ndërsa në transmetime të tjera të sakta është përmendur që thuhet secila veç, dhe këtë e kanë zgjedhur disa dijetarë, si Kadi Ijad i cili ka thënë se veçimi i secilës është më parësor.
Disa dijetarë të tjerë i kanë dhënë përparësi bashkimit.
Ajo që duket është se të dyja mënyrat janë të vlefshme.
Megjithatë, thënia ndaras dallohet me një veçanti: ai që bën dhikrin ka nevojë t’i numërojë, dhe për çdo lëvizje që bën merr shpërblim të shumtë, ndërkohë që ai që i thotë të bashkuara e merr vetëm një të tretën e shpërblimit. “Fet’hul-Bari”, Ibn Haxher 2/329.
Shejh Ibn Bazi (1420 H) kur u pyet cila është më e mirë, tha:
“Personi është i lirë: Nëse dëshiron le të thotë Subhanallah, Uelhamdulilah, Uallahu Ekber së bashku, dhe t’i përsërit gjithsej 33 herë pas çdo namazi.
E nëse dëshiron le t’i thotë veç e veç: Subhanallah 33 herë, Elhamdulilah 33 herë, Allahu Ekber 33 herë të gjitha janë të lejuara.
Por bashkimi i tyre është më i lehtë dhe më praktik, dhe mbyllja e njëqindës bëhet duke thënë: La ilahe il-lallah, vahdehu la sherike leh, lehul-mulku ue lehul-hamdu vehuve ala kuli shejin kadir.”
Shejh Muhamed bin Ali el Ethjubi (1442 H) ka thënë:
Ndarja është më e mira duke vepruar sipas kuptimit të shumicës së haditheve, siç është hadithi i Ebu Hurejrës ku Profeti ﷺ ka thënë:
“Kush e lartëson Allahun (Subhanallah) pas çdo namazi 33 herë, e lavdëron Allahun (Elhamdulilah) 33 herë dhe e madhëron Allahun (Allahu Ekber) 33 herë – gjithsej 99 – dhe për plotësim të njëqindës thotë: La ilahe il-lallah vahdehu la sherike leh ……” (Muslimi 597)
Ky hadith është i qartë për thënien ndaras të secilës.
“Shpjegimi i Sahihut të Muslimit” 13/237.
Përmbledhje
Mënyrat e bërjes së tesbihut pas namazit kanë ardhur në hadithe të shumta: Në disa është më e qartë që thuhen veç e veç, në disa të tjera duket që thuhen të bashkuara.
Dijetarët kanë dhënë përparësi njërës ose tjetrës, por nuk është thënë se ndonjëra mënyrë është e pavlefshme.
Prandaj më e mira është që njeriu të praktikojë herë ndarjen e herë bashkimin të punojë me të gjitha hadithet.
Megjithatë, thënia veç e veç është më parësore në rast se çdo fjalë shqiptohet qartë, sepse numërimi është më i madh (99 herë) dhe shpresohet që edhe sevapet të jenë më të shumta, siç e ka përmendur Ibn Haxheri.
Por nëse nuk shqiptohen mirë gjë që shpesh ndodh tek ne ku dëgjohet vetëm fillimi i fjalëve, atëherë thënia e bashkuar; “Subhanallah, Elhamdulilah, Allahu Ekber” është më praktike dhe më e sigurt. Allahu e di më së miri!
Dr. Fatmir Strumi
Të Ngjashme
- Si të reagojmë nëse dikush flet gjatë hytbes së xhumasë? Udha e Besimtarëve
- Me çfarë gjuhe do t’iu flitet njerëzve në ditën e ringjalljes? Shehul-Islam Ibn Tejmie
- Vlerësimi i veprave nga më e rëndësishmja tek më e dobishmja Shehul-Islam Ibn Tejmie
- A është e saktë shprehja “Vdiq parakohe”? Udha e Besimtarëve
- Falja e dy rekateve të hyrjes në xhami afër kohës së ikametit Udha e Besimtarëve