Dijet në të cilat duhet të thellohemi

November 1, 2017

S’ka dyshim se njerëzit janë të ndryshëm në aftësi dhe dhunti, prandaj duhet që njeriu të shikojë me vëmendje dhe meditim në vetvete. Ai duhet të gjejë atë që mund të bëjë më mirë dhe fushën ku mund të shkëlqejë, sepse vlera e çdo njeriu është ajo që ai mund të bëjë. Aty duhet të derdhë gjithë mundin dhe të përpiqet fort me sa ka mundësi. Le të jetë plot pasion, sepse kush angazhohet me dituritë e vogla dhe i lë ato të lartat – duke pasur mundësi për to – është si ai që mbjell misër në tokën ku mund të rritet gruri, apo si ai që mbjell pemë pa fruta në tokën ku mund të rriten hurmat arabe dhe ulliri.

Ndërsa kush anon natyrshëm kah një lloj diturie – edhe nëse ajo është në gradë më të ulët se të tjerat – le të mos merret me diçka tjetër veç saj. Përndryshe, do të jetë si ai që mbjell arra kokosi në Spanjë apo si ai që mbjell ullinj në Indi ku të gjitha këto nuk japin fruta. Këtë e ka thënë Ibën Hazmi, Allahu e mëshiroftë.

Pyetja që shtrohet është: Cila është dituria më fisnike?
Dituria më e lartë është ajo që të afron te Krijuesi yt dhe ajo që të ndihmon të arrish kënaqësinë e Tij, dhe ajo është dituria rreth Kuranit dhe Sunetit.

Hafidh ibën Rexhebi, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Ajo që ka detyrë muslimani të kujdeset dhe t’i japë rëndësinë e duhur është hulumtimi rreth asaj që ka ardhur nga Allahu dhe i Dërguari i Tij, sal lall llahu alejhi ue sel lem. Pastaj të përpiqet t’i kuptojë ato të dyja dhe të zgjerohet në kuptimet e tyre, pastaj të merret me saktësimin e tyre nëse janë çështje shkencore. E nëse është prej çështjeve praktike le të përpiqet të veprojë prej tyre sa të ketë mundësi prej urdhëresave dhe të largohet prej ndalesave. Le të jetë pikësynimi i tij i gjithi i përqëndruar në këtë gjë dhe jo tek të tjerat.

Kështu ishte gjendja e shokëve të Profetit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, dhe e atyre që i pasuan ata ashtu siç duhet. Ata ishin në kërkim të dijes së dobishme mbi Kuranin dhe Sunetin.”

Hafidh ibën Haxheri, Allahu e mëshiroftë, duke treguar se cila është dituria që duhet të shtohet ka thënë: “Ajo është dituria që të bën të kuptosh se cilat janë detyrimet e tua si njeri me logjikë prej adhurimeve dhe riteve fetare, njohuria mbi Allahun dhe cilësitë e Tij, si dhe çfarë detyrimesh ke kundrejt Tij siç është zbatimi i urdhërave dhe pastrimi i Tij prej mangësive. Të gjitha këto sillen rreth tefsirit (komentimit të Kuranit), hadithit (fjalëve profetike) dhe fikhut (rregullave fetare).”

Rreth këtyre kuptimeve sillen fjalët e dijetarëve në kontekstin e diturisë së dobishme ku duhet thelluar dhe zgjeruar, prandaj nuk po e zgjasim më shumë me citime.
Këtu duhet të theksojmë se plotësimi i studentit në dituritë e lartpërmendura që quhen dituritë e synuara (ose dituritë që janë qëllim në vetvete, dituritë kryesore), është i lidhur pashmangshmërisht me plotësimin e kuptimit të tij dhe të përvetësimit të një numri shkencash ndihmëse/mjete, siç janë; shkencat e gjuhës arabe, shkenca e usul fikhut (bazat e jurisprudencës islame), terminologjia e hadithit etj.
Disa prej këtyre shkencave janë detyrë të studjohen, sepse është detyrë marrja e mjeteve të duhura që të ndihmojnë të arrish tek qëllimi. Kuptimi i fjalëve të Allahut dhe të Dërguarit të Tij alejhi selam është i lidhur detyrimisht me kuptimin e disa çështjeve paraprake.

Ato janë prej çështjeve për të cilat dijetarët kanë thënë në rregullin e fikhut: “Ajo pa të cilën nuk plotësohet detyrimi (uaxhibi) është vet detyrim.” Pra, kjo është detyrim. Ndërsa ajo që nuk është detyrë të studjohet është ajo dituri që nuk ndikon në kuptimin e fjalëve të Allahut dhe të të Dërguarit, sal lall llahu alejhi ue sel lem, dhe ajo mbi të cilën nuk ndërtohet ndonjë çështje praktike. S’ka dyshim se në varësi të sasisë që merr dijetari prej këtyre diturive ndihmëse dhe aftësimit të tij në to – sidomos ato dituri mbi të cilat ndërtohet kuptimi i sheriatit dhe që nuk janë prej studimeve të miratuara apo ato dytësore –, do të jetë edhe aftësia e tij për të hulumtuar (për të bërë ixhtihad) dhe për të nxjerrë gjykime fetare (istinbat), sepse dituritë janë të lidhura me njëra-tjetrën.

 

Marrë nga libri: “Nxitësi për lexim”.

Përktheu: Emin Bilali

Loading...