Cilat janë kriteret e një vepre që ajo të pranohet tek Allahu?

March 31, 2021

Pyetja e katërt: Cilat janë kriteret e një vepre që ajo të pranohet tek Allahu?

Përgjigja: Kriteret bazë që një vepër të jetë e pranuar tek Allahu janë tre: Besimi, sinqeriteti dhe ndjekja e Pejgamberit (sal-lAllahu alejhi ve sel-lem).

  1. Besimi në Allahun Një dhe të Vetëm ose veçimi i Allahut në adhurim duke i besuar dhe duke ia kushtuar adhurimin vetëm Aij, bazuar në fjalën e Allahut të Lartësuar i Cili ka thënë:

﴿إِنَّ الَّذِينَ آمَنُوا وَعَمِلُوا الصَّالِحَاتِ كَانَتْ لَهُمْ جَنَّاتُ الْفِرْدَوْسِ نُزُلًا﴾  [الكهف: 107]

Vërtet ata që besuan dhe bënë vepra të mira e përmirësuese, vendqëndrimi i tyre do të jetë në xhenetet (kopshtet e larta) e Firdeusit!” El-Kehf:107

Ndërsa i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë:

«قل آمنت بالله ثم استقم»

“Thuaj: I kam besuar Allahut! – pastaj bëhu i qëndrueshëm në këtë!” Transmeton Muslimi

 

  1. Sinqeriteti në besim, në fjalë dhe në vepra, që është bërja e veprës vetëm për të fituar kënaqësinë e Allahut pa e përlyer atë me dyfytyrësi apo me dëshirën për t’u dukur, bazuar në fjalën e Allahut të Lartësuar i Cili thotë:

﴿ فَاعْبُدِ اللَّهَ مُخْلِصًا لَهُ الدِّينَ﴾  [الزمر: 2]

…adhuroje Allahun me sinqeritet dhe kushtoja fenë vetëm Atij!” Ez-Zumer: 2

  1. Ndjekja e shembullit tëPejgamberit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ashtu siç na ka porositur Allahu i Lartësuar:

﴿ وَمَا آتَاكُمُ الرَّسُولُ فَخُذُوهُ وَمَا نَهَاكُمْ عَنْهُ فَانْتَهُواوَاتَّقُوا اللَّهَ إِنَّ اللَّهَ شَدِيدُ الْعِقَابِ﴾  [الحشر: 7]

Atë që ua jep (porosi) i Dërguari merreni, dhe atë që ua ndalon hiqni dorë prej saj. E kijeni frikë Allahun, se vërtet Allahu ndëshkon ashpër!” El-Hashr: 7

Ndërsa i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë:

»من عمل عملاً ليس عليه أمرنا فهو رد «

“Kush vepron një vepër që nuk është nga veprat tona, ajo refuzohet! Transmeton Muslimi.

Fjala “…nuk është nga veprat tona…” nënkupton ato adhurime që nuk ka argument për to nga i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!”, por që janë vepra bidat, të shpikura dhe të sajuara nga njerëzit.

Fjala “…refuzohet…” nënkupton se ai adhurim është i papranuar dhe në të njëjtën kohë është edhe gjynah, ngase personi që e bën atë ka sajuar një adhurim të cilin nuk e ka ligjësuar as Allahu dhe as i Dërguari i Tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!)

Marrë nga libri: Mësoje Besimin prej Kuranit dhe Sunetit autentik
Nga profesor: Muhamed bin Xhemil Zejno
Përktheu: Bashkim Selmani

Loading...