Shkaqet që të ndihmojnë ta lidhësh zemrën me Allahun

October 9, 2017

Cilat janë shkaqet specifike që të ndihmojnë ta lidhësh zemrën me Allahun e Lartësuar?

Shejh Salih el-Feuzani (Allahu e ruajtë) ka thënë: Shkaqet që të ndihmojnë ta lidhësh zemrën me Allahun e Lartësuar janë: Shtimi i leximit të Kuranit, përkujtimi i mirësive të Allahut të Lartësuar, frika nga dënimi i Allahut, dëshira për shpërblimin e Tij, dhe shtimi i përmendjes së Allahut.

Allahu i Lartësuar thotë: “Ata që besojnë dhe zemrat e të cilëve kur përmendet Allahu qetësohen. Vërtet, zemrat qetësohen me përmendjen e Allahut!” Er-Rrad: 28.

Gjithashtu, prej shkaqeve që të ndihmojnë ta lidhësh zemrën me Allahun e Lartësuar është dhe vështrimi tek ajetet (provat/argumentet) e Tij universale (kozmike) dhe meditimi në to. I Lartësuari thotë: “Me të vërtetë, në krijimin e qiejve e të Tokës dhe në ndërrimin e natës e të ditës ka prova për njerëzit me mend.[1] Ata të cilët e përmendin Allahun duke qenë në këmbë, ulur e shtrirë, dhe që meditojnë në krijimin e qiejve dhe të Tokës:[2]Zoti ynë! Ti nuk i ke krijuar kot këto, i Pastër nga çdo e metë je Ti![3] Na ruaj nga dënimi i zjarrit![4]” Al-Imran: 190-191.

“El-Munteka min fetaua fadileh” i Shejh Salih bin Feuzan bin Abdullah el-Feuzani, vëll. 1.

Përktheu: Unejs Sheme

————————————————-

[1] Provat e Allahut ekzistojnë dhe duken qartë në gjithçka që na rrethon në të gjithë krijimin e Allahut, duke filluar që nga vetë trupi i njeriut e deri në dukuritë natyrore madhështore që Allahu ka krijuar e përsosur. Ato nuk i dallojnë veçse njerëzit që kanë arsye dhe logjikë të shëndoshë, ata të cilët kërkojnë të vërtetën dhe meditojnë në krijimin e qiejve e të tokës. E gjithë kjo tregon për lidhjen e zemrës me Krijuesin e saj dhe dhënien e mundit për arritjen e kënaqësisë së Tij.

[2] Dhe e dinë se ato nuk mund të jenë krijuar vetvetiu dhe as rastësisht, por ato kanë Krijuesin e tyre Madhështor i Cili zotëron të gjitha atributet dhe cilësitë absolute, dhe është larg dhe i pastër nga çdo e metë apo cilësi negative. Allahu është Ai i Cili i ka krijuar, i ka sistemuar, i mban dhe i drejton të gjitha krijesat e Tij, dhe ato nuk mund të mbijetojnë pa Të. Nga ky ajet kuptojmë gjithashtu se meditimi në krijesat e Allahut është adhurim ndaj Allahut dhe cilësi e adhuruesve të ditur të Allahut dhe miqve të Tij.

[3] Larg çdo të mete që nuk i përshtatet Madhështisë Tënde je Ti o Zoti ynë! Ti e ke krijuar gjithçka me qëllim, me të vërtetën dhe për të vërtetën. Ky krijim madhështor patjetër që tregon dhe argumenton për madhështinë e Krijuesit të tij të Plotëfuqishëm.

[4] Na ruaj nga veprat e këqija dhe na jep sukses për kryerjen e veprave të mira që të shpëtojmë nga dënimi Yt në zjarr, sepse padyshim se dënimi Yt do të jetë i madh dhe i dhembshëm e Ti je i Plotfuqishëm për gjithçka! Nuk mund të na shpëtojë nga dënimi Yt askush tjetër përveç Teje, prandaj na ruaj nga dënimi i zjarrit dhe na fut në Xhenetin Tënd!

Loading...