Cilësi negative të natyrës së njeriut që përmenden në Kuran (Pjesa 5)

January 6, 2016

9- [Daif] i dobët, për shkak se nuk përmbahet dot ndaj dëshirave dhe qejfeve të tij dhe do ti arrij ato qoftë edhe në mënyrë të ndaluar.

Kjo cilësi është përmendur në ajetin: “Allahu do që t’jua lehtësojë (çështjen e martesës), sepse njeriu është krijuar i dobët” suretu En-Nisa: 28.

Çështje për të cilën bëhet fjalë në ajet është lejimi i martesave me robëresha (robëreshat e të tjerëve dhe jo robëresha e tij, sepse nëse do të kishte robëreshë i mjafton ajo që ka vetë) për ata që nuk kanë mundësi të martohen me gra të lira, sepse njeriu është i dobët në lidhje me gratë dhe jo çdo kush e ka mundësinë të martohet me gra të lira, çka do ta shtyjë atë nëse nuk të merret parasysh kjo dobësi të bjerë në zinanë (imoralitet) e ndaluar.

Tausi (prej komentuesve të njohur të Kuranit, nxënës i Ibn Abasit -radiallahu anhu-) rreth fjalës së Allahut [njeriu është krijuar i dobët] thoshte: Kjo është në lidhje me grate, sepse nuk ka ndonjë gjë që mund të dobësohet njeriu më shumë sesa ndaj grave.

Kjo dobësi që ka njeriu ndaj grave është aq e theksuar sa ajo e mund edhe logjikën e njeriut më të zgjuar siç thotë Profeti -alejhi selam- kur u drejtohet grave: “Nuk kam parë gjë me pak logjikë dhe me pak fe që t’ia humbin mendjen njeriut të zgjuar sesa ju” e transmeton Muslimi.

Prandaj dhe Profeti -alejhi selam- ndër porosive të tij ka qenë edhe porosia për përmbajtje ndaj dynjasë në përgjithësi dhe ndaj grave në veçanti sepse njeriu është i dobët ndaj tyre siç tregon Ebu saidi -radiallahu anhu- se profeti -alejhi selam- ka thënë: “Dynjaja është e ëmbël dhe e bukur dhe Allahu do t’jua japë atë për të parë se çdo të bëni. Prandaj ruajuni dynjasë dhe ruajuni grave, sepse fillimi i sprovës së Beni Israilëve ka qenë me gratë” e transmeton Muslimi.

Ky hadith tregon se njeriu ka dobësi ndaj gjërave të dynjasë në përgjithësi dhe dobësia më e madhe e tij është ndaj grave prandaj dhe është veçuar këtu.

Origjina ë kësaj dobësie është zbukurimi që i ka bërë Allahu këtyre gjërave në zemrat e robëve siç është përmendur në ajetin: “U janë zbukuruar njerëzve dhe u janë bërë të dashura gjërat e qejfit si: gratë, fëmijët, sasitë e mëdha të floririt dhe sermit, kuajt balashë, bagëtitë dhe të mbjellat. Këto janë kënaqësia e dynjasë dhe te Allahu ka shpërblim më të mirë se ato” Suretu Ali Imran: 14.

Këto bukuri të dynjasë për të cilat njeriu ka dobësi ndaj tyre, ka një mënyrë të lejuar për ti arritur siç ka edhe mënyra të ndaluara, mirëpo për shkak të kësaj cilësie shpesh herë i arrin ato në mënyrë të ndaluar, por i suksesshëm është ai i cili i arrin ato në mënyrë të lejuar.

10- [Helau’] quhet ai njeri që është në gjendje të madhe meraku, ose për shkak të frikës së madhe nga e keqja, ose për shkak të kujdesit të madh ndaj të së mirës.

Fjala [Helau’] është përmendur në ajetin: “Njeriu është krijuar në merak të madh (Helu’) kur e prek e keqja tmerrohet * dhe kur e prek e mira e ruan atë me shumë kujdes” suretu El-Mearixh: 19-21.

Ky ajet tregon se njeriu është krijuar të jetë gjithmonë nën presionin e merakut si në lidhje me të mirën ashtu dhe në lidhje me të keqën dhe kështu e gjithë jeta e tij kalon në merak.

Allahu i Madhëruar gjithashtu në ajetet vijuese na tregon për një lloj njeriu që është i mbrojtur nga kjo cilësi e pandashme dhe ky lloj njeriu është besimtari, i cili ka disa cilësi të tjera mbrojtëse: Falet rregullisht, në pasuritë e tij i bën pjesë të varfërve, beson në ditën ne gjykimit, ka frikë dënimin e zotit të tij, ruan nderin, ruan amanetin dhe dëshminë e çon në vend.

Këto cilësi e ushqejnë besimtarin nga ana shpirtërore dhe e qetësojnë atë nga meraku i madh i natyrës së tij siç thotë Allahu i Madhëruar: “A nuk qetësohen zemrat nga përkujtimi i Allahut” suretu Er-Rrad: 28, apo fjala e Profetit -alejhi selam- kur urdhëronte Bilalin për ezanin e namazit: “Na qetëso ne me të, o Bilal” e transmeton Ebu Daudi dhe e saktëson sheikh Albani.
Për këtë arsye, Sheikhul-Islam Ibn Tejmije thoshte: Nuk qetësohen zemrat e robëve veçse me Allahun.

Pasoja e gjendjes së merakut është prishja e lumturisë dhe kjo do të thotë se lumturinë në këtë botë nuk e gjen njeri tjetër veç besimtarit i cili është i ruajtur nga gjendja e merakut. Ndërsa jobesimtarët jan nën presionin e kësaj cilësie, e cila është e pandashme prej tyre, për shkak se nuk kanë mjetin mbrojtës të besimit.

Ja si e përshkruan Allahu atë që nuk e kujton Atë: “Ai i cili i kthen shpinën përkujtimit tim, ka për pasur një jetë të vështirë” suretu Taha: 124.

Të njëjtin përshkrim e gjejmë edhe te ai që ha kamatën, i cili ka arritur në kulmin e ankthit të merakut për pasurinë dhe thotë: “Ata të cilët hanë kamatën nuk ngrihen veçse si ai i cili e ka kapluar shejtani me sëmundje toke” suretu El-Bekara: 275.

Pra, besimi e lumturon njeriun dhe e largon atë nga ankthi i merakut dhe shumë e qëlluar është një thënie e sheikhul-Islam Ibn Tejmije –Allahu e mëshiroftë-: Në dynja ka një xhenet që kush nuk futet në të, nuk do të futet në xhenetin e ahiretit.

Shkroi: Dr, Abdullah Nabolli

Loading...