Cilësitë e banorëve të xhenetit pjesa e dytë

August 17, 2016

Cilësitë e banorëve të xhenetit

Durimi

[vazhdimi]

Së dyti: Banorët e xhenetit në këtë dynja -vendin e punës- bënë durim, sepse ata e dinin se e gjithë e mira gjendet te durimi. Allahu Madhëruar thotë: “Nëse ndëshkoni, ndëshkoni aq sa jeni ndëshkuar, por, nëse duroni, kjo është më e mira (rrugë) për të durueshmit. Prandaj duro! Durimi yt është vetëm me ndihmën e Allahut. Dhe mos u pikëllo për ta e mos u ngushto për shkak të dredhive të tyre! Vërtet, Allahu është me ata që e kanë frikë dhe që janë punëmirë.” En-Nahl, 126-128

Dhe ja, njerëzit e dijshmëm atyre që ishin dhënë (mashtruar) pas dynjasë dhe thonin: “Ah! Sikur të na ishte dhënë edhe neve si Karunit! Vërtet që ai është njeri me fat.” Kasas, 79

u thanë: “Të mjerët ju! Shpërblimi i Allahut është më i mirë për atë që beson dhe bën vepra të mira. Ai do t’u jepet vetëm të duruarve”. Kasas, 80

I Madhëruari thotë: “Nuk barazohet e mira me të keqen! Të keqen ktheje me të mirë e atëherë armiku yt do të të bëhet menjëherë mik i ngushtë. Ky virtyt u dhurohet vetëm atyre që durojnë dhe vetëm atyre që kanë një fat të madh.” Fussilet, 34-35

Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “E çuditshme është çështja e besimtarit, e gjithë çështja e tij është e mirë dhe kjo nuk është veçse për besimtarin. Nëse i vjen ndonjë e mira, ai falënderon dhe kjo është e mirë për të, e nëse e godet ndonjë e keqje, ai bën durim dhe kjo është e mirë për të”.[1]

Gjithashtu Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem thotë: “Kush përpiqet për durim Allahu do e bëj atë të durojë. Askujt nuk i është dhënë diçka më e mirë dhe më e gjerë se sa durimi.” Buhariu (1400) dhe Muslimi (1053)

Së treti: Banorët e xhenetit në këtë dynja -vendin e punës- bënë durim, sepse ata e dinin se përfundimi i durimit është sundimi dhe fitorja ndaj armiqve. Prandaj Zoti ynë na solli si shembull në Librin e tij historinë e Jusufit alejhis-selam, i cili bëri durim ndaj sprovës së vllezërve të tij kur ata e hodhën në pus, bëri durim në kohën që po e shihte veten e tij të shitej me një çmim të ulët, veç disa dirhem, dhe bëri durim ndaj sprovës së burgut. E megjithë këtë ai doli prej burgut si përgjegjësi i depove të Egjiptit.

Në kohën kur atij i erdhën vëllezërit, ai u tha: “Ai tha: “A nuk e mbani mend çfarë keni bërë me Jusufin dhe vëllanë e tij, kur ishit të paditur?” Ata thanë: “Vallë, ti je vërtet Jusufi?!” Ai u përgjigj: “Po, unë jam Jusufi e ky është vëllai im. Allahu na mëshiroi. Atë që ruhet (nga gjynahet) dhe bëhet i durueshëm, Allahu e shpërblen, se Ai kurrë nuk ia humb shpërblimin punëmirëve”. Jusuf, 89-90. Kështu Allahu i dha atij sundim në tokë për shkak se bëri durim.

I Dërguari i ynë sal-lAllahu alejhi ue sel-lem i tha Ibën Abasit radijAllahu anhu: “O Djalosh!… Dije se ajo që të është shmangur (nuk të ka goditur) nuk ka mundur të të godasë (nuk të është caktuar) dhe ajo që të ka goditur nuk mund t’i shmangesh. Dije se fitorja vjen me durimin, rrugëdalja vjen pas sprovës dhe me vështirësinë është lehtësimi.” Rijadus-Salihin me recensim të shejh Albanit (Allahu e mëshiroftë!) nën hadithin me nr. (63)

 

“El-Akidetu el-Evvelen” vëll. 3

Përktheu: Unejs Sheme

[1] Muslimi (2999)

Loading...