Cilësitë e prijësit të Besimtarëve, Ali bin Ebi Talib (Allahu qoftë i kënaqur prej tij)

November 12, 2015

Cilësitë e prijësit të Besimtarëve,  Ali bin Ebi Talib (Allahu qoftë i kënaqur prej tij)

Adij bin Hatim, shkoi tek Muavija dhe ky e pyeti: Ku i ke fëmijët? Ai i tha: Janë vrarë në betejën e Sifinit, para syve të Ali bin Ebi Talibit.

Muavija i tha: Nuk u tregua i drejtë Aliu, sepse mori në luftë femijët e tu dhe la femijët e vet.

Adiu i tha: Përkundrazi, unë nuk jam treguar i drejtë me të, sepse ai u vra dhe unë jam akoma gjallë.

Më pas, Muavija (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) iu drejtua Adij bin Hatim dhe i tha: Më trego pak për cilesitë e Aliut!

Adiu i tha: Do doja shumë të mos më pyesje.

Jo, dua te me tregosh, i tha Muavija.

Adiu, filloi të tregonte cilësitë e Ali bin Ebi Talibit duke thënë:

Betohem në Allahun, ai ishte largpamës dhe i fortë në të vërtetën. Fliste drejt dhe gjykonte prerë, urtësitë dhe dija shpërthenin nga e gjithë qënia e tij.

Ndihej i trembur nga dunjaja dhe bukuritë e saj dhe ndiente qetësi nga nata dhe errësira e saj.

Betohem, se ai rralle herë qante dhe shpesh herë meditonte, e merrte në llogari veten kur veçohej (nga njerëzit) dhe nuk shihte pas atë që ka kaluar.

Nga rrobat, i pëlqenin ato që ishin të shkurtra dhe nga jetesa ajo qe kishte vështirësi. Kur qëndronte me ne nuk njihej, na përgjigjej kur e pyesnim dhe na jepte borxh kur i kërkonim.

Edhe pse na rrinte afër dhe mundohej të na afronte, nuk guxonim ti flisnim nga hija e rëndë që kishte dhe nuk e shihnim në sy për shkak të respektit që kishim për të.

Kur buzëqeshte, sikur zbulonte margaritarë të ruajtur. Respektonte njerëzit e fesë dhe ishte i dashur për nevojtarët. I forti nuk i trembej padrejtesisë së tij dhe i dobëti nuk e humbte shpresën nga drejtësia e tij.

Betohem se një natë e kam parë të qëndronte tek mihrabi i tij, atëherë kur nata kishte hedhur petkun e saj dhe yjet ishin shfaqur në qiell, se si lotët rridhnin mbi mjekrën e tij, ndërsa ai sillej e mbështillej dhe qante. Më duket sikur tani po e dëgjoj kur thonte: Oj dunja! A mua më je zbukuruar? Shko mashtro tjetërkënd, unë të kam divorcuar tri herë, pas së cilës nuk ka më kthim prapa.

Kënaqësia jote është e ulët dhe kurthi yt është i lehtë. Ah këto punët e pakta dhe ky udhëtimi i gjatë dhe i frikshëm.

Muavija nuk e mbajti veten, fshiu lotët dhe tha: Allahu e mëshiroftë babain e Hasanit, vërtetë kështu ka qenë.
[El Kuna uel Elkab 2/103].
Përktheu Fatjon Isufi

Loading...