Gjykimi i dijetarëve në lidhje me shit-blerjen e kriptomonedhave

Pyetje: Cili është gjykimi i dijetarëve në lidhje me shit-blerjen e kriptomonedhave me qëllim fitimi?

Përgjigje: Kriptomonedha është një lloj monedhe imagjinare që ka filluar të futet në treg kohët e fundit. Me këtë lloj monedhe mund të blihet mall në disa vende, si dhe mundesh t’a ndërrosh me monedha të tjera. Kjo monedhë nuk ka mbrojtje nga shteti dhe për këtë arsye vlera e saj ka shumë luhatje. Herë e gjen me çmim të ulët e herë me çmim të lartë, sipas kërkesës së tregut të lirë. Luhatja e vlerës së saj i ka bërë shumë njerëz të investojnë në këtë lloj monedhe me qëllim fitimi, d.m.th. t’a blejnë kur ajo ka çmim të ulët dhe t’a shesin kur t’i rritet vlera që të fitojnë nga kursi i këmbimit. Kjo mundësi fitimi i ka bërë gjithashtu shumë njerëz të interesohen për gjykimin e saj në sheriatin Islam.
Në lidhje me këtë temë është folur shumë por mua më ka pëlqyer një trajtim që i ka bërë asaj një prej nxënësve të shejh Albanit -Allahu e mëshiroftë-, i cili quhet Meshhur Hasen Selman -Allahu e ruajt-. Ai është shejh dhe studiues i njohur në botën Islame me banim në Jordani, i cili në Shqipëri njihet me librin “Gabimet e Namazlive” ku është autori i tij.
Shejhu i nderuar në fetvatë e tij anon nga ndalimi kur bëhet fjalë për të fituar nga kursi i këmbimit, dhe gjykimin e tij e mbështet në dy arsyetime:
I pari: Origjina te monedhat në përgjithësi të çfarëdo lloji qofshin ato është se me to vlerësohen mallrat, dhe shit-blerja e tyre mes njëra-tjetrës me qëllim fitimi i kthen ato në mall. Pra është e kundërta e asaj për të cilën ato janë bërë.
I dyti: Kriptomonedhat kanë vlerë shumë të luhatshme, dhe investimi në këtë lloj valute me qëllim fitimi përmban ekspozim ndaj fitimit dhe humbjes bazuar te fati. Kjo është e ndaluar në Islam sepse për këtë shkak janë ndaluar edhe lojërat e fatit. Ai që përfshihet në lojërat e fatit fiton apo humb mbi bazën e fatit.
Ky është argumentimi i shejhut të nderuar dhe në fakt arsyeja e dytë; ekspozimi ndaj fitimit dhe humbjes bazuar te fati në lidhje me kriptomonedhat, është më i lartë se tek cdo monedhë tjetër.
Për shembull; monedhat e floririt dhe sermit që përdoreshin dikur dhe të cilave u referohen dijetarët e Islamit në librat e tyre kanë luhatje në vlerë, ama luhatja e vlerës së tyre është më e vogël për shkak se ato kanë vlerë edhe në vetvete. Floriri dhe sermi ka vlerë edhe si metal dhe jo vetëm si valutë.
Kartmonedhat apo monedhat e letrës të cilat përdoren sot kane luhatje të vlerës më të madhe se monedhat e floririt dhe sermit sepse ato janë letra pa vlerë në vetvete, mirëpo fakti që ato mbrohen nga shteti bën që të kenë stabilitet.
Ndërsa kriptomonedhat janë akoma më të luhatshme, sepse ato as kanë vlerë në vetvete si floriri dhe sermi dhe as kanë mbrojtje nga shteti si kartmonedhat. Madje ato janë të ekspozuara ndaj hileve gjë që e bën investimin në to me shumë rrezik. Ky lloj rreziku i ngjan rrezikut të atij që luan lojëra fati të cilat në Islam janë të ndaluara.

Kjo është pak a shume fetvaja e shejhut të nderuar -Allahu e ruajt- dhe një shpjegim i vogël rreth saj. Lusim Allahun e Madhëruar që kjo fetva të jetë e dobishme për të interesuarit.

Dr. Abdullah Nabolli