Dallimi mes metodolgjisë së Selefëve dhe atyre që erdhën më pas

June 19, 2025

Dijetari Muhamed Rashid Rida i cili ka ndërruar jetë në vitin 1354 h, thotë:

Kur filluam të merreshim me dijen e Kelamit (teologjisë spekulative) shihnim në libra se hanbelitë i kundërshtonin (të tjerët), dhe mendonim se ata janë njerëz të ngurtë që ngjiten pas kuptimeve të jashtme të transmetimeve (teksteve) pa i kuptuar ato siç duhet, pa njohur realitetin e dijes dhe pa e përputhur transmetimin me dijen.

Mendonim se vetëm librat e Esharive janë burimi i fesë dhe rruga për tek bindja e sigurt.

Por kur u njohëm me librat e tyre (hanbelive) kuptuam se ato janë pikërisht librat që ua zbulojnë muslimanëve metodën më të mirë të selefëve, që i çojnë njerëzit te burimi më i ëmbël dhe lexuesi i tyre ndien gëzimin e besimit dhe freskinë e bindjes.

Dallimi midis këtyre librave dhe atyre të esharive ishte si dallimi mes atij që ecën në një rrugë të drejtë dhe atij që noton në një det të thellë, ku e përplasin valët e dyshimeve filozofike dhe e tërheqin rrymat e kërkimeve teorike.

Mua mu bë e qartë pasi u binda se rruga e selefëve të drejtë është më e sigurt, më e ditur dhe më e urtë, se kjo është një nga provat e vërtetësisë së Profetit ﷺ.

Muslimanët pasi që studiuan filozofinë e mendimtarëve të teologjisë dhe u futën në të gjitha dijet e lashta, nuk arritën të sillnin ndonjë gjë që të forcojë lidhjen e besimit, as ndonjë rrugë për të arritur të vërtetën me argumentim përveç asaj që tashmë kishte ardhur përmes Kuranit.

E sikur ky Kuran të ishte vepër e njeriut do ta kishin tejkaluar atë, sidomos pasi dolën nga analfabetizmi dhe u zhytën në dijet logjike si matematika, shkencat natyrore dhe filozofia.

Ndër gjërat që e bëjnë literaturën e hanbelive më të vlefshme se të gjithë librat e tjerë është se ato janë të nevojshëm në çdo kohë, ndërsa librat e esharive janë bërë të panevojshëm tek shumica e njerëzve në shumicën e çështjeve që trajtojnë. Një pjesë e madhe e tyre bazohet në filozofinë greke e cila tashmë është abroguar, dhe në polemikat me sektin e mutezilive të cilët tashmë janë shuar.

Nuk po them se çdo gjë që kanë shkruar hanbelitë në çështjet e tyre është e drejtë dhe e pagabueshme dhe se te këto burime duhet të kthehemi e të mbështetemi, jo! Sepse vetëm Libri i Allahut është i pagabueshëm.

Allahu i Lartësuar thotë: “Sikur (ky Kuran) të ishte nga ndonjë tjetër përveç Allahut, në të do të gjenin shumë kundërthënie.” | En-Nisa: 82.

 

Marrë nga revista “El menar”, vëll. 6, fq. 620.

Përshtati: Fatjon Isufi

Dosje: ,

Loading...