Dashuria per Profetin alejhis-selam lidhet me praktikimin e Sunetit

S’ka dyshim se Kurani dhe Suneti janë shpallje nga Allahu i Lartësuar. I Madhëruari thotë: “Ai nuk flet sipas qejfit të vet, por ajo (që thotë) është vetëm shpallje hyjnore, që i vjen atij.” En-Nexhm, 3-4.

Hassan bin Atijjeh (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Xhibrili alejhi-selam vinte tek i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem me Sunet (i shpallte Sunetin) ashtu siç vinte me Kuran. Ia mësonte atë (Sunetin) Profetit, ashtu siç ia mësonte Kuranin.” Shënon Ebu Daudi etj. E ka saktësuar Hafidh Ibën Haxheri (Allahu e mëshiroftë!) në “El-Fet’h” (13/291)

Kurani dhe Suneti janë dy burimet bazë të legjislacionit Islam. Prej tyre përftohen argumentet legjislative islame dhe gjykimet e jurisprudencës (fik’hut). Te to kthehen të gjitha çështjet, që kanë të bëjnë me legjislacionin Islam (Sheriatin)

Nuk është hera e parë, dhe s’do jetë as e fundit, ku Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem shahet, ofendohet dhe tallet. Një gjë e tillë ka ndodhur edhe kur ai sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ishte në mesin e banorëve të Mekës. Por kur Islami u plotësua dhe muslimanët ishin në kulmin e fuqisë dhe të lavdisë, çdokush që shante Profetin sal-lAllahu alejhi ue sel-lem merrte ‘gjysmën e lekut’. Ndërsa në periudhat kur muslimanët kishin rënë në dobësi, ata e shihnin kundërpërgjigjen më të mirë ndaj sulmeve që i bëheshin Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem tek përmirësimi i veteve të tyre.

Hapi i parë i përmirësimit ishte obligueshmëria e të punuarit me Sunetin e saktë profetik duke e ringjallur atë. I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush ringjall në Islam një sunet të mirë, ka shpërblimin e atij dhe të gjithë atyre, të cilët punojnë me të pas tij, pa iu pakësuar prej shpërblimeve të tyre asgjë…” Shënon Muslimi (1017).

Sufjan Eth-Theuri (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “S’më ka arritur ndonjë hadith nga i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, veçse kam punuar me të, qoftë dhe një herë të vetme.” Shih “Es-Sijjeru”, vëll. 2

Të punuarit me sunetin e saktë profetik është tregues i dashurisë për Profetin sal-lAllahu alejhi ue sel-lem,ngase dashuria e vërtetë ndaj të Dërguarit të Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem është:

– Përmallimi i zemrës për ta shikuar atë sal-lAllahu alejhi ue sel-lem.

– Pasimi i Sunetit të tij sal-lAllahu alejhi ue sel-lem dhe përpjekja për përhapjen e tij.

– Mbrojtja e tij sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, e familjes së tij, shokëve të tij dhe fesë së tij.

– Dashuria për familjen e tij sal-lAllahu alejhi ue sel-lem dhe për shokët e tij, nderimi i tyre, t’i lutesh Allahut të jetë i kënaqur me ta dhe urrejtja ndaj atyre që i urren ata (familjen dhe shokët e Profeti alejhis-selam) apo ua ul vlerën/pozitën atyre.

– Shtimi i përmendjes së tij sal-lAllahu alejhi ue sel-lem në leximin dhe përcjelljen e haditheve dhe dërgimin e salavateve për të.

– Studimi i historisë së tij sal-lAllahu alejhi ue sel-lem dhe Sunetit të tij.

– Gjykimi sipas sheriatit (fesë) të tij duke qenë i kënaqur dhe i dorëzuar ndaj gjykimit të tij.

Praktikimi i Sunetit është shkak për arritjen e lumturisë, ngase: “lumturia jote është në varësi të praktikimit tënd të Sunetit. Sa herë e shton praktikimin e Sunetit, të shtohet dhe lumturia në zemrën tënde derisa jeton në Dynja në Xhenet.” Shejh Sulejman Er-Ruhajli (Allahu e ruajttë!) “Dirasat Fil-Menhexh”

Po sot?

-Në sa xhami mësohet forma e namazit të Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem? Nëse ai sal-lAllahu alejhi ue sel-lem do të ishte në mesin tonë e të shihte sesi ne falemi, do të na thoshte: “Kthehuni faluni se nuk jeni falur!”

-Në sa xhami lexohen librat e hadithit, siç janë “Sahihu Buhari”, ‘Sahihu Muslim”, “Sunenu Ebi Daud”, “Sunenu Et-Tirmidhij”, “Sunenu Ibën Maxhe”, “Sunenu En-Nesai”, etj, të shoqëruar me shpjegim përmbledhës nga fjalët e dijetarëve?

-Në sa xhami lexohet dhe mësohet historia e Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem?

-Në sa xhami punohet me sunetin e saktë profetik?

-Në sa xhami, hoxha vazhdon të jetë hoxhë,duke i mësuar xhematit akiden (besimin) dhe sunetin dhe nuk është kthyer në punonjës social duke ndarë thasë me miell?

Kthejani xhamive statusin e vërtetë për të cilin edhe janë ndërtuar dhe mos i mbani thjesht si ‘vend-faljeje’.

Unejs Sheme